Skip to content

Të drejtat e njeriut si standard ndërkombëtar

11. 12. 2015 nga Frank Shkreli

Version i përshtatshëm për printim
frank_shkrel.jpg

Dita e të Drejtave të Njeriut shënohet nga komuniteti ndërkombëtar çdo vit me 10-dhjetor, date kjo që përkujton ditën kur në vitin 1948, Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut. Dy vjetë më vonë, Asamableja e Përgjithshme miratoi një rezolutë me të cilën u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare dhe organizatave të interesuara për të mbrojtur të drejtat e njeriut anë e mbanë botës, duke u kërkuar atyre që të shënojnë çdo vit, 10-dhjetorin si Ditën e të Drejtave të Njeriut. 
 
Edhe sivjet, me këtë rast, nuk munguan festimet dhe deklaratat e shumë udhëheqsve botërorë dhe organizatave të të drejtave të njeriut në mbështetje të  këtyre të drejtave. Konventat e Kombeve të Bashkuara (OKB)mbi të drejtat e njeriut përcaktojnë se të drejtat civile, politike, kulturore, ekonomike dhe shoqërore janë të drejta për të gjithë njerëzit pa dallim ç'prej lindjes.  Tema e aktiviteteve të  këtij viti e caktuar nga Kombet e Bashkuara është: "Të Drejtat tona. Liritë tona. Gjithmonë", fushatë kjo që ka për qëllim, që gjatë vitit, të nxisë dhe të promovojë interesimin ndaj Konventave Ndërkombëtare mbi liritë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës, me rastin e 50-vjetorit  të miratimit të tyre.

Dy konventat ndërkombëtare, njëra për të Drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore dhe tjetra për të Drejtat civile dhe politike, së bashku me Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut, kanë shërbyer si mjete të pa-zëvendësueshme në mbështetje të drejtave të njeriut, sidomos gjatë periudhës komuniste në Europë dhe të cilat mbeten edhe sot të tilla. Megjithse gjatë 50-viteve të kaluara, kanë ndodhur një mori ndryshimesh themelore pozitive në mbarë botën përsa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut, sipas Kombeve të Bashkuara, mbeten ende sfida të mëdha në këtë fushë, në shumë vende të botës.   Sipas OKB-ës,   edhe 50-vjetë pas ratifikimit, shumë njerëz anë e mbanë botës, madje as nuk dinë se ekziston një dokument i tillë ndërkombëtar mbi të drejtat e njeriut dhe se shumë vende në të gjitha kontinentet kanë ende shumë për të bërë për të krijuar institucione politike dhe juridike, por edhe mundësi ekonomike, që do të mundësonin që njerëzit e thjeshtë kudo të jetonin me dinjitet. Një sfidë tjetër, sipas OKB-ës është edhe urrjetja në rritje e sipër kundër pakicave fetare dhe raciale, në emër të luftës kundër terrorizmit si dhe kufizimi i të drejtave ekonomike dhe shoqërore në emër të krizës ekonomike dhe sigurisë.  Megjithëse sfidat e mëdha me të cilat përballet bota në fushën e mos-zbatimit të të drejtave të njeriut, Komisioneri i Lartë OKB-ës për Drejtat e Njeriut, Zeid Ra'ad Al Hussein tha me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut, se megjithë problemet, "Respekti për lirinëvauzhdon të jetë baza e paqës, sigurisë dhe zhvillimit për të gjithë.
 
Ndërsa në mesazhin e tij me rastin e Ditës së Të Drejtave të Njeriut, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon foli mbi fatin e miliona refugjatëve të ç'vendosur nga shtëpitë e tyre nga lufta, dhuna dhe nga padrejtësitë. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos mbylli dyertë por t'i hapi ato për azilkërkuesit, duke siguruar të drejtën e të gjithëve, pa dallim, për të kërkuar strehim. Udhëhqesi i OKB-së bëri gjthashtu thirrje që në Ditën e të Drejtave të Njeriut, "Le të angazhohemi përsëri për të garantuar liritë themelore dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut për të gjithë."
 

 
Eleanor Roosevelt, bashkshortja e Presidentit amerikan Franklin Roosvelt, aktiviste, diplomate dhe mbështetse e të drejtave të njeriut, -- frymëzoi dhe përpiloi projekt dokumentin që më vonë u quajt Deklarata Universale e të Drejtave Njeriut, document historic ky të cilit ajo i është referuar edhe si “Magna Carta ndërkombëtare për mbarë njerëzimin” -- duke mbajtur një kopje të kësaj deklarate.

Ndërkohë në Washington, Kryetari i Komisionit të Kongresit amerikan për Siguri dhe Bashkpunim në Europë, Kongresmeni Chris Smith, Ditën e të Drejtave të Njeriut e shënoi me një deklaratë në të cilën shprehu shqetësimin e tij mbi fatin e atyre që ai cilësoi si të "burgosur politikë" në vendet anëtare të OSBE-ës. Kongresmeni Smith i cili është i njohur si mbështetës i të drejtave të njeriut kudo në botë, tha se, "në disa vende të OSBE-ës, po shtohet numri i i të burgosurve politikë. " Si shembull ai citoi organizatën ruse "Memorial" të të drejtave të njeriut, e cila, sipas tij, llogaritë se "Në Rusi sot ka 50 të burgosur politikë".  Kongresmeni Smith shtoi gjithashtu se situata nuk është aspak e mire as në vendet e Azisë Qëndrore, "ku numri i të burgosurve politikë ka vazhduar të jetë i lartë për një kohë të gjatë, tani." Ditën e të Drejtave të Njeriut,  Kryetari i Komisionit të Kongresit Amerikan për Siguri dhe Bashkpunim në Europë bëri gjtihashtu një deklaratë me të cilën i bëri thirrje administrates së Presdientit Obama që të , "sanksionojë qeverinë e Kinës për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut."
Ndërsa, duke folur në emër të Administrates së presidentit Obama, Sekretari Amrikan i Shtetit, John Kerry, në deklaratën e tij me rastin e 10- dhjetorit, Ditës së të Drejtave të Njeriut, theksoi se, "Sot ne riangazhohemi  në mbrojtje ndaj së vërtetës se të gjithë njerëzit e çdo feje, përkatësie etnike, orientiemi seksual ose prejardhjeje janë të paisur dhe gëzojnë, "të drejtat e barabarta dhetë patjetërsueshme."   Kryediplomati amerikan e përmbylli deklaratën e tij duke theksuar se, "Avancimi vigjilent dhe mbështetja e vendosur e këtyre të drejtave do ta bëjë botën më të sigurt dhe më të begatë për të gjithë ne."
Ky ishte edhe qëllimi i Eleanor Roosevelt, arkitektes së Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, një botë më e mirë dhe më e begatë, ku të gjithë njerëzit pa dallim të gëzojnë të drejtat e tyre bazë të njeriut – një dokument ky që konsiderohet si dokumenti më i rëndësishëm dhe më i mirë që është përpiluar ndonjë herë në mbrojtje të të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e botës. Eleanor Roosevelt kishte mundësi të ndërmirrte çdo aktivitet tjetër, por ajo vendosi të punonte si vullnetare për Kombet e Bashkuara dhe zgjodhi mbrojtjen e të drejtave të njeriut në botë dhe standardet për ushtrimin e këtyre të drejtave nga të gjitha qeveritë, për shtetasit e tyre. Është ky një dokument nga i cili kanë përfituar qindra miliona, ndoshta miliarda persona anë e mbanë botës, ndërsa njëkohsisht qeveri, shtete dhe diktatorë të ndryshëm anë e mbanë botës e kanë urrejtur dhe e urrejnë gjithnjë.
Prandaj, ndërsa anë e mbanë botës shënohet Dita e të Drejtave të Njeriut, është me vend që të kujtohet gjithashtu edhe kontributi i një prej arkitektëve kryesorë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Eleanor Roosevelt.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar