Skip to content

Tribalizmi i politikës shqiptare!

12. 03. 2013 nga Faik Krasniqi

Version i përshtatshëm për printim
Faik Krasniqi

Në kohë krizash siç është kjo e tanishmja, është mirë të rishikohen dhe analizohen gjithë shkaqet që ndër të tjera na sollën në këtë derexhe. Tribalizmi i politikës shqiptare, është një nga shkaqet madhore, është shumë e rëndë dhe e dëmshme që të mos vihet re, të mos përfillet apo të neglizhohet. Tribalizmi është shkak madhor i prodhimit të krizave të njëpasnjëshme, të kapjes së shtetit, të abuzimit me pushtetin, me ambientin, me njerëzit, me qytetarët.

Tribalizmi në thelb, nuk është asgjë tjetër veç racizëm. Është i thellë deri në atë pikë sa t'u mohojë të drejtat elementare pjesës tjetër të popullatës që nuk i përket tribusë të caktuar për të qeverisur. Këtu ka shumë cinikë, ironikë dylekësha, të cilët nuk më ndjellin asnjë ndjesi tjetër veç shfaqjes (ironikisht shfaqja kryhet nëpërmjet fshehjes) së kompleksin të tribalitetit. Nuk mund të neglizhohet, as të shpërfillet ngjarja madhore që i vuri vizë përfundimisht ndarjes në dy kampe të mëdha. Nëse kjo situatë vazhdon në këtë mënyrë dhe në këto kondita, përplasja e madhe, është e pashmangshme, sepse sistemi është jashtë mase rigid, nuk mund të bëhet elastik. Është i dënuar të përplaset. Historia e Shqipërisë deri më tani, është karakterizuar nga këto përplasje tribale që kanë sjellë si rezultat qëndrimin vendnumëro. Sepse qëllimi nuk është drejtuar kah së ardhmes, kah arritjes së vendeve të tjera, por ka patur gjithnjë një qëllim të fshehur (jo dhe aq ama) përplasjen e brendshme. Zyrtarisht, mund të quhemi vend me probleme madhore të brendshme. Pa frikë fare kjo.

Kjo situatë tribale, është çelësi shpjegues i shumë situatave dhe gjendjeve në të cilat ndodhemi, psh:
Pse abuzojmë kaq shumë me ambientin? Pse ka mungesë patriotizmi real? (këtu nuk fut patriotizmin e ‘’patriotëve’’ të vetëshpallur). Pse nuk dënohen politikanët e korruptuar? Pse ekziston korrupsioni kaq i përhapur? Në rrënjë të gjithë këtyre problemeve, do të gjeni asgjë tjetër veç tribalizmit. Sepse tribalizmi nuk është vetëm ideja e përkrahjes dhe stimulimit me baza fisnore, por edhe dritëshkurtësia, mungesa e identitetit të "përtejmë" - identitetit civil, dhe nacional. Identiteti i tribalit, është fisi dhe katundi i vet i rrethuar me një gardh imagjinar. Përtej gardhit është "tjetri". Dhe me çdo gjë të tjetrit, mund të abuzohet. Mund të abuzohet me mjedisin e "tjetrit", me identitetin, me pronën, me votën... dhe në rastin më fatkeq, me jetën e ‘’tjetrit".

Kur thuhet rëndom se "gjërat nuk kanë për të ndryshuar", kjo është relativisht e vërtetë, sepse pritet që "tjetri", të aplikojë të njëjtin sistem me të "ishit" (pse më i mirë është ai "tjetri"?). I takon politikanëve të së ardhmes, që duan vërtet të civilizojnë vendin, të bindin se do të veprojnë ndryshe. Në të kundërt, do vijojë politika e rripa-rripave.

Autori
  • Kliko këtu për të parë komentet në Blog
  • Faik Krasniqi është autorë shkrimesh në faqet e Gazetës Kritika e blogje - shiko arkivën për më shumë. Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të "Aleanca Kuq e Zi".
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar