Skip to content

Fushatë elektorale me të vdekurit

27. 12. 2012 nga Saranda Pajaziti

Version i përshtatshëm për printim
Saranda Pajaziti

"Resurrectionem mortuorum" që i bie kthimi nga vdekja (ringjallje) ka filluar të aktualizohet. Kjo është duke ndodhur fal (Babadimrave), kryeministrave të Kosovës dhe Shqipërisë, ëndrrat e të gjithë atyre që ndienin mungesën e prezencës të të vdekurve dhe që kërkonin së paku që një dit t`i riktheheshin jetës reale po bëhet realitet, ata po kthehen pikërisht në një dit, ama dit e rëndësishme kjo, dita e zgjedhjeve.

Së paku këtë “rikthimin “e të vdekurve nuk e prisja, jo pa ndodhur ai apokalipsi i parashikuar i Majave. Por siç duket te ne shqiptarët e pamundura bëhet e mundur, dhe e mundura është që  apokalipsi të ketë ndodhur, pa i vën re ndryshimet. Gjyshja ime vdiq para 6 viteve, por ajo u “ringjallë” për të vetmen arsye: për të votuar. Besojeni apo jo është shumë faktike kjo, emri i saj figuronte në listat e të votuarve, ndërkohë që ajo kishte vite që kishte vdekur. Kjo tregon se kur vijnë zgjedhjet edhe të vdekurit “ringjallen” për të përmbushur obligimet e tyre qytetare. Ky fenomen “ringjalljeje” ka filluar të aktualizohet edhe në Shqipëri, edhe pse në një form tjetër më praktike, me kthimin e eshtrave të të vdekurve. Besoj që nuk ju kan ikur deklaratat e njëpasnjëshme tragjikomike nacionaliste të Kryeministrit Sali Berisha, i cili kërkoi kthimin e eshtrave të Ahmet Zogut (gjë që e realizoi) por si duket nuk po i mjaftojnë për të bindur elektoratin, dhe po vazhdon të kërkojë me ngulm edhe kthimin e eshtrave të Sami Frashërit, të Mit`hat Frashërit, gruas së Ismail Qemajlit, dhe së fundmi po kërkon edhe kokën e Ali Pash Tepelenës, pak rëndësi ka se ku i gjendet trupi Ali Pashës, e rëndësishme është që koka t`i kthehet Shqipërisë, edhe pse trupi i tij i do vazhdoj të jetë i ndar në dysh. Kjo fushatë elektorale me të vdekurit të lë përshtypjen që Kryeministri Berisha po pretendon të nxjerrë nga të vdekurit të gjallët, ndërsa dëshiron që ai vet të bëhet më i gjalli ndër të vdekurit. A nuk do të duhej që Kryeministri Berisha të përkujdesej më shumë për të gjallët “e vdekur” që jetojnë sot në Shqipëri?! Për këta të “vdekur” që edhe jeta që e bëjnë sot ska kuptim, dhe se vdekja do ishte ideja më  e mirë për ta,  a nuk  do të duhej që Berisha të preokupohej më shumë për fuqizimin e ekonomisë kur dihet se në çfarë gjendje është sot Shqipëria, ku prodhimi i përgjithshëm industrial përfshinë vetëm 8% të ekonomisë dhe se e vetmja industri nga e cila përfitojnë është industria e kumarit, ku importohen 113 ton flori dhe  xhevahire në vit, por esportohen femra, drogë,fëmijë dhe armë kontraband, ku krimin është në nivele të jashtzakonshme, ku varfëria ka trokitur pothuajse në çdo derë, ku gjendja e shërbimeve shoqërore, mjekësore dhe e arsimit është katastrofike, ku vendi sundohet nga SMS dhe nga emisionet televizive. A nuk do të duhej që edhe Kryeministri i Kosovës të përkujdesej po për të njëjtat çështje sepse pothuajse problemet janë të njëjta, në vend se të bëjë tregti me votat e të vdekurve. Mund edhe të tingëlloj ashpër por me glorifikimin e këtyre ngjarjeve ceremoniale protokollare me të vdekurit në këtë klimë tensionesh politike dhe gjendjes kaotike në të cilën ndodhet shteti shqiptar nuk është se janë prioritare, e kuptoj impaktin  dhe gjurmët ë mëdha që kan lënë në historinë shqiptare këto personalitete,  por veprat që kan lën pas do i bëjnë përherë të gjallë, jo kthimi i eshtrave, jo votat e vjedhura. Këto deklarata nuk janë asgjë tjetër veçse një strategji manipulimi për të zëvendësuar vetëdijen kritike të njerzve për aktualitetin me impulset kolektive të ndjenjës emocionale që populli ka për këta të vdekur. Detyrat që po na imponohen nga këta politikan janë inkurajimi për të pranuar mediokritetin aktual shoqëror e politik si realitet, përderisa ska të bëjë asgjë me realitetin, ska të bëjë asgjë me të vërtetën. E vërteta duhet kërkuar diku tjetër ndoshta tek mësimet e filozofit antik grek Sokratit i cili thotë  “nëse kërkoni të vërtetën, atëherë duhet që besimi juaj t`i kaloj të gjitha testet e evidencës, deduksionit dhe logjikës, vetëm atëherë ajo ide mund të përqafohet si e vërtetë, në të kundërtën e njëjta duhet mohuar, dhe pastaj duhet të pyesini veten se çfarë ju ka nxitur që deri në atë moment të mendonit ashtu”. Mirëpo fatkeqisht fenomeni sokratian, mënyra dhe bindjet e të mendurarit drejtë dhe përkrah të së vërtetës jo që nuk aplikohet te masa popullore po as në nivele më të larta akademike, situata është dëshpëruese dhe po mungon një reflektim serioz, i cili shpresoj të ndodhë sa më shpejt  dhe t`a përjetoj sa jam gjallë. Ndërsa këta politikanë do vazhdojnë të jetojnë në luks si oligarkët rus dhe do të thërrasin shpirtërat e të vdekurve, zërat e të cilëve do i dëgjoni më vonë.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar