Skip to content

Demokracia dhe politika e jashtme e SHBA-ave

20. 04. 2016 nga Frank Shkreli

Version i përshtatshëm për printim
Frank Shkreli

Fushata paraprake për president këtu në Shtetet e Bashkuara ka arritur kulmin ndërkohë që të dy partitë kryesore të këtij vendi -- Partia Demokrate dhe Partia Republikane – më në fund do të zgjedhin kandidatin/en e tyre për president nga ata që kanë mbetur e të cilët i kanë mbijetuar fushatës së gjatë dhe debateve të shumta mbi çështje të mbrendshme dhe të jashtme me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kandidatët që po zhvillojnë gjithnjë fushatë të ashpër janë tre nga Partia Republikane – biznismeni Donald Trump, Senatori Ted Cruz dhe governatori John Kasich. Ndërsa nga Partia Demokrate vazhdon fushata e ashpër, sidomos kohët e fundit, midis ish-Senatores dhe ish Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton dhe Senatorit Bernie Sanders.

Përveç aftësive dhe përvojës të secilit kandidat për të udhëhequr politikën e mbrendshme dhe të jashtme të këtij vendi, në debatet midis kandidatëve për president të Amerikës, kanë mbizotëruar kryesisht çështje shoqërore dhe probleme të politikës së mbrendshme, përfshirë ekonominë, imigracionin por edhe terrorizmin ndërkombëtar. Në debatet e deritanishme midis kandidatëve për president, politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara nuk ka tërhequr vëmendjen e duhur dhe rëndësinë që meriton, duke marrë parasyshë zhvillimet ndërkombëtare në botën që jetojmë sot.

Vërejtsit e zhvillimeve të fushatës janë shprehur se gjatë fushatës paraprake për president, kandidatët e të dy partive kryesore, nuk kanë theksuar sa duhet çështjet e politikës së jashtme amerikane dhe nuk kanë tërhequr vëmëndjen që sipas tyre duhej të kishte politika e jashtme në një administratë të ardhshme amerikane. Sipas tyre nuk është folur mjaft as për rolin që do të luante zhvillimi dhe mbështetja amerikane ndaj demokracisë anë e mbanë botës, si pjesë e kësaj politike të jashtme amerikane në të ardhmen. Mbi 150 ekspertët më të dalluar amerikanë të politikës së jashtme dhe zhvillimeve ndërkombëtare, të cilët kanë punuar për administrata të ndryshme republikane dhe demokrate gjatë 50-viteve të kaluara – kohët e fundit i kanë drejtuar një letër të hapur në lidhje me këtë çështje kandidatëve të dy partive që ende zhvillojnë fushatë për president. Në letrën e tyre të nënshkruar nga këta ekspertë -- dikur përpilues dhe zbatues të politikës së jashtme amerikane, por në një mënyrë ose në një tjetër, gjithnjë të angazhuar në këtë fushë -- ata këmbëngulin se Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin demokracinë dhe të drejtat e njeriut në qëndër të agjendës së politikës së jashtme amerikane.

Ata shkruajnë se Shtetet e Bashkuara janë themeluar mbi parimet për respekt ndaj jetës, lirisë dhe të drejtave të njeriut dhe se këto parime kanë qenë jo vetëm pjesë e pa ndarë por edhe në qëndër të politikës së jashtme amerikane gjatë dekadave të kaluara. Ata nënvijojnë se kombet e lira dhe demokratike janë më të suksesshme ekonomikisht, më stabile dhe partnerë më të besueshëm të Shteteve të Bashkuara. Ka më pak mundësi që shtetet e lira, thonë ata, të ndërmarrin agresione kundër fqinjve ose të shtypin popullin e vet.

“Vitet e fundit”, shkruajnë ata, “regjime autoritare siç janë Rusia dhe Kina janë bërë edhe më shtypëse se përpara. Ato e shikojnë avancimin e demokracisë jo vetëm mbrenda kufijve të tyre, por edhe në shtetet fqinje, si një kërcënim ndaj monopolit të tyre mbi pushtetin politik të vendit”. Prandaj, thonë eskpertët amerikanë të politikës së jashtme, “nuk është për tu habitur që aq shumë nga sfidat politike, ekonomike dhe të sigurimit me të cilat përballemi sot, e kanë burimin në kryeqytete siç janë Moska, Pekini, Pjonjangu, Teherani dhe Damasku”. Për nga natyra, regjimet shtypëse nuk janë stabile dhe për të vazhduar të qëndrojnë në pushtet ato natyrisht, sipas ekspertëve, si përfundim shtypin lëvizjet demokratike dhe aktivitetin e shoqërisë civile. Si të tilla, shtojnë ata, këto regjime shtypëse, “janë gjithashtu edhe burim dhe eksportues të korrupsionit masiv, një rrezik ky gjithnjë më i madh e i cili tejkalon kufijt ndërkombëtarë, ndaj qeverive stabile demokratike anë e mbanë botës.”

Mbështetja amerikane për lirinë anë e mbanë botës, theksojnë ata, nuk do të thotë që të imponohen vlerat amerikane ose të përdoren ndërhyrjet ushtarake amerikane, por ekspertët e politikës së jashtme amerikane u drejtohen kandidatëve për president, duke pohuar se, “mbështetja ndaj demokracisë nevojitë një partneritet midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe organizatave jo-qeveritare të cilat po përpiqen, shpesh në rrethana tepër të vështira, për të vendosur lirinë dhe demokracinë në vendet e tyre.” Kjo mbështetje, në vendet në tranzicion drejtë demokracisë, thonë ata, duhet të përfshijë edhe forcimin e insititucioneve të tyre përfaqsuese dhe juridike, ndërkohë që ndihmat amerikane duhet që doemosdoshmërisht të jenë të lidhura rezultatet, nga vullneti i mirë dhe nga avancimi pozitiv në fushën e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore. Ndërsa në vendet jo demokratike, shkruajnë ekspertët amerikanë të politikës së jashtme, mbështetja amerikane do të thotë, “Përkrahje paqësore dhe krijuese për aktivistët vendas të cilët kërkojnë reforma demokratike dhe të cilët për këtë qëllim, presin edhe mbështetjen morale, politike, diplomatike dhe nganjëherë edhe materiale të Shteteve të Bashkuara.” Këta aktivistë, thonë ekspertët e politikës së jashtme amerikane, rrezikojnë burgime, tortura por edhe vdekje në përpjekjet e tyre për të pasur një shoqëri më demokratike. Duke ndihmuar këta aktivistë, shkruajnë ata, ne zbatojmë parimet mbi të cilat është themeluar vendi ynë, Shtetet e Bashkuara të Bashkuara të Amerikës.

Ekspertët ma të njohur të politikës së jashtme amerikane gjatë dekadave të kaluara, republikanë dhe demokratë – në letrën e përbashkët drejtuar kandidatëve për pressidentë të ty dy partive – u kërkojnë atyre që të vendosin mbështetjen ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut në qëndër vëmendjes të agjendës së politikës së jashtme të tyre. Ata shkruajnë se periudha e tanishme përbën sfida të dukshme ndaj lirisë dhe demokracisë në botë ndërsa vende të ndryshme përpiqen të themelojnë demokracinë e vërtetë, ndërkohë që autokraci të fuqishme brutalizojnë popujt e tyre dhe njëherazi kërcënojnë dhe minojnë zhvillimet pozitive në vendet fqinje. Gjëja pozitive është se njerëz të thjeshtë anë e mbanë botës preferojnë demokracinë, qeverisje të ndërgjegjëshme dhe llogari-dhënse dhe për këtë arsye u shkruajnë ekspertët amerikanë kandidtaëve për përesident, se “kjo mund të jetë koha e përshtatshme për të rifilluar përpjekjet për një përparim të vërtetë demokratik anë e mbanë botës.”
Ekspërtët amerikanë me përvojë të gjatë dhe njohës të dallura të politikës së jashtme amerikane dhe asaj ndërkombëtare, u bëjnë thirrje kandidatëve për president se për një përparim të vërtetë demokratik anë e mabnë botës, “Nevojitët që Shtetet e Bashkuara në bashkpunim me aleatët tanë demokratikë, të ushtrojnë rolin e udhëheqsit në këtë fushë, në mbështetje të përpjekjeve të grupeve dhe individëve vendas për t’i bërë shoqëritë ku jetojnë më të lira dhe qeveritë e tyre më demokratik.”

“Ne kërkojmë që të angazhoheni se do të luani rolin e udhëheqsit në mbështetje të kauzës së demokracisë dhe të drejtave të njeriut në botë, nëqoftse zgjidheni president i Shteteve të Bashkuara”, përfundojnë letrën e hapur mbi 150- ekspertët amerikanë të politikës së jashtme, drejtuar kandidatëve demokratë dhe republikanë për president të Shteteve të Bashkuara. Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka pohuar se gjatë çerek shekullit të kaluar, një numër i madh kombesh kanë shënuar një tranzicion të sukesshëm nga diktatura, kryesisht komuniste, në demokraci. Sipas DASH, numri i vendeve demokratike është shtuar dukshëm, duke shënuar se nga 30-vende demokratike në vitin 1974, sot llogaritë 117 vende të cilat konsiderohe si demokratike.

Me letrën e tyre, ekspertët më të njohur të Shteteve të Bashkuara mbi politikën e jashtme kërkojnë që kushdo dhe i cilës do parti qoftë kandidati i cili më në fund do të fitojë zgjedhjet e përgjithshme presidenciale të nëntorit që vjen, të vazhdojë këtë trashëgimi amerikane në mbështetje të lirisë dhe demokracisë, duke përcaktuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut si pjesë të pandarë të politikës së jashtme të administratës së ardhshme amerikane.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar