Skip to content

Një vit vdekjeprurës për gazetarët

21. 12. 2012 nga Frank Shkreli

Version i përshtatshëm për printim
Media

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG), (Committee To Protect Journalists), një organizatë jo-fitimprurëse me qëndër në Nju Jork e cila promovon lirinë e shtypit dhe mbron të drejtat e gazetarëve, në një raport të posaçëm thotë se viti 2012 ishte një ndër vitet më vdekjeprurëse për gazetarët anë e mbanë botës.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se numëri i gazetarëve të arrestuar është më i larti ç'prej vitit 1990, duke identifikuar 232 gazetarë të burgosur anë e mbanë botës, 53 më shumë se vitin e kaluar. Raporti thotë se burgimet e shumta të gazetarëve gjatë vitit 2012 në Turqi, në Iran dhe në Kinë e kanë ngritur numërin e gazetarëve të arrestuar në një nivel rekord. Këto tre vende që sipas KMG, janë vendet më të këqia për të punuar si gazetar dhe përdorin ligje të paqarta për veprimtari anti-shtetërore kundër gazetarëve. Raporti citon Mehmet Ali Birand një kryeredaktor i stacionit Kanal D në Stambollë, se “këto ligje nuk diferencojnë midis një gazetari që ushtron të drejtën e shprehjes së lirë dhe një individi që mbështetë terrorizmin’’, duke shtuar se zbatimi i ligjeve për veprimtari anti-shtetërore kundër gazetarëve është një “sëmundje kombëtare’’. Sipas raportit, të pakën 49 gazetarë mbeten të burgosur në Turqi.

Anë e mbanë botës, thuhet në raport, akuzat për veprimtari anti-shtetërore siç janë terrorizmi, tradhëtia dhe subversioni, ishin akuzat e ngrehura më së shumti kundër gazetarëve gjatë vitit 2012. Sipas raportit, gjatë këtij viti, vrasjet u shtuan me 42 për qind për gazetarët, të cilët ndër të tjera mbulonin luftimet në Siri, në Pakistan dhe Somali dhe thuhet se organizata KMG është duke bërë hetime në lidhje me rrethanet e vdekjes së 30- gazetarëve të tjerë.
Duke vazhduar dhënjen e statistikave vjetore për vrasjen e gazetarëve anë e mbanë botës, organizata për mbrojten e lirisë së medias, thotë se nga 68 vrasjet, 28 prej tyre janë vrarë duke mbuluar konfliktin në Siri.

Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Sajmën tha me rastin e botimit të raportit se megjithëse pothuaj çdo aspekt i gazetarisë ka ndryshuar falë teknologjisë së re, detyra kryesore e gazetarit nuk ka ndryshuar, mbetet ajo që ka qenë gjithmonë duke shtuar se, ''Gazetarët janë dëshmitarë''. ''Kur vriten gazetarët'', tha ai, ''mundësia për të mësuar se ç'po ndodhë në krizat kritike globale zvogëlohet ndjeshëm, ose zhduket fare.'' Ai përmendi Sirinë si shëmbull, ku aq shumë gazetarë janë vrarë duke u përpjekur të bëjnë punën e tyre me qëllim për të informuar botën mbi ato që po ndodhin në atë vend. Raporti njofton se gjatë trazirave dhe luftës në Siri, janë vrarë të pakën 67 gazetarë duke mbuluar luftën ose pasi ishin venë në shënjestër për t’u vrarë nga forcat qeveritare ose ato të opozitës.

Në një statistikë interesante, KMG thotë se një e treta e gazetarëve të vrarë ishin nga ata që punonin ''on-line'', ngritje e dukshme këjo, sipas raportit, në krahasim me një vit më parë për këtë kategori gazetarie. Kina, sipas raportit të organizatës për mbrojtjen e gazetarëve, më shumë se çdo vend tjetër ka përdorur ligjet për veprimtari kundër shtetit, për të burgosur gazetarët dhe shkrimtarët “on-line’’, të cilët shprehin pikpamjet e tyre disidente si dhe gazetarët që mbulojnë pakicat etnike në atë vend. Në këtë kategori gazetarësh të burgosur përfshihet edhe redaktorja e portalit Klubi i Grave Iraniane, Zhila bani-Yaghoub, e akuzuar për “propagandë kundër regjimit.’’

Gjithashtu në raport thuhet se nga të ashtuquajturit ''qytetar-gazetarë'', të cilët kanë shërbyer si burime lajmesh për organizata ndërkombëtare lajmesh, kanë pësuar vdekjen 13 prej tyre. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, në Pakistan janë vrarë shtatë gazetarë dhe në Brazil u vranë katër gazetarë, megjithë angazhimet e atij vendi për të zbatuar ligjet ndërkombëtare dhe për të respektuar të drejtat e njeriut. Gjithashtu sipas raportit, ''dhunë e jashtzakonshme'', është përdorur edhe në Meksikë për të censuruar shtypin. Vendet e tjera, që përmenden në raport si abuzuese të gazetarëve, përfshijnë Eritrenë e cila mban 28 gazetarë të burgosur, Vjetnami me 14 gazetarë në burg, Azerbajxhani me të pakën 9 gazetarë nën akuza të ndryshme, të pasuar nga Etiopia, Uzbekistani dhe Arabia Saudite.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë, në përmbyllje të raportit, se nuk beson që gazetarët të burgosen vetem e vetem sepse kryejnë punën e tyre gazetareske dhe shton se i ka dërguar letër -- duke shfaqur shqetsimet e tij serioze -- çdo vendi që ka burgosur madje edhe një gazetar, dhe shton se përpjekjet e kësaj organizate në mbrojtje të gazetarëve kanë përfunduar në lirimin e të pakën 58 gazetarëve anë e mbanë botës.

Liria e shtypit është një e drejtë themelore e njeriut dhe çdo shtet do të duhej të respektojë dhe të mbrojë ata të cilët i raportojnë të vërtetën bashkqytetarëve të vet, megjithë sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballen gazetarët. Vende të ndryshme të botës kanë ligje të ndryshme në lidhje me lirinë e shtypit dhe të fjalës, por të gjitha shtetet kanë nënshkruar Nenin 19 të Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e njeriut, nen i cili mbron lirinë e të shprehurit dhe të drejtën e lirisë së shtypit. Por në fund të fundit, pa marrë parasyshë se cilat janë ligjet mbi lirinë e shtypit dhe si zbatohen ato, siç ka thënë edhe Xhorxh Orvelli, “nëqoftse shumica e popullit beson në lirinë e shtypit, atëherë do të ketë liri shtypi, edhe nëqoftse e ndalon ligji, por nëqoftse opinioni publik nuk është i vendosur për të mbrojtur këtë liri, atëherë pakica që beson në lirinë e shtypit do të persekutohet, madje edhe nëqoftse ligjet ekzistojnë për t’a mbrojtur atë’’.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar