Skip to content

Një vit tjetër i keq për lirinë e shtypit (dhe darka gala e Kryeministrit Rama me Gazetarët)

07. 01. 2016 nga Frank Shkreli

Version i përshtatshëm për printim
Frank_Shkreli.jpg

Viti 2015 ishte një vit i dominuar nga sfida të mëdha botërore, ishte një vit i dominuar nga lufta, terrorizmi, nga shtypjet dhe kriza në shumë pjesë të botës. Siç duket, sa më e keqe të jetë situata botërore dhe sa më të ashpëra të jenë tensionet në marrëdhënjet ndërkombëtare, puna e gazetarit jo vetëm që bëhet më e vështirë, por edhe më e rrezikshme, për të mos thënë më vdekjeprurëse. Në këtë pikëpamje, as viti që kaloi nuk ishte një përjashtim. Në të vërtetë, sipas Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, (KMG) -- një organizatë kjo e pavarur dhe jo fitim-prurëse e cila merret me mbrojtjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës – në një njoftim për gazetarët, të shpërndarë të mërkurën –thotë se viti 2015 ishte “viti i katërt më vdekjeprurës” për gazetarët ç’prej kohës që KMG-ja ka filluar të mbledhë të dhëna të tilla, duke filluar nga viti 1992.

Në njoftimin që dërgoi për mediat, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se gjatë vitit që posa kaloi -- anë e mbanë botës -- janë vrarë 71 gazetarë në krye të detyrës së tyre dhe 199 të tjerë janë burgosur vetëm e vetëm se kanë ushtruar profesionin e tyre. Këto shifra, sipas KMG-ës, e radhitin 2015 si vitin e katërt më të keq dhe më vdekjeprurës për gazetarët në pothuaj 25 vjetët e fundit.

Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thekson se gjatë vitit që kaloi, “30 prej gazetarëve ose 42 për qind e tyre, janë vrarë ose kanë vdekur në duartë e grupeve ekstremiste, siç është Shteti Islamik”. “Këto vrasje”, thuhet në njoftimin e KMG-ës, “kanë ndodhur ndërkohë që më shumë se gjysma e 199 gazetarëve të burgosur gjatë vitit 2015, kishin përfunfuar në birucë, nën akuza për veprimtari anti-shtetërore.” Kjo situatë, sipas KMG-ës, “tregon se si shtypi dhe pjesëtarët e medias në përgjithësi, duhet të ushtrojnë profesionin e tyre në një situatë të rëndë midis grupeve të terroristëve dhe qeverive që gjoja pretendojnë se luftojnë terrorizmin.” KMG-ja përmend rastin e kryeredaktorit të revistës mujore të pavarur Hentah, njëkohsisht dhe regjisor i filmave dokumentar mbi Shtetin Islamik, Z. Naji Jerf, i cili u vra në Turqi fund vitin e kaluar.

Por, megjithëse viti 2015 ishte një vit vështirsishë me të cilat u përballua shtypi në përgjithësi anë e mbanë botës, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se ka shënuar edhe sukses në fushën e lirisë së shtypit, ndërkohë që sipas organizatës, me veprimtarinë e saj në mbrojtje të gazetarëve dhe të lirisë së medias anë e mbanë botës, ka kontribuar në lirimin e të pakën 50-gazetarëve të burgosur. Drejtori i KMG-ës, Courtney Radsch, tregohet optimist, ndërsa citohet në njoftimin e shpërndarë nga kjo organizatë mbi lirinë e shtypit gjatë vitit që kaloi, të ketë thënë se, “Ndonëse gazetarët përballen gjithnjë me sfida të mëdha botërore, ka arsye për shpresë” theksoi ai, duke shtuar se “Gjatë vitit 2016 organizata e tij do të vazhdojë t’u bëjë presion qeverive anë e mbanë botës që të lejojnë gazetarët të kryejnë punën e tyre, të lirë dhe në rrethana sigurie.”

Ndërsa jemi duke folur për lirinë e medias dhe për marrëdhënjet e gazetarëve me pushtetarët gjatë vitit të kaluar, nuk po më durohet pa përmendur edhe darkën që Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama organizoi për drejtuesit dhe përfaqsuesit e medias shqiptare fund të dhjetorin e vitit të kaluar. Një darkë e tillë në Tiranë duket se kishte për qëllim të organizohej sipas modelit të darkës që mbahet në Washington prej vitesh, jo vetëm me gazetarë por edhe me përfaqsues të dalluar të shoqërisë në përgjithësi dhe lloj-lloj politikanësh, e që në të vërtetë është një rast për tu qeshur dhe madje edhe për tu tallur me njëri tjetrin, mbrenda caqeve të moralit dhe njerëzillëkut. Është gjithashtu edhe një moment për të harruar, të pakën për disa orë, natyrën e punës sfiduese që për nga natyra ekziston midis gazetarëve, krye-pushtetarit të vendit dhe politikanëve në përgjithësi.

Por, ekziston një ndryshim i madh midis darkës gala të Kryeministrit Rama me gazetarët në Tiranë dhe asaj që organizohet në Washington. Kjo e Tiranës nuk ishte një darkë “alla Obama” siç e cilësuan disa media. Darka me gazetarët në Washington nuk organizohet nga Presidenti dhe as nga Shtëpia e Bardhë, por nga Shoqata e Korrespondentëve të akredituar pranë Shtëpisë së Bardhë. Ajo i bën ftesat. Për më tepër, përveç gazetarëve dhe tipave të medias, në darkën e Washigtonit ftohen edhe politikanë kundërshtarë të dy partive kryesore të vendit si dhe personalitete të dalluara në fusha të ndryshme të Amerikës. Por siç duket, në Tiranë është pak ndryshe, pasi ftesat për gazetarët që marrin pjesë në darkën me Kryeministrin, thuhet se i lëshon vet Kryeministria ndërkohë që as nuk ftohen personalitete politike të partive opozitare ose përfqsues të tjerë të shoqërisë. Merre me mend që në një tavolinë të darkës së Kryeministrit Rama të ishin të ulur edhe udhëheqsit dhe përfaqsues të opozitës! Në këtë mënyrë, darka me gazetarët në Washington, të pakën në pamje e ka njëfarë lloj pavarësie dhe atmosfere tolerante e të relaksuar dhe nuk konsiderohet si një takim ku presidenti fton të preferuarit e vet nga media ose që si shpërblim, me pjesëmarrjen e tyre, të presë që të trajtohet më mirë nga media.

Nuk mund të them as për Kryeministrin Rama se mund të priste ndonjë favor nga gazetarët e ftuar shqiptarë në darkën e tij, ndonëse nuk di se cilët gazetarë ishin ata që morën pjesë dhe cilët jo dhe si u zgjodhën ata. Por, ajo që të bie në sy nga ai takim, e që fatkeqsisht ishte për të ardhur keq, sepse në përgjithësi, dukej se ishte një darkë tepër serioze, plot tensione, me pjesëmarrës të ulur në tavolina që dukeshin se mendonin se do ndoshta do të ishin më të kënaqur diku tjetër. Madje, kjo atmosferë e rëndë, shkaktoi që vet Kryeministri Rama në fjalën e tij, u përpoq ta thyente atë atmosferë të akullt që mbizotëronte në sallë, e të cilën ai në të vërtetë qqë në fillim e cilësoi si një “atmosferë ngushëllimesh”.

Nuk duhet të jetë kështu. Marrëdhëniet midis pushtetit dhe medias si dhe respekti reciprok janë të rëndësishme kur të dy palët me të vërtetë respektojnë lirinë e shtypit. Puna e gazetarit është tepër e rëndësishme gjtihashtu sepse media konsiderohet si pushteti i katërt! Andaj, në marrëdhëniet e tyre, si pushtetarët ashtu edhe gazetarët duhet të jenë të bindur se liria e shtypit, nuk është një shprehje akademike, por është një e drejtë themelore, ndër të drejtat bazë të njeriut. Dhe si e tillë, ashtu duhet të konsiderohet dhe të mbrohet jo vetëm nga pushtetarët, por edhe nga vet gazetarët. Gazetaria shqiptare përballet me sfida të mëdha. Si rrjedhim dhe në këtë kuptim, duhet të pranohet nga të gjitha palët se respekti i pushtetarëve ndaj përfaqsueve të medias dhe mbështetja pa kompromis e qeverisë dhe e partive politike ndaj lirisë së fjalës dhe lirisë së shtypit në përgjithësi, është një element kritik dhe i pazevëndsueshëm për zhvillimin e mirëfilltë të një shoqërie demokratike. Respekti reciprok për punën e njëri tjetrit, do të mundësonte që në raste siç ishte darka me gazetarët në Tiranë, të mbizotëronte një atmosferë paksa më e relaksuar dhe me më shumë të qeshur. Nuk e di nëse mungesa e një atmosfere më të butë dhe më miqësore në darkën e organizuar për gazetarët nga Kryeministri Rama ishte për arsye të mos respektit dhe mosbesimit ndaj njëri tjetrit, apo për arsye frike nga njëri tjetri.

Për të mirën e shoqërisë, të dy palët – pushtetarët dhe gazetarët -- duhet të bëjnë më shumë drejtë një komunikimi më të mirë më të respektueshëm dhe më të frutshëm midis tyre, të dy palët të vetdijshëm se “Shtypi i lirë nuk është një privilegj, por është një nevojë organike e një shoqërie të madhërishme dhe të suksesshme”, ka thënë ish gazetari amerikan Walter Lipman .” Sepse në fund të fundit, vetëm një media e lirë mund t’i shërbejë një populli që dëshiron të jetë i lirë, sepse siç ka shkruar edhe Thomas Jeffersoni, nëqoftse të gjithë ia duan të mirën vendit – si pushtetarët ashtu edhe gazetarët -- atëherë, në një vend, “Ku shtypi është i lirë dhe i pavarur dhe ku çdo njeri mund të lexojë, aty çdo gjë është e sigurt dhe në rregull.”

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar