Skip to content

Lamtumirë BE - Alo Putin, Erdogan, Ajatollah, Xi Jinping?????

21. 03. 2015 nga Frank Shkreli

Version i përshtatshëm për printim
frank_shkrel.jpg

(Në vigjilje të takimit të radhës BE-Shqipëri të martën në Tiranë)
Në portalin e Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Shqipërisë lexova fjalën e mbajtur javën e kaluar nga Ministri i Punëve të Jashtëme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati në Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asociimit, BE-Shqipëri.

Ky takim është një platformë komunikimi midis Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë me objektivin për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.  Ministri Bushati falënderoi Parlamentin Europian për mbështetjen që i ka dhënë deri tani vendeve ballkanike, duke theksuar se  "Falë kësaj mbështetjeje", nënvijoi Ministri shqiptar, "Ballkani Perëndimor ka njohur zhvillime të rëndësishme dhe pozitive", por paralajmëroi se megjithëkëtë, "siguria e qëndrueshme dhe stabiliteti demokratik në rajon nuk duhet të merren për të mirëqena”.

Ai shtoi se, “rajoni ynë mbetet ende hapësira brenda Evropës ku ka mosmarrëveshje dhe procese demokratike të ngrira, për sa kohë çështjet dypalëshe të pazgjidhura dhe deficitet e shtet-ndërtimit demokratik kanë potencialin të rrezikojnë të ardhmen e qytetarëve tanë." Ministri Bushati bëri thirrje për një riangazhim strategjik të BE-së, duke paralajmëruar parlamentarët europianë se në të kundërtën, sipas kryediplomatit shqiptar, "mund të krijohet një boshllëk që mund të kërkohet të mbushet nga aktorë të tretë, të cilët me incentiva politike apo ekonomike, mund të zbehin interesin dhe vendosmërinë e vendeve të rajonit për projektin Europian".
Kjo deklaratë e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë u interpretua nga disa analistë si një kërcënim që i bëhet Europës, se në mungesë të një procesi të hapjes së shpejt të negociatave BE-Shqipëri, Tirana mund të shikojë gjetiu për aleatë.  Në të vërtetë ky kërcnim nga Ministri i Jashtëm i Shqipërisë javën e kaluar, ishte bërë më parë edhe nga “bosi” i tij, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama fund vitin që kaloi, kur media raportoi në atë kohë se udhëheqsi shqiptar ashpërsoi gjuhën e tij ndaj BE-së duke kërcënuar se Ballkani s'ka më durim të presë BE-në.  Kryeministri Rama në të vërtetë pohoi në mënyrë të prerë gjatë një vizite në Prishtinë dhjetorin që kaloi, se durimi i vendeve të Ballkanit duke pritur për zgjërimin e BE-së ka mbaruar. 
Analistët thonë se kërcënimi publik i Ministrit të jashtëm shqiptar mund të jetë i pari i këtij lloji gjatë një takimi zyrtar me përfaqsues të Parlamentit Europian, duke lënë të nënkuptohet se Shqipëria mund të shikojë për mundësi të reja bashkpunimi jashtë zonës së BE-së. 
Po ku do të shikojë Shqipëria për aleatë? Sipas Agjencisë së lajmeve noa, "Disa analistë dhe ndjekës të çështjeve europiane kohët e fundit kanë përmendur gjërësisht idenë që Shqipëria të këthejë sytë nga të tjera mundësi jashtë BE-së."  Noa thotë, në një raport të para disa ditëve se, "Ata kanë përmendur mundësinë e (Shqipërisë) për bashkpunim me Rusinë -- një rivale e qartë e BE-së dhe SHBA-ave, ose me Kinën, apo Konferencën Islamike." Kjo ide sipas agjencisë shqiptare të lajmeve, nuk është e re dhe e veçantë e qeverisë së tanishme shqiptare, sepse sipas saj, "Një tentativë të tillë kishte bërë edhe kryeministri i mëparshëm, Sali Berisha, por me nota më të buta", raporton agjencia noa.
Kushtet e BE-së për hapjen e negociatave BE-Shqipëri kanë qenë të qarta ç’prej fillimit dhe nuk janë ndryshe nga ç'kanë qenë dhe ç'janë për secilin vend që është antarësuar si dhe për çdo vend tjetër që ende aspiron të bëhet anëtare e BE-së, pra nuk janë diskriminuese ndaj Tiranës.  Kushtet që i mbeten Shqipërisë për tu plotësuar për hapjen e negociatave Shqipëri-BE, janë pesë dhe janë të njohura për lexuesit:
1. Zbatimi i reformave në administratën publike
2. Pavarësia e sistemit të drejtësisë
3. Lufta kundër korrupsionit
4. Lufta kundër krimit të organizuar
5. Mbrojtja e të drejtave të njeriut 
Ministrja e Shqipërisë që merret me Integrimin europian të vendit, Klajda Gjosha në një takim të premten me Komisionerin e BE-së për zgjërimin, Johannes Hahn deklaroi se vendi i saj është i vetdijshëm se procesi i integrimit do të vlerësohet bazuar në bazë të meritës dhe në plotësimin e pesë kushteve të përmendura më lartë. Ndërsa Komisoneri Hahn tha, me fjalë të tjera, se e gjithë varet nga Shqipëria, sa më shpejtë që të plotësohen këto 5 prioritete, aq më i shpejtë do të jetë procesi i integrimit në BE.
Secili që e do Shqipërinë dhe shqiptarët në Europë dhe të integruar në organizmat euroatlantike e ndjenë vetën të mërzitur, plot frustrime e zhgënjime, 25 vjetë pas shëmbjes së komunizmit, por BE-ja e ka bërë të qartë se ajo nuk do të ulë standardet dhe kushtet për integrimin e shqiptarëve.  Disa kritika ndaj BE-së mund të jenë edhe me vend, por nuk është se Europa nuk ka njohur përparimet e bëra nga Shqipëria gjatë viteve, në rrugën e saj drejtë integrimit europian.  Kjo vihet re në deklaratën që lëshoi për media, Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, pas takimit që zhvilloi muajin e kaluar me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Z. Tusk pohoi se Shqipëria ka bërë mjaftë përparime, përfshirë luftën kundër krimeve që kanë të bëjnë me drogat, por shtoi ai, gjëja që është e nevojshme është që të shënohet sukses në të gjitha fushat.  Presidenti i Këshillit të Europës lavdëroi Shqipërinë për rolin e pozitiv që ajo luan në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimin e Tiranës për të mos pasur asnjë problem me vendet fqinje. Udhëheqsi i Këshillit të Europës lavdëroi gjithashtu përputhshëmërinë, 100% siç tha ai, të politikës së jashtëme shqiptare me atë të politikës së jashtëme të BE-së. Kjo sipas tij, ka një rëndësi të madhe në procesin e integrimit, sidomos kur të merret parasyshë gjëndja në Ukrainë dhe sfidat e të tjera të përbashkëta. 
Por Presidenti i Këshillit të Europës, ia bëri të qartë Kryeminstrit shqiptar se megjithë përparimet e shënuara, mbetet ende shumë për tu bërë. Ai theksoi sidomos, “Nevojën për një dialog politik më të madh dhe më të mirë” midis palëve, duke shtuar se “politika konfrontuese, bojkotet dhe qëndrimi se ‘fituesi duhet t’i marrë të gjitha’, nuk do të ndihmojë qytetarët shqiptarë.” Për tu bërë një shtet i mirëfilltë modern europian, Shqipëria -- theksoi ai pas takimit me Kryeminstrin Edi Rama në muajin shkurt -- duhet të krijojë një atmosferë për një kulturë kompromisi, bazuar në dialogun politik”. Shqipëria, tha Donald Tusk, “duhet të jetë aq konstruktive dhe e arsyeshme në politikën e saj të mbrendshme, ashtu siç është në politikën rajonale.”
Ndërkaq, gjëndja në rajonin e Ballkanit duket se po tërheq vëmendjen dhe shqetësimin e Shteteve të Bashkuara. Zëri i Amerikës, në një analizë të gazetares Keida Kostreci bazuar në intervista me dy ekspertë amerikanë, raportoi të premtën nga Washingtoni se Shtëpia e Bardhë konsideron se Ballkani gjëndet sot nën trysninë e dy forcave -- si një pikë takimi e rreziku të ndikimit rus dhe radikalizmit islamik. Dy ekspertët, Frank Wisner, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara dhe ish-i dërguar i posaçëm për bisedimet e statusit mes Kosovës dhe Serbisë dhe ish-zëvendës ndihmës Sekretari i Mbrojtjes Ian Brzezinski, që tani është studiues në Këshillin e Atlantikut, i thanë Zërit të Amerikës se përveç rrezikut që këto ndikime përbëjnë për të ardhmen e këtij rajoni, përballja me këto dy sfida -- d.m.th. me rrezikun që pararqet rritja e ndikimit rus në rritje e sipër dhe të ndikimit të radikalizmit islamik në Ballkanin Perëndimor – është një përparsi edhe e interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara në atë rajon.
Po Shqipëria dhe shqiptarët a e shikojnë agresionin rus dhe shtimin e ndikimit të Moskës si dhe ekstremizmin e dhunshëm në rajon si sfida ndaj interesave të veta kombëtare, a por udhëheqsve të saj u ka mbaruar durimi, janë lodhur nga procesi i gjatë i integrimit në BE dhe si rrjedhim po u hapin dyertë “aktorëve të tretë” siç janë Rusia, Kina, Turqia ose Konferenca Islamike? A është ky vizioni që udhëheqsit shqiptarë kanë për të ardhmen e kombit të vet, 25-vjetë pas shëmbjes së komunizmit?
Zëri i Amerikës transmetoi se si ish-ambasadori Wisner, ashtu dhe ish-zyrtari i lartë i Pentagonit, Brzezinski bien dakord se integrimi është një rrugë me dy drejtime dhe se procesin do të duhet ta udhëheqin vetë vendet e interesuara, si Shqipëria, përmes reformave agresive dhe arritjes së standardeve të nevojshme për anëtarësim të plotë në komunitetin Euro-Atlantik.
Gjëndja e tanishme ndërkombëtare në Europë dhe në botë kërkon që -- nëqoftse Shqipëria është me të vërtetë e përkushtuar seriozisht ndaj procesit të integrimit në Europë – takimi i radhës i nivelit të lartë midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë që do të mbahet në Tiranë të martën më 24 mars, të jetë me të vërtetë fillimi i një angazhimi urgjent dhe serioz nga ana e të gjitha niveleve qeveritare, shtetërore dhe parlamentare të Shqipërisë me qëllim të përshpjetimit të procesit të integrimit të vendit në BE me qëllim që t’u mbyllen dyerët “aktorëve të tretë”, të cilët nuk ia duan të mirën afatgjatë kombit shqiptar.
Deklaratat kërcnuese të kohëve të fundit nga përfaqsuesit më të lartë të Tiranës zyrtare në mbështetje të idesë se Shqipëria mund të këthejë sytë nga të tjera mundësi aleancash jashtë BE-së, janë të pa përgjegjshme dhe të dëmshme për procesin e integrimit. Për më tepër, deklarata të tilla, janë kundër interesit afatgjatë të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar dhe njëkohsisht prononcime të tilla dëmtojnë, jo vetëm atmosferën e bisedimeve me përfaqsues të BE-së, por dashtë e pa dashtë, mund të influencojnë negativisht edhe marrëdhënjet e kombit shqiptar me aleatët historikë të tij, siç janë Shtetet e Bashkuara, dhe dëmtojnë interesat e tyre në atë pjesë të Europës. Një përfundim i tillë nuk është i dobishëm për askënd! Shqipëria nuk do të futet në Europë me kërcënime por me një punë maksimale dhe të vendosur për përmbushjen e pesë prioriteteve -- në një atmosferë dhe kulturë kompromisi, bazuar në dialogun politik midis palëve të ndryshme, sidomos midis pozitës dhe opozitës.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar