Skip to content

Fytyra e re e censurës së shtypit - Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit

02. 05. 2017 nga Frank Shkreli

Version i përshtatshëm për printim
Frank Shkreli

Çdo vit, 3 Maji shënon ditën kur mbarë bota kujton parimet themelore të lirisë së shtypit. Është gjithashtu një rast për të vlerësuar lirinë e shtypit në vende të ndryshme të botës. E caktuar si e tillë nga Kombet e Bashkuara, në këtë ditë, në mënyrë të veçantë, mbrohet media nga sulmet që i bëhen pavarësisë së shtypit, nga qeveri dhe grupe të ndryshme terroriste. Këtë ditë, kujtohen gjithashtu edhe gazetarët të cilët, anë e mbanë botës, kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Sipas një njoftimi të UNESCO-s, tema e këtij viti për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit është: “Mendjet kritike për kohëra kritika: Roli i medias në avancimin e shoqërive paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirse”, ndërkohë që thuhet se pjesëmarrësit në aktivitete të ndryshme botërore do të shqyrtojnë edhe sfidat me të cilat përballet media sot, përfshirë prirjet e vazhdueshme anë e mbanë botës për të sulmuar gazetarët kudo.

Ndërkaq, në këtë ditë kushtuar lirisë së shtypit në botë, sulmet kundër atyre që furnizojnë publikun me informacione si dhe censura e lajmeve anë e mbanë botës kanë arritur nivele të reja dhe komplekse, falë teknologjisë së re informative. Ky është vlerësimi i raportit vjetor të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve mbi lirinë e shtypit në botë. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, (KMG) me qendër në Nju Jork, është një ent i pavarur, jo fitim prurës që kujdeset për mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë. Raporti “Sulmet Kundër Shtypit: Fytyra e re e Censurës së Shtypit”, është një përmbledhje e gjithanshme mbi lirinë e shtypit anë e mbanë globit. Në raport, gazetarë dhe ekspertë të medias shqyrtojnë abuzimet e reja ndaj lirisë së medias dhe ekspozojnë vendet të cilat, pa asnjë ndëshkim, shkelin lirinë e shtypit. Përveç kësaj, në raportin e këtij viti të KMG-ës, ekspertë të ndryshëm ofrojnë zgjidhje të mundshme për këto abuzime, përfshirë këshilla se si të mënjanohet censura, si të garantohet siguria e gazetarëve dhe e burimeve të tyre, dhe ofron mënyra se si të luftohet pushteti kur kërkon të shuaj kritikat e shtypit me mënyra të ndryshme, me qëllim për të venë në dyshim edhe kredibilitetin e medias në përgjithësi.

Në raportin vjetor të KMG-ës -- i cili u shpërnda të martën, njëkohësisht, në Universitetin Oksford nga Instituti Reuters për Studimin e Gazetarisë në Angli dhe në Universitetin Kolumbia në Nju Jork -- thuhet se megjithë shpresat që ofron teknologjia e re informative, qeveritë, aktorë jo-qeveritarë dhe korporata të ndryshme në mbarë botën, po censurojnë masivisht përhapjen e lirë të informacionit duke përdorur taktika të ndërlikuara dhe tepër të sofistikuara. Raporti i vitit 2017, Sulmet ndaj Shtypit, me nën titull Fytyra e Re e Censurës, nënvijon një numër metodash që faktorë të ndryshëm, përdorin për të kontrolluar përhapjen e lirë të lajmeve dhe të informacionit, përfshirë trysnitë financiare ndaj gazetarëve si individë dhe ndaj botuesve të gazetave dhe agjencive të lajmeve si ente të tilla, duke përdorur njëkohsisht lloj lloj ligjesh, me qëllim për të shkurajuar kritikat ndaj qeverive dhe aktorëve jo-qeveritarë që mund të jenë bashkpunues me qeverinë.

Në raport përfshihen artikujt e nja 20-gazetarëve dhe ekspertëve të njohur botërorë, përfshirë gazetaren e njohur amerikane Christiane Amanpour, të cilët dokumentojnë ato që ata cilësojnë si fytyra të reja dhe alarmante të censurës, jo vetëm nga qeveritë por edhe nga aktorë dhe ente jo-qeveritare anë e mbanë botës. Christiane Amanpour paralajmëron edhe gazetarët amerikanë në lidhje me sigurinë dhe qëndrueshmërinë e lirisë së shtypit në vendin e tyre, ndërkohë që shkruan mbi rritjen e dukshme të sulmeve kundër gazetarëve, anë e mbanë botës.

Ndër ekspertët e lirisë së fjalës dhe të shtypit në botë që ka shkruar një artikull në Raportin Vjetor të (KMG-ës), të këtij viti mbi sulmet kundër lirisë së shtypit, është edhe David Kaye Reporteri i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e të Drejtës për Lirinë e Mendimit dhe të Shprehjes. Në kapacitetin e tij, si përfaqsues i organizatës botërore, u hedh një vështrim ligjeve dhe institucioneve që, sipas tij, po luftojnë në mbrojtje të lirisë së fjalës, në mbarë botën.

Duke njoftuar botimin e Raportit vjetor mbi lirinë e shtypit në botë, Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Joel Simon u shpreh se ai që e quajti si, “Mjedis jo-miqësor për gazetarët, shkaktuar nga retorika pas-zgjedhore e Donald Trump-it president, ka ngritur shqetësime në Shtetet e Bashkuara”, por shtoi se, “Gjendja e lirisë së shtypit në pjesën tjetër të botës është shumë, shumë më e keqe dhe tepër shqetësuese. Ndërsa kemi aq shumë informacion në dispozicionin tonë, mungesa e njohurisë dhe e lajmeve të vërteta mbi ato që po ndodhin në botë, sa vjen e shtohet për ditë, si rrjedhim i sulmeve të egëra e të dhunëshme kundër medias dhe si përfundim i përdorimit, nga qeveritë, të sistemeve të reja kontrolluese të informacionit dhe teknologjisë, me qëllim për të censuruar dhe për të përgjuar median dhe gazetarët.” Ai shtoi se, si rrjedhim, përpjekjet për të shtypur lirinë e medias në përgjithsi po bëhen më të ndërlikuara dhe më të përhapura se kurdoherë tjetër më parë.

Mendohej se teknologjitë e reja, siç është interneti global, platformat e ndryshme të medias shoqërore, telefonat e dorës me kamera e të tjera, do ta bënin të pamundur censurën nga ana e qeverive të ndryshme, por në vend të kësaj teknologjia modern e ka bërë censurën më të komplikuar dhe shumë më të sofistikuar, duke i dhënë censurës së shtypit një fytyrë të re. Sipas KMG-ës, këto strategji të reja të censurës teknologjike kanë kontribuar dukshëm në rritjen e numrit të gazetarëve të vrarë dhe të burgosur anë e mbanë botë, duke llogaritur se në fund të vitit që kaloi kishte shënuar 259 gazetarë të burgosur, që thuhet se është numri më i madh i gazetarëve të burgosur që është dokumentuar ndonjëherë nga kjo organizatë. Përveç qeverive autoritare që përdorin teknologjinë e re për të censuruar shtypin, janë edhe forcat e dhunës dhe ato terroriste – përfshirë militantët islamik e deri tek grupe kriminale të drogave – të cilat po përdorin tenologjinë e re të informacionit për të anashkalur median e rregullt dhe për të komunikuar drejtë për drejtë me publikun. Në të vërtetë, teknologjia e re, përveç anës negative të censurës ka edhe anën pozitive.
Teknologjia e re e informimit sfidon gjithashtu edhe qeveritë autoritare anë e mbanë botës, të cilat janë përpjekur, në të kaluarën, që të kontrollojnë përhapjen e lajmeve publikut, nepërmjet kontrollit të drejtë për drejtë të medias. Çdo njëri me telefon dore mund të shërbejë si gazetarë dhe si të tillë janë shumë dhe e bën të vështirë arrestimin e të gjithë atyre nga qeveritë autoritare, thotë enti për mbrojtjen e gazetarëve, KMG.

Cila do qoftë fytyra e re e censurës në ditën botërore të lirisë së shtypit këtë vit në indeksin e saj vjetor për 2017, organizata mbështetse e medias së lirë, “Gazetarët Pa Kufij”, konstaton se vitin e fundit është rritur dukshëm numri i vendeve ku gjëndja e lirisë së shtypit është përkeqësuar jashtzakonisht shumë. Harta që tregon lirinë e shtypit anë e mbanë botës po bëhet gjithnjë e më e zezë thotë ky ent ndërkombëtar për mbrojtjen e fjalës së lirë.

Ndërkaq, edhe organizata Freedom House, sipas raportit të saj mbi lirinë e medias në botë njoftoi gjithashtu disa ditë më parë, se vjen në të njëjtin përfundim se liria e medies anë e mbanë botës ka rënë në pikën më të ultë në 13 vitet e fundit për shkak të kërcënimeve të pashembullta ndaj gazetarëve dhe organizatave mediale, ndërhyrjeve të shtuara të vendeve autoritare dhe veprimeve të Rusisë dhe Kinës për të rritur ndikimin e tyre përtej kufijve të vet.

Në raportin e Freedom House, thuhet mëtej se vetëm 13 për qind e popullatës në botë gëzon medien e lirë, që do të thotë në vende ku përkatësisht ekziston një mjedis ku mbulimi i lajmeve politike është i fuqishëm, siguria e gazetarëve është e garantuar, ndërhyrja e shtetit është minimale dhe shtypi nuk është subjekt i presioneve të rënda ligjore dhe ekonomike. Në raportin e Freedom House theksohet se 42% e popullësisë në botë gëzon një medie me liri të pjesshme, ndërkohë që 45% e popullësisë botërore jeton në vende pa liri të shtypit. Shqipëria dhe Kosova, fatkeqsisht mbeten ende në radhët e vendeve me liri të pjesshme të lirisë së shtypit.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar