Skip to content

Hipokrizia e Saliut për Shqipërinë Etnike!

07. 12. 2012 nga Faik Krasniqi

Version i përshtatshëm për printim

Sali Berisha, duke folur nga pozicioni i liderit të gjithë shqiptarëve, me një fjalor radikalisht nacionalist, dhe duke e keqpërdorur ëndrrën shqiptare për bashkim, në fillim të fjalimit të tij në Shkup i dha zjarr publikut të mbledhur duke luajtur me emocionet e tyre. Sali Berisha, politikani i vetëm shqiptar që gjatë luftës i shiti benzinë kryeministrit malazez të Milosheviçit, Miodrag Bulatoviç, duke thyer embargon e bashkësisë ndërkombëtare, i gënjeu shqiptarët se ai është për bashkim kombëtar.Me tonin e tij delirant, plot pështymë e gjestikulacione me duar, fliste nga pozicioni i “Kryetarit të Shqipërisë së Bashkuar”. Por fjalimi i zotit Sali Berisha filloi me tonin e “Kryetarit të Shqipërisë së Bashkuar”, por mbaroi me një zë të ulët, ku zoti Berisha e zbuloi se për cilin “bashkim të shqiptarëve” e ka fjalën. Në fund të fjalimit të tij, Berisha u mundua ta mbysë, për të mos u ndier, se shteti për të cilin foli në fillim të fjalës së tij, ku shqiptarët kanë me qenë të bashkuar, nuk quhet Shqipëria e Madhe, as Shqipëria e Bashkuar, por - Evropa. “Bashkimi do të ndodhë në Evropë”, – tha Sali Berisha, duke i dhënë fund një fjalimi skizofrenik për Shqipërinë e Bashkuar. Në fakt Berisha është trembur nga elektorati në rritje i Aleancës Kuqezi, por fantazma e nacionalizmit që po trumbetohet me ulërima, nuk është gjë tjetër veçse një mburojë kriminale e të gjitha poshtërsive që janë kryer në kurriz të kombit tonë në këto 22 vite nga një antishqiptar me vepra si ai. Flet si nacionalist ai që u dhuroi grekëve për hir të karriges së vet, 353 km katrorë territor me pasuri të pallogaritshme nëntokësore! Për të mos folur për rolin e tij rrënues në autoqefalinë ortodokse shqiptare, lejimin e varrezave gjoja për ushtarët e vrarë grek në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, miratimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë në baza etnike dhe fetare, importin e plehrave toksike në tokën shqiptare, etj. Në një kohë që kërkon gjoja bashkim kombëtar, ky faqezi na ka përçarë me njëri-tjetrin në të dy anët e kufirit, sa jemi gati për luftë civile.

Pse ka kaq pushtet Fazliçi te Berisha?

Ishte pikërisht Saliu (“idhulli” i shqiptarëve të Kosovës) që gjatë embargos kundër Serbisë (atëbotë Berisha ishte President i Shqipërisë), bënte biznes me serbët duke futur “ilegalisht” në Serbi naftë dhe cigare. Dihen edhe lidhjet e tij me biznesmenin e dyshimtë serb Damir Fazliç, (i afërt me Klanin e Zemunit) të cilit i fali me qindra hektarë tokë dhe i shiti shumë ndërmarrje shoqërore në Shqipëri. E dini pse Fazliç është shndërruar në një nga njerëzit më të pushtetshëm në rajon? Pikërisht për faktin e zotërimit dhe përdorimit të dosjeve sekrete të UDB-së, shef i të cilit për vite me radhë ka qenë daja i tij, Stanishiç. A ka patur lidhje Berisha me UDB? Përndryshe si shpjegohet pushteti i Fazlliç mbi të? Mos vallë kryeministri shqiptar na del i mbërthyer nga agjenturat serbe? Ardhja pompoze dhe e dhunshme e Fazliç, konfirmon faktin që kryeministri shqiptar është peng i dosjeve të Stanishiçit?Vejusha e diktatorit Hoxha pat deklaruar në një rast të njëjtën gjë duke folur në media mbi propozimin dikur për përfshirjen e kardiologut Sali Berisha pranë grupit të mjekëve të Enverit: “Në fakt, rrëfen Nexhmije Hoxha, ne kërkuam se kush ishin kandidaturat e tjera dhe Hysni Kapo prezantoi dhe Ylli Popën. Kandidatura e Ylli Popës u pa e arsyeshme sipas familjes Hoxha pavarësisht faktit se kishte bashkëshorten rumune. Nexhmija deklaroi se e kontestuan kandidaturën e tij për arsye të lidhjeve të vjehrrës me UDB-në famëkeqe sekrete të asaj kohe. “Saliu në shtëpinë tonë është futur nga dera e pasme. Ai ishte një komunist fanatik. Bënte të pamundurën edhe atëherë që nëpërmjet zellit të tepruar të tentonte të vinte në pushtet”. Ndërkohë që Saliu i diskrediton me dokumente në parlament duke i mbuluar me pështymën e malësorit provincial, opozita e Tiranës mund të afishojë dokumente arkivore; i ka me shumicë mbasi ka qenë parti udhëheqëse. Djegien e Shqipërisë dhe shitjen e saj po e përjetojmë të gjithë, megjithëse opozita me përjashtim të ndonjë individi e kritikon si të korruptuar, por jo shitës të kombit. Me argumentin e korrupsionit që këmbëngul opozita, Berisha do vdesë në pushtet si diktator. Berisha duhet të goditet në qendër. Jo goditje si putrat e maces për vampirin.

Autori
  • Kliko këtu për të parë komentet në Blog
  • Faik Krasniqi është autorë shkrimesh në faqet e Gazetës Kritika e blogje - shiko arkivën për më shumë. Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të "Aleanca Kuq e Zi".
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar