Skip to content

Rusia dhe gjenocidi serb në Srebrenicë

09. 07. 2015 nga Frank Shkreli

Version i përshtatshëm për printim
frank_shkrel.jpg

Me rastin e 20-vjetorit të masakrës serbe mbi popullatën civile boshnjake në Srebrenicë të Bosjnjës, Britania e Madhe kishte paraqitur një projekt-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të cilësuar masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë, me emërin që i takon dhe që meriton, dmth., një krim gjenocidi kundër njerëzimit.  Ky përvjetor shënon pra vrasjen e nja 8-mijë burrave dhe djemëve boshnjakë civilë të paarmatosur nga forcat kriminale serbe. 

Rusia e tregoi edhe njëherë veten se sa do të neveritshme  të kenë qenë krimet serbe ndaj popujve të ish-Jugosllavisë gjatë luftërave të 1990-ave në Ballkan, aq më tepër Moska i jep mbështjetjen e saj Serbisë, madje edhe në nivelet më të larta ndërkombëtare siç është OKB-eja.  Projekt-rezolutës së sponsorizuar nga Londra i vuri veton përfaqsuesi rus në OKB, Vitaly Churkin, duke e quajtur atë si, "ballafaquese" dhe si të "motivuar politikisht".  Ambasadori rus ka arsyetuar përdorimin e vetos ruse kundër kësaj rezolute duke thënë se miratimi i saj nuk do të ndihmonte paqën në Ballkan, por do të "zhytëte rajonin në tensione të përhershme".  Por, sponsorizuesi i kësaj rezolute, ambasadori britanik Peter Wilson me të drejtë akuzoi Rusinë se po mohon faktet historike të luftës në Bosnje, fakte të cilat janë provuar tashmë nga një Gjykatë e posaçme ndërkombëtare.  Diplomati britanik citohet të ketë thënë të mërkurën se, "Është përgnjeshtrimi  i këtyre fakteve të provuara dhe të dokumentuara -- dhe jo projekt-rezoluta, ajo që do të shkaktojë ndasi dhe përçarje.  Gjenocidi ka ndodhë në Srebrenicë”, pohoi ai.  “Ky është një fakt ligjor dhe jo një vlerësim politik. Në lidhje me këtë nuk ka kompromis", ka theksuar ambasadori i Londrës pranë OKB-ës.  Përfaqsuesi britanik në New York, citohet të ketë thënë se, mohimi i krimeve dhe i gjenocidit përbën fyerjen përfundimtare ndaj vikitmave të pafajshme.

Ndërkaq, Kryediplomatja amerikane pranë Kombeve të Bashkuara, Samantha Powers, e ka cilësuar veton ruse si "Një veto kundër fakteve të provuara dhe të dokumentuara mirë", dhe shtoi se projekt-rezoluta pot ë miratohej nga Këshilli I Sigurimit, do të kishte dënuar rëndë gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë, 20-vjetë më parë. Ajo shtoi edhe se vetoja e Rusisë ndaj projekt-rezolutës, jo vetëm se ishte pikëlluese për familjet e viktimave, por si e tillë përbën edhe një pikë të zezë në punën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, theksoi ambasadorja e Shteteve të Bshkuara pranë OKB-ës.
 
Masakra e Srebrenicës, e cila është cilësuar si një krim gjenocidi jo vetëm nga Gjyktata e Posaçme mbi krimet në ish-Jugosllavi, por edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, konsiderohet si një dështim moral dhe politik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara si edhe i disa shteteve perëndimore të cilat nuk parandaluan gjenocidin e burrave dhe djemëve boshnjakë, pikërisht në Srebrenicë që ishte caktuar nga vet OKB-ja si një oazë strehimi i civilëve nga lufta.  Masakra në Srebrenicë të Bosnjës konsiderohet si më e tmershme e këtij lloji ç'prej Luftës së Dytë Botërore dhe sot gazeta New York Times e cilësoi përdorimin e vetos nga Rusia në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si një masë që, "Shënon një pikë të re poshtëruese në marrëdhënjet midis fuqive botërore."
 
Nuk është për tu habitur as nga reagimi i Serbisë ndaj përdorimit të vetos ruse kundër projekt-rezolutës britanike që do të kishte përcaktuar masakrën e Srebrenicës si një krim gjenocidi.  Reagimi nga Beogradi ishte i shpejtë dhe i pa pikë turpi nga Presidenti i Serbisë, Nikoliq -- i cili e cilësoi ditën që Rusia përdori veton në OKB kundër rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, si "Një ditë e madhe për Serbinë".  Ndërsa agjencia e lajmeve franceze raporton reagimin e organizatës së Nënave të Srebrenicës, e cila akuzon Moskën duke u shprehur se nuk habiten nga vetoja ruse në OKB, pasi Rusia në të vërtetë "Po mbështet kriminelët, ata të cilët vranë fëmijtë tanë",  dhe citon kryetaren e Nënave të Srebrenicës, Munira Subasic, e cila ka paralajmëruar se vetoja ruse në OKB sipas saj "ka lënë derën hapur për një luftë të re."

Ndërkaq në Washington, vetëm disa orë pasi Rusia përdori veton ndaj rezolutës së Kombeve të Bashkuara në New York për të dënuar masakrën në Srebrenicë 20-vjetë më parë nga forcat serbe kundër rreth 8-mijë burrave dhe djemëve boshnjakë, Dhoma e Përfaqsuesve e Kongresit Amerikan miratoi unanimisht legjislacionin e paraqitur nga kongresmeni Chris Smith që e cilëson masakrën e Srebrenicës si një “Krim Gjenocidi”. Rezoluta e Kongresit përcakton se agresioni dhe spastrimi etnik i kryer nga forcat serbe në Bosnje, përbën gjenocid dhe njëkohësisht masa e Kongresit dënon deklaratat që mohojnë se masakra e Srebrenicës nuk përbënte gjenocid. Në një deklaratë për media, sponsoizuesi i rezolutës së Kongresit, Kongresmeni Smith ka theksuar se, “Komuniteti Ndërkombëtar duhet të ri-angazhohet për të sjellur para drejtësisë njëherë e mirë, të gjithë ata që kanë kryer këto krime të shëmtuara”, duke shtuar se, “Këto vrasje brutale nuk janë kryer në fushë të betejës”, dhe thekson se, “ato ishin vrasje kundër njerëzve të pa armatosur dhe të pa ndihmë, ndërkohë që ata ishin siguruar nga forcat paqësore holandeze se nuk do tu ndodhte gjë e keqe nëqoftse do të dorëzoheshin” forcave serbe të kriminelit Mladiq. Kongresmeni amerikan shtoi se, “Rezoluta ime rithekson edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj faktit se masakra në Srebrenicë ishte në fakt gjenocid – dhe u përcjellë njëkohësisht ngushëllimet më të thella familjes, dhe miqëve të viktimave.” Legjislacioni amerikan i miratuar nga Kongresi të mërkurën i bën gjithashtu thirrje Shteteve të Bashkuara që të vazhdojnë të mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin territorial të Bosnje-Hercegovinës, si dhe paqën dhe stabilitetin në Europën Jug-lindore, në përgjithësi.

20-vjetori i gjenocidit ndaj 8-mijë boshnjakëve në Srebrenicë shënon ngjarjen e tmershme të vrasjeve më të shëmtuara gjatë konfliktit në Bosnje nga Prilli 1992 e deri në Nëntor 1995 – gjatë së cilës periudhë u çvendosën nga shtpëpitë e tyre më shumë se 2-milion veta ndërkohë që u vranë më shumë se 100-mijë të tjerë, ndërsa u përdhunuan, u torturuan dhe për ndryshe u abuzuan dhjetëra mijëra të tjerë.
Ky përvjetor u shënua dje edhe nga Zëri i Amerikës në Washington me një simpozium titulluar: “Bosna: 20-vjetë pas Srebrenicës”, ku ishin të ftuar për të diskutuar ekspertë të çështjeve të Ballkanit, gazetarë dhe diplomatë të huaj përfshirë Ambasadoren e Shqipërisë në Washington Floreta Faber, ndërsa Republika e Kosovës u përfaqësua nga Këshilltari i Ambasadës së Kosovës në Washington, Sami Kastrati. Simpoziumi vlerësoi ngjarjet në Bosnje në kushtet historike dhe në kontekstin zhvillimeve drejtë pajtimit, zhvillimit ekonomik dhe demokratik të vendit. Njëri prej pjesëmarrësve në simpoziumin e VOA-s dhe njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit, Profesori Daniel Serwer theksoi nevojën e angazhimit të vazhdueshëm perëndimor në Bosnje, ndërkohë që shtoi ai, “Vemë re se disa qarqe po përpiqen të shlyejnë fjalën gjenocid nga historia, unë shoh vazhdimin e përpjekjeve të kohës së luftës në atë vend.”

Gjenocidi serb në Srebrenicë është cilësuar si barbarizma më e tmershme në Europë ç’prej hollokaustit gjatë Luftës së Dytë Botërore kur janë masakruar 6-milion hebrejë. Është një përvjetor që thërret për drejtësi, për llogaridhënje dhe për dënimin e të gjithë atyre që kryenë këtë gjenocid dhe të tjera maskara si kjo, përfshirë gjenocidin e forcave ushtarake dhe policore serbe kundër shqiptarëve në Kosovë. Në këtë mënyrë do të nderohen viktimat dhe mundësisht do të parandalohet përsëritja e barbarizmave të tjera si këto në të ardhmen. Por venja e vetos dje nga ana e Rusisë ndaj rezolutës së OKB-ës që do ta cilësonte gjenocidin serb në Srebrenicë me emërin që meriton, dhe shpallja e kësaj “fitorje” nga presidenti i Serbisë si një “Ditë e madhe për Serbinë”, tregon fatkeqsisht se bota nuk ka mësuar asgjë nga historia fatkeqe e 20-viteve më parë dhe si e tillë nuk përjashtohet mundësia se ajo histori – sado e tmershme të duket në këtë 20-vjetor -- mund të përsëritet në rajonin e Ballkanit. Pa një pranim të së vërtetës dhe pa përballim nga ana e Serbisë me atë histori të përgjakshme dhe pa marrë përgjegjësi morale, dhe ndërkohë që Beogradi dhe populli serb nuk kërkon falje sinqerisht dhe botërisht për barbarizmat e kryera në emër të tij ndaj popujve tjerë të atij rajoni – është vështirë se Ballkani nuk mund t’i këthehet normalitetit.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar