Skip to content

Trioja Berisha-Rama-Nano - ''Gogoli Rama''

04. 06. 2009 nga Astrit Vorpsi

Version i përshtatshëm për printim

Qyshkur Rama u çfaq nëpër rrugët e Tiranës mbas kthimit nga Parisi, gjumi i Saliut njeh një çrregullim deri në prishje totale. Trajektorja që e pasqyron këtë ecuri të pagjumësisë së Berishës është një vektor që niset nga zero në një kënd 45 gradë me përparim të pandërprerë ngjitës i pasqyruar më së miri nga rritja e thirrjeve ngjirëse, sharjeve të tij në adresë të Ramës.

Në fillim e morën ardhjen e Ramës si ajo pudra që merret në fytyrë lehtë lehtë për të mbushur vijëzat e moshës së rritur të PS-së në kuadër të kozmetikës kujdesmadhe.

Kjo vendosje e Ramës në kabinetin e qeverisë socialiste fillimisht kishte nuanca shpotitëse nga Fatosi ndaj Saliut dhe ky ishte prapamendimi i Nanos si sfidë ndaj kundërshtarit të tij. Shkrimet e mëparshme publicistike të ramës e kishin turbulluar nga pak Berishën kur ishte president. Rama nuk kishte ndonjë funksion zyrtar në shtet dhe trajtohej si zog i lire, por konstatimet e tij për lidershipin Berisha ishin tepër të sakta, hapëse sysh për masën e zgjedhësve shqiptarë. Kontakte institucionale me qarqet diplomatike nuk kishte dhe konstatimet dërrmuese karakteriale që jepte në shkrimet për presidentin Berisha influenconin në vetëdijet e njerëzve që i lexonin si ai uji i ftohët në fytyrën e një të sapozgjuari nga gjumi i thellë.

Në këtë periudhë shkrimesh që zgjonin ndërgjegjen e njerëzve Berisha mendoi t’i jepte një mësim këtij rrebeli që me kritikat e tij në shtyp i zbehte shkëlqimin prijësit të demokracisë. Një rrahje vënçe nga trimat e Berishës dhe Rama përfundoi në spital.Nga burime shumë konfidenciale mësohet se kirurgu që po merrej me Ramën i thotë më pas kur gjëndja u përmirësua: “ Kockat e kafkës duhet t’i kesh shumë të forta, si koracë metalike, se me ato goditje që ke pësuar ti do ishe harruar nga kjo botë”. Ndërsa komisari i policisë që i shkoi Ramës gjatë proçesit të kqyrjes dhe investigimit i deklaroi: “E shikon sa e butë është demokracia e Berishës, se po të ishte koha e Enverit do të të kishin zhdukur me një plumb prapa qafe”.

Nano mori Ramën si me gjysëm shaka pranë ambjentit të tij qeverisës, megjithëse simptomat e një qëndrimi origjinal në shoqëri dhe thyes kornizash të vjetëruara Rama i kish dhënë me kohë. Në fillim Nano nuk ka shpresuar seriozisht në mbarështimin e reputacionit të Ramës. Nuk e priste që të ishte kaq këmbëngulës dhe punë bitisur në qëllimin e tij për të materializuar me vepra ato që kish thënë e vazhdonte të projektonte me fjalë në rritje e sipër. E maste Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij me kutin e stilit të punëve që ndiqte vet – lagu sot e rruhu mot. Në caktimin e Ramës si Ministër kulture dhe zgjedhjen e tij më pas si kryetar bashkie i Tiranës, Nano mendoi se do e kishte Ramën ogiçin e tij në performancën e frymës së re reformuese që donte të tregonte në sytë e popullit.

Berisha në opozitë shikonte që po ngrihej ylli i Ramës jo vetëm në hapsirën e majtë, por po fillonte të bënte për vete edhe ata të djathtë që u besonin veprave dhe jo fjalëve. Nga ky moment e kuptoi mirë, prirja e tij pushtet mbajtëse me thonj e me dhëmbë nuk e gënjeu, e bindi se tani e tutje do kishte të bënte me vetëm një kundërshtar të denjë për t’u ndeshur. Këtu fillon dhe vazhdon drama e tmerrit deri në marrëzi që Edi Rama i shkakton Sali Berishës. Jo vetëm Berishën nuk e zë gjumi prej merakut Rama, por edhe kur i drobitur endet në ndonjë orë gjumë i çfaqet në ëndërr Rama dhe Gërdeci. Kaq është sëmurur nga sindroma Rama sa edhe bashkëpuntorët e tij më të afërt janë infektuar në atë masë sa gdhihen e ngrysen duke belbëzuar emrin e kryebashkiakut nën efektin e gogolit Rama. Nuk duan t’ja dinë për të tjerët në PS, i vetmi që ua ha shpirtin me produktivitetin e punëve është Rama dhe këtë fakt tronditës e manifestojnë me efekt të kundërt dëmtues ndaj vetes.

Sikur Berisha të merrej më pak me Ramën, sikur t’a shante më pak, t’a përmendëte më pak përpara mediave, sikur t’a sillte më pak në mendjet e njerzve, me bindje them se do i kishte sjellë më shumë shërbim elektoral vetes. Nuk dyshoj se ndonjë sinjal këshillues i tillë mund t’i ketë shkuar por, a mund të mendohet nga aq sa na kanë parë sytë se dikush tjetër mund të mendojë dhe zgjidh më drejtë problemet sesa Doktori i PD-së!.

Tempin luftënxitës e vëllavrasës të fjalimeve nuk do e kishte, do ishte më njerëzor dhe do ishte më unifikues në veprimet e tij për gjithë shqiptarët, ndryshe nga sa duket dhe vepron realisht, me pasoja të ndjeshme ndarjeje - o ji me mua, përndryshe je armiku im. Mungesën e rezultateve reale të punës Berisha me të gjithë arsenaline tij fizik, mendor e financiar, mundohet ta kompensojë me metodën - sulmi është mbrojtja më e mirë. Ka shkuar deri në atë nivel sa nuk dallon dot më kufijtë e limiteve njerëzore. Kur punët Berishës i shkojnë kaq mbarë sa thotë nëpër mitingje e mbledhje qeverie atëhere, faktet kokëforta flasin vet shumë më tepër sesa fjalët autolavdëruese, thonë njerzit në biseda me njeri tjetrin.

Po të merrej më pak me Ramën do u tregonte simpatizantëve të tij dhe popullit se, në krye të ekzekutivit më shumë preokupim ka për zbatimin realisht të programit e premtimeve të artikuluara gjatë fushatës së mëparshme sesa çfaqjen e papërmbajtëshme të simptomave të sindromës “gogol” Rama.

Në raport me Ramën veçanërisht Berisha e pastaj edhe Nanua, vuajnë një maraz të pakorigjueshëm. Berisha sekretar organizate i regjur dhe Nanua burokrat partie i thekur ndihen jashtëzakonisht keq përpara Ramës që, nuk e ka këtë “privilegj” të djeshëm të diktaturës dhe sot ves të shpifur të kohës demokratike. Thellë me shpirt heq Berisha dhe çfarë nuk do jepte që t’a fshinte nga kujtesa popullore këtë fakt. Zemrën copë ia bëri korespondentja e BBC-së gjatë intervistës në Londër kur e pyeste: A keni qënë komunist, sekretar partie, zoti kryeministër? Dhe Berisha zemërplasur, fytyrë dalet boje i përsëriste tre herë të njëjtën përgjigje, jo, jo, jo, no, no, no..

Berisha dhe Nano në krye të dy partive rivale ishin dy degët e forta me të cilat Ramizi krijoi bigaçen e pluralizmit politik shqiptar. Tek grushti i Alisë bashkimi komunist i dy degëzimeve shtrëngohej fort si një trup i vetëm. Edhe kur Saliu ishte në kulmin e lumturisë presidenciale, kishte momentet e rrëzimit dëshpërues prej përmendjes në biografinë e tij të qënit sekretar komunist.

Mbasi filluan të qartësohen njerzit filluan të flasin shumë në muajt dhe vitet e para pas 90-s mbi pardesytë e bardha që u çfaqën dhe uzurpuan lëvizjen demokratike. Berisha ishte një nga ata i cili i dërguar me detyrë partie ishte i detyruar që të zbatonte programin me skemat e koduara. Këto skema mbartnin mesazhet e drejtuesve të djeshëm të diktaturës Alia-Hoxha dhe eminences gri, profesor Lazrit, që i merrte dhe përcillte sipas nevojave që diktonte Qëndra sllavo bolshevike.

Midis kujtimeve të së kaluarës dhe shpresave të së ardhmes janë për t’u zbatuar detyrat e kohës së tashme.

Të gjithë e kujtojnë momentin e mbledhjes në ditët e para të lëvizjes demokratike ku ndërhyrja denoncuese e Ramës ndaj Berishës për qëndrimin e mbajtur nga Berisha mbi figurën e Alisë u shoqërua me ndërhyrjen e Pashkos dhe largimin e Ramës nga mbledhja.

Këtu është arsyeja tjetër e madhe që jo vetëm Berisha është i obsesuar nga Rama por edhe Nanua gjithashtu. Megjithëse tentojnë më kot që të përgojojnë Ramën me qënien fëmij komunisti, shfryjnë mundueshëm, dalldisin që nuk janë edhe vet në situatën e Ramës. Prandaj Berisha e shikon të afërt, të manipulueshëm, të nënkuptueshëm, fleksibël Fatos Nanon dhe si pasojë allishverishet nëpër vitet demokratike në kurriz të demokracisë nuk u kanë munguar.

Madje Berisha i plotësoi Nanos edhe kërkesën e punësimit të Rexhinës, ish gruas së tij, në ambasadën e një vendi kryesor perëndimor. Pavarësisht se e papërgatitur Rexhina për detyrën e sekretares së ambasadës në Paris, e rëndësishme për Berishën është ruajtja e raporteve të dhënie marrjeve reciproke me “kundërshtarin” e tij Nanon. Berisha i zbrazi të gjitha bateritë kundër Nanos në publik, por në prapaskenë u muar vesh mirë me atë që do bënin rotacion pushteti vetëm brenda rrethit Nano- Berisha.

Njerzit e zakonshëm vonë filluan të kuptojnë funksionimin e “telefonit të kuq” midis Berishës dhe Nanos në raste kërcënimesh të pushtetit të njerit dhe tjetrit.

Ua prishi planet dhe gjumin Rama. Nanua ishte për Berishën jastëku i butë politik ku Saliu mbështeste kokën dhe gjente qetësi sa herë tallazet politike tërboheshin në disfavor të tij. Kurse Rama për Berishën është ai trungu i pemës që vet Berisha nuk do të rikujtoj nga koha e gjumit fëminor në kullën e largët në Veri..

Ata që e kanë ndjekur rritjen e Ramës dhe thyerjen e kornizave burokratike të mënyrës sipas së cilës drejtonte Nanua, nuk mund të mos e kenë vënë re një taktikë djallëzore që filloi të përdorte Nanua kur ndjeu se po i rrëshkiste dheu me shumicë rëre mbi të cilin kish vendosur këmbët në PS. Për të denigruar Ramën, Nanua ndoqi rrugën e njohur mirë prej tij të përpunimit të opinionit me taktikën që përdorte shtëpia misterioze pranë Postës në Tiranë. Filluan të qarkullojnë fjalët se Edi çalon në punën në ekip, nuk dëgjon dhe nuk pranon këshilla. Është i vështirë në komunikim me njerzit dhe sidomos kohët e fundit është e pamundur që të arrish t’a takosh. Këtë opinion e mbështet jo vetëm Nanua por e pasuron me fjalë të tjera rrugaçësh akoma më shumë Saliu.

Parafytyroni për një çast sikur rritjet dyshifrore të ekonomisë të shoqëroheshin edhe me dekorata nga organizatat botërore për kryeministrin e vendit përkatës. Por ç’e do nuk bëjnë rrufjanët europianë e amerikanë gara kryeministrash, por vetëm për kryetarët e bashkive. Dëshpërim deri në torturë fizike ndjen Berisha kur forume serioze e zgjedhin Ramën si kryebashkiakun e vitit. Pa zhurmë shkon dhe vjen Rama nëpër këto vlerësime ndërkombëtare si ai njeriu i përgjegjshëm që ikën në mëngjes në punë e i kthehet familjes në mbrëmje me dinjitetin e punëmbaruarit. Kur u arrit të pastrohej qëndra e Tiranës nga fëlliqësirat e kohës së Sali Kelmendit dhe Albert Brojkës filloi të ngjallej shpresa te Tiranasit në fillim e më tej nëpër qytetet e tjera të vendit duke marrë shembull Kryebashkiakun Rama. Kryetarët e bashkive nga qytete të tjera filluan të vizitojnë më shpesh bashkinë e Tiranës për t’u njohur më nga afër me mënyrën e punës së stafit Tiranas. Nuk munguan zërat nga populli që sugjeronin dërgimin e Ramës një muaj nëpër bashkitë e qyteteve kryesore si përcjellës i atij transformimi që bëri në kryeqytet. Gjithë këto rezultate nëpër vite nuk mund të bëhen vetëm nga një njeri. Në sajë të bashkëpunimit me stafin e bashkisë, dëgjimit të sugjerimeve të specialistëve, tërheqja e mendimit të përparuar nëpërmjet konkurseve me arkitektë të vendit e të huaj, etj, e shpunë punën e bashkisë së Tiranës drejt një rritjeje që verbon Berishën dhe injoron propagandën nanoiste për Ramën si i pakomunikueshëm, me sjellje autoritariste. Koha më tej do tregojë se sa konseguent do jetë Rama në këtë frymë bashkëpunimi dhe absorbimi këshillash e sugjerimesh që do i vijnë nga njerëz të ditur që e duan Shqipërinë. Këtu kam parasysh edhe debatin e fundit me vërejtjet e rrepta që historiani Frashëri adresonte në drejtim të socialistes Ledi Shamku. Nuk mund të abuzohet me qënien i/e re në moshë në dëm të të vërtetave historike dhe saktësisë shkencore me pretendimin se të gjithë të vjetrit janë të molepsur nga komunizmi.

Dihet tashmë se sjellja autoritariste me rrëshkitje drejt diktatorit të shpie në shpërfillje të këshillave të të tjerëve që të rrethojnë. Në Tiranë me bindje të thonë se Saliu ka pranë një ekip këshilltarësh të cilët i paguan që të dëgjojnë natë e ditë këshillat që duhet të marrin ata si këshilltarë nga i pagabuari kryetar i PD-së dhe i Qeverisë. Kjo frymë diktatoriale në ambjentin qeverisës ua ka futur panikun bashkëpunëtorëve të tij deri në atë masë sa askush nuk guxon që t’i parashtroj një informacion real, të vërtetë nga terreni dhe diplomacia.

Besoj se me situatën e ngatërruar keq në familje mundet që edhe vajza e tij të mos e gëzojë më atë afinitet konsultues e imponues që kishte më parë te i ati. Nuk bëjmë fjalë për Lirinë se ajo edhe faktin që vitin e fundit para Gërdecit e motra ishte martuar, nuk ia kishte bërë të ditur burrit të saj. Kështu Berisha nuk e dinte se egzistonte Gërdec, nuk e dinte se baxhanaku i tij na ishte punësuar në punishten e Gërdecit dhe kur lexonte emrat e viktimave para kamerave të vetmin që ngatërroi ishte emri i të ndjerit baxhanak.

Njësoj si me atë këshilltarin ushtarak gjerman në Moskë në kohën e Hitlerit. Ndërsa ai shtonte numrin e informative mbi përgatitijen e fuqishme ushtarake që po bënte BRSS-ja, me të njëjtin intensitet rritej marazi i Hitlerit. Ndërsa makina propagandistike përpunonte plotfuqishmërinë e Gjermanisë, Fyhreri nuk mund të përballonte dot psikologjikisht të kundërtën. Prandaj e mori dhe e degëdisi atasheun fatkeq nëpër repartet më të largëta, ndërkohë që atasheu i ri në Moskë ia bënte situatën behar. Kur madhështia e diktatorit u shkërmoq brenda një kohe të shkurtër para rusëve atëhere e mori atasheun dhe e pushkatoi.

Pirueta e Zogajt natën e listave dhe rrudhosja e Mustafajt nga prapësitë e tij me Berishën reflektojnë pasojat autoritariste dhe diktatoriale të Shefit të tyre. Për sa kohë që, behar ia bënin Berishës motin politik ishin shumë pranë atij, tani që filluan t’i tregojnë me gisht retë në qiellin politik, duke dashur që të hapin çadrën për t’u mbrojtur, nuk vonoi grushti shkatërrues berishian. E njëjta skemë, të njëjtat skena me bashkëpunëtorët e afërt të Enverit. Nuk mund të shkëputësh nga vetja në moshë madhore diçka shpirtërore të ushqyer që në moshë të vogël. Tentativat për t’a bërë këtë gjë, për t’u shtirur ai që s’je, të deformojnë sjelljen, të vegullojnë vështrimin real të gjërave, të sëmurin, si në rastin e Berishës me Gogolin Rama.

Autori

Komente

i kujt eshte ky shkrim?

16. 06. 2009 nga Anonim, 8 vjet 5 javë para
Koment id: 102

Ky shkrim ekzison edhe ne faqen www.neneshqiperi.com. me autor Edmond Petraj, ndersa ketu ka autor Astrit Vorpsin.
Mund te na sqaroni i kujt eshte ky shkrim?

Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar