Skip to content

Terror Shtetëror

28. 02. 2009 nga Artan Mullaj

Version i përshtatshëm për printim

Sfidat e botës sot, më shumë se të tilla, në fakt janë dilemma apo paqartësi për pasojat e ardhshme të aventurave që të mëdhënjtë dhe të fuqishmit e njerëzimit shkaktojnë me vendime shpesh të dyshimta. Në skenën botërore të ndodhive, këtyre dilemave të politikes së ditës u shtohet edhe nje dozë terrori shkencor, që nderet me shpejtësi në planet, për rreziqet dhe fatalitetet e kohës sonë, duke e bërë edhe më të brishtë jetën njerëzore në tërësi. Madje, më shumë se politika, ngaqë është më e sinqertë se ajo, dhe më e besueshme, shkenca e botës është shndruar në një përbindësh psikologjik,
ndërsa gërvisht edhe vetëdijen e atyre më skeptikëve, me lajme të hidhura që hidhen në tregun mediatik jo aq me prestigjiozitet por me një furi të paparë. Ndërgjegjia e popujve bombardohet jo rrallë me rreziqe të supozuara, që në fakt, në shumicën e rasteve s'janë vec skenare, supozime dhe hamendësime vipash dhe mëndjeshquarish. Mbipopullimi babëzitës, sëmundjet e frikshme, sida dhe virueset vdekjeprurëse, statistikat e rritjes marramëndëse të vdekjeve të parakohshme, luftërat, propabiliteti i përplasjeve të mundshme kozmike të planetit me kometat apo astereoidet, shkëmbinjtë e frikshëm të hapësirës, luftërat bërthamore, ngrohja globale, shterimi i naftës, cmendimi i Putinit, lufta e ftohtë, Ufot, ushqimet me hormone, shkurt vetë fundi i Botës, të gjitha këto, bashkë me dilemat e mëdha të krerëve dhe mëndjeve të shquara, që shoqërojnë vendimet e tyre, zëvendësojnë sot dhunshëm ushqimin shpirtëror të njeriut, duke e planetizuar, shpërfytyruar dhe robotizuar atë..

Atëherë, në një metaforë kalimthi, me këtë terror të instaluar, duket sikur më të fuqishmit dhe më të mencurit në këtë botë duket sikur duan të na thonë: "Jemi të kërcënimnuar gjithherë, atëherë, c'na qënkërka kjo forcë përtej gjykimit tonë, që na i dhuron dhe na i rrezikon njëherësh të gjitha dëshirat e epokave tona? A s'duhet pranuar e besuar që njerëzimin deri tani e ka shtyrë përpara një dinamikë misterioze, që buron jo nga shpirti i tij dhe s'është gjithashtu vullneti I instiktit? C'na polli neve mes gjithësisë, mes kësaj vetmie të tmerrshme e të kërcënuar, dhe c'gjë, ç'fuqi, ç'vullnet pra na rrotulloi miliona vjet rreth një ylli me një qëllim të errët e të rëndomtë të cilit I mungon shkakësia? A s'jemi ne këtu hapi I fundit I zhvillimit? A s'kemi kësisoj të drejtën mbyllëse të lexojmë fletën e fundit të shkruar me një gjuhë të cuditshme? Cdo të jetë pas nesh, pas përpjekjeve dhe pas tmerrit tonë? Kush mund ta thotë! Ndoshta një fuqi tjetër krijuese pas shkaterrimit, si një ndëshkim, do të na pluhurosë të gjithëve…Misioni ynë me sa duket është dëshmia. Vetëdija e rruajtur e përfundimit. Me sa duket kemi mbëritur buzë një gremine të mendimit njerëzor. Përposh, yllësia është indiferente, e kotë, e panevojshme dhe e padurueshme. Cna mbetet? Durimi? Aspak. Shpresimi. Njehësimi. Njeriu është këtu, përballë këtyre provave fatale, që të durojë jo fundin e llahtarshëm përpara, por të durojë lodhjen e pritjes dhe lodhjen e shpresës"…..

Ky shkulm zhvillimi dhe frike në të vërtetë ka një kaotizëm instiktiv i cili zbulon qartazi se pasojat e këtyre dilemave dhe paqartësive në kokat e liderëve si edhe kjo masë terrori shkencor ka një koeficient të lartë artificialiteti.. Në fakt, shpesh, përkundrazi, vërtetohet se rreziqet asnjëherë nuk janë aq të mëdha sa parashikohen e thuhen nga mendjet e mëdha. Irani, Al Kaida, sëmundjet (jo aq të shpeshta sa të jenë dhe të rrezikshme), ngrohja globale, kometat, rezultojnë jo aq të sigurta dhe aq kërcënuese sa thuhet, (akujt janë zëvendësuar në skajet e tokës sërish, kometat rrallojnë, lufta e ftohtë shfaqet edhe si farsë, naftë ka edhe për shumë vjet, Ufot nuk janë dhe aq armiqësorë, etj, etj, etj).. aq sa për optimistët kërcënimet e mëdha janë vec fantazi të mëdha, dhe për të tjerët, fetarët dhe frikacakët, ndërsa tmerri i jetës përpara është dicka që duhet pranuar, kërcënimët janë punë të fatit ose punë të zotit..

Krahasuar ndërkaq, megjithë ingranimin dhe dëshirën e verbër për integrim, shqiptarët funksjinojnë krenarisht, tradicionalisht por edhe barbarisht sipas ligjësive të tjera, që shpesh, sfidojnë botërorët, madje as mund të shpjegohen. Si rrallëkund në planet (mbase kështu ndodh vetëm në fiset e panjohura indiane, ku nuk ka mëndje të ndritura dhe profetë), ne jemi qytetarë që të paktën nuk jemi ndëshkuar me mungesën e kurajos për të sfiduar dhe konstatuar. Në Shqipëri nuk kanë rëndësi edhe vlerë trazirat dhe shqetësimet planetare, as terrori shkencor i shpërndarë si mjegull mbi tokë. Ndryshe nga të tjerët, ne konstatojmë në liri të plotë se nuk na plas edhe aq për rreziqet e botës, as për krizën ekonomike as për Obamën, dhe as për kërcënimët kozmike që publikojnë shkencëtarët ë Nasa-s. Ne jemi kaq të imunizuar, sa kemi një liri të kristaltë në vlerësimin shpërfillës të gjërave, ndërsa me veprimet tona, me mënyrën si funksionojmë, ju themi të tjerëve: "Do vijë fundi i gjithckaje, fundi i botës? Për ne Bota e prishur ka qënë në cdo kohë. Tani në u rregulloftë. Por edhe kjo s'ka si të ndodhë!"

Me këto fraza ka gjasa të kemi filozofuar këtë funksionim tonë përgjithësisht!

E thënë ndryshe, e supozuar kundra rrymës, si një mekanizëm vidhëliruar, sjellja jonë qytetare tregon vulgarisht se deri në c'masë janë tjetërsuar e kondesuar nocionet dhe vlerat e ekzistencës. Në jetën e shqiptarëve, (ku si askund tjetër nuk janë të nevojshëm psikologët), terrori shkencor dhe pushteti i planetarizimit të njerëzimit që përmendëm më sipër, këtu prezantohet vec si derivat pa ndikime. Sepse qënia shqiptare është viktimizuar prej vitesh nga një fuqi tjetër shkatëruese.

Kjo është fuqia e zeze, e keqe, tokësore e pushtetit dhe e politikës së tranzicionit të kobshëm.. Terrori shtetëror!! Politika e keqe dhe menaxhimi i keq! Terrori që buron nga përdorimi i keq i pushtetit! Terrori që buron nga mohimi i të drejtave elementare. Terrori që buron nga drejtësia e munguar; nga mungesa e aftësisë civile për të kontrolluar institucionet e ligjësive që rregullojnë jetën në komunitet; nga braktisja e dëshirës kolektive për të shpresuar!

Në Shqipëri ka një përplasje të shpresës me fatalitetin, me humbjen e ardhshme, me humbjen e tmershme të shpresës.

Në jetën e shqiptarëve shtyp e paralizon gjithcka terrori shtetëror që fuqizohet edhe më nga varfëria psikologjike e njerëzve me ndërgjegjie të vrarë..

Në mënyrë vicioze, ky terror rigjenerohet edhe njëherë, edhe më shumë edhe më shpesh nga ambjemtimi i rrezikshëm me të gjitha humbjet me rradhë.

Nën këtë presion fati të zi, më shumë se të zemëruar, si në kampet e përqëndrimit, shqiptarët janë pesimistë. Ata kanë zënë kallo dhe kanë rrënë në rutinë, nga durimi i gjatë dhe nga shtypja e gjatë…. Këtë e vërteton indiferentizmi kombëtar për të gjitha mungesat. E vërteton paqja qytetare me fatalitetin, pajtimi me të, nënshtrimi.. Ata janë njerëz që vidhen përditë, qe shpërdorohen përditë, që janë të papunë, që aksidentohen përditë, që shokohen e poshtërohen për ditë, brenda kufijve dhe jashtë.. aq sa për ata kërcënimet e kërcënimeve janë bërë një gjë e zakonshme..

Njeriut shqiptar i janë shuar instiktet e vetëmbrojtjes ndaj këtij terrori, në këtë përballje të gjatë me babëzinë e pushtettarëve të keq.

Kushedi ç'erë do të fryjë në të ardhmen për ata…..

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar