Skip to content

Maqedonia ''fuçi baruti'' mes Rusisë e BE-së

26. 04. 2016 nga Vëzhguesi

Version i përshtatshëm për printim
maqedonia.jpg

Ballkani e ka marrë nofkën "fuçi baruti" nga Maqedonia, më 1913. Atë vit do shpërthente Lufta e Dytë Ballkanike për shkak të Maqedonisë. Lufta e Parë Ballkanike (1912) u bë nga sllavët ballkanas (plus Greqinë) nën lidershipin e Rusisë për të dëbuar Perandorinë Osmane. Dhe e dëbuan shpejt. Europa u surprizua atëherë, gjë që e shtrëngoi të bënte me shpejtësi Konferencën e Ambasadorëve në Londër për kufijtë.

Por s'qe e thënë, sepse ortodokso-ballkanasit, fitues ndaj Turqisë, u ngatërruan me njëri-tjetrin për Maqedoninë. Serbët e grekët pretenduan se Bullgaria kishte marrë fshehurazi territore maqedonase, dhe i shpallën luftë Bullgarisë (Lufta e Dytë Ballkanike). Lufta përfundoi me fitoren greko-serbe, të cilat e ndanë Maqedoninë mes tyre.

Ky konflikt do determinonte më vonë fatin e aleancave ballkanike në dy luftrat botërore. Bullgaria do lidhej me gjermanët, ndërsa serbo-grekët me palën tjetër, duke e bërë Maqedoninë një mollë permanente sherri mes grekëve, serbëve e bullgarëve (më vonë edhe të Shqipërisë). Madje as Millosheviçit nuk do ja mbante të cënonte kartën delikate maqedone gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, dhe kjo ish-republikë jugosllave rezulton e vetmja që s'pati luftë gjatë procesit të pavarësisë. Rënia e Maqedonisë do fuste menjëherë në konflikt katër vende, Greqinë (që s'e njeh Maqedoninë si shtet), Bullgarinë, Serbinë e Shqipërinë, dhe natyrisht edhe më tutje.

Sot po i fryn këtij konflikti Rusia, në kuadër të strategjisë së dëshpëruar ruse kundër Perëndimit. Pasi provoi pa rezultat të destabilizonte Malin e Zi, dhe Kosovën (nëpërmjet Albin Kurtit), sot rusët duan të ndezin direkt "fuçinë e barutit" ballkanik, Maqedoninë, dhe nëse Maqedonia plas, atëherë Siria do dukej një fushë me lule para saj.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar