Skip to content

Këtë 28 Nëntor Kosova më mirë se Shqipëria

27. 11. 2015 nga Vëzhguesi

Version i përshtatshëm për printim
Pavaresi

Në fakt Kosova e meriton të jetë më mirë, sepse më 28 Nëntor 1912 vetëm në Kosovë kishte kryengritje të armatosur kundër Turqisë. Kjo datë ndoshta i përket asaj më shumë se të tjerëve, pavarësisht se u viktimizua në prag të saj nga intriga e terrori sllav. Gjithsesi, në këto pak vite liri, Kosova ka arritur me sukses të krijoj mirëqenien më të lartë dhe profilin me perëndimor në hapësirën shqiptare.

Nje gjë të bën përshtypje në historinë e pavarësisë sonë. Përse Ismail Qemali nuk shkoi në Kosovë të ngrinte flamurin, ku kishte atmosferë kryengritje, por vajti (bie fjala) në Durrës ku s'kishte një të tillë? Është fakt historik që në atë periudhë, por edhe më parë, që në kohën e Lidhjes së Prizrenit, kosovarët kishin bërë disa kryengritje radhazi kundër Perandorisë Turke, ndërkohë që pjesa e ulët perëndimore e Shqipërisë (ku shkoi I. Qemali) vazhdonte gjumin letargjik 500 vjeçar.

Gjithashtu në kohën e ngritjes së flamurit në Vlorë, kosovarët ishin përsëri në kryengritje të armatosur kundër Turqisë e Serbisë, kryengritje që përbënte shans për kauzën tonë për pavarësi, sespe pikërisht zhurma e një kryengritje, atmosfera e luftës dhe e gjakut të derdhur, janë ato rrethana që shtrëngojnë botën të njohë pavarësitë e popujve.
Edhe Abdyl Frasheri, gjatë kohës së Lidhjes së Prizrenit, atë linjë politike ndoqi, shkoi në Kosovë.

Shpallja e pavarësisë në Kosovë, në qendër të kryengritjes shqiptare të asaj kohe, do kishte ndezur motorët e nacionalizmit tonë, dhe shqiptarë patriotë nga çdo anë e vendit do i ishin bashkuar kryengritjes kosovare, gjë që do sillte unifikimin e kombit. Insistimi për të shpallur pavarësinë në pjesën e ulët perëndimore të Shqipërisë, ka qenë ndoshta gabim strategjik, sepse perveç të tjerave, në Shqipërinë e Mesme nuk kishte asnjë lloj atmosfere kryengritje, përkundrazi, egzistonte një atmosferë armiqësore në këtë aspekt. Ismail Qemali shkoi si "cjapi tek kasapi", ndërkohë që duhej të shkonte tek luftëtarët e lirisë.

Nëse do ishte shpallur pavarësia në Kosovë, mbase gjërat nuk do të kishin rrjedhur aq ters për kombin tonë, siç rrodhën në fakt. Flamuri duhej ngritur atje ku ai po lahej me gjak, sepse pikërisht ky është qëllimi i një flamuri, të udhëheqë njerëzit që luftojnë në beteja, të valvitet i lirë në duar luftëtarësh patriotë që japin jetën për të, dhe jo të bredhë fshehurazi, siç brodhi atëherë nëpër kënetat e Shqipërisë së Mesme.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar