Skip to content

Propagandë serbe në OKB

08. 04. 2013 nga Frank Shkreli

Version i përshtatshëm për printim

Vuk Jeremiq, në kapacitetin e tij si President i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ka caktuar mbajtjen e një debati mbi punën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës mbi Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi këtë të mërkurë, më 10 Prill. Debatin do ta hapë presidenti serb Nikoliq dhe në debat do të marrë pjesë edhe zevendës-kryeministri i parë i Serbisë, Vuçiq.
Më së pari një shpjegim se cili është roli dhe pse u krijua Gjykata Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, 20-vjetë më parë. Gjatë dy dekadave të fundit, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka mbrojtur viktimat e luftës, ndërkohë që ka dënuar ata që kanë kryer krime lufte mbi popullësinë e pafajshme civile, si edhe ata që kanë bërë abuzime të rënda të të drejtave të njeriut gjatë dekadës së 90-ave të luftërave në ish-Jugosllavi. Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, themeluar 10- vjetë më parë, gjithashtu ka luajtur një rol me rëndësi për dënimin e atyre që kanë bërë krime lufte, si dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Qëllimi i gjykatave ndërkombëtare, pra është, për të dënuar keqbërsit dhe për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e viktimave të pafajshme dhe konsolidimin e të drejtave të njeriut, anë e mbanë botës.
Vendimi i Jeremiqit, që në emër të Serbisë të organizojë një debat, për atë që në humë qarqe ndërkombëtare po shikohet si një përpjekje propagandistike e Serbisë për të diskredituar punën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës – nuk është hera e parë që Beogradi është munduar të bindë botën me versionet e tij, tani të diskredituara, për ato që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi gjatë 20 vjetëve të fundit. Por ndryshimi me përpjekjet e përparshme të Serbisë, është se tani Beogradi ka njeriun e vet në Kombet e Bashkuara, i cili po përpiqet që pretendimeve të Serbisë t’u japë vulën zyrtare të ligjëshmërisë së OKB-së, pasi ai në kapacitetin e tij si president i Asamblesë së Përgjithshme, është i autorizuar të shkruaj raportin përfundimtar të debatit, natyrisht nga pikpamja e zyrtarëve të Beogradit dhe aleatëve të tij, Rusisë dhe Kinës. Këjo është një situatë e hapët e asaj që quhet si “konflikt interesi”, gjë që asnjë person ose organizatë me reputacion nuk ia lejon vetvetes. Ky është një rast, ku një zyrtar i Kombeve të Bashkuara, ndryshe nga obligimet e detyrës së tijë, për t’i shërbyer organizatës për të cilën punon, po shfrytëzon detyrën e tij për përfitime personale dhe të vendit të tij –dhe në dëm të së vërtetës dhe në përpjekje për të ndryshuar ose falsifikuar historinë e dy dekadave të fundit.

Serbia është tepër e dëshpëruar se Gjyqi i Hagës liroi kohët e fundit ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ramush Haradinajn dhe dy anëtarë të tjerë të UÇK-së, gjë që sipas nën-kryeministrit serb Vuçiq, “ka tronditur të gjithë serbët”. Zyrtari i lartë serb tha gjithashtu se qeveritë që në të kaluarën kanë mbështetur punën e Gjykatës Ndërkombëtare, sipas tij, na qenkan “shokuar nga vendimet përfundimtare të kësaj gjykate në lidhje me gjenralët kroatë Ante Gotovina dhe Mladen Markaç, por edhe Haradinaj”, shtoi zyrtari serb Vuçiq për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.
Individë, shtete dhe organizata të ndryshme kanë shfaqur moskënaqinë e tyre në lidhje me debatin e OKB-së të sponsorizuar nga Serbia. Ndër të parët që shprehu mos aprovimine tij për mabjtjen e këtij debate, ishte Kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi, gjykatësi Theodor Meron. Ai, sipas Radios Evropa e Lirë, foli para disa ditësh në Institutin Brookings në Uashington ku kritikoi ashpër vendimin për debatin në OKB, duke thënë se ky vendim për zhvillimin e debatit mbi punën e Gjykatës, parashtron pyetje dhe ven në dyshim, ”kushtet themelore të sundimit të ligjit”, duke shtuar se, ky nuk është “një debat, në të cilin pjesmarrja ime do të jepte ndonjë kontribut të rëndësishëm ndaj normave ligjore në të cilat besoj unë.” Gjykatësi Meron u tha pjesmarrësve në Institutin Brookings se, “shpallja e pafajësisë, ashtu si edhe shpallja e fajësisë, tregojnë se sistemi është i shëndetshëm, se ai funksionon.”
Siç duket, Kroacia dhe Bosnja, ndër të tjera, kanë shprehur moskënaqsinë për këtë debat të organizuar nga Vuk Jeremiqi dhe janë shprehur se nuk do të marrin pjesë në të. Radioja b-92 në Beograd citon agjencinë Tanjug se as Uashingtoni zyrtar nuk ka mirëpritur këtë debat, ndërsa citon një zyrtar të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit se ka thënë që ai beson se debati i ardhëshëm në OKB do të përdoret për qëllime propagandistike të Serbisë.
Por, vendet që kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë, janë Rusia dhe Kina të cilat vazhdimsiht kanë përkrahur agjendën serbe në OKB, sidomos kundër mos njohjes dhe mosantarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sipas gazetës serbe Veçernje Novosti, Moska dhe Pekini kanë shprehur gatishmërnë e tyre për të marrë pjesë në debatin e OKB-së të organizuar nga Vuk Jeremiqi.
Ndër organizatat jo-qeveritare që kanë reguar ndaj mbajtjes së këtij debati janë edhe Kongresi i Boshnjako-Amerikanëve të Amerikës Veriore dhe Këshilli Konsultativ për Bonsje-Hervegovinën, të cilët, në një letër drejtuar ambasadores së Shteteve të Bashkuara pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Susan Rajs -- shprehin shqetsimin e tyre në lidhje me atë që ata cilësojnë si agjendë e Jeremiqit në Kombet e Bashkuara dhe në të njëjtën kohë shprehen se, “Vuk Jeremiqi, si president i Asamblesë së 67-të të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së, po vazhdon të përdorë Kombet e Bashkuara si një platform të tijen për të përhapur agjendën nacionaliste serbe duke organizuar këtë debat dhe njëkohësisht është duke fyer rishtas viktimat e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci.” Në letrën e tyre këto dy organizata boshnjake në Amerikë, me të drejtë thonë se, “Dokumenti ‘zyrtar’ në lidhje me debatin që do të mbahet në Prill, pritet të përmbajë pikpamjet serbe mbi luftërat në ish-Jugosllavi, në kurriz të fakteve tanimë të mirë dokumentuara dhe të drejtësisë.” Boshnjako-amerikanët theksojnë, në letrën e tyre drejtuar ambasadores amerikane pranë OKB-së, se “rishkrimi dhe falsifikimi i historisë është prioritet i agjendës së nacionalistëve serbë”, dhe njëkohësisht ata i bëjnë thirrje asaj, “Si shtetas amerikanë, por edhe si viktima të spastrimit etnik dhe të gjenocidit, që mohuesit e gjenocidit të mos lejohen të përdorin Organizatën e Kombeve të Bashkuara si paltformë të tyren për përhapjen e propagandës urrejtëse dhe gënjeshtarve.”
Ky është objektivi i vetëm i Vuk Jeremiqit për organizimin e këtij debati, por njëherazi është edhe një përpjekje e koordinuar mirë nga autoritetet zyrtare të Beogradit për të kundërshtuar vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare në të kaluarën, tani dhe më vonë ndaj serbëve të dëlnuar për krimet e tyre në luftërat e Ballkanit – por është edhe një përpjekje nga ana e tyrepër të përmirësuar reputacionin ndërkombëtar të Serbisë. Nën-Kryeministri serb Vuçiq u citua nga media serbe se debati në Kombet e Bashkuara, “është një rast i mirë për të paraqitur një pikpamje tjetër mbi gjëndjen në Ballkan, një pikëpamje tjetër mbi Serbinë”.
Është ablsolutisht e pa kuptueshme se si Organizata e Kombeve të Bashkuara lejon që ajo të përdoret si platformë e nacionalizmit serb duke mundësuar zhvillimin e këtij debati. Ky është një problem me të cilin këjo organizatë duhet të merret seriozisht, nëqoftse dëshiron që reputacioni i saj të mos keqësohet edhe më tepër në rajonin e Ballkanit, ku mos-angazhimi dhe mos veprimi i sajë përballë krimeve kundër njerëzimit dhe spastrimit etnik nga forcat serbe gjatë luftërave në Ballkan mbahet, është një përvojë tepër e hidhur për tu harruar, sidmos nga populli boshnjak. OKB-ëja, duke lejuar mbajtjen e këtij debati, është duke hedhur krip në varrët trupore dhe shpirtërore të qindëra mijëra viktimave të terrorit serb në Ballkan. Këjo masë dëmton, për të mos thënë se minon, besimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si një organizatë që sipas Kartës së OKB-së, “Zhvillon marrëdhënje miqësore midis kombeve, në bazë të respektit për parimin e të drejtave të barabarta dhe të vetvendosjes së popujve.
Udhëheqsit serbë, siç tha edhe vet nën-kryeministri serb Vuçiq, shpresojnë që në fund të këtij debati, Ballkani dhe bota të ketë një “pikpamje tjetër për Serbinë”. Mirëpo, këjo nuk mund të arrihet me përpjekje të njëanshme për debate në forume ndërkombëtare siç është edhe OKB-ëja, me qëllim shtrëmbërimi dhe falsifikimi të historisë së hidhur të 20-vjetëve të kaluara në atë rajon. Popujt e Ballkanit dhe bota do të kenë pikpamje tjetër nga ajo që kanë sot për Serbinë, vetëm e vetëm kur Serbia të kërkojë falje për krimet që udhëheqsit e saj kanë bërë në emër të saj dhe njëkohësisht tu kërkojë falje viktimave të gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, në Bosnje dhe Kroaci. Vetëm atëherë, popujt e Ballkanit dhe bota mund të ndryshojnë pikpamjet e tyre mbi Serbinë si shtet dhe mbi serbët si popull.
Një gjë e tillë do të ishte më e pranueshme dhe më e vlefshme se sa çdo debat në OKB ose kudo tjetër, që më në fund do të çonte drejtë pajtimit eventual midis popujve të Ballkanit dhe në një paqë të qendrueshme në atë pjesë të botës, e cila ka aq shumë nevojë për një pajtim të tillë.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar