Skip to content

Shtrati kombëtar që po i mungon shtetit të ri të Kosovës

28. 02. 2009 nga Gjon Keka

Version i përshtatshëm për printim

Pas një lindje të gjatë dhe pas një përpjekje të madhe për liri, barazi, paqe dhe shtet demokratik, tani Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë një strehë e pasigurt politike. Kjo po ndodh si rezultat i mos-rrënjosjes së thellë të institucioneve shtetërore, moskrijimit të sigurt të shoqërisë kosovare, që e ardhmja e tyre është e qartë dhe e palëkundur, mosshtrirja e sovranitetit dhe e ligjit në tërë territorin e Kosovës, zhvillimi ekonomik po shkon në ecjen e breshkës, siguria është bërë për qytetarët çështje kryesore e shumë e shumë probleme të tjera.

Në shikim të parë, pas pavarësisë së Kosovës mund të shkojë mendja se Kosova po mban ende gjurmët e së shkuarës duke u zhytur kështu në një gjendje poshtëruese dhe të pa konceptueshme e të pashpresë fare, duke ditur se të krijosh shtetin nuk do të thotë të mbetesh gjithmonë peng i hipnozave politike apo gjithfarë shpikjeve të dështuara që nuk kanë asgjë të përbashkët me ardhmërinë e demokracisë, të kombeve moderne dhe integrimin e këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu shohim se si shtetit të Kosovës për çdo ditë po i dalin probleme rrugës dhe ai ende po qëndron në pozicionin e heshtur, sepse siç shihet institucionet e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës këto probleme dëshirojnë t’i zgjidhin ngadalë, dhe se ligji apo kushtetutshmëria sipas kësaj gjendje, nuk do mund të shtrihej në tërë territorin e Kosovës edhe për disa vite ndoshta edhe shekuj, por kjo më shumë i ngjanë një humori tragjik dhe një joseriozitet të institucioneve të Kosovës që nuk po e shohin se Kosova është bërë një vend ku më shumë pjellë probleme se sa stabilitet dhe paqe të dukshme.

Pastaj shohim probleme tjera të institucioneve të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës ku ende nuk iu ka hequr lakmia e parasë apo më mirë korrupsioni si një damkë e zezë dhe e tmerrshme e ardhmërisë së demokracisë dhe shtetit ligjor - por ato kanë mbetur pjesë e jetës së institucioneve dhe pushtetarëve të saj. Por, duke ditur se shteti i mbikëqyrur i Kosovës ende nuk ka taban kombëtar, aty mund të ndodhin edhe këto gjëra sepse edhe në xhungël ndodhin këso grabitjesh këso zhurmash të mëdha aq sa e bëjnë që dekor i saj t’i bie kur të shihet se parimet janë fëlliqur dhe janë bërë natyrë e shëmtuar e institucioneve të Kosovës.

Institucionet e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës janë zhytur në një utopi të thellë, në një robëri të qejfeve dhe të vullneteve individuale duke politizuar gjithçka dhe duke bërë kështu braktisjen e parimeve të shëndosha të demokracisë, lirisë e barazisë dhe shtetit të së drejtës. Këto institucione me dekorin e tyre të jashtëm po fshehin në brendësi një pamje të keqe të partisë politike dhe kështu, duke bërë që Kosova të jetë një shtet jo i të gjithëve por shtet i partisë e cila e merr pushtetin, apo më mirë të thuhet shteti është populli i Kosovës apo shteti është partia politike që ka institucionet në dorë…?!.

Të gjithë duhet ditur se sovran është secili prej nesh dhe duke ditur se askush prej nesh nuk është i padrejtë ndaj vetes së tij, dhe se vullneti i këtij sovrani të quajtur popull duhet të jetë gjithmonë në shërbim të së mirës, mirëpo ai tani nuk po arrin ta shoh këtë të mirë sepse gjykimi udhëheqës e i verbër i institucioneve të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës është i gabuar dhe i pandriçuar për një të ardhme të sigurt brenda vendit të tyre.

Po shohim se si institucionet parazitare dhe të hutuara të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës po pështjellin si një rrjetë në trupin partiak qytetarët e saj dhe po i bëjnë me pallto të reja duke i veshur këmishën e një partie politike, kjo në fund të fundit do të thotë mbyllje e të gjitha poreve të ardhmërisë së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës dhe proceseve të plotësimit të standardeve demokratike dhe rrugëtimit të saj në familjen evropiane.

Ndërkaq sot në shtetin e Kosovës më shumë mund të shohësh se si institucionet e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës bëjnë pushtetarët të pasur dhe varfërojnë qytetarët sesa që mund të shohësh ndonjë lëvizje të proceseve demokratike dhe zhvillimeve pozitive ekonomike në shërbim të qytetarëve të saj. Thjeshtë në Kosovë pushtetarët më shumë i ngjajnë një financieri apo biznesmeni se sa një udhëheqës i dinjitetshëm i moralshëm dhe sfidues i problemeve apo edhe ofrues i një pike lumturie sociale e ekonomike të qytetarëve të cilët vuajnë nga gjendja e mjegullt dhe nga pasiguria e procesit të Kosovës në vijim.

Bota politike në Kosovë më shumë po i ngjan një bote që merret me yçkla, me shitje favoresh, me blerje postesh, me ndihma të rastësishme përmes marifetesh të shumta, spekulime të papara me masën, me fletushka partiake etj, etj. Prandaj një moral politik, dhe një qeverisje e ndërgjegjshme, nuk krijohet apo nuk menaxhohet duke bërë predikime të dhembshura, as duke manipuluar masën, as me gjeste të bukura e të rrejshme, as me fletushka partiake, as me harbutllëk, as me padije, as me hedhje shumash në treg që nuk realizohen, por që mund të zhduken shumë shpejt sikur avulli.

Gabimi më i madh që mund t’i ndodhë një shteti është nëse ai e personalizon institucionin dhe e vë atë në shërbim të ideologjisë partiake dhe formave tjera të saj. Gjithashtu është një gjë e çuditshme se kur një parti është në institucione udhëheqëse shtetërore ajo fiton automatikisht të drejtën për gjithçka dhe vepron sipas formave të saj dhe gjykimit të saj, por kjo është një gabim trashanik sepse liria dhe vullneti i përgjithshëm e humbë karakterin e tij veprues dhe kështu shteti shndërrohet në mungesë të gjithçkaje dhe në humbje të rrënjëve të dyfishta të demokracisë dhe progresit shtetëror.

Prandaj, nuk duhet që institucionet udhëheqëse të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës ta konsiderojnë shtetin e tyre si një kartë të bardhë mbi të cilën ata mund të zhgarravisin si t’i dojë qejfi. Kjo ndoshta është pak tërbuese për aktualitetin politik kosovar dhe se pushtetarët ndoshta mund të kërcejnë nga tërbimi, por duke shikuar dhe analizuar brendësinë dhe anomalit e procesit, të jozhvillimit dhe jondërtimit të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, do të mund të pranojnë arsyeshëm se qasja e tanishme duhet të shndërrohet në mënyrë rrënjësore dhe se institucionet e Kosovës duhet të mësojnë mirë demokracinë, shtetndërtimin dhe të fillojnë një orientim të ri të menaxhimit me fatin e saj.

Kohëve të fundit po shohim se si institucionet e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës lirinë politike, e qytetare, pastaj sovranitetin e popullit dhe ligjin e Kushtetutën janë duke i konsideruar vetëm si ballina e jo si një proces jetik të brendshëm të ecjes dhe mbajtjes në vij të shtetit juridik dhe të proceseve tjera demokratike e integruese.

Mund të shohim gjithashtu se si gjatë krizave të ndryshme brenda Kosovës institucionet e Kosovës duke mos gjetur asnjë rrugë tjetër apo më mirë duke i ikur zbatimit të ligjit dhe rendit si dhe kushtetutshmërisë ato përdorin llaçe ku më shumë shkaktojnë ngecje se sa forcojnë vullnetin e brendshëm politik për të vepruar ndaj krizave të llojllojshme që e cenojnë atë dhe e ndalojnë në rrugëtimin e saj drejtë zhvillimeve pozitive.

Dhe krejt në fund, institucionet e Kosovës duhet së pari të mësojnë ndërtimin e shtetit të tyre, t’i rrënjosin thellë rrënjët e demokracisë, të shtetit juridik, t’i hapin mundësit e zhvillimit ekonomik ashtu që qytetarët të jenë më të lumtur, t’i heqin pengesat e brendshme, t’ia kthejnë dinjitetin vendit dhe qytetarit, pushtetarët t’i braktisin njëherë e përgjithmonë rrugët e pasurisë së xhepave të vetë, t’i thonë lamtumirë pasigurisë, të fillojnë të zbatojnë Kushtetutën. Dhe më pas të fillojnë të ndërtojnë urën e integrimeve në familjen evropiane, por jo duke jetuar me dy faqe në fjalë, herë nga lindja e herë nga perëndimi, sepse atëherë kjo rrugë e nisur do dilte e pacimentuar mirë dhe me plotë rreziqe e dyshime për të ardhmen e Kosovës.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar