Skip to content

Amerika nuk do t'i imponojë Shqipërisë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë

13. 11. 2013 nga Frank Shkreli

Version i përshtatshëm për printim
Frank Shkreli

Siç është njoftuar dhe komentuar ditë e fundit në median shqiptare dhe botërore, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar bisedime me Shqipërinë dhe me disa vende të tjera europiane për të ndihmuar në shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Janë bërë komente se Shtetet e Bashkuara do t'ia imponojnë Shqipërisë një gjë të tillë, pasi Shqipëria na qenka ''vasale'' e Shteteve të Bashkuara dhe se autoritetet shqiptare gjithmonë i thonë, ''Po'' Amerikës për çdo kërkersë që ajo u bën atyre, pa marrë parasyshë interesat e vendit. E vërteta është se Shqipëria si anëtare e NATO-s është tani në valle dhe si e tillë konsultohet dhe shqyrtohen mundësitë për kontributin e saj për sigurinë e përbashkët të vendeve aleate dhe të paqës në botë. Por Shtetet e Bashkuara nuk do t'ia imponojnë Shqipërisë, as ndonjë vendi tjetër shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Ky është dhe duhet të jetë një vendim, ekskluzivisht, i popullit shqiptar dhe i qeverisë që e përfaqëson atë, bazuar në sigurinë dhe interesat kombëtare të vendit. As NATO as Shtetet e Bashkuara nuk do t'ia imponojnë Shqipërisë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e saj, nëqoftse Tirana zyrtare e konsideron një gjë të tillë si diçka që është kundër interesave të saja. Nuk është në natyrën e NATO-s që t'i imponojë gjëra të tilla një vendi anëtar, as nuk është në natyrën e Shteteteve të Bashkuara që t'i imponojnë një gjë kaq serioze një vendi mik si siç është Shqipëria. Ështe e pa-imagjinueshme që Shtetet e Bashkuara të tërheqin armët kimike nga Siria për të shpëtuar sirianët dhe t'i dërgojnë ato në Shqipëri për të dëmtuar shqiptarët. Siç tha edhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu gjatë një vizite dje në Kukës, në lidhje me këtë, nuk është marrë asnjë vendim, por sipas tij, "Gjëja jetike është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mike e Shqipërisë dhe shqiptarëve'' duke shtuar se, "mirëqenia e popullit shqiptar, është një ndër konsideratat më të rëndësishme të Amerikës. Dhe kjo përfshin edhe dinjitetin e vendit e të qytetarëve të tij", tha përfaqsuesi amerikan në Tiranë.

Por siç sugjeron edhe ish-ministri jashtëm i Shqipërisë, Marko Bello në faqen e tij në "Facebook", se këjo zhurmë e madhe në lidhje me këtë çështje mund të jetë shkaktuar nga zelli i tepëruar i autoriteteve shqiptare, duke zmadhuar dhe ekzagjeruar situatën. Këjo situatë bëhet edhe më e vështirë nga mungesa e transparencës zyrtare në lidhje me këtë çështje, pasi në një boshllëk të tillë informacioni, të pavërtetat dhe thashë-e-themet përhapen shumë shpejt dhe bëhen realitet. Jam i sigurt se qeveria shqiptare, në konsultime me aleatët në NATO dhe me Shtetet e Bashkuara – dhe nëqoftse i kërkohet një gjë e tillë zyrtarisht -- do të arrijë vendimin e duhur, në interesin e shëndetit dhe mirëqenjes së qytetarve si dhe në interesin e kombit dhe të marrëdhënjeve të mira me aleatët dhe njëkohsisht të paqës dhe të një bote pa armë kimike. Shkaërrimi i armëve kimike në Shqipëri mund të jetë një ndërmarrje tepër e madhe për mundësitë logjistike dhe teknike që ka Shqipëria në këtë fushë, e nëqoftse është kështu, atëherë autoritete qeveritare në Tiranë duhet t'i thonë, JO qoftë dhe mikes më të ngushtë, Amerikës dhe NATO-s, duke thënë në mënyrë transparente për publikun, se nuk kemi mundësi të bëjmë një gjë të tillë, për këtë e këtë arsye. Jam i sigurt se Shtetet e Bashkuara, NATO dhe Bashkimi Europian nuk do e përdorin këtë refuzim kundër Shqipërisë në të ardhmen.
Por siç ndodhë gjithmonë me probleme të mëdha rajonale ose botërore, janë Shtetet e Bashkuara ato që -- në mungesë të të tjerëve, ose kur të tjerët rrinë duar kryq -- marrin përsipër zgjidhjen e sfidave ndaj sigurimit botëror dhe në mbrojtje të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, siç është shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë. Dhe si rrjedhim Uashingtoni akuzohet për motive të mbrapshta që nuk kanë të bëjnë me realitetin. Armët kimike në Siri janë një problem i madh për të gjithë botën, sepse nëqoftse këto armë bien në dorë të terroristëve dhe personave ose orgnizatave të pa-autorizuara, pasojat janë të pa-parashikueshme për të gjithë. Si e tillë këjo është një emergjencë -- jo vetëm për Amerikën, NATO-n, Bashkimin Europian, Shqipërinë dhe vendet e tjera me të cilat po bisedohet për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, por është një çështje edhe e sigurimit ndërkombëtar, pikërisht një çështje me të cilën, që po të ishte e mbara, do të merrej Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ndonëse ishte Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ai që shtatorin e kaluar miratoi rezolutën për të siguruar dhe për të shkatërruar armët kimike të Sirisë me qëllim që t'i tërheqë ato nga zona e luftës.
Vendimi për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë e ka adresën, jo në Tiranë as në ndonjë vend tjetër të Europës, por tek Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, megjithë shantazhet e Rusisë dhe të Kinës brenda këtij këshilli. Në lidhje me këtë, agjencia japoneze e lajmeve Kyodo citoi dje Sekretarin e Përgjithëshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon se ai është duke marrë në konsiderim t'i kërkojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mbështetë një propozim të tijin që Siria vet të shkatërrojë armët e saja kimike, brenda territorit të saj. "Jam duke marrë në konsideratë që t'i bëjë thirrje Këshillit të Sigurimit që të kërkojë menjiherë transferimin e armëve kimike të Sirisë në qendra të sigurta mbrenda Sirisë ku mund të vendosen dhe ku njëkohsisht mund të shkatërrohen ato armë." Ban Ki Moon, sipas agjencisë japoneze të lajmeve, shprehu gjithashtu zemërimin e tij në lidhje me ndasitë dhe përçarjet, si dhe pamundësitë dhe paralizimin brenda Këshillit të Sigurimit për të marrë ndonjë vendim të përbashkët mbi krizën në Siri, ndërkohë që Rusia, aleate e dikatorit sirian Assad dhe Kina kanë përdorur veton ndaj tri rezolutave mbi Sirinë, ndërsa deri tani në atë vend kanë humbur jetën më shumë se 110,000 njerëz.
Iniciativa e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për t’i paraqitur Këshillit të Sigurimit propozimin që Siria vet të shkatërrojë armët kimike brenda territorit të saj, e transferon zgjidhjen e këtij problemi në prak të derës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aty ku edhe e ka vendin dhe njëkohsisht ka mundësi të zgjidhë dilemën përballë të cilës gjëndet qeveria shqiptare në lidhje me këtë çështje.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar