Skip to content

Greqia te çështja çame, shkel Konventat

29. 05. 2009 nga Isuf B.Bajrami

Version i përshtatshëm për printim

Në kohën e sotme përveç Serbisë, edhe Greqia është shteti në Evropë, që shkel në mënyrë flagrante disa nga konventat kryesore, mbi të cilat mbështetet rendi i ri ndërkombëtar. Këtë shkelje të përbindshme më shumë e ndien popullsia mbi 200.000-she shqiptare, e dëbuar me dhunë e gjenocid nga trojet e veta etnike në Çamëri.

Para 60 vjetësh, forcat më të errëta të nacionalizmit grek, të nxitura nga qeveria e tyre dhe të drejtuara nga kriminelët e luftës, gjeneralët Zerva e Plastira, bënë spastrimin etnik të Çamërisë nga pjesa e popullsisë shqiptare. Në këtë veprimtari kriminale, rol aktiv ka luajtur edhe kisha greke bizantine me krerët bashkëpunëtorë të nazifashistëve, Spiridhoni e Dhorotheu.
Pastrimi etnik në Çamëri kishte filluar qysh në vitin 1913 dhe ishte shoqëruar me vrasje masive, ku vetëm në vendin e quajtur Përroi i Selanit u masakruan 72 krerë, intelektualë dhe personalitete të grupit etnik shqiptar në Greqi.
Gjatë një periudhe 30-vjeçare, çamët e pambrojtur iu nënshtruan të ashtuquajturës reformë agrare, ku iu grabit toka dhe iu shpërnda kolonëve grekë, të sjellë nga Azia e Vogël në vitet ’20, iu mohua e drejta e shkollës në gjuhën amtare e deri tek e drejta e votës dhe jeta u katandis në skajet e padurimit.
Para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore, çamët u paragjykuan dhe u internuan në ishujt e Egjeut, etj. Atyre që u thirrën në ushtri, iu dhanë kazma e lopata, duke i trajtuar si robër lufte. Megjithatë, gjatë luftës çamët dhanë një kontribut të çmuar me pjesëmarrjen e tyre në batalionet ”Çamëria” e “Ali Demi”, ku morën pjesë mbi 1000 luftëtarë, krahas formacioneve çlirimtare greke e në përbërje të tyre, fakte këto të vërtetuara qartë me dokumente e libra të shkruara nga vetë autorët grekë të të dy krahëve politikë, si dhe nga misionet ushtarake aleate (Jani Sharra, Niko Zhangu, Mihal Miridhaqi, C.M.Uoodhouse etj).
Por, të gjitha sakrificat e kësaj popullsie në Luftën Çlirimtare u mohuan nga autoritetet greke në fund të Luftës dhe vazhdojnë të mohohen deri në ditët e sotme.
Për këtë në mënyrë absurde, shteti grek mban “de jure” në fuqi Ligjin e Luftës Nr. 2636/1940 si dhe ligjet, pjella të tij, 4506/1966 e 1664/1998.
Në kohën kur është dekretuar Ligji i Luftës me Shqipërinë, çamët ishin shtetas grekë dhe ky ligj s’kishte të bënte fare me ta. Ai mbahet sot si gozhda e Nastradinit dhe për të dëshmuar para botës së qytetëruar se si Greqia shkel konventat ndërkombëtare, të nënshkruara nga vetë ajo.

Greqia vazhdon të shkelë sot “Konventën mbi Mosparashkrimin e Krimeve të Luftës dhe Krimeve Kundër Njerëzimit”, hyrë në fuqi më 11 nëntor 1970.
Kjo Konventë rikujton rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, datë 13 shkurt 1946 dhe 31 tetor 1947, në lidhje me ekstradimin dhe ndëshkimin e kriminelëve të luftës dhe Rezolutën 95 të 11 dhjetorit 1946, që konfirmon parimet e së Drejtës Ndërkombëtare, të njohura nga Statuti i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut dhe nga vendimi i atij gjyqi, si dhe Rezolutat e dhjetorit 1966, nëpërmjet të cilave Asambleja e Përgjithshme ka dënuar shprehimisht si krime ndaj njerëzimit shkeljen e të drejtave ekonomike dhe politike të popullsive autoktone, siç është popullsia e martirizuar e Çamërisë, ku pjesës myslimane iu grabitën pronat, kurse popullsisë së krishtere i mohohet sot identiteti kombëtar, shkolla dhe gjuha amtare.
Në neni 1 të kësaj Konvente, theksohet se:”... krimet e luftës janë të pa parashkrueshme, cilado qoftë data kur janë kryer”.
Gjithashtu, në pikën b të nenit 1, dënohen pa kufi kohor: “Dëbimi nëpërmjet një sulmi të armatosur ose pushtimit dhe aktet çnjerëzore …, si dhe krimi i gjenocidit, ashtu siç është përcaktuar në Konventën e 1948, për parandalimin dhe ndjekjen e krimit të gjenocidit, qoftë dhe kur këto akte nuk përbëjnë shkelje të së drejtës së brendshme të vendit ku janë kryer”.
Për cilindo nga krimet e kryera në Çamëri, dispozitat e kësaj konventa kërkojnë të vihen në zbatim edhe “ndaj përfaqësuesve të autoritetit të shtetit që tolerojnë kryerjen e tij”, theksohet në nenin 2, pra edhe qeveria aktuale ka përgjegjësi për çfarëdo qëndrimi zvarritës në dhënien e të drejtave të mohuara popullsisë çame në ditët e sotme.
Në nenin 4, Konventa e detyron Greqinë “të marrë të gjitha masat legjislative e të tjera që do të jenë të nevojshme, për të siguruar mosparashkrimin e krimeve të përmendura në nenet 1 dhe 2 …, si për sa u përket ndjekjeve, ashtu edhe për sa i përket dënimit, atje ku mund të ekzistojë një parashkrim, me ligj apo me një mënyrë tjetër, ai do të hiqet”.
Në kundërshtim të plotë me Konventën e Mosparashkrimit të Krimeve të Luftës, shteti grek nuk ka nënshkruar edhe Protokollin Nr.4 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo është bërë qëllimisht për të mbajtur të pushtuar Çamërinë, në kuadrin e strategjisë greke të “Megali Idesë”, të parit traktat nacionalist antinjerëzor në historinë e Evropës. Në pikën 1 të nenit 3 të këtij protokolli, theksohet: “Askush nuk mund të dëbohet me anë të një mase individuale ose kolektive nga territori i Shtetit, shtetas i të cilit ai është” dhe në pikën 2 të të njëjtit nen nënvizohet: “Askujt nuk mund t’i hiqet e drejta për të hyrë në territorin e Shtetit, shtetas i të cilit ai është”.
Nga ana tjetër, Greqia si anëtare e Këshillit të Evropës e ka ratifikuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut e, megjithatë, ajo vazhdon të shkelë të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, duke i akuzuar pa të drejtë si bashkëpunëtorë të nazifashizmit.
Në pikën 2 të nenit 6 të kësaj Konvente thuhet: “Çdo person i akuzuar për një shkelje të ligjit, prezantohet i pafajshëm deri sa fajësia e tij të provohet ligjërisht”.
Në fakt, pafajësia e çamëve është provuar ligjërisht nga Gjykata e Diktimit të Janinës, në shkresën me numër protokolli 1837, datë 29 shtator 1976, dërguar Ministrisë së Rendit Publik, Drejtorisë së Shërbimeve Kriminale në Athinë.
Pra, ka ardhur koha që pas këtij spastrimi etnik me dhunë të Çamërisë, Greqia të kërkojë falje publike për 2900 viktimat e pafajshme të masakruara, për 40.000 vetët e dëbuar me dhunë, për 68 fshatrat e qytetet e grabitura e të djegura, të gjitha objektet e kultit të rrënuara dhe 60 vjet shfrytëzim të padrejtë të pasurive të tyre. Të marrë të gjitha masat për të siguruar kthimin e çamëve në vendin e tyre në Çamëri, me dinjitet, sipas të gjitha Konventave Ndërkombëtare që ajo vetë i ka ratifikuar.
Shteti shqiptar, krahas punës me fqinjët jugor, të vërë në dijeni OKB-në dhe gjithë organizmat e interesuara evropiane dhe amerikanë, se si “i zbaton” Greqia konventat dhe kartat ndërkombëtare.

Gjilan; 28.05.2009

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar