Skip to content

Heshtja që vret

04. 09. 2012 nga Adriatik Mema

Version i përshtatshëm për printim

Hendeku social mes të varfërve dhe të pasurve çdo ditë e më shumë po thellohet. Në fakt të gjithë mendojnë se në ekonominë e tregut kush është më i zoti pa dyshim që do të pasurohet. Por a mund të ndodhë që një rrogëtar i thjeshtë i administratës shtetërore në disa vite punë të mund të pasurohet jo vetëm duke blerë pasuri të palujatshme (i gënjen mendja se po blen pasuri të paluajtshme nuk ua luan kush!), por edhe të ketë vlera të konsiderueshme bankare? Kjo nuk mund të ndodh nëse nuk vjedh, nëse nuk je i korruptuar, nëse nuk je mashtrues, sharlatan, servil, hipokrit dhe i përulur ndaj atij që ke epror.

Të gjithë ata që luftojnë për të zaptuar  një vend të majmë pune në administratën shtetërore janë servilë të partive tona të shumta, të cilët hyjnë në zyrat shtetërore si varfanjakë (edhe shpirtëror) dhe na dalin si milionerë, duke na treguar se pas asaj eksperience në administratë  kanë fituar edhe ndonjë dije që u mungonte kur s’ishin nëpunës. Mjerisht i gënjen mendja. Interesi material i ka bërë këta njerëz të zhvishen ndaj çdo ndjenje humane, shpeshherë të jenë të papërqëndruar në atë që thonë, madje ndonjëherë të krijojnë përshtypjen e ndonjë torollaku.  Ankthi, frika, presionet, hakmarrja, pabesia, xhelozia, kurvëria, padituria, makutëria i ka bërë të tillë. Duket sikur këta njerëz ia kanë shitur shpirtin djallit.

Nga ana tjetër të gjithë i përshëndesin këta kodoshë administrate, duke u thurur lavde e lajka kur i takojnë përballë, ndërsa, porsa personi nëpunës i administratës kthen krahët, një lumë të sharash do të vërshojnë ndaj tij duke e akuzuar atë në heshtje për çdo pisllik që ai mund të ketë bërë. Ia dinë të gjitha, madje disa i kanë mësuar nga ai vetë. Ai i tregon marifetet  e tij duke menduar se të tjerët nuk do ta quajnë pehlivan, por esnaf burrë, një njeri të shkathët, që di të bëjë lekë, që di të mendojë për të ardhmen e fëmijëve të vet, për arsimimin e tyre, apo për pleqërinë e vet në një kohë më të vonë.

Janë pikrisht të tjerët, ata që pas shpinës së tij e akuzojnë si një njeri të fëlliqur, të pamoralshëm, që nuk njeh më as më të voglën ndjenjë njerëzore. Janë pikërisht të tjerët, që kur ai s’do ta ketë më në dorë atë detyrë administrate, do t’i kthejnë shpinën, duke e lënë në vetminë e tij. Janë pikërisht të tjerët ata që do të bëhen ferri i tij.

Lakmia për pushtet e këtyre njerëzve të pangopur u ka punuar edhe një rreng tjetër më të madh, që ata s’e shohin dot. Ajo u  ka shthurur atyre familjen, e cila, nga varfanjake në e pasur, doqi fazat e zhvillimit të saj, për pasojë u dogj edhe vetë bashkë me to. Ajo hodhi si të pavlera kodet e trashëguara të moralit të familjes sonë, duke adaptuar kodet e turpit, në emër të gjoja modernizmit. Ambicia për të pasur një lloj pasurie i ka verbuar aq shumë këta kodoshë administrate, saqë nuk e vënë më në peshore moralin e njërit apo të tjetrit ( burrit dhe gruas). Secili “punon” për hesap të vet. Nuk ka rëndësi, mjafton të kenë bërë ndonjë pazar për ndonjë lekë. Ai ia tregon asaj dhe ajo të dashurit më të ri. Kryekëput të korruptuar edhe shpirtërisht, edhe moralisht.

A mundet që këta njerëz të zgjidhin hallet e të tjerëve kur janë në “pikë të hallit” për veten e tyre?! Them në pikë të hallit pasi shumica e tyre, imunizuar nga antivlerat, apo dhe korrupsioni, as që e kanë fare problem që të vënë gjoba të caktuara për një vend pune në administratë, qoftë në shëndetësi, në arsim apo në ndonjë sektor tjetër, ku vendi i punës blihet. Të gjithë e dinë çfarë ndodh, por bëjnë një vesh shurdh e një sy qorr. Të gjithë e dinë që jepen lekë për të përftuar një vend pune në administratë dhe askush nuk ndërhyn ndaj abuzuesit për ta bërë shembull. Mesa duket ata ndihen të mbrojtur, përderisa syri s’ua bën tërr. Në mes të kësaj atmosfere mbytëse të korrupsionit ka dhe nga ata që e quajnë normale këtë gjë duke thënë se ai/ajo prandaj ka shkuar në atë vend pune, për të bërë ca lekë. Të gjithë e dinë se nuk e kanë të gjatë, ndaj o burra të vjedhin sa më shumë sa pa ardhur tjetri.  Se edhe tjetri është i varfër.

Megjithëse ekziston një panoramë e tillë korrupsioni, ka nga ata që duan të na mbushin mendjen se nuk na paskërka korrupsion. O këta njerëz janë të dalë mendsh, o janë pjesë e llumit edhe ata vetë, se ndryshe nuk ka si shpjegohet kjo që thonë. Broçkulla të tilla s’i ha më njeri. Kudo vidhet. Të gjithë e pohojnë se kështu veprohet  me tenderat, kështu veprohet në shëndetësi, kështu veprohet në dogana, kështu veprohet në gjykata, kështu veprohet në arsim, kështu nëpër bashki e komuna , kështu veprohet gjithandej.

Kemi arritur në një pikë ku të gjithë heshtin ndaj vjedhjes, korrupsionit dhe krimit. Kjo heshtje do të na vrasë të gjithëve, ashtu sikurse ka filluar të na vrasë seriozisht çdo ditë pak nga pak. Kjo heshje përditë e më shumë do të kthehet në një minë me sahat për shoqërinë tonë. Të gjithë e shohim sesi krimi, nga ai më ordineri e deri te më i sofistikuari, po na godet në mes të ditës. Jemi të mbërthyer keqazi. Dhe ne heshtim. Një grusht i vogël të pasurish, me këlyshët e tyre më pak të pasur, por të nginjur edhe këta, kërkojnë t’u hypin kalaqaf atyre që u mungon kafshata. Në çdo shtet, kur kjo skajshmëri sociale tendoset, atëherë zgjidhja ka qenë kaosi dhe konfliktet.   

Hendeqe të tilla sociale krojohen atëherë kur krimi merr përparësi ndaj shtetit. Vetëm krimi mund të krijojë një kast të pasurish që nuk dihet se nga u vijnë të ardhurat. A nuk duhet ndëshkuar kjo kastë hamurabësh me ligj të posaçëm?  Nëse nuk ka një ligj të tillë që kontrollon dhe sekuestron pasurinë e vënë në mënyrë të jashtëligjshme, qoftë edhe të një nëpunësi të thjeshtë, le ta propozojnë në paralament dhe ta bëjnë atë, siç e kanë dhe vendet e përparuara perëndimore dhe të mos na bëjnë teatër parlamentarët tanë.

Nuk u llogaritkan dot rrogat e nëpunësve, që brenda katër apo tetë vjetëve na paskan bërë vila në bregdet a mal, apo na paskan blerë makinat më të fundit, apo na i bëjnë pushimet jashtë në vendet më të mira, ku dhe pagesat janë më të shtrenjta?!

Antikrimi ekonomik zviceran apo dhe ai britanik dhe i disa vendeve të tjera, ka ardhur këtu në Shqipëri dhe ka bërë të mundur sekuestrimin e pasurive të disa emigrantëve shqiptarë që i kanë vënë ato në mënyrë të paligjshme. Po ne nuk jemi të aftë që të tillë kontroll ta bëjmë ndaj atyre nëpunësve që dyshohen për veprimtari të jashtëligjshme?

Në të vërtetë.... ne nuk e bëjmë dot këtë, pasi i bie që të sekustrojmë së pari llogaritë bankare brenda e jashtë vendit, vilat e pronat e politikanëve tanë, të të dy krahëve, që përditë e më shumë po majmen në kurriz të këtij populli të përvuajtur. Janë ata të parët që nuk iu interesojnë bërja apo zbatimi i ligjeve të tilla, pasi në të kundërt do t’ia futnin vetes. Janë ata të parët që nuk duan që ky shtet të funksionojë, janë ata të parët që kanë instaluar në shoqërinë tonë pandëshkueshmërinë, vjedhjen, korrupsionin, krimin. Janë ata të parët që nuk duan që para ligjit të jemi të barabaratë të gjithë.

Kjo pabarazi e skajshme, ky indiferentizëm i yni ndaj gjithçkaje që ndodh rretherrotull është një heshtje që vret dhe sigurisht që do ta ketë një fund, ndoshta dhe të dhimbshëm. Të heshtësh edhe kur të nëpërkëmbin mesa duket është trendi i një shoqërie si e jona që ka vite që gëlon nën thonjtë e tranzicionit.

Dhe kjo është heshtje që vret.

Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar