Skip to content

Lajmet e ditës

Tirana dënon ndalimin e Haradinajt

Zeri Amerikes - Enj, 01/05/2017 - 13:35
Në Shqipëri autoritetet shtetërore dhe politike të vendit kanë reaguar me forcë ndaj ndalimit nga ana e policisë franceze të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, në pjesën franceze të aeroportit Basel-Mulhouse. “Ndalimi i Haradinajt një absurditet! E pabesueshme që urdhër-arrestet e Serbisë s'janë fshirë ende nga kompiuterat e BE-së. Skandaloze", u shpreh përmes një postimi në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama. Ndalimi i tij u bë në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar që në vitin 2004 nga autoritetet serbe, të cilat e akuzojnë atë për krime luftë. Zoti Haradinaj është përballur me akuzat në Gjykatën e Hagës dhe është shpallur dy herë i pafajshëm. Këtij fakti i referohet edhe ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati i cili e cilëson “të dënueshëm” ndalimin dhe i bën “thirrje autoriteteve franceze, si një prej shteteve me kontribut thelbësor për Kosovën shtet, të qartësojnë situatën duke liruar menjëherë Ramush Haradinajn”. Zoti Bushati madje thekson se “ky akt për fat të keq dëmton procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Proces, i cili kërkon gjurmë provash të pakundërshtueshme, e jo përbetime artificiale, për të ecur me vendosmëri përpara, duke hequr dorë nga provokimet dhe aplikimi i metodave që s’kanë aspak lidhje me të ardhmen e përbashkët të Kosovës e Serbisë në familjen europiane”, ka deklaruar Bushati.  Në të njejtën linjë edhe kryetari i Parlamentit Ilir Meta sipas të cilit “ky veprim është i pakuptimtë, i papranueshëm dhe nuk ndihmon frymën e dialogut dhe bashkëpunimit të deritanishëm mes Prishtinës dhe Beogradit”. Zoti Meta gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve franceze dhe atyre të Bashkimit Evropian “për të zgjidhur këtë incident, për të qartësuar qëndrimin e tyre lidhur më këtë rast e për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen”. Thirrje autoriteteve franceze u ka drejtuar edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha, në mënyrë që "të sqarojnë sa më parë këtë situatë", duke theksuar se "procedura të tilla burokratike dhe rudimentare perjetohen me shqetësim në hapësiren mbareshqiptare pasi ato prekin një ndër faqet më krenare të historise sonë, lirinë dhe pavarësine e Kosovës.”
Kategoritë: Lajmet e ditës

Gruevski ndryshon retorikën, shqiptarët nuk i besojnë

Radio Evropaelire-Lajme - Enj, 01/05/2017 - 12:59
Ndryshimi i retorikës së ish kryeministrit Nikolla Gruevski, njëherit kryetar i VMRO DPME-së, partisë fituese ndaj LSDM-së, me një dallim të ngushtë prej vetëm dy deputetësh bëhet me qëllim të tërheqjes së partive shqiptare, pa votat e të cilave nuk do të mund të formojë qeverinë e re. Në nga intervistë dhënë revistës pro-qeveritare “Republika”, Gruevski ka thënë se shqiptarët kanë qenë më të favorizuar gjatë qeverisjes së tij se sa në kohën e drejtimit të vendit nga Lidhja Social-Demokrate, që tani drejtohet nga Zoran Zaev. Ai ka thënë se asnjëherë nuk i ka ndarë shqiptarët nga maqedonasit dhe se gjithmonë i ka trajtuar si qytetarë të barabartë. Kjo, siç ka deklaruar ai, “dëshmohet edhe më vizitën dhe ndihmat që i kam ofruar zonave të banuara me shqiptar gjatë disa fatkeqësive natyrore”. Ai gjithashtu është lavdëruar se në kohën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së është sjell Ligji për përdorimin e gjuhëve, janë hapur universitete në gjuhën shqipe si dhe të drejta tjera për shqiptarët. Por, para zgjedhjeve, Gruevski në të gjitha tubimet e partisë së tij ishte përqendruar pikërisht tek çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët duke kundërshtuar me forcë qëndrimet e LSDM-së për zgjidhjen e problemit të gjuhës shqipe, por edhe të çështjeve tjera duke drejtuar akuza ndaj saj për federalizimin e vendit. Bedri Ajdari, nga këshilli i familjarëve të gjashtë shqiptarëve të dënuar me burgim të përjashtëm për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas, që njihet si rasti “Monstra”, që besohet të jetë i montuar nga struktura të caktuara të pushtetit, nuk i beson më retorikës së Gruevskit. Sipas tij, gjithçka që deklaron Gruevski ka vetëm se një qëllim, shpëtimin e tij nga siç thotë shumë të këqija që i ka sjellur qytetarëve të Maqedonisë. “I dimë qëndrimet jo vetëm të Gruevskit, por edhe të VMRO DPMNE-së karshi shqiptarëve, përkatësisht i dimë të gjitha ngjarjet dhe veprat që kanë bërë. Kjo është vetëm se një retorikë mashtruese sa të bëj qeverinë dhe pastaj të gjithë ne e dimë se si do të vazhdojnë punët pas formimit të qeverisë së re. Jemi mashtruar një herë, dy herë, por tani vlerësoj se nuk ka vend për mashtrime”, thotë Ajdari. Nga ana tjetër, Shpëtim Pollozhani, nga shoqata e ish të burgosurve politikë shqiptar thotë se shqiptarët më nuk i besojnë Gruevskit dhe këtë siç thotë ai duhet të kenë parasysh partitë politike shqiptare. “Në të gjitha anketat që janë bërë, 99 për qind e shqiptarëve janë deklaruar të pakënaqur nga politikat e tij. Unë jam i bindur se bëhet fjalë për një retorikë shterpe e cila kësaj radhe nuk do të kaloj tek shqiptarët. Vlerësoj se shqiptarë duhet të jetë të unifikuar për të bërë ndryshimin. Gruevski, përfundimisht duhet të zhduket nga skena politike pasi ka mjaftë mëkate jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe popullit të vet”, thotë Pollozhani. Duke komentuar retorikën e Gruevskit, nga LSDM-ja thonë se ai e ka humbur legjitimitetin pasi shumica e qytetarëve kanë votuar për ndryshime. Zëdhënësi Petre Shilegov, thotë se qeveria e re do të formohet nga LSDM-ja ndërsa i ka bërë thirrje institucioneve që të mos i nënshtrohen presioneve të Gruevskit. “Nikolla Gruevski dhe qeverisja e tij kriminale i takojnë të kaluarës. Shumica e qytetarët të Maqedonisë zgjodhën ndryshimin. Së shpejti do të kemi qeveri përgjegjëse për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Shilegov. Nga partitë shqiptarë, përveç BDI-së së Ali Ahmetit e cila ende nuk është deklaruar qartë, të gjitha partitë tjera politike shqiptare janë deklaruar kundër qeverisjes me VMRO DPMNE-në. Bisedimet për formimin e qeverisë së re pritet të nisin javën që vjen. (REL)
Kategoritë: Lajmet e ditës

AAK kërkon të ndalohen vizitat e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë

Radio Evropaelire-Lajme - Enj, 01/05/2017 - 12:41
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë ka kërkuar nga autoritete e shtetërore të Kosovës që të mos lejojnë asnjë zyrtarë të Serbisë të hyjë në territorin e Kosovës, përderisa Beogradi të mos i tërheq të gjitha fletë- arrestet për udhëheqësit politik. Në këto masa reciprociteti, është përmendur edhe mundësia e ndalimit të vizitës së presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, që është paralajmëruar për Krishtlindjet Ortodokse. Gjatë një konference për gazetarë, Ardian Gjini nga AAK, tha se Qeveria e Kosovës duhet të mos i lejojë hyrjen në vend as presidentit të Serbisë. “Ne kërkojmë nga qeverisa e Kosovës menjëherë t’i ndërpres bisedimet me Serbinë dhe të mos i vazhdojë ato derisa të mos tërhiqen fletë-arrestet për udhëheqësit politik të Kosovës. Po ashtu kërkojmë nga qeveria e Kosovës të mos i lejojë zyrtarët serb që të hyjnë në Kosovë përderisa një gjë e tillë të mos ndodh”, ka thënë Gjini. Konferenca e AAK-së është thirrur për të prezantuar zhvillimet më të reja në lidhje me ndalimin e liderit të kësaj partie, Ramush Haradinajt në Basel nga policia franceze, mbi bazën e një flet-arresti të lëshuar nga Serbia.  
Kategoritë: Lajmet e ditës

Serbia kërkon nga Franca ekstradimin e Ramush Haradinajt

Deutsche Welle - shqip - Enj, 01/05/2017 - 12:30
Ramush Haradinaj pritet (05.01) të dalë para organeve të drejtësisë franceze. Ai u arrestua (04.01) në Aeroportin Bazel / Mulhousen nga policia franceze në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Kuvendi me prioritete për vitin 2017, por me probleme në vendimmarrje

Radio Evropaelire-Lajme - Enj, 01/05/2017 - 12:20
Kuvendi i Kosovës përmbylli vitin paraprak me ngecje të theksuara në zbatimin e planit legjislativ, konstatim ky i dalë nga organizatat që monitorojnë punën e legjislativit si dhe vet deputetët. Përplasjet politike në Kuvend ndërmjet pozitës dhe opozitës, sipas përfaqësuesve të partive politike dhe Institutit Demokratik të Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, vlerësohet se ndikuan negativisht në pjesën tjetër të punës së Kuvendit, sidomos në aspektin e miratimit të ligjeve. Projektligji për Qeverinë e Kosovës, ai për Forcat e Armatosura të Kosovës, pastaj ai për shërbyesit civil, projektligji për ruajtje nga ndotja e ambientin, apo edhe ai për liritë fetare, konsiderohen vetëm disa nga ligjet të cilat duhet të miratohen sa ma parë nga legjislativi i vendit. Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti thotë se Kuvendi duhet të fokusohet si në miratimin e ligjeve që kanë të bëjnë më procesin e integrimeve evropiane ashtu edhe në ato që ndikojnë në përmasimin e funksionimit të institucioneve të Kosovës. "Për mendimin tim janë disa fusha në të cilat ne duhet të fokusohemi. Këto fusha janë konsideruar edhe si sfida nga raporti i progresit që lidhen edhe me ligjet edhe për qeverinë, po ashtu edhe me funksionimin e institucioneve të shërbimit civil e të tjera", tha Pajaziti për Radion Evropa e Lirë. Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të përmbush agjendën e paraparë për vitin 2016. Legjislativi deri në fund të vitit të kaluar ka miratuar 36 për qind të ligjeve të parapara në agjendë. Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha për Radion Evropa e Lirë se ka shumë ligje të cila janë të rëndësishme e që duhet të miratohen. Sipas tij, Kuvendi ka ngelur prapa me miratimin e ligjeve, ngase Qeveria e Kosovës nuk ka punuar sa duhet. "Ligji për FSK-në është me prioritet për Kosovën. Shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës ka qenë premtim elektoral, por edhe mjaft domethënës edhe për shtetin e Kosovës. Po ashtu edhe Ligji për mbrojtjen e ambientit është jetik për qytetaret dhe mendoj se duhet të jetë prioritet i Qeverisë dhe Kuvendit dhe ligjet të tjera të cilat nuk do mend se duhet të miratohen sa më shpejt", tha Lekaj. Instituti Demokratik i Kosovës, bën monitorimin e vazhdueshëm të punës së Kuvendit. Ky Institut e ka vlerësuar si shumë të dobët punën e Kuvendit dhe në shpërputhje me përgjegjësitë që ka ky institucion për të shqyrtuar dhe miratuar ligjet dhe çështjet tjera. Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i tha Radion Evropa e Lirë se duke parë diskursin politik dhe raportet mes partive politike në Kuvend, nuk pritet që viti 2017 të sjell një trend më të mirë të punës së këtij institucioni. "Nuk është se mund të presim parashikime të mira për vitin që kemi hyrë për shkak se me një legjislaturë të tillë është e vështirë të priten ndryshime rrënjësore", tha Krasniqi. Kurse sa u takon ligjeve që duhet të procedohen me shpejt, Krasniqi mendon se janë disa që kërkojnë miratim me të shpejt. "Është Ligji për Qeverinë, pastaj ai për ndalimin e ndotjes së ajrit, projektligji për shërbyesit civil, ai për transformimin e FSK-së dhe shumë projektligje të tjera të cilat janë po ashtu të rëndësishme dhe të cilat do të duhej të miratoheshin gjatë këtij viti", tha Krasniqi. Aktualisht, Kuvendi ka në procedurë për miratim edhe 19 ligje, kurse në pritje janë edhe 70 të tjera. Ky legjislativ i cili pritet rinis punën më 16 janar 2017, nuk arriti të përmbushë njërin prej kritereve të fundit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, e që ishte ratifikimi Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. (REL)
Kategoritë: Lajmet e ditës

Rusia, "kërcënim" i madh kibernetik për SHBA-të

Radio Evropaelire-Lajme - Enj, 01/05/2017 - 11:44
Zyrtarë të lartë të inteligjencës në SHBA thonë se Rusia paraqet kërcënimin më të madh kibernetik për “ushtrinë, diplomacinë, afarizmin dhe infrastrukturën“ e SHBA-së. Drejtori i Intelegjencës Kombëtare, James Clapper dhe zyrtarë të tjerë të intelegjencës së SHBA-së, në një dëshmi në Kongres, thanë se Kremlini ka ndërmarrë “masa më të ashpra kibernetike”, duke pasur për cak, organizatat qeveritare, politike dhe koorporatat. Zyrtarët janë duke dëshmuar në një dëgjim në Komitetin e Forcave të Armatosura të Senatit, ku pritet të diskutohet për një kampanjë kibernetike ruse që kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Intelegjenca amerikane beson se Rusia ka kryer sulm kibernetik kundër Demokratëve dhe kampanjës së kandidates demokrate për presidente të SHBA-së Hillary Clinton. Qeveria ruse dhe presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, kanë kundërshtuar këtë konkludim, ndërkaq administrata Obama ka për të bërë publike detaje që sjellin në vërtetësinë se Moska qëndron prapa kësaj. 
Kategoritë: Lajmet e ditës

Kajnak: E dimë lokacionin e mundshëm të sulmuesit të Stambollit

Radio Evropaelire-Lajme - Enj, 01/05/2017 - 11:31
Sulmuesi që ka vrarë 39 njerëz në një sulm që u krye në lokalin e natës Reina të Stambollin natën e Vitit të Ri, me gjasë është ujgur, raporton Reuters.  Sipas zëvendëskryeministrit turk, Vejsi Kajnak, Turqia tashmë ka dijeni për lokacionin e mundshëm të tij dhe lidhjet që ka.  Në një intervistë dhënë televizionit A Haber, Kajnak ka thënë se ai nuk e përjashton mundësinë që sulmuesi të jetë larguar jashtë shtetit, por operacionet brenda Turqisë ka mundësi të arrijnë rezultate.  Ai ka thënë se sulmuesi ka vepruar i vetëm, por ndoshta është ndihmuar më pas nga të tjerët. 
Kategoritë: Lajmet e ditës

Bredhi i Vitit të Ri dhe myslimanët shqiptarë

Deutsche Welle - shqip - Enj, 01/05/2017 - 10:57
Jo më festime, bredh e drita? Pas atentatit të Stambollit pati zëra që i bënë viktimat fajtore, pasi myslimanët nuk e festojnë Vitin e Ri. Po myslimanët që festojnë në Shqipëri e Kosovë mos janë myslimanë të këqinj?
Kategoritë: Lajmet e ditës

Vuçiq: Do të kërkojmë nga Franca ekstradimin e Haradinajt

Radio Evropaelire-Lajme - Enj, 01/05/2017 - 10:28
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se Serbia do të kërkojë esktradimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, i ndaluar nga autoritetet franceze në Bazel. Vuçiq u tha gazetarëve në Qeverinë e Serbisë se prokuroria ka një “numër të lëndëve kundër Haradinajt dhe askush nuk ka të drejtë që të rrënojë vendimet e organeve të drejtësisë – Prokurorisë së Serbisë”. “Çka tjetër vetëm se të kërkojmë ekstradimin e tij”, tha Vuçiq. "Për mua do të ishte e palogjikshme që Franca si një shtet ligjor të mos vepronte në përputhje me të drejtën”, tha kryeministri i Serbisë. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ndalua të mërkurën nga policia franceze në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga policia e Serbisë.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Tahiri: Të zbatohen masa reciprociteti ndaj fletë-arrestimeve serbe

Radio Evropaelire-Lajme - Enj, 01/05/2017 - 10:20
Kosova duhet të aplikojë masa reciprociteti ndaj Serbisë në lidhje me fletë-arrestimet të cilat po i mbanë në fuqi, ka deklaruar ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri. Këto komente ajo i ka bërë gjatë një prononcimi për Radion Evropa e Lirë pas ndalimit të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Basel, nga policia franceze, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it. Masat e reciprocitetit, sipas Tahirit, mund të zbatohen në Kosovë për personat e kërkuar nga Serbia, të cilët dyshohen për përfshirje dhe kryerje të krimeve të luftës në Kosovë. “Ne duhet të zbatojmë masa reciprociteti. Fundja, Serbia është ajo që ka kryer gjenocid këtu dhe krimet më të rënda ndaj njerëzimit”, ka thënë Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë. “Përderisa ndaj luftëtarëve të UÇK-së, të cilët kanë luftuar për çlirimin e Kosovës, shteti serb sillet në këtë mënyrë, sigurisht që kjo sjellje e kërkon edhe një përgjigje adekuate nga ana e jonë”, është shprehur Tahiri. Ministrja për Dialog, ka pranuar se fryma e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është cenuar javët e fundit. “Serbia i ka shpeshtuar sjelljet e saj destruktive të cilat po e dëmtojnë procesin e dialogut, i cili si qëllim ka normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, ka thënë ajo. Si sjellje të tilla destruktive, Tahiri ka veçuar ndërtimin e murit në Mitrovicë, reagimet në raport me hapjen e zyrës së Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut dhe së fundit edhe mbajtjen në fuqi të fletë-arrestimeve përmes INTERPOL-it, siç ishte rasti i ndalimit të Ramush Haradinajt në Basel nga policia franceze. “Kemi të bëjmë me një periudhë e cila vërtetë është brengosëse dhe shqetësuese si për ne ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Për një sjellje të tillë të Serbisë, i kam shkruar edhe Bashkimit Evropian, duke apostrofuar ndalimin e Ramush Haradinajt”, ka deklaruar Tahiri. Për Bashkimin Evropian, dialogu, sipas Tahirit, është një mundësi e mirë për të shtuar presionet mbi Serbinë, ngase normalizimi i raporteve me Kosovën mbetet kusht për integrimin e saj në BE.  “Ne do të vazhdojmë me kërkesat tona që BE-ja të ketë qasje dhe intervenim të efektshëm në mënyrë që të bëhet lirimi i Ramush Haradinajt e në anën tjetër në instancat më të larta shtetërore, sigurisht që do të reflektojmë ndaj kësaj situate dhe shkeljes së frymës së dialogut për fqinjësi dhe paqe në rajon nga ana e Serbisë dhe më pas sigurisht se do të dalim edhe me qëndrime zyrtare”, ka deklaruar Tahiri. Por, në çdo rast, për pozicionin zyrtarë të Kosovës në raport me dialogun e Brukselit, Tahiri ka thënë se vendimi duhet të merret nga instancat më të larta politike të shtetit.  “Ne kemi kërkuar qysh më 2011 futjen në agjendë të çështjes së fletë-arrestimeve të Serbisë, por për këtë temë nuk është pajtuar Beogradi, dhe siç e dini, një pikë nuk mund të futet në dialog nëse nuk ka pajtim të dyja palëve”. Pas ndalimit të Haradinajt nga policia franceze, veprim ky që nuk ishte i pari, pasi që skena të ngjashme u kanë ndodhur si Haradinajt ashtu edhe figurave tjera të kërkuara nga Serbia përmes INTERPOL-it, në Prishtinë ishin shtuar kërkesat për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë. Por, siç ka thënë Tahiri, një vendim të tillë, mund ta marrin vetëm instancat më të larta të shtetit të Kosovës. (REL)    
Kategoritë: Lajmet e ditës

Trump përshkallëzon mospajtimet me intelegjencën rreth ndërhyrjes ruse

Radio Evropaelire-Lajme - Enj, 01/05/2017 - 09:41
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump e ka eskaluar mospajtimin me agjencitë e inteligjencës së SHBA-së lidhur me ndërhyrjet ruse në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, pak para seancave dëgjimore të Kongresit për këtë çështje. Në një postim në “Twitter” të bërë mbrëmë, Trump e ka përsëritur një qëndrim të themeluesit të “Wikileaks”, Julian Assange, se Rusia nuk është burimi i emailave, publikimi i të cilave në media e kanë dëmtuar kandidaten demokrate për president të SHBA-së, Hillary Clinton. “Julian Assange ka thënë se edhe një 14 vjeçar mund ta ketë hakuar Podestan – pse ishte DNC (Komiteti Kombëtar Demokrat) kaq i pakujdesshëm? Ai gjithashtu ka thënë se rusët nuk ia kanë dhënë informacionet!” ka shkruar Trump, duke iu referuar shefit të fushatës së Clinton, John Podesta dhe Komitetit Kombëtar Demokrat, posta elektronike të cilëve u publikua nga “WikiLeaks” pak para zgjedhjeve të 8 nëntorit, pasi u sulmua nga hakerët. Themeluesi i faqes në internet “WikiLeaks”, Julian Assange, më 3 janar, në një intervistë në rrjetin televiziv amerikan, Fox News, ka hedhur poshtë pretendimet e komunitetit të inteligjencës së SHBA-së se Rusia ka udhëhequr përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet amerikane. Mediat në SHBA kanë cituar zyrtarë anonim të CIA-s dhe FBI-së që thonë se vlerësimet e inteligjencës amerikane kanë arritur në përfundimin se përpjekja e dyshuar ruse ka pasur qëllim që ta ndihmojë Trumpin në zgjedhje. Trump rregullisht ka thënë se dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën që janë dëmtuar seriozisht për shkak të konfliktit në Ukrainë dhe në Siri. Qeveria ruse dhe Trump kanë hedhur poshtë pretendimet e inteligjencës amerikane duke i quajtur si absurde, ndërsa administrata e presidentit amerikan, Barack Obama ende nuk ka publikuar detaje që e përkrahin dyshimin se Moska është munduar të ndihmojë Trumpin përmes emailave të vjedhur të demokratëve. “Lajkatar për Rusinë” Pranimi i pretendimit të themeluesit të “Wikileaksit” nga presidenti i zgjedhur amerikan, për shumë njerëz në Uashington është sfidimi më i rëndë i konkludimeve të inteligjencës amerikane rreth kësaj çështjeje. Trump disa herë ka përmendur informacionet me të meta të CIA-s që çuan deri te okupimi amerikan i Irakut në vitin 2003 si bazë të skepticizmit të tij rreth dyshimeve për rolin e Rusisë në sulmet kibernetike në kohën e fushatës zgjedhore presidenciale amerikane. Mbrojtësit e Assangit dhe Trumpit kanë përmendur argumentet e njëjta duke shtuar se përmbajtja e emailave që kanë rrjedhur në media, përfshirë edhe ato të disa zyrtarëve amerikanë që kanë favorizuar Clintonin kundrejt rivalit të saj partiak, Bernie Sanders, kanë qenë më të rëndësishme se sa prejardhja e tyre. Zyrtarë të lartë republikanë e kanë kritikuar Assangin, organizata e të cilit është nën hetime nga autoritetet amerikane për publikimin e informacioneve sekrete të qeverisë. “Nuk kam asgjë për të thënë më shumë se sa ky person (Assange) është një lajkatar për Rusinë. Ai rrjedh (informacione). Ai vjedh të dhëna dhe komprometon sigurinë kombëtare”, ka thënë Paul Ryan, lideri i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve gjatë një interviste dhënë një radioje më 4 janar. Zyrtarë të mëparshëm dhe ata aktual amerikanë kanë shprehur shqetësimin në rritje për refuzimet publike të Trumpit rreth konkludimeve të agjencive të inteligjencës të cilat ai do i mbikqyrë kur të fillojë mandatin më 20 janar. Evelyn Farkas, e cila ka dhënë dorëheqje vitin e kaluar nga posti kryesor në Pentagon në lidhje me Rusinë dhe përkrahëse e Hillary Clinton në zgjedhje, ka thënë se shërbyesit civil të karrierës në departamentin e Mbrojtjes dhe atë të Departamentit të Shtetit janë “vërtetë të alarmuar” nga qasja e Trumpit ndaj establishmentit të inteligjencës. “Njerëzit që hartojnë politika dhe që punojnë në Pentagon dhe në Departament të Shtetit absolutisht pranojnë përfundimet e inteligjencës në të cilat kanë ardhur kolegët e tyre dhe një nga arsyet për këtë është se ata janë në dijeni të të dhënave të pastra të inteligjencës dhe pjesëve të tjera të analizës që janë bërë pjesë e të gjeturave përfundimtare”, ka thënë Farkas për Radion Evropa e Lirë. Senatori republikan Lindsey Graham, i ka thënë mbrëmë CNN-së se është “shumë shqetësuese” që Trump është pajtuar me pretendimet e Assangit. Themeluesi i “Wikileaks” “ka të kaluar në minimin e interesit amerikan”, ka thënë Graham i cili ka qenë kritik i zëshëm i hezitimit të Trumpit për të besuar se Rusia qëndron prapa sulmeve kibernetike. “Unë shpresoj që asnjë amerikan të mos mashtrohet prej tij. Atij nuk duhet dhënë besueshmëri”, ka thënë Graham. Seancat e Kongresit dhe informimi i Trumpit Deklarimet e mbështetura në fjalët e Assangit janë bërë një ditë para se të mbahet seanca dëgjimore në Komisionin e Senatit për Shërbimet e Armatosura në lidhje me dyshimet për hakimet ruse. Në një intervistë dhënë REL-it javën e kaluar, udhëheqësi i këtij Komisioni, John McCain, ka kërkuar sanksione më të ashpra kundër Moskës. “Ka masa më të fuqishme që ne duhet ndërmarrë”, ka thënë McCain dhe ka shtuar: “Para së gjithash, ky ka qenë sulm ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një sulm ndaj fundamenteve të demokracisë tonë. Nëse ju shkatërroni zgjedhjet, ju e keni shkatërruar demokracinë”. Më 5 janar edhe Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, pritet që në një seancë të mbyullur të informojë Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit rreth sanksioneve të fundit të administratës së presidentit Barack Obama në lidhje me dyshimet për sulmet kibernetike ruse. Shtëpia e Bardhë ka dëbuar 35 diplomatë rusë si masë ndëshkuese ndaj asaj që Uashingtoni e quan fushata e kërcënimit të diplomatëve të saj në Rusi. Më 6 janar, Trump pritet të informohet në lidhje me dyshimet se Rusia qëndron para ndërhyrjes në zgjedhje. Tensionet rreth këtij takimi në mes të Trump dhe zyrtarëve amerikanë janë zbuluar më 3 janar, atëkohë kur presidenti i zgjedhur ka sygjeruar se takimi është shtyer për shkak të mungesës së dëshmive rreth përfshirjes ruse. “Informimi me të dhëna sekrete rreth të ashtuquajturës “sulme kibernetike ruse” është shtyer deri të premten, ndoshta për shkak se ende janë duke e krijuar një rast për këtë. Shumë e çuditshme!”, ka shkruar Trump, në Twitter. Zyrtarët amerikanë megjithatë e kanë hedhur poshtë akuzën se e kanë shtyer takimin, duke thënë se takimi prej fillimit ka qenë i paraparë për 6 janar. Udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësueve, Paul Ryan, në intervistën dhënë një radioje ka thënë se informimi i të premtës do kryhet me “shpresën” që Trump të arrij “përfundimet e njëjta me atë se çfarë po ndodhte dhe atë se çfarë ka bërë apo nuk ka bërë Rusia”.  Obama ka dhënë urdhër që raporti rreth sulmeve kibernetike ruse të përfundohet deri më 20 janar. Drejtori i CIA-së, John Brennan, në një intervistë dhënë më 3 janar, ka thënë se raporti “është në pragun final të hartimit”. “Të dhënat sekrete aty do të jenë saktësisht ajo çfarë ka kërkuar presidenti, një rishikim gjithpërfshirës dhe i thellë rreth asaj që ka ndodhur gjatë zgjedhjeve tona të fundit dhe përfshirjes ruse”, ka thënë Brennan për PBS. Ai ka shtuar se raporti do “të trajtojë atë që e ka bërë Rusia, si e ka bërë dhe si e dimë ne këtë”. Përgatiti: Artan Haraçia
Kategoritë: Lajmet e ditës

Më shumë këshilltarë ushtarakë për ofensivën e Mosulit

Deutsche Welle - shqip - Enj, 01/05/2017 - 09:22
SHBA dhe aleatët e tyre e marrin seriozisht luftën e Mosulit. Ata e mbështesin në rrugë të ndryshme ushtrinë e Irakut. Një deklaratë të tërheq tani vëmendjen.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Serbia deponon akuza shtesë ndaj Haradinajt – nuk pret ekstradimin e tij

Radio Evropaelire-Lajme - Enj, 01/05/2017 - 09:18
Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi ka njoftuar se ka mbledhur prova shtesë në funksion të plotësimit të akuzave ndaj liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili të mërkurën është ndaluar në Aeroportin e Baselit nga policia franceze. Ndalimi i tij, është bërë mbi bazën e një fletë-arrestimi të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it, në vitin 2004. Kreu i prokurorisë serbe për krime lufte, Milan Petroviq u ka thënë medieve në Beograd se i kënaqur me faktin që fletë-arrestimet e lëshuara nga Serbia po zbatohen në vendet e Bashkimit Evropian. Por, ai është shprehur skeptik se kërkesa e Beogradit për ekstradimin e Haradinajt në Serbi, do të mund të zbatohet sipas procedurave të shpejta.   “Serbia nuk mund të bëj këtu asgjë, ngase procesi i ekstradimit të shpejtë varet nga personi që është arrestuar. Pra, ekstradimi i shpejtë mund të bëhet vetëm me pëlqimin e tij, në të kundërtën, kjo zgjatë mjaftë kohë”, ka thënë Petroviq. Haradinaj ishte komandant i lartë i ish-UCK-së dhe pas luftës themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një parti parlamentare të cilën ai e udhëheq edhe sot.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Ishinger: Na nevojitet një FBI evropiane

Deutsche Welle - shqip - Enj, 01/05/2017 - 08:55
Shefi i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Wolfgang Ischinger thotë: Evropa duhet të guxojë dhe të ndërmarrë një hap të madh.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Bagdad: Sulmi me veturë-bombë vret së paku 6 veta 

Radio Evropaelire-Lajme - Enj, 01/05/2017 - 08:42
Një veturë-bombë që ka shpërthyer në lagjen kryesisht Shiite të kryeqytetit irakian ka vrarë së paku gjashtë njerëz, njoftojnë zyrtarët.    Policia thotë se vetura e mbushur me mjete shpërthyese ishte parkuar afër një xhamie në periferinë lindore të Bagdadit pak para se të eksplodonte. Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë grupi, Shteti Islamik në lagjen Al Obaidi.  Sulmet në Bagdad gjatë javës së fundi, disa prej të cilave janë kryer nga grupi ekstremist, Shteti Islamik, kanë vrarë dhjetëra njerëz.  Sulmet kanë ndodhur derisa forcat e sigurisë së Irakut, të përkrahura nga sulmet ajrore amerikane dhe luftëtarë të ndryshëm, janë duke bërë përpjekje që të rimarrin kontrollin nga IS-i në qytetin verior, Mosul. 
Kategoritë: Lajmet e ditës

Turqia i kërkon Rusisë dhe Iranit të ndalojnë sulmet e shiitëve në Siri

Radio Evropaelire-Lajme - Enj, 01/05/2017 - 07:36
Turqia më 4 janar iu ka kërkuar Rusisë dhe Iranit që të frenojnë Hezbollahun dhe grupet e tjera militante Shiite në Siri të cilat Ankaraja i akuzon se rregullisht e kanë shkelur armëpushimin aktual në fuqi në Siri.  Ministri i jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu ka paralajmëruar se nëse vazhdojnë shkeljet e armëpushimit, ajo do të dëmtojë bisedimet për paqe të cilat Turqia, Rusia dhe Irani janë duke i organizuar për 23 janar në kryeqytetin e Kazakistanit.  “Pas armëpushimit, ne po shohim shkelje. Kur shohim se kush po i kryen këto shkelje po del se është Hezbollahu, në veçanti grupet Shiite dhe regjimi”, ka thënë Çavushoglu sipas agjencisë së lajmeve turke, Anadolu.  Edhe grupet rebele kanë paralajmëruar mos marrjen pjesë në bisedimet për paqe në Astana nëse vazhdohet me sulmet e grupeve pro qeveritare siriane.  Megjithë këto thirrje, luftimet kanë vazhduar në Ëadi Barana afër Damaskut edhe më 4 janar, sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut. Qeveria ndërkaq akuzon rebelët në rajon se po sabotojnë infrastrukturën e furnizimit me ujë në këtë qytet. 
Kategoritë: Lajmet e ditës

Tillerson e fiton përkrahjen e disa senatorëve, por tjerët ende me dyshime 

Radio Evropaelire-Lajme - Enj, 01/05/2017 - 06:28
Rex Tillerson, i nominuari i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump për postin e Sekretarit të Shtetit ka arritur të marrë përkrahjen e disa senatorëve republikanë, por demokratët thonë se ata duan më shumë kohë që të hulumtojnë rreth lidhjeve të kompanisë së tij, Exxon Mobil dhe Rusisë.  Udhëheqësi i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker, e ka përshkruar Tillersonin si “shumë në ngjarje” me mënyrën e të menduarit të politikës së jashtme amerikane.    Corker, komisioni i të cilit më 11 janar do e mbajë një seancë për konfirmimin e këtij nominimi, ka thënë se ai beson që Tillerson do e udhëheqë një politikë të fuqishme amerikane drejt Rusisë. Ish shefi ekzekutiv i kompanisë, Exxon Mobil e ka zgjeruar praninë e kompanisë së tij në Rusi duke u bërë mik me presidentin rus, Vladimir Putin, ndërsa ka kundërshtuar sanksionet amerikane ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë.  Disa prej ligjvënësve amerikanë, prej të dy partive kanë shprehur shqetësim rreth lidhjeve të Tillersonit me Moskën.  I pyetur nëse ai mund ta përkrahë Tillersonin, udhëheqësi i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, John McCain ka thënë “sigurisht”.  Demokratët kanë kërkuar shtyerjen e seancës për konfirmimin e Tillersonit, duke përmendur lidhjet e Exxonit me Rusinë si arsye.  Në përpjekje për të zbutur kritikat, Rex Tillerson ka shkëputur çdo lidhje me Exxon me qëllim që të evitojë konfliktin e interesit. 
Kategoritë: Lajmet e ditës

Len Pen nënvlerëson kërcënimin e Ukrainës 

Radio Evropaelire-Lajme - Enj, 01/05/2017 - 06:00
Kandidatja për president të Francës, Marine Le Pen e ka hedhur poshtë kërcënimin e Ukrainës për t’ia ndaluar hyrjen në këtë shtet për shkak të komentit se aneksimi rus i gadishullit ukrainas të Krimesë nuk është i jashtëligjshëm.  “Marine Le Pen nuk ka pasur fare në plan që të shkojë atje. Kjo çështje do të zgjidhet përmes rrugëve diplomatike kur ajo të bëhet president i republikës”, ka thënë për Reuters zëdhënësi i Le Pen më 4 janar. Ministria e jashtme e Ukrainës është kërcënuar se do e vë në listë të zezë Le Penin pasi ka treguar “mungesë respekti për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.  Gjatë një interviste më 3 janar, liderja e partisë së ekstremit të djathtë, Fronti Kombëtar të Francës, ka thënë se “nuk pajtohem plotësisht se aneksimi ka qenë i jashtëligjshëm”. Forcat ruse e kanë marrë nën kontroll gadishullin në Detin e Zi në shkurt të vitit 2014 pas organizimin të një referendumi të jashtëligjshëm, një muaj para aneksimit. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi i Evropian zyrtarisht aneksimin rus të Krimesë e konsiderojnë të jashtëligjshëm.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Ramush Haradinaj arrestohet nga policia franceze

Deutsche Welle - shqip - Mër, 01/04/2017 - 21:36
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj u arrestua në aeroportin Bazel-Mulhouse. Arrestimi i tij u bë të merkurën në mbrëmje (04.01) nga policia franceze në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Ndalohet në Bazel Ramush Haradinaj

Radio Evropaelire-Lajme - Mër, 01/04/2017 - 19:54
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është arrestuar në Francë në bazë të një fletarresti ndërkombëtare të lëshuar nga policia e Serbisë.
Kategoritë: Lajmet e ditës
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar