Skip to content

Tigri Exxonmobil dhe Arusha Ruse

14. 12. 2016 nga Frank Shkreli

Version i përshtatshëm për printim
frank_shkrel.jpg

Me anë të një deklarate të marten në mengjes, Presidenti i zgjedhur amerikan, Z. Donald Trump njoftoi se, pas intervistave të disa kandidatëve, kishte vendosur që më në fund të emëronte kreun e firmës ExxonMobil Rex Tillerson në postin e Sekretarit të Shtetit, si kryedipolomati i Shteteve të Bashkuara, detyra e tretë më me rëndësi në në administratën amerikane, pas Presdientit dhe Zëvëndës Presidentit. Emërimi i tij erdhi krejt pa pritmas megjithëse ishte përgojuar për disa ditë tani, së bashku me disa personalitete të njohura të politikës amerikane, përfshirë Mit Romney-n, një kritik i fortë i Z.Trump gjatë fushatës së zgjedhjeve, njëherazi edhe ish-kandidat për president i Partisë Republikane dhe Rudy Giuliani, ish kryebashkiak i New Yorkut dhe njëri prej mbështetsve më të fortë të Z. Trump gjatë fushatës kundër kandidatës demokrate Hillary Clinton. Ekspertët thonë se emërimi i Rex Tillerson në këtë detyrë është i jashtzakonshëm për shumë arsye, si për nga natyra e punës ashtu edhe nga përvoja ose mungesa e përvojës në punët qeveritare dhe në politikën e jashtme të Z. Tillerson. Ndryshe nga të emëruarit në të kaluarën në këtë detyrë të lartë të qeverisë federale të Amerikës, Tillerson nuk ka asnjë përvojë qeveritare pasi ka punuar gjithë jetën e tij për të njëjtën firmë private, Exxon, që konsiderohet si ndër firmat më të mëdha në mos më e madhja në botë, e cila zhvillon aktivitete në më shumë se 50-shtete të botës. Rex Tillerson, pjesën më të madhe të karierës së tij në firmën ExxonMobil e ka bërë në degën e punëve ndrërkombëtare të firmës, gjë që, sipas mbështetsve të tij, i ka dhënë mundësi dhe raste që të zhvillojë lidhje dhe kontakte me shumë vende anë e mbanë botës, përfshirë Rusinë, duke filluar me ish-udhëheqsin e atij vendi, Boris Yeltsin gjatë 1990-ave dhe më vonë me Vladimir Putin. Emërimi i tij në detyrën e kryediplomatit amerikan, habiti jo vetëm vërejtësit politikë dhe diplomatikë, por edhe vet Z. Tillerson, i cili sipas miqëve të tij si konservator i bindur që është politikisht, rrjedhimisht ai e pranoi emërimin për arsye patriotike, si një detyrim ndaj vendit.
Njeriu që mban atë detyrë tani, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry lëshoi një një deklaratë të shkurtër me rastin e emërimit të Tillersonit si pasardhës i tij, duke thënë: “Uroj Rex Tillerson-in për emërimin e tij në detyrën e Sekrtarit Amerikan të Shtetit. Departamenti Amerikan i Shtetit do të vazhdojë të japë ndihmesën e plotë për një tranzicion të rregullt e pa telashe, ashtuqë Adaministrata e ardhëshme të mund të vazhdojë punën tepër të rënëdësishme të zhvillimit të politikës së jashtme amerikane anë e mbanë botës”, përfundon Zoti Kerry mesazhin e tij të urimit.
Reagimet ndaj emërimit të RexTillersonit në detyrën e Sekretarait amerikan të shtetit ishin të shumëta, pro dhe kundër. U pritë me mbështetje prej disave dhe me kritika nga disa të tjerë, madje edhe në radhët e vet republikanëve në Kongresin amerikan, ku emërimi i Z. Tillerson duhet të miratohet nga Dhoma e Senatit dhe ku ai pritet të përball pyetje të shumta dhe kritike. Mediat amerikane njoftojnë se Donald Trump, para se të njoftonte emërimin e Sekretarit të ri amerikan të shtetit, ai ishte konsultuar me personalitete të larta të diplomacisë dhe të politikës amerikane, të cilët sipas lajmeve i rekomanduan Z. Trump emërimin e Tillersonit për Sekretar Amerikan të Shtetit. Ndër emërat më të dalluar që promovuan emërimin e tij, spikaten ish-Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker, ish-sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice dhe ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates, i cili ka shërbyer në administratën e ish-presidentit Bush dhe në administratën e presidentit Obama. Z. Gates tha se rekomandoi emërimin e Z. Tillerson bazuar në përvojën e tij si negociues prej dekadash me udhëheqsit e huaj.
Ndërsa, kritikat e deritanishme ndaj emërimit të Rex Tillerson-it në detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit kanë ardhur kryesisht nga senatorët republikanë, politika partiake e të cilëve ka qenë anti-Rusisë për dekada, por edhe nga disa demokratë, vota e të cilëve i nevojitet atij për tu venë në krye të diplomacisë amerikane për katër vitet e ardhëshme. Por ndonëse, tani për tani, asnjë prej senatorëve nuk është shpallur kundër emërimit të tij, ata kanë shprehur shqetësimet e tyre sidomos në lidhje me kontaktet që Rex Tillersonin ka patur me Rusinë dhe udhëheqsin e saj Vladimir Putin gjatë 20-viteve të fundit. Senatori veteran i republikanëve dhe hero i luftës së Vietnamit, John McCain i shtetit Arizona, i cili e ka cilësuar Vladimir Putinin si, “një hajdut, gangster dhe vrasës”, tha për rrjetin televiziv CBS se lidhjet e Tillersonit me Putinin janë një “pikë e madhe shqetësimi” për ‘të dhe se pret shpjegime nga Tillerson në lidhje me kontaktet e tija me Rusinë, për të cilat ai do të pyetet natyrisht gjatë seancave të miratimit të emërimit në Senatin ameirkan. Ndërsa Senatori republikan Marco Rubio i shtetit Florida reagoi ndaj emërimit të Rex Tillerson duke u shprehur se, “Ndërkohë që Rex Tillerosn është një biznismen i respeketuar, unë kam shtqetësime dhe rezervime serioze për emërimin e tij në këtë detyrë. Sekretari i ardhëshëm amerikan i shtetit duhet të jetë dikush i cili e shikon botën me një qartësi morale dhe i cili nuk preket as nuk influencohet nga konfliktet e mundshme të interesit, por që ka një kuptim dhe vetëdije në mbështetje të interesave kombëtare të Amerikës dhe i cili duhet të jetë një mbështetës i vendosur i objektivave të politikës së jashtme amerikane, mbrenda administratës si dhe në skenën botërore”, u shpreh Senatori Marco Rubio, ish-kundërshtar i Donald Trumpit në fushatën paraprake të partisë Republikane për president.
Ndërkaq, udhëheqsi i ardhëshëm i pakicës demokrate në Senat, Senatori Chuck Schumer i shtetit New York u shpreh të marten se Rex Tillerson duhet të përballet me pyetje serioze në lidhje me kontaktet e tija me Rusinë, si dhe mbi kundërshtimin e tij tepër shqetsues kundër sanksioneve ekonomike ndaj armikut të këtij vendi gjatë Luftës së Ftoftë” Rusisë, tha senatori demokrat Schumer. Edhe Senatori demokrat Tom Udall i shtetit New Mexico kritikoi Z. Trump për emërimin e Rex Tillersonit, si përfaqsuesin e Shteteve të Bashkuara në skenën botërore. Ai, shtoi senatori nga New Mexico, po propozon t’i japë një detyrë e cila është jashtzakonisht e rëndësishme për interesat kombëtare, shefit të një firme që mbron dhe arsyeton përfitimet e mëdha prej dhjetëra miliarda dollarësh, pjesërisht të fituara nga interesat e huaja të naftës. Si anëtar i Komisionit të Senatit për punët e jashtme ai u bëri thirrje kolegëve të tij që të “mendojnë gjatë dhe seriozisht, para se të miratojnë emërimin e shefit të firmës Exxon, për të përfaqsuar interesat diplomatike të popullit amerikan.”
Disa analistë kanë thënë se lidhjet e Rex Tillerson me Rusinë e Putinit ishin thjeshtë lidhje ekonomike dhe invetsimesh të cilat ai, si drejtor ekzekutiv i kompanisë, i mbronte ato në emër të firmës së tij dhenormal se ka mbështetur interesat e firmës ExxonMobil që ai kryeson, ndërsa si Kryediplomat i Shteteve të Bashkuara ai nuk mund të veprojë ndryshe veç të promovojë dhe të mbrojë interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Gazeta Wall Street Journal shkruan se gjatë karierës së tij, Tillerson është treguar i matur dhe se ka lëshuar pe duke treguar flekisibilitet në pikpamjet e tija ideologjike, në raste kur ai e ka konsideruar situatën të nevojshme për të ndryshuar qëndrim, si të rëndësishme nga pikpamja strategjike dhe në interes të firmës ose institucionit që ka udhëhequr. Eksperti i politikës së jashtme Riçard Haas, president i Këshillit mbi Punët e Jashtme i tha Radios kombëtare amerikane se emërimi i Rex Tillersonit në detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit mund të jetë i suksesshëm nëqoftse rreth tij ai zgjedhë si bashkpuntorë të ngushtë, njerzë me përvojë në politikën e jashtëme. Ai shtoi se ekziston një ndryshim i madh midis një personi që njeh botën, dhe një personi që nuk di shumë për përpilimin dhe zhvillimin e politikës së jashtme.
Është shumë vështirë të parashikohet se si do shkojnë punët në rastin e konfirmimit të Z. Tillerson në detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit nga ana e Senatit amerikan përball kritikave të deritanishme ndaj tij. Ashtu siç nuk është e qartë se si do veprojë në përgjithësi Administrata e re Donald Trump kur të fillojë nga detyra pas 20-janarit. Ashtu siç zhvilloi si kandidat për president, një fushatë krejtë ndryshe nga fushatat e mëparshme elektorale amerikane, Z. Trump ashtu pritet, për mirë ose për keq edhe të qeverisë -- ndryshe -- sidomos nëqoftse marrim parasyshë personat e emëruar deri tani në detyrat kyçe të kabinetit të tij të ardhëshëm, përfshirë edhe emërimin e Rex Tillerson-it për Sekretar Amerikan të Shtetit. Donald Trump ka paralajmëruar se si president ai do të jetë më pak i parashikueshëm, në krahasim me paraardhësit e tij, sidomos mbi mënyrën se si do veprojë në fushën e politikës së jashtme. A do të jetë ky një largim i dukshëm nga proceset dhe nga zhvillimi tradicional i politikës së jashtme amerikane? Masat dhe deklaratat e deritanishme të presidentit të ardhëshëm Trump e bëjnë të pamundur parshikimin, por shpresojmë që të drejtat e njeriut dhe vlerat morale të Shteteve të Bashkuara të vazhdojnë të jenë si gjithnjë pjesë e pandarë e politikës së jashtme amerikane anë e mbanë botës edhe në të ardhmen.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar