Skip to content

Guximi për të pamundurën

28. 02. 2009 nga Artan Mullaj

Version i përshtatshëm për printim

Unë e di, unë e shoh, unë e dëgjoj, unë e ndiej brengën, dëshpërimin edhe inatin e madh të Shqipërisë që vuan, të Shqipërisë që mezi e nxjerr bukën e përditshme, që nuk arrin të çojë fëmijët në shkollë, të Shqipërisë që nuk kuron të moshuarit, të Shqipërisë që nuk mbledh dot prodhimin, të Shqipërisë që nuk arrin të marre frymë. (Edi Rama)

Nganjëherë ndihesh i stresuar në marrjen e një vendimi për të qartësuar opininin për politika dhe politikanë të caktuar. Shpjegimi i këtij mbuftimi është aq më i qartë, sa edhe e paqartë është klima por edhe sjellja e atyre që bëjnë analizat dhe politikën. Në Shqipëri, në muzgun e saj, në vjeshtën e saj anonime, prej kohësh nderret një psikozë zallahie, pasojë e transparencës së cunguar në përgjithësi; gjithkush këtu mund të ketë ndjesinë e informimit të mjegullt, ndërsa rrëmujshëm, gjithkush, gjithcka e gjithherë mund të gjendet nën një presion të prodhuar në mënyrë monotone nga misteri i shumicës së ndodhive publike e politike në vend.. Prandaj stisja dhe mundimi intelektual për ndërtimin e opinioneve të caktuara, ka një koeficient vështirësie të kushtëzuar pikërisht nga kjo zallahi, paqartësi, moskuptueshmëri e ngjarjeve rutinë që ndodhin përditë.

Në mes të kësaj rrumuje, si një shumatore shkulmesh e opinionesh të mdryshme, të ngjyrosura e të koklavitura, është sot imazhi i shefit të PS, Edi Rama.

Falë këtij densiteti interesant përshtypjesh e opinionesh të gjithfarëllojshme, Edi Rama është shndruar për disa në një fenomen kombëtar, madje edhe në një symbol të shpëtimit dhe zhvillimit, nga njëra anë, e për të tjerët, kujtesë korrupsioni, emblemë e shkatërimit urban, pararojë e abuzimeve dhe e cnormalitetit, në anën tjetër.. Aty ku Edi Rama rrezëllen me metamorfozën e një lideri absolut e të lindur, te tjerëve iu duket i cmendur, diktator, totalitar, herë komunist e herë nip i paligjshëm i mbretit, shpesh skizofren, e më rrallë hajdut, dhunëtar, sekstrazuar, viziontrazuar, i pabesë etj etj.

Mund të supozohet që konfliktualiteti i këtyre mendimeve apo qëndrimeve kundërshtare e të shumëllojshme kjanë sjellë lindjen e një fryme apo gjallërimi social të shëndetshëm në komunitet. Pavarësisht nga mjegulla apo balta që hidhet për fat të keq me shumicë mbi kryetarin e PS, dhe pavarësisht, natyrisht, kultit dhe tejvlerësimeve të palës matanë, e rëndësishme është që në fakt kjo kundërshti ka ndezur një lloj pasioni njerëzor këtej e përtej, një passion popullor në interpretimin e opinioneve ndaj Kryetarit të PS, ashtu si ka edhe stimulime të reja prodhimi opinionesh të reja për sjelljen e tij publike dhe politikën e re. Në këtë vullkanim shpirtëror, ka një moment të dobishëm, që është marrja pjesë, emancipimi i ndërgjegjies së njerëzve të lodhur, shpërfillës e indiferentë. Ky elektrizim, py pozicionim, është edhe merrita e parë e Ramës, pasi, asnjë politikan asnjëherë nuk ka mundur të provokojë kaq dashuri dhe urrejtje njëherësh në bastionet e përballur. Të marrësh pjesë, të ndjesh, të synosh, të mbështetësh një bindje, një program e të urresh e shpërfillësh një tjetër, kjo është ajo cka i nevojitet seriozisht një shoqërie në depression si kjo jona, dhe pikërisht kjo gjë, elektrizimi, frymëzimi, polarizimi ndjesor, motivimi, pra, është merrita e parë e pafajshme dhe e brishtë e liderit socialist. Në tërheqjen ashpër të vëmendjes publike, në angazhimin pro edhe kundër të saj, ai vazhdon të karikojë optimizëm kolektiv…, deri tani të munguar. Nuk është e rastit që ai është epidemikisht më i klikuari, më i komentuari, por edhe më i sulmuari në sondazhe, në Bloge, në facebook, në klikime, në sulme personale, në media, në internet, etj..

Jo vetëm në shtresat massive elektorale, por edhe ndërgjegjien intelektuale, kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës e ka trazuar thellësisht me origjinalitetin e të bërit politikë ndryshe, me hipotezat dhe akuzat ndaj tij, me energjinë, këtej edhe matanë, të harxhuar me një passion të pamposhtur dhe të paparë.

Disa javë më parë, analisti Mustafa Nano, në një shkrim shprehte merakun se mos ka një dozë të vërtete fakti se sipas disa analistëve të njohur, Edi Rama rezulton edhe më i cmendur, edhe më i rrezikshëm, se kryeministri i vendit Sali Berisha. Pa dashur të replikoj dhe gjithë merak për paanësinë e nevojshme, druaj se kjo gjë, meraku i Nanos se mos adhurimi i tij professional për Ramën, është surrealist dhe analistet e tjere, Cani, Zheji, Baze, Lubonja, Bushati, Fevziu etj kanë të drejtë që e sulmojnë në shtyp kreun socialist, etj, pra dyshimi por edhe zhgënjimi i analistit të mirëvlerësuar, kjo gjë, kjo shprehje, ky interpretim, është bërë shkak për këtë hulumtim analitik..

Dihet që disa analistë të njohur të medias shqiptare janë kritikë patologjikë, për të mos thënë kundërshtarë potencialë të Ramës. Blendi Fevziu, padroni dhe kolegu, A. Frangaj, aspak te interesuar që Rama të fitojë, pasi kjo do tu prekte interesat e bizneseve që konsoliduan në regjimin e Berishës, janë pozicionuar me një delikatesë të pandershme kundër Ramës, jo vetëm për ndjeshmëri, koherencë dhe besë politike. Meraku im është se edhe tek mediatikë të tjerë ekziston natyrshëm një xhelozi primitive, zili përballë furisë gjeniale të ngjitjes së Ramës moshatar në arenat publike shqiptare.

Me gjithë rëndësinë e padiskutueshme që kanë në hapësirën mediatike, ka shumë gjasa që edhe këta, si shumë të tjerë, do bëjnë kthesën e turpshme drejt interesit të ri nëse Rama fiton zgjedhjet, duke e rishitur veten në pazaret prej marmallate të politikës.

Edhe i fismi Lubonja, për vetë pozicionimin e tij por edhe për euforinë e liderit analist, cka ndikon ashpër në opinionet e tij, (ku duken qartë edhe gjurmët e zilisë gjenetike-kam parasysh edhe shkrimet e tij për romanin e Blushit) - nuk ka për ta vlerësuar kurrë Ramën, edhe sikur Rama të zëvendësojë vjetërazi Ataturkun, apo në vazhdim të arijë shembëllimin e Obamës, të cilit në fakt i është afruar. Por qëndrimi i Lubonjës gjithashtu, mund të jetë edhe mospëlqimi instiktiv dhe antipatia instiktive për një person të suksesshëm publik, cka sigurisht nuk është dicka e qortueshme..
(Për të mos i përmendur me rradhë, e njëjta gjë, apo të tjera gjëra ndodhin edhe me Arian Canin, Zhejin, Bazen etj-të cilët, për arsye të tilla apo motimvime të tjera, të njohura ose të panjohura shohin te shefi i socialistëve një njeri me probleme).

Disa të tjerë, gazetarë apo politikanë ende të paafirmuar, mendojnë se duke sulmuar luanin, të fuqishmin, do fitojnë famë të re dhe publicitet të ri. Dhe jo vetëm këta. Eshtë në natyrën njerëzore dëshira kolektive për të penguar ngritjen e heroit, aq më shumë kur njerëzit, të njohur ose jo, të pushtetshëm ose jo, të rëndësishëm ose jo, janë brezi i tij pak a shumë.. Për karieristët, shpërthimi publik i Ramës, dalja e tij mbi kokat e të tjerëve, përbën një ngjarje ankthsjellëse, që ju ka trazuar sakaq të gjitha lëngjet e zeza të trupit dhe shpirtit. Aventura publike e Ramës, është dicka e pakrahasueshme, po të llogaritet që Rama ka qënë i vetmuar pra dhe i merrituar në sukseset e tij personale. Nga mosnjohja civile, menaxhimi i shkëlqyer i ministrisë së arsimit nga Edi Rama, për shumë opinionistë, ishte fillimi i një epoke të re në politikbërjen shqiptare, që u finalizua në bashkinë e Tiranës, kur qyteti nisi të ngjajë me qytet dhe të normalizohet. Duke u shndruar në një etalon të shvillimit më të modeluar, megjithë kontestimet, me gjithë akuzat për afera dhe korrupsion, Rama u shndrua gjithashtu në simbolin e vetmuar të shpresës shqiptare për zhvillim dhe evropianizim në progress. Edhe ata më skeptikët, fanatikët, vuajtësit e dështakët, e kanë të pamundur të qetësojnë vetëdijet e tyre ndërsa puna dhe madhështia e këtij njeriu është dicka qe duket në dritën e diellit dhe nuk mund të mohoet. Por jo vetëm puna e pazakontë, që ngjan kaq e sinqertë, sa ju provopkon vrasje ndërgjegjie atyre që duan ta anashkalojnë. Rama duket një ideator i vetmuar, që synon të sjellë një magji të re në mënyrën e të menduarit civil. Pasi ka përcjellë imazhin e lokomotivës elektorale që tërheq barren kryesore, ai ka guxuar drejt një abstraksioni të pafajshëm por edhe të vështirë, me slloganin "përtej të majtës dhe të djathtës", cka është vërtet herët për tu asimiluar në perceptimet e infektuara nga tranzicioni gjithë këta vjet. Në këtë rast, në këtë terren, në këtë zullum dhe zallahi, guximi për të shpresuar i Obamës, do tjetërsohej në "guximi për të pamundurën", në rastin e Ramës, sepse përtej të majtës dhe të djathtës", mentaliteti i vrazhdë shqiptar kupton vetëm pamundësi dhe cmenduri..

Historia e Ramës, si një aktivist (jo politikan) energjik, ka një finale tjetër, fitoren e tij në krye të PS, në një mënyrë demokratike, pas një këmbëngulje të ndershme në zgjedhjet ndoshta më demokratike që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri. Megjithë problemet e brendshme, rentabilitetin e brishtë dhe kundërbrigjet që sot ka kjo parti, (ndërsa natyrshëm përplasen psikologjitë e vjetra të pushtetit me të rejat), nën drejtimin e Ramës, më shumë se totalitaritetin e përfolur, Partia Socialiste ka shpalosur realisht imazhin e sinqertë dhe modern të një force të re të shëndetshme politike, në organizim, reformim dhe pastrim të vazhdueshëm nga ngërcet e tradicionalitetit politik që instaluan prej vitesh Nano dhe të vjetrit e tjerë.

Ai është një njeri, me dhuntitë por edhe me gabimet e tij, por ai është gjithashtu në vendin e duhur në kohën e duhur në krye të një misioni që ju nevojitet shqiptarëve. Nëse Shqipëria do të ndryshojë me ardhjen e tij në pushtet, ashtu si madhërisht u ndryshua e po rregullohet Tirana, ky mission duhet konsideruar politika më e volitshme që i duhet domosdoshmërisht këtij vendi. Krahasuar me kundërshtarët e tij majtas e djathtas, Rama shëmbëllen me një shpresë tokësore për shqiptarët, përballë armatës së politikanëve barkmëdhenj e hajdutë që e rropën pa mëshirë Shqipërinë gjithë këta vjet, duke e poshtëruar përditë me gjithë sa kanë bërë… Si një punëtor i palodhur, me një energji të pazakontë intelektuale, cka e afron para shqiptarëve si një misionar dhe një lider që di të ndezë shkëndijën e shpresës mes territ shqiptar dhe do bëjë një epokë, Rama është para sfidash dhe provash të mëdha historike. Kjo është e rëndësishme.

Të rëndësishme janë padyshim edhe punët e mira që po bëhen në Tiranë dhe do bëhen në vazhdim. Rëndësi ka civilizimi që finesa dhe maturia e Ramës edukon në politikën shqiptare. Rëndësi ka fakti se ena bosh e politikës së re që ai reklamon, (që përmend edhe analisti Nano), mund të jetë bosh nga iderat, por është plot nga dëshirat. Dëshirat nuk janë iluzione. Nëse janë të sinqerta, si një energji e pastër, do ta mbushin boshllëkun…

Sa për cështjen tjetër se a është i korruptuar Rama, a ka abuzuar me lejët e ndërtimit dhe tenderat e bashkisë, si thuhet e rrithuhet, kjo është dicka që sigurisht duhet marrë seriozisht. Shoqëria jonë ka institucione që vërtetojnë dhe ndëshkojnë shkeljet e ligjit, dhe kjo është puna e tyre, ndërsa secili mban kryqin e vet në kuris.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar