Skip to content

Mjaft u morët me qendrën e Tiranës, bëni rrugë e parkime

21. 04. 2016 nga Vëzhguesi

Version i përshtatshëm për printim
tirana.jpg

Tirana ka mbetur peng e së njëjtës infrastrukturë rrugore e parkimesh të kohës së Enverit, kur s'kishte asnjë makinë private. Kryetarët e bashkive të Tiranës nuk u moren (nuk merren) me modernizimin e kësaj infrastrukture therrëse primitive, por laj-thaj shpenzojnë fonde e energji në qendrën e Tiranës. Edhe ky katër-vjeçar i Erionit duket se aty do katandiset.

Ç'të keqe ka qendra? Mirë është (mirë ishte), - s'e morra vesh pse e prishën lulishten prapa Skënderbeut (ishte mëse e veçantë)? Plus, njerëzit s'kanë si shkojnë deri në qendër, sepse rrugët që të çojnë aty janë praktikisht të tejmbushura me makina, këmbësorë e mizerabilitet. Qendra që synon të ndërtoj Erioni do jetë një tjetër shpenzim i panevojshëm që do shfrytëzohet vetëm nga burokratët e pushtetit që kanë zyrat e shtëpitë aty, jo nga qytetarët.

Tirana ka nevojë për infrastrukturë moderne rrugore e parkimesh. Duhen ndërtuar autostrada me dalje (exite) në nyjet kryesore të qytetit, si në çdo qytet tjetër europian (dhe ballkanik tashmë). Duhen ndërtuar rrugë për trena (tramvaja) që shqiptarët e turistët të frekuentojnë qytetin.

Erioni e ka ngushtuar shumë punën e kryetarit të bashkisë së Tiranës (s'po del dot nga bulevardi). Pas "këndit të lojrave" për fëmijët e "byrosë" tek liqeni (sepse fëmijët e të tjerëve s'kanë mundësi të shkojnë deri atje, mes rrëmujës alla-tip Rrip Gaze të Tiranës), tani do zhytet përsëri në të njëjtën histori të vjetër të ndërtimit të Qendrës. Hidh miliardat e taksapaguesve në "vrimën e zezë", i thonë kësaj, që të dalë 10% i famshëm.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar