Skip to content

Tani qeveri teknike. Berisha të jap dorëheqjen më 5 prill (si Churchilli)

02. 04. 2013 nga Vëzhguesi

Version i përshtatshëm për printim
Churichill

Largimi i Metës nga qeveria në këtë moment ka vlerë vetëm për një fakt (dhe është fakt fondamental), rënien e qeverisë Berisha dhe krijimin e një qeverie teknike për të garantuar zgjedhje të ndershme e të drejta më 23 qershor. Kaq dhe vetëm kaq duhet parë në këtë moment, dhe kjo sepse zgjedhjet me Berishën kryeministër do ishin një dizastër, jo dyshime për këtë.

Se çfarë do ndodh nesër apo pasnesër, pas zgjedhjeve, se kush është Ilir Meta etc., nuk ka shumë rëndësi në fazën e sotme. Sot ka rëndësi vetëm një element super-i-rëndësishëm: Shqipëria të evitoj manipulimin e zgjedhjeve, të cilat do kishin kosto të lartë, tejet të lartë, deri në kolaps të vendit dhe impakt tjetër rajonal.

Sot Shqipëria sundohet nga një klikë e frikshme, armike e zgjedhjeve të lira. Hapni sytë rreth e rrotull shtetit "tonë". Perveç Arturo Ui-s në krye të ekzekutivit, është një Givola po aq destruktiv në krye të Presidencës, një kryetar SHISH-i vegël e verbër, një Ministër i Brendshëm "pushkë e mbushme" e Arturo Ui-s, një Komision Qëndror Zgjedhjesh tërësisht i frikësuar, një Kolegj Zgjedhor në Gjykatën e Apelit totalisht i nënshtruar. Si mund të shkohet në zgjedhje nën të tillë fashion vetëm një dreq e di.

Çmontimi i ekzekutivit të Arturo Ui-s shpresoj të sjell të njëjtin reaksion zinxhir në institucionet e mësipërme, nga Givola te Gjykata e Apelit, të cilët mbase edhe ato do psherëtinin të lehtësuar nga largimi i tij.

PS: Më 5 prill 1955 Churchilli ka dhënë dorëheqjen si kryeminsitër i Britanisë. Meqenëse Berisha është një imitues grotesk i tij, s'mund të gjej okazion më të mirë të shëmbëllej me të, duke u larguar në të njejtën datë si kryeministër.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar