Skip to content

Pesë ''bombat atomike'' që shkatërruan Shqipërinë

05. 06. 2013 nga Abdurahim Ashiku

Version i përshtatshëm për printim

Një tragjedi e madhe ka mbuluar Shqipërinë. Një kërpudhë tymi e flakësh përcolli para shqiptarëve dhe botës mbarë imazhin e kërpudhës së Hiroshimës dhe të Nagasakit. Topi, presidenti i Shqipërisë, e emërtoi atë një shpërthim me vlerën në kiloton të një bombe atomike. “ Specialistët “ pas kësaj nxituan të njoftojnë publikun se vërtet shpërthimi kishte fuqinë e një bombe atomike por ai ishte në “ bombë pa rrezatim “. Në se është e vërtetë kjo e thënë në efir dhe do të vërtetohet më vonë, ashtu siç u vërtetuan dhe vazhdojnë të vërtetohen të thënat e Berishës dhe të çirakëve të tij drejtpërdrejt në prononcimet publike dhe në konferencat e shtypit ku më e spikatura ishte ajo se ministri i mbrojtjes paska vetëm përgjegjësinë e “ transportit të municioneve luftarake “ dhe asnjë lloj përgjegjësie për atë që ndodhi dhe që tronditi me dhunën vdekjeprurëse gërdecasit dhe banorët e tjerë.
Nuk do të ndalesha në këtë “bombë atomike“ sikur mendja të mos më bridhte në “bomba“ të tjera dëmet e të cilave kanë qenë njeri më i madh se tjetri.
Shqipëria, fatkeqësisht për popullin e saj, ka kaluar nëpër pesë “bombardimeve “ të mëdha “atomike“ dhe nëpër një reaksion zinxhir pasuar nga i pari tek i fundit.

l. “ BOMBA “ QË SHKATËRROI EKONOMINË.

Pak është folur dhe janë analizuar shkatërrimet e saj, shkatërrime që e zhveshën Shqipërinë në “brekë e kanatjere“. Politika shqiptare, që në hyrjen e saj në “librin e demokracisë“ tregoi se nuk mund të shkëputej nga e kaluara komuniste, nga rruga e saj specifike, nga “rrugët e pashkelura“, nga lëvizjet “çartiste“ të mesit të shekullit të 19 -të. Në ndryshim nga “kartat“ e punëtorëve anglezë të viteve 20 -të, të shekullit të 19 –të ku punëtorët shpallën peticione ajo shpallte “Çekun e bardhë“ dhe në ndryshim me shkatërrimin e makinerive nëpër fabrikat pronë të kapitalit të madh anglez ajo shpallte “kuotën zero“. Kush e njeh sadopak historinë nuk mund të mos heqë një vije paralele në hapësirën e gati dy shekujve distancë. Lëvizja “çartiste“ shqiptare nisi me shkatërrimin e gjithçkaje të asaj që ishte bërë nga populli i thjeshtë. Me shkatërrimin e uzinave, fabrikave, minierave, të objekteve kulturore e historike. Makineritë moderne për kohën të disa uzinave e kombinateve bashkëkohorë u shkulen nga bazamentet dhe u dërguan si “skrap“ në Mal të Zi e përtej detit. Bujqësia shqiptare pësoi shkatërrimin më të madh që mund të imagjinohet. Kjo për faktin se një ndërtesë mund ta shkatërrosh e në themelet e saj të ngresh një më të bukur në disa muaj apo një vit ndërsa një ulli që jeton tremijë vjet duhen 15 vjet që ta fusësh në prodhimin e kokrave të para. U shkatërruan plantacionet me mollë e fruta të tjerë të Korçës, Pogradecit, Dibrës, Kukësit, Tropojës. U dogjën masivet e vreshtave që nga Shkodra e deri në Vlorë. U shkatërruan plantacionet e ullinjve dhe agrumeve në tërë bregdetin e Jonit e deri në Stiar të Delvinës. U...
Nuk po vazhdoj më tej duke ia lënë lexuesit ta plotësojë tërë ikonën e atij shkatërrimi të padëgjuar, shkatërrim që e bëri dibranin e korçarin të marrë molla nga Bullgaria e Maqedonia, bregasin e Jonit të marrë agrume e ullinj nga Greqia. Shqipëria, nën udhëheqjen politike të “rrugëve të pashkelura“ bëri atë që nuk e bëri as Maqedonia, as Bullgaria e vendet e tjera të Ballkanit (komunist) por as edhe Kosova. Në këto vende edhe sot e kësaj dite ekzistojnë sistemet e organizuara fshatare në formën e kooperativave me drejtim kapitalist dhe prodhimi bujqësor jo vetëm nuk ka njohur ulje por përkundrazi, ka njohur vetëm rritje, rritje të cilën e sheh kushdo kur hyn në tregun e prodhimeve bujqësore në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë.
Nuk është analizuar ndonjëherë kjo “bombë“, nuk janë dhënë parametrat shpërthyes të saj dhe shkatërrimi që ka përcjellë në jetën e shqiptarit i cili një ditë u gjend i papunë, i pa pension, i pa mundur për të jetuar në trojet e të parëve dhe mori rrugën e mërgimit nga vendi jashtë dhe nga malet në fushë.

2. “ PIRAMIDA “ SI “ BOMBË ATOMIKE “ NDAJ INDIVIDIT

Piramidat shqiptare, lulëzimi i të cilave u bë nën parullën e “parave të pastra“ në shpërthimin e tyre në fund të vjeshtës 1996 dhe në mes të dimrit 1997 vranë jo ekonominë shqiptare në tërësi por ekonominë vetjake, individin e thjeshtë të punës. Cili shqiptar nuk u godit ashpër, nuk u përvëlua nga flaka dhe vala goditëse e kësaj “bombe atomike“. Sa e madhe dhe sa e hapur është plaga që iu shkaktua individit shqiptar i cili humbi shtëpi e katandi, humbi paratë e fituara me djersën e ballit në hapësirat e emigrimit klandestin ?.
Kanë kaluar një duzinë e gjysmë vitesh që atëherë dhe plaga e hapur nuk është mbyllur dhe të plagosurve nuk u është kthyer ajo që iu mor me një mashtrim të paskrupullt, me një dhunë të paparë ndonjëherë ?

3. “ BOMBA ATOMIKE “ USHTARAKE

Piramidat, si në zbërthimin zinxhir të strukturës së atomit, nuk kishte se si të mos ndiznin zemërimin popullor, zemërim i cili, pas djegies e shkatërrimit drastik të institucioneve shtetërore do të përplasej me një valë të paparë, jo në Shqipëri por në globin tokësor, mbi repartet ushtarake, mbi depot e armëve, mbi avionët dhe tanket duke “armatosur të gjithë popullin“.
Mbi këtë “shpërthim bërthamor“, shpërthim i cili edhe sot (por edhe nesër) do të marrë jetë njerëzish, jetë fëmijësh dhe të rriturish, jetë të pafajshmish, nuk është bërë asnjë analizë, nuk është vënë përpara ligjit askush. Ai ishte dhe është një shpërthim memec, shpërthim që i shkaktoi dhe do t’i shkaktojë popullit të thjeshtë plagë të pashërueshme...

4. GËRDECI “ BOMBA ATOMIKE “ QË AKUZON

Nuk ka shqiptar që nuk e ka ulur kokën përballë valës goditëse të “Bombës Atomike të Gërdecit“. Nuk ka shqiptar që këto ditë, ndërsa ndjek, nga të katër anët e botës ku është ngujuar për bukën e ditës, pamjet nga ekranet e vegjël të stacioneve televizive shqiptare dhe botërore të mos e ndjej veten se sa jetim është, se sa poshtë ia ka ulur kokën vendi ku lindi e ku “vala e bombave atomike“ ia pret rrugën e kthimit. Nuk ka shqiptar që këto ditë nuk i bën pyetje vetes “Si është e mundur“?, që pickon vetveten për tu siguruar se nuk është në ëndërr. Si është e mundur që një shtet, një qeveri, specialistë ushtarakë që mburren se e kanë modernizuar ushtrinë dhe po e çojnë atë në NATO, të tregohen kaq kalamaj (më mirë të themi idiotë) sa të vendosin në mes të popullit, fare pranë kryeqytetit, rrugës së vetme të madhe nacionale (prej nga degëzohet rruga drejt Kosovës), aeroportit aq predha dhe barut sa shpërthimi të ketë fuqinë e bombës atomike. Si është e mundur që shteti ia jep në dorë një pasuri të madhe kombëtare privatit i cili duke shfrytëzuar punën e fëmijëve dhe grave kundrejt 4 eurosh në ditë, punë që të kujton shekuj të largët të shfrytëzimit të egër racist në vendet koloniale?
Gërdeci rrjedh gjak njerëzish të pafajshëm. Gërdeci, sa herë ta kujtojmë, sot dhe pas njëzet apo pesëdhjetë vjetësh, do të na e ulë kokën përtokë. Ai nuk do të na ngushëllojë, as ne që jemi larg dhe as ata që janë në zemër të kraterit të hapur, pranë kufomave të shkrumbuara të grave dhe fëmijëve, të baballarëve dhe të nënave, në gërmadhat e shtëpive që i ndërtuan me djersë e sakrifica të mëdha, ndër të tjera edhe me paratë e emigracionit shqiptar.
Pushtetarët që nxituan të deklaronin, si të deklaronin ndonjë sihariq, se “bomba atomike Gërdeci“ nuk ka rrezatim, gënjyen, mashtruan, fshehën një krim të pashoq. Rrezatimi i kësaj bombe është kaq i madh sa rrezatimi i Hiroshimës dhe Nagasakit do të ishte “lojë fëmijësh“. Ai është një rrezatim që vrau e dogji shpirtin e njeriut, të njeriut që ishte pranë dhe të njeriut që ishte larg, shpirtin e shqiptarit...
Dhe ajo që do të shtoja sot është pamja groteske e ministrit të Gërdecit, në mitingje elektorale në kërkim të votës për partinë bisht të shtetit të që mbrojtjen e krimit e ka në shpirt.

“BOMBA E PESTË” 21 JANARI...

Më e reja, e re që e vjetroi në mënyrën më të paskrupullt një “gjyq” paraprirë nga një “komision parlamentar”, është vrasja e katër njerëzve të thjeshtë ditën me diell, nën vështrimin si askund në botë të dhjetëra kamerash televizive, gazetarësh me plagë plumbash në sup.
Nga Greqia ku jetoj kemi përjetuar dhjetëra e dhjetëra demonstrata para parlamentit grek, zemërim të njerëzve që një ditë u gjetën të tradhtuar nga shtetarët e tyre. I kemi parë të përleshen, të shkulin pllakat e bordurave, të sulmohen nga makina zjarrfikëse e bomba gazsjellëse. Nuk pamë të plagoset me plumb njeri, askënd. Shteti mbrojti institucionet me mënyrat e ligjit, pa gjak.
Një patrullë në Eksarkia shkarkoi një plumb në tokë e predha qorre vrau Aleksin e vogël. Populli shpërtheu në demonstrata ditë të tëra por edhe çdo vit në datën e kobshme. Fajtori, ai që tërhoqi këmbëzën e armës mori burgim të përjetshëm.
Në Shqipëri nuk u dënua askush, madje dolën edhe të pafajshëm, me motivin se mbrojtën shtetin nga “stilografët pistoletë”...
Kryeministri, ministri i brendshëm kanë marrë hov çirren në fushatë për demokraci, për ligj, kërkojnë paturpësisht votën e shqiptarit...
21 janari është dhe do të mbetet një “Bombë atomike” në jetën dhe politikën shqiptare, bombë që po nuk u zbërthye do të rrezatojë kob...

* * *

Në hapësirën e këtyre më se dy dekadave kanë ndodhur edhe shpërthime të tjera, kobe të mëdha si ai i 9 marsit 1996 kur humbën në kanalin e Otrantos 32 dibranë, si ai i 31 marsit 1997 kur humbën në ujërat e Otrantos, goditur barbarisht nga anija pirate “ Sibila “ 82 shqiptarë, burra, gra e fëmijë, kur më 6 maj 2006 në Dhëmblan të Tepelenës ndodhi shpërthimi i parë masiv ku humbën jetën ushtarakë, kur...
Mund të vazhdojmë me “shpërthime“ të tjera, të vogla në dukje por të mëdha në shpirtin e njerëzve që humbën jetën dhe të atyre që edhe sot kërkojnë pse-në e këtyre “tragjedive shqiptare“...
Kur i analizon të gjitha këto “bomba atomike“ dhe “bomba defensive“ nuk ke se si të mos ndeshësh në një fakt të pakontestueshëm:
Në krye të ministrive, institucioneve më të lartë të vendit, në mitingjet çjerrëse fjalësh deri në çarje buzësh janë ministra të kohës së Gërdecit, 21 janarit...
Në krye të shtetit, si president apo kryeministër është i njëjti njeri, është Sali Berisha...
Mos vallë mendon kush se kjo është një rastësi ?
Unë nuk e besoj.
Po ju ?

Athinë, qershor 2013

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar