Skip to content

Dita e Dëshmorëve, ndoshta e shtuna e parë e Majit

07. 05. 2016 nga Vëzhguesi

Version i përshtatshëm për printim
Gazeta_1.JPG

Diçka duhet bërë në këtë aspekt, e duhet bërë shpejt. Shteti duhet të ndërhyjë, kjo situatë nuk shtyhet më, pasi mbi të gjitha është ofenduese jo vetëm për të rënët, por edhe për familjet e dëshmorëve e pasardhësit e tyre. Por edhe për kombin në tërësi, sepse godet keqas patriotizmin e nacionalizmin shqiptar.

Një pjesë nuk e njohin 5 Majin për motive ideologjike, thonë se është caktuar nga komunistët, dhe pozicionimi i tyre mbase është korrekt, sepse komunizmi persekutoi grupime të gjëra të shqiptarëve. Ndërsa ca të tjerë (ata pa shtyllë kurrizore shqiptare) shfrytëzojnë rastin të godasin dëshmorët në përgjithësi, të tallen e diskretitojnë patriotizmin shqiptar.

Meqenëse kjo është një çështje tejet sensitive, shumë më sensitive se 29 nëntori, sepse ka lidhje me gjakun e derdhur nga shqiptarët, jo vetëm në Luftën e Dytë Botërore, si dhe me të ardhmen e patriotizmin shqiptar, atëhere s'do ishte keq që të arrihej një koncensus i menjëhershëm politik, tani (megjithëse politikanët shqiptarë janë më të ngurtë se gomerët).

Ndoshta duhet të vendoset si ditë dëshmorësh e shtuna e parë e muajit Maj, një ditë pushimi, që njerëzit të kenë mundësi të shkojnë në varrezat e dëshmorëve, të kujtojnë të dashurit e tyre, heronjtë e tyre, të celebrojnë patriotizmin e nacionalizmin shqiptar.

Muaji maj është pothuajse muaji e dëshmorëve kudo në botë, sepse ka lidhje me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore (9 Majin), dhe një ditë e tille dëshmorësh është mëse e natyrshme në këtë muaj.

"Dëshmorëve" - nga Gjergj Fishta

O ata t'lumtë, qi dhanë jetën,
o ata t'lumtë, qi shkrinë vehten,
qi për erz e nderë t'Shqiptarëve
derdhën gjakun tue luftue,
Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
but u kjofshin moti e stina,

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar