Skip to content

Radio Evropaelire-Lajme

Përmbajtje e sindakuar Radio Evropa e Lirë
Radio Evropa e Lirë është organizatë ndërkombëtare e lajmeve dhe e transmetimeve për Evropën Qendrore dhe Lindore, Kaukazin, Azinë Qendrore, Rusinë, Lindjen e Mesme dhe Ballkanin.
Rifreskimi: 6 orë 50 min më parë

Stoltenberg: NATO duhet të bëj më shumë në luftën kundër terrorizmit

6 orë 55 min më parë
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se sulmi “brutal” në Mançester tregon se aleanca duhet të pajtohet gjatë takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, se duhet bërë më shumë për të luftuar terrorizmin. Lufta kundër terrorizmit do të jetë tema kryesore në takimin e 25 majit në Bruksel. “Pres që aleatët e NATO-s të pajtohen që të bëjnë më shumë në luftën kundër terrorizmit”, ka thënë Stoltenberg. Grupi militant Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin e 22 majit, ku një sulmues i dyshuar vetëvrasës detonoi një mjet shpërthyes, teksa njerëzit ishin duke dalë nga një sallë koncertesh në Mançester. Në këtë sulm u vranë 22 persona dhe u plagosën 60 të tjerë. Shumica e viktimave ishin fëmijë, përfshirë edhe një vajzë 8-vjeçare. Stoltenberg tha se “sulmi brutal” ka treguar se kërcënimi nga terrorizmi është prezent. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do të takohet me aleatët e NATO-s më 25 maj. Ndalesa e Trumpit në Bruksel, bëhet në kuadër të turneut të tij të parë jashtë vendit, që prej se është zgjedhur president.  
Kategoritë: Lajmet e ditës

Mogherini fton në darkë pune gjashtë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor

8 orë 7 sek më parë
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini do të takojë sonte për një darkë pune në Bruksel, gjashtë kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Para kësaj darke, Mogherini do t’i takojë ndaras kryeministrat në takime bilaterale. Dy prej kryeministrave, ai i Kosovës, Isa Mustafa dhe i Serbisë Aleksandar Vuçiq, janë në largim e sipër, ndërsa nga Maqedonia në takim është ftuar lideri Socialdemokrat, Zoran Zaev në cilësinë e mandatarit për kryeministër të ardhshëm të këtij vendi. Mogherini ka thënë se i ka ftuar gjashtë kryeministrat, që janë në detyrë apo edhe të mandatuar, nga 6 vendet partnere të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar me ta për gjendjen aktuale në rajon, pastaj për të diskutuar se si ky rajon të ecë përpara dhe si mundet Bashkimi Evropian të forcojë perspektivën e normalizimit të raporteve dhe fqinjësisë së mirë në rajon. Në prag të këtij takimi, Përfaqësuesja e lartë e BE-së tha se duhet të rritet bashkëpunimi mes këtyre vendeve, e po ashtu edhe bashkëpunimi me Bashkimit Evropian. Po ashtu, u shpreh ajo, duhet konsoliduar atë që shpesh i referohen si “fuqia transformuese e perspektivës së BE-së”, përkatësisht për qeverisjen e mirë, përfshirjen e shoqërisë civile dhe krijimin e një ekonomie dinamike. “Ballkani Perëndimor është me të vërtetë një rajon i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, kur bëhet fjalë për sigurinë, për forcimin e parandalimit të radikalizmit, ku kemi një bashkëpunim të fortë me to (vendet ballkanike). Për menaxhimin e fluksit të refugjatëve, për forcimin e kufijve tanë”, ka thënë Mogherini. Shefja e Politikës së jashtme të BE-së ka deklaruar po ashtu se jo vetëm nga ajo, por edhe nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn, si dhe tre presidentët e institucioneve të BE-së, presidenti i Këshillit Donald Tusk, ai i Komisionit Jean-Claude Juncker dhe Parlamentit Tajani, ka angazhim të fortë për të punuar së bashku me të gjashtë vendet e Ballkanit. “Fuqia bindëse e BE-së i bën ata që të takohen këtu dhe i inkurajon për të punuar së bashku për mirëqenien e përbashkët dhe të rajonit në vete”, ka deklaruar ajo. “I kemi parë zhvillimet e fundit, vështirësitë por dhe disa hapa inkurajues dhe është mirë gjithmonë që të takohemi për të diskutuar të gjithë së bashku për hapat që mund të ndërmarrim për të ardhmen për të ndërtuar një rajon me një nivel më të mirë mirëkuptimi dhe se si mund të ecim së bashku në rrugën Evropiane”, ka thënë Mogherini në prag të takimit me Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky takim ka për qëllim edhe përgatitjen e Samitit për Ballkanin Perëndimore që do të zhvillohet në Trieste të Italisë në fillim të muajt korrik.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Banka Botërore miraton kornizën e partneritetit me Kosovën

8 orë 42 min më parë
Bordi Ekzekutiv i Bankës Botërore ka aprovuar kornizën për partneritet ndërmjet Kosovës dhe Bankës Botërore për periudhën 2017-2021, ka bërë të ditur përmes një komunikatë për media Ministria e Financave në Qeverinë e Kosovës. Gjatë periudhës së ardhshme pesë vjeçare, Banka Botërore, thuhet se do të investojë në Kosovë mbi 210 milionë dollarë.  “Korniza për Partneritet ndërmjet Kosovës dhe Bankës Botërore ka nëntë objektiva kryesore të cilat janë të grupuara në tre fusha kryesore: përmirësimi i kushteve për përshpejtimin e rritjes së sektorit privat dhe punësimit, forcimi i dhënies së shërbimeve publike si dhe menaxhimi makro-fiskal, dhe promovimi i energjisë së qëndrueshme dhe mbrojtja e ambienti”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave. Korniza për partneritet ndërmjet Kosovës dhe Bankës Botërore, thuhet se do mbështes prioritetet ekonomike dhe sociale të Qeverisë së Kosovës, të paraqitura në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës 2016-2021, si dhe Programin e Reformave Ekonomike.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Zyrtarët rusë kanë shqetësime lidhur me protestuesit e rinj

9 orë 38 min më parë
Djaloshi 17-vjeçar Matvei i kishte ngritur supet kur ai dhe shokët e tij ishin marrë nga klasa, javën e kaluar, dhe ishin dërguar në sallën e shkollës së tyre në qytetin Tolati, në pjesën qendrore të Rusisë. “Ne e dinim se ata e kishin shfaqur atë film në shkollat e tjera”, i tha Radios Evropa e Lirë gjatë bisedës telefonike, ky nxënës i klasës së 11-të, i cili ka kërkuar që të shfrytëzohet vetëm emri i tij. Kur u bë e qartë se doli se dyshimi i tij ishte korrekt, ata e kishin shfaqur një film, me të cilin opozita politike në Rusi ndërlidhej me fashistët dhe terroristët. Në atë moment, ai veproi sikur shumë nxënës të tjerë në këtë vend aktualisht në rrethana të ngjashme: e xhiroi këtë ngjarje në telefonin e tij mobil për të pasur dëshmi. “Mendoj se është propagandë... propagandë e fshehtë, por megjithatë propagandë”, tha Mavei dhe ka shtuar se “kjo është e ndaluar në shkolla”. Matvei dhe shokët e tij të klasës më vonë i postuan fotografitë në Internet, së bashku me diskutimin me drejtorin e shkollës, që ishte videoja e fundit në vargun e xhirimeve ku shiheshin nxënësit duke shprehur mospajtime me mësuesit e tyre lidhur me politikën opozitare dhe mençurinë e protestave në rrugë. Videot në YouTube kanë hasur në interesim në gjithë Rusinë, duke e theksuar përleshjen e gjeneratave lidhur me kursin politik të Rusisë nën presidentin, Vladimir Putin, dhe përpjekjet e autoriteteve për ta forcuar besnikërinë e të rinjëve ndaj Kremlinit. Zyrtarët mendojnë se si ta kufizojnë rininë Pjesëmarrja substanciale e të rinjëve në protestat kundër korrupsionit në gjithë Rusinë, të organizuara nga lideri opozitar, Aleksei Navalny, në muajin mars të këtij viti, e ka tronditur ambientin politik në Rusi, duke i detyruar zyrtarët që të mendojnë se në çfarë mënyre efektive ta kufizojnë rininë, për të cilën një studim i ri thotë se thellësisht nuk i beson klasës sunduese politike. “Qasja protestuese ekziston dhe ne duhet të punojmë me këta fëmijë protestues”, tha ministrja e Arsimit dhe e Shkencës, Olga Vasilyeva, në një forum në Moskë më 17 maj, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS. Ajo, mëtutje ka theksuar se njerëzit e rinj nuk duhet të lejohet që të “përfshihen brenda aksioneve antisociale” ose “t’i nënshtrohen ndikimit të tmerrshëm të radikalizmit”. Këto komente të ministres u bënë disa javë para protestave të reja në gjithë Rusinë, të paralajmëruara për muajin e ardhshëm nga lideri opozitar, Aleksei Navalny, 40-vjeçar, që është edhe një luftëtar i paepur kundër korrupsionit, i cili ka paralajmëruar se do të garojë për president në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Gjërësisht pritet që me këto zgjedhje presidentit Putin, 64-vjeçar, do t’i jepet edhe një mandat gjashtë vjeçar. Të rinjtë i besojnë Navalnyt, Kremlini e cilëson si ekstremist Stili i ri medial dhe mendjeprehtë i Navalnyt, dhe retorika e tij luftarake, së bashku me hetimet e ashpra për elitën sunduese në Rusi, e kanë bërë atë të besueshëm në mesin e të rinjëve, të cilët tregojnë pak interes për dogmat e Kremlinit, që reflektohen nga televizioni i kontrolluar nga shteti. Zyrtarët rusë, mediat shtetërore dhe lojalistët e Kremlinit, synojnë ta portrezitojnë Navalnyn si ekstremist të rrezikshëm, duke e cituar bashkëpunimin e tij të mëhershëm me grupet e krahut të djathtë, përfshirë paraqitjen e tij në një miting ultarnacionalist, para disa viteve. Në këtë kuadër, para protestave të 12 qershorit, janë paraqitur disa video në Internet, të cilësisë së mirë por me financim të mjegulluar, në të cilat nga të rinjtë kërkohet që të qëndrojnë larg nga protestat. Në një video të postuar këtë javë, këngëtarja e pop muzikës, Alisa Voks, e përfundon një këngë me fjalët: “qëndro jashtë politikës, bejbi, shko kryej detyrat e shtëpisë”. Në një tjetër video, gjendet një referencë e një këngëtari ku pretendohet ajo që sugjerojnë kundërshtarët e Navalnyt, se ai dhe kritikët e tjerë të Kremlinit, janë kukulla të Shteteve të Bashkuara. Navalny e ka akuzuar Kremlinin për shfrytëzim të parave të taksapaguesve për t’i financuar videot, që së bashku i kanë siguruar afro 3 milionë shikime. Por aktorët në video i kanë hedhur poshtë këto akuza. Në raportet e dy kompanive të mediave në Rusi, sugjerohet se ato ishin urdhëruar nga zyrtarët aktualë ose të dikurshëm të Rusisë. Përgatiti: Fatmir Bujupi
Kategoritë: Lajmet e ditës

Mungesa e kushteve, lë shumë fëmijë me nevoja të veçanta pa shkollim

10 orë 23 min më parë
Ndonëse Kosova nuk ka statistika të sakta se sa është numri i fëmijëve me nevoja të veçanta, sfidë për këta fëmijë mbetet qasja e tyre në shkollim. Nazim Dragusha, është prind i vajzës 11-vjeçare e cila është e diagnostikuar me sëmundjen mikrocefali, e cila është e lidhur me defektet në zhvillim dhe reduktimin e masës së trurit. Ndonëse vajza e tij ka ndjekur fillimisht mësimin në shkollën fillore, ‘’Nexhmi Mustafa’’ në Prugovc të Komunës së Prishtinës, aktualisht, sipas Dragushës, vajza e tij është detyruar ta ndërpres mësimin për shkak se shkolla nuk ofron kushte për këta fëmijë. “Në shkollë ka shkuar në ciklin e ulët. Kohëve të fundit nuk e kam dërguar, pasi pesha e vajzës është rritur, dhe nuk po kam mundësi. Më herët e kam mbajtur në duar dhe e kam dërguar deri në klasë. Tash nuk po mundem, pasi nuk mund ta mbajë në shkallë, sepse vajza, por edhe karroca, janë shumë të rënda. Shkolla nuk po i plotëson kushtet për këso nevoja”, thotë Dragusha. Fëmijët me nevoja të veçanta nuk kanë as asistent në klasë, e që sipas prindërve, është shumë e nevojshme. “Ne kemi kërkuar, por po thonë që ka mungesë të asistentëve. Vajzën e ka mësuar mësuesja, por është vështirë, sepse ka shumë nxënës me një klasë, e këta fëmijë kërkojnë një trajtim më të veçantë”, thotë Dragusha. Në organizatën, ‘’Hendikos’’, Ilmije Hyseni edukatore psiko- sociale i tha Radios Evropa e Lirë se fëmijët me aftësi të kufizuara duhet jenë pjesë e barabartë e shoqërisë dhe të kenë të drejtë të shkollohen. “Fëmijët më aftësi të kufizuara kanë vështirësi për regjistrim në shkolla të rregullta. Ndonëse janë të mbrojtur me ligj, prapë vështirësitë në shkollim janë të shumta, pasi u duhen mësues mbështetës, të cilët mungojnë”. “Problemet janë të shumta, pasi edhe prindërit ndonjëherë hezitojnë, pasi kushtet nuk i lejojnë ata që t’i bartin me karroca fëmijët. Por, nëse nuk regjistrohen në shkollë, atëherë këta fëmijë mbesin në shtëpi. Statistika nuk kemi se sa fëmijë vijojnë mësimin”, tha Hyseni. Edhe një tjetër prind, flet për vështirësitë që hasin fëmijët me nevoja të veçanta në shkolla të rregullta. Miradije Salihu, e ka djalin e saj me nevoja të veçanta. Ai vijon klasën e katërt. Për vështirësitë në të cilat has fëmija i saj i shpjegon vetë zonja Salihu. “Na mungon asistenti personal për fëmijët me nevoja të veçanta. Por, unë kam shumë mirëkuptim me të gjithë. Në fillim ka qenë shumë vështirë, por me kohë djali ka arrit suksese me ndihmën e mësueses dhe ndihmën time”. “Djali ka paralizë cerebrale, dhe me këtë diagnozë ka arritur mjaft. Unë jam një nënë e sfidave, e ballafaqimeve, por jam nënë që lufton për të drejtat e fëmijës tim dhe të gjithë fëmijëve me nevoja të veçanta”, thotë Salihu. Ndryshe, nga Koalicioni i Organizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve "KOMF", kanë thënë se ndonëse qasja e fëmijëve me nevoja të veçanta është e përfshirë brenda legjislacionit, ekziston mungesa e vullnetit institucional në planifikimin buxhetor, për zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me gjithë përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në sistemin arsimor. Ata disa herë kanë potencuar faktin se prioritetet orientohen në projekte kapitale, ndërsa asistentët për këta fëmijë të regjistruar në sistemin e rregullt, si dhe transporti për ta, nuk janë përcaktuar dhe nuk janë zotuar fondet e nevojshme.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Britani: Edhe tre të arrestuar për sulmin në Mançester

10 orë 54 min më parë
Policia britanike i ka arrestuar edhe tre njerëz të dyshuar për lidhje me sulmuesin vetëvrasës, i cili i ka vrarë 22 vetë në qytetin Mançester. Policia në këtë qytet ka njoftuar se të dyshuarit janë arrestuar sot në pjesën jugore të qytetit, por nuk ka dhënë më tepër detaje. Dje, policia e ka arrestuar një person 23 vjeçar dhe tha se sulmuesi vetëvrasës, 22 vjeçari Salman Abedi, ishte vrarë gjatë sulmit të pardjeshëm. 
Kategoritë: Lajmet e ditës

Trump takon Papën në Vatikan

12 orë 5 min më parë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u takua të mërkurën me Papa Françeskun në Vatikan. Takimi i tyre privat zgjati vetëm gjysmë ore. Trump dhe Papa nuk janë pajtuar publikisht mbi temat që variojnë nga migrimi deri te ndryshimet klimatike. (AP)
Kategoritë: Lajmet e ditës

Bahrejn: Pesë të vrarë dhe qindra të arrestuar nga ndërhyrja e policisë

12 orë 38 min më parë
Së paku pesë vetë janë vrarë dhe qindra vetë janë arrestuar, pasi policia ka ndërhyrë në një protestë në mbështetje të një kleriku të lartë shiitë, ka njoftuar Ministria e brendshme e këtij vendi. Kjo mbretëri sundohet nga sunitët. Policia tha se i ka arrestuar 286 vetë në protestën në Diraz, afër kryeqytetit Manama, derisa ata demonstronin afër shtëpisë së klerikut, Isa Qassim, lider shpirtëror i shumicës shiite në Bahrejn. Sipas ministrisë, disa të dënuar, që kishin ikur nga burgu në Jau, ishin në mesin e njerëzve të arrestuar në protestë dhe ka vlerësuar se disa persona “jashtëligjit” kishin pasur granata dore dhe thika. “Grupet për të drejtat e njeriut e kanë dënuar këtë goditje kundër protestuesve paqësorë. Ministri i jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, këtë veprim të autoriteteve të Bahrejnit, e ka cilësuar si “rezultatin e parë konkret” të asaj që ai e ka përshkruar si “dhënie e komoditetit për despotët”, nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump, para dy ditësh në Arabinë Saudite, që ishte referencë për samitin e liderëve të disa vendeve kryesore myslimane, në të cilin ka marrë pjesë zoti Trump.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Dush Smajli nga Mitrovica vritet në Siri

12 orë 46 min më parë
Policia e Kosovës konfirmoi se posedon informacione për vrasjen e një shtetasi të Kosovës në Siri, i cili është nga Mitrovica.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Disa republikanë nuk janë të kënaqur me propozimet për buxhet të Trumpit

12 orë 57 min më parë
Propozimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për shkurtimin e ndihmës së jashtme ka hasur në pritje të ftohtë nga disa republikanë kryesorë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. “Ky buxhet nuk do të shkoj askund”, tha Lindsey Graham, kryesues i një nënkomiteti të Senatit, i cili i mbikëqyrë shpenzimet në diplomaci dhe ndihma të jashtme. “Nëse ne e implementojmë këtë buxhet, atëherë ju do të duhet të tërhiqeni nga bota ose ju do ta vëni në rrezik një numër të madh të njerëzve”, tha Graham. “Duke pasur parasysh kërcënimet në rritje me të cilat ne ballafaqohemi, ne duhet të jemi mbështetës, e jo zvogëlues të programeve kundër terrorit, zbatimit të ligjit dhe atyre humanitare”, tha kryesuesi i Komitetit të punëve të jashtme të Dhomës Përfaqësuese, Edward Royce. Lideri i shumicës republikane në Senat, Mitch McConell, e ka lavdëruar propozimin e buxhetit, i cili sipas tij, mund të jetë i balancuar, por republikani tjetër, John Corbyn, vlerësoi se ai është “në themel i vdekur me të arritur”. Kundër këtij propozimi është shprehur edhe ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, e cila ka sugjeruar se këto shkurtime nuk do të kalojnë në Kongres. Meqë, Kongresi i Shteteve të Bashkuara, sipas Kushtetutës, i ka nën kontroll shpenzimet, vërejtjet nga ligjvënësit e lartë mund të ndikojnë që të mos miratohen propozimet për shkurtime të thella.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Vatikan: Papa dhe Trump e përfunduan takimin e tyre

13 orë 23 min më parë
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe Papa Françesk, e kanë mbajtur sot takimin e tyre të parë. Papa e ka pranuar presidentin Trump në Vatikan, për një audiencë të zgjeruar, që ka zgjatur më tepër se 30 minuta. Pas audiencës private me Papën, Donald Trump, bashkëshortja e tij Melania, dhe anëtarët e tjerë të familjes, janë mbledhur për fotografime me Papën. Gjatë fotografimit ishte i pranishëm edhe sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson. Pritet që në Romë, presidenti Trump do të takohet me presidentin e Italisë, Sergio Mattarella, dhe kryeministrin, Poalo Gentiloni. Presidenti Trump arriti sot në Itali nga Izraeli dhe Bregu Perëndimor, ku ai u ka bërë thirrje izraelitëve dhe palestinezëve që të arrijnë kompromis për paqe. Më herët në Arabinë Saudite, presidenti amerikaan ka marrë pjesë në një samit të liderëve të vendeve kryesisht myslimane. Në kuadër të turneut të tij të parë të jashtëm si president amerikan, Donald Trump nesër merr pjesë në një takim të NATO-s në Bruksel, e pastaj do të jetë njëri nga pjesmarrësit në samitin G-7 në Sicili, më 26 dhe 27 të këtij muaji.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Kina kërkon vazhdim të bisedimeve me Korenë Veriore

13 orë 35 min më parë
Kina ka kërkuar vazhdim të bisedimeve me Korenë Veriore dhe i ka hedhur poshtë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të Uashingtonit, për të imponuar sanksione të ashpra të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kundër Koresë Veriore, për shkak të testeve atomike të saj. Secili hap kah ulja e tensioneve në gadishullin Korean ishte arritur nëpërmjet dialogut, u tha mbrëmë gazetarëve në Nju Jork, ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, Liu Jieyi. “Nevoja për dialog është shumë e fuqishme”, tha Liu dhe ka shtuar se “nuk ka arsye që dialogui të mos mbahet në situatën e tashme. Kërkohet vullnet politik”. Ambasadorja amerikan në OKB, Nikki Haley, ka thënë se bisedimet nuk janë më aktuale, derisa Koreja Veriore të mos i ndalë testet atomike.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Vatikan: Takim i Papës me Trumpin

14 orë 13 min më parë
Papa Françes dhe presidenti amerikan, Donald Trump, e kanë filluar takimin e tyre në Vatikan. Pasi mori pjesë në një takim të zgjeruar privat me Papën, presidenti Trump në Romë do të takohet me presidentin e Italisë, Sergio Mattarella, dhe me kryeministrin, Paolo Gentiloni. Presidenti Trump arriti sot në Itali nga Izraeli dhe Bregu Perëndimor, ku ai u ka bërë thirrje izraelitëve dhe palestinezëve që të arrijnë kompromis për paqe. Më herët në Arabinë Saudite, presidenti amerikaan ka marrë pjesë në një samit të liderëve të vendeve kryesisht myslimane. Në kuadër të turneut të tij të parë të jashtëm si president amerikan, Donald Trump nesër merr pjesë në një takim të NATO-s në Bruksel, e pastaj do të jetë njëri nga pjesmarrësit në samitin G-7 në Sicili, më 26 dhe 27 të këtij muaji.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Trump e ka angazhuar një avokat lidhur me hetimin për Rusinë

15 orë 11 min më parë
Presidenti ameirkan, Donald Trump, e ka angazhuar këshilltarin e tij juridik, Marc Kasowitz, si avokat të tij, në çështjet ku involvohen hetimet lidhur me lidhjet e Rusisë me fushatën e tij zgjedhore të vitit 2016, kanë raportuar mbrëmë mediat. Fox Business News dhe ABC raportuan se Trump e ka angazhuar zotin Kasowitz nga Nju Jorku, që është jurist me përvojë, për ta përfaqësuar atë në hetimin e udhëhequr nga këshilltari special i Departamentit amerikan të drejtësisë, Robert Mueller. Avokati Kasowitz e ka përfaqësuar Donald Trumpin për më tepër se 15 vjet, por konsiderohet se nuk është i njohur si avokat për çështje penale. Gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, Marc Kasowitz ishte kërëcnuar për ta paditur të përditshmen, New York Times, nëse nuk tërhiqet shkrimi për një grua që e kishte akuzuar Trumpin se e kishte prekur në mënyrë jopërkatëse. Por, gazeta nuk e kishte tërhequr artikullin. Kasowitz, po ashtu, ka ndihmuar në mbrojtje lidhur me pretendimet për mashtrime kundër Universitetit Trump.
Kategoritë: Lajmet e ditës

SHBA: Një i kërkuar për masakrën e Srebrenicës dërgohet në Serbi

15 orë 25 min më parë
Një person i kërkuar lidhur me masakrën në Srebrenicë në vitin 1995, gjatë luftës civile në Bosnjë-Hercegovinë, është kthyer në vendin e tij të lindjes, Serbi, për tu ballafaquar me akuza. Zyrtarë të Agjencisë së Imigrimit dhe Doganave (ICE) thanë mrbëmë vonë se personi, Sërgjan Billiq, 44 vjeçar, është dërguar në Beograd, nga aeroporti ndërkombëtar në Majami të Shteteve të Bashkuara. Agjentët e kësaj agjencie amerikane e dorëzuan atë tek autoritetet e Serbisë. Agjencia e Imigrimit dhe Doganave thotë se Billiq ishte anëtar i një brigade të ushtrisë serbe të Bosnjës e implikuar në gjenocid, i cili ndodhi në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Afro 8 mijë burra e djem myslimanë ishin ekzekutuar, ndërsa 30 mijë femra dhe fëmijë ishin përzënë nga ky territor. Një gjykatë ndërkombëtare në vitin 2001 ka vlerësuar se në Srebrenicë kishte ndodhur gjenocid. “Individët sikur Billiqi duhet të ballafaqohen me drejtësinë”, tha Marc J. Moore, nga Agjemcia e Imigrimit dhe Doganave e Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët nuk kanë thënë se ku kishte jetuar Billiq dhe se sa gjatë ai ishte në Shtetet e Bashkuara.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Britani: Kërcënimi për terror është ngritur në nivelin më të lartë

16 orë 8 min më parë
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, tha se niveli i kërcënimit të terrorizmit është ngritur në nivelin “kritik”, që është më i larti, meqë do të thotë se mund të ketë sulm të menjëhershëm. Kjo ngritje u bë pas sulmit vetëvrasës pas një koncerti në qyetin Mançester, me ç’rast janë vrarë 22 vetë. I dyshuari për këtë sulm, Salman Abedi, mund të ketë qenë pjesë e një rrjeti më të madh, tha mbrëmë vonë kryeministrja e Britanisë, Theresa May, dhe ka theksuar se ky person kishte lindur dhe ishte rritur në Britani. Ajo, po ashtu, ka njoftuar se qeveria e ka aktivizuar të ashtuquajturin, Operation Temperer, që është një plan emergjent për t’i vendosur ushtarët në vendet kryesore publike në mbështetje të policisë. Policia e Mançesterit ka njoftuar se e ka arrestuar një person 23 vjeçar me lidhje me sulmin në këtë qytet. Grupi ekstremist, Shteti Islamik, e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, megjithqë zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë thënë se ende nuk kanë mundur ta konfirmojmë këtë pretendim të militantëve të Shtetit Islamik.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Ambasada amerikane, OSBE-ja kundërshtojnë "frikësimet politike" në Kosovë

Mar, 05/23/2017 - 17:33
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë u bënë thirrje të gjitha partive dhe subjekteve politike në Kosovë që t'i ndalojnë të gjitha format e frikësimeve politike. Thirrja vjen në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 11 qershor. "Kandidatët kosovarë e kanë të drejtën themelore demokratike për të zhvilluar fushata, bazuar në idealet e tyre më të larta për të ardhmen e kësaj shoqërie dhe këtë duhet ta bëjnë pa u frikësuar dhe kërcënuar", thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadës amerikane dhe misionit të OSBE-së. "U bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë t'i refuzojnë dhe t'i dënojnë të gjitha format e frikësimit, ndërsa Task-Forcës së Zgjedhjeve t'i hetojë seriozisht të gjitha raportet për përpjekje për të manipuluar këtë proces demokratik", thekson deklarata.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Publikohet buxheti i Trumpit me shkurtime të mëdha

Mar, 05/23/2017 - 17:22
Administrata Trump publikoi zyrtarisht buxhetin e Shteteve të Bashkuara, në vlerë prej 4.1 trilionë dollarësh, për vitin fiskal 2018. Buxheti i ri parasheh 800 miliardë dollarë shkurtime në kujdesin shëndetësor dhe mbi 192 miliardë dollarë më pak në programet ushqimore. Më pak mjete do të ketë edhe për të ashtuquajturat programe të sigurisë, të tilla si kreditë për kolegje dhe përfitimet pensionale të punonjësve federalë. Mbi 29 përqind e mjeteve do të reduktohen edhe për diplomacinë, ndihmën e huaj dhe programet jashtë SHBA-së. Propozim-buxheti, ndërkaq, përfshin 54 miliardë dollarë më shumë për shpenzimet ushtarake dhe 1.6 miliard dollarë për të filluar ndërtimin e një muri kufitar me Meksikën. Buxheti duhet të shkojë për miratim në Kongres, ku priten ndryshime të mëdha, edhe pse republikanët e Trumpit i kontrollojnë të dyja dhomat. Kongresi duhet të kalojë ligjin e shpenzimeve deri më 30 shtator, kur është edhe fundi i vitit fiskal, për të shmangur mbylljen e qeverisë. Trump, i cili nuk mori pjesë në prezantimin e buxhetit pasi ndodhet në turne zyrtar, e ka titulluar atë “Një Fondacion i Ri për Madhështinë e Amerikës”.  
Kategoritë: Lajmet e ditës

Ish-shefi i CIA-s është ankuar për ndërhyrjen ruse qysh në gusht

Mar, 05/23/2017 - 16:05
Ish-drejtori i CIA-s, John Brennan, tha se ka biseduar direkt me kreun e agjencisë kryesore ruse të sigurisë, për t’u ankuar për keqtrajtimin e diplomatëve amerikanë dhe përpjekjet e dukshme të Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016. Brennan i tha Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve se biseda më drejtorin e Shërbimit Federal të Sigurisë, Aleksandr Bortnikov, është zhvilluar në muajin gusht, derisa zhvillohej fushata presidenciale. Brennan tha se i ka thënë Bortnikovit se ndërhyrja e vazhdueshme e Rusisë do të dështojë dhe do të pengojë çdo ngrohje të marrëdhënieve midis Moskës dhe Uashingtonit. Po ashtu në gusht, FBI ka hapur hetime për marrëveshje të mundshme midis anëtarëve të fushatës së Trumpit dhe zyrtarëve rusë. Këto lidhje nuk janë vetëm fokus i hetimeve të FBI-së, por edhe i disa hetimeve të Kongresit. Çështja i ka hedhur hije administratës së presidentit Donald Trump, prejse ka marrë detyrën në muajin janar. Vendimi i Trumpit për të shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey, ditë më parë, shkaktoi trazira politike dhe bëri që Departamenti i Drejtësisë të emërojë një këshilltar të posaçëm për të mbikëqyrur hetimet e agjencisë në administratën Trump.
Kategoritë: Lajmet e ditës

Policia gjermane çan një bandë hajdutësh me 500 anëtarë

Mar, 05/23/2017 - 15:08
Policia e Mynihut tha se ka prishur një klan të madh hajdutësh, i cili, sipas vlerësimeve, mund të jetë përgjegjës për një të pestën e vjedhjeve në Gjermani. Policia tha se banda kriminale mund të krahasohet me një "oktapod me këmbë në gjithë Evropën" dhe se pjesëtarët e saj janë të lidhur me gjak ose martesë. Hetimet kanë nisur kur tri gra janë kapur duke bërë përpjekje për të hyrë në një pronë në Mynih, në janar të vitit 2016. Hetimet kanë çuar në arrestime në Kroaci, Spanjë dhe Gjermani. Reinhold Bergmann, komisionar i policisë për vjedhje të organizuara, tha se banda mund të ketë degë që operojnë edhe në vende të tjera, si: Belgjika, Franca dhe Italia. Bergman tha se grupi ka shfrytëzuar kryesisht gra të reja për të kryer vjedhjet. Policia tha se banda ka rreth 500 anëtarë dhe sistem hierarkik.
Kategoritë: Lajmet e ditës
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar