Skip to content

Zgjedhjet me çertifikata!

07. 06. 2009 nga Artan Mullaj

Version i përshtatshëm për printim

Ekstaza dhe çjerjet ne mitingjet artificiale me njerëz të detyruar që mblidhen për të dëgjuar prapësitë e rradhës, nuk mund të mbulojnë dhe anashkalojnë faktin se mijëra votues që ende nuk kanë aplikuar për kartat e identitetit, mbas pak ditësh nuk do të kenë të drejtën e votës më 28 Qershor. Megjithë “perpjekjen” e fortë të shtetit të Sali Berishës.. i cili na ka lënë të kuptojmë se ky process do të ishte njëlloj madhështor sa rruga e Kuksit dhe njëlloj i rëndësishëm sa fluturimet në Hënë të njeriut, mund të supozohet me deshpërim dhe zhgenjim se aventura e euforisë papagalle të qeverisë dështoi.

Për të gjithë ne është e qartë se kufiri i ndryshimit të premtuar është i paqartë, për aq kohe sa “papërgjegjshmëria” e qeverisë rezultoi më e sigurtë se pushimet e premtuara verore.. Edhe njëherë, drama njerëzore vazhdon ne mes të batakut dhe pisave që bëjnë politikë dhe elektoralitet në këtë vend.. Cfarë po ndodh? Me gjithë furinë e vrazhdë të imazheve rutinë që përcjellin shumica e politikanëve me premtime të përsëritura, me mashtrime të përsëritura, në fjalime të përsëritura, për të gjithë është e qartë se shqiptarët nuk do te jenë të gjithë të pajisur me kartat legjendë të identitetit, para votimeve.. Karta nuk ka për të gjithë, dhe sot, qeveritarët tanë, jo drejt Hënës, por brenda brekëve të tyre me zor sa lëvizin e vërtiten me poshtërsinë lakuriq të mashtrimit, ndërsa i kanë vjedhur qytetarëve të drejtën për të votuar. Në këtë mënyrë, ky pushtet, (ky brumim i të keqes), ky autoritet agresiv dhe kjo hajdutëri primitive, sot, në mes të ditës, në mes të vapës, në mes të zhvillimit, në mes të vlerave, ne mes të perëndimit de në prag të një demokracie të premtuar, i ka mohuar njerëzve të drejtën e votës..

Nuk ka justifikim për këtë! Nuk ka as moral! Proverbat se kjo gjë, që quhet qeveri dhe është zgjedhur të udhëheqë te ne, është e papërgjegjshme dhe e paaftë, janë dhjamë mbi mish! Kjo qeveri është në fakt më e aftë nga cështë natyrisht dhe cmendurisht e nevojshme! Dhe është njëlloj e përgjegjshme në aksionin e vështirë për të shitur hajdutërinë si lavdi edhe vlerë.. Sali Berisha ka zënë një kallo të fortë gjithë këta vjet në aventurën e manipulimeve, që si peshku i kuq në akuarium, rrëshqet nga cdo situatë…e vështirë.

Nuk ka justifikim për këtë dhe nuk ka shërbim më të mirë që i bëhet korrupsionit potencial të Berishës me akuzën për paaftësi dhe papërgjegjshmëri.. Sepse kjo administratë është e paparë dhë e suksesshme në gjenerimin e virtualiteteve dhe iluzioneve.. Pa mendoni, kjo qeveri e veprave gjigande dhe e sukseseve të mëdha, të jetë e paaftë të realizojë një process rutinë pajisje me karta identiteti? Cparadoks i mjerë për optimistët naivë.. A është e mundur që ky process rutinë për një adminstratë të talentuar, spektakolare dhe të specializuar të bëjë edhe vjedhjët më të vështira, të lihej pas dorë muajt e fundit, ndërsa thuhej e thuhet se me to do të fillonte një kualitet i ri demokracie dhe nje shprese e re për të mbyllur tranzicionin e gjatë? Sigurisht që jo! Administrata e shquar për fantazi ekstreme në strategjitë kombëtare të vjedhjes shtetërorë dhe korrupsionit shtetëror, sidomos e shquar në manipulimin e realiteteve edhe kur bomba ju plas në dorë, ajo që prodhoi Gërdecin dhe manipuloi Gerdecin, ajo që ndërtoi rrugën patriotike dhe vodhi rrugën patriotike, ajo që mirëpriti Fazllicin dhe mbrojti Fazllicin, e kish shumë më të lehtë nga cështë shkrimi I një letre dashurie, realizimin e një procesi rutinë për pajisjen rutinë me karta identiteti.. të shtetasve. Të thuash që kjo administratë ishte e paaftë dhe e papërgjegjshme për të realizuar këtë process, ndërsa kish katër vjet në dispozicion, (kish kohë të mjaftueshme të pajiste gjithë ballkanin me karta identiteti) është njëlloj të thuash që kryeministri nuk dinte gjë për Gërdecin, që Fazllici është miku ynë dashamirës, apo në Durrës Kukës janë kursyer profesionalisht qindarkat e fundit.

Mund të supozohet trishtueshëm se dështimi i procesit të kartave të identitetit pra nuk ishte paaftësi, as papërgjegjshmëri, dhe natyrisht as rastësi. Ishte një strategji e menduar mirë nga fantazistë dhe moderatorë demokratë shumë të aftë të krijojnë situata dhe perceptime në shërbim të pushteteve të pamerrituara.. Por, nga ana tjetër, gjithë ky realitet, i cili i ka lënë gojëhapur edhe njëherë ndërkombëtarët, për të mos thënë ka vrarë njëherë e mirë besimin e tyre, është gati të degjenerojë në një turp istitucional, si është shtyrja e zgjedhjeve në këtë rast.

Por kjo është parashikuar gjithashtu me sa duket nga regjizorët politikë të së ardhmes. Duket se disa nga ata e kanë kuptuar që shtyrja e zgjedhjeve vështirë të jetë i dobishëm për palët që pretendojnë të jenë në pushtet.. Liderët janë të lodhur, dhe elektoratet më shumë se ata, janë të zhgënjyer dhe zhgënjimi do të marrë një përmasë të re shpërfilljeje, nëse zgjedhjet shtyhen në vjeshtë.. Bastionet nuk janë gati për shtyrjen e zgjedhjeve. Atëhere minutat punojnë për Saliun dhe regjizoret dhe klanistët e tij.

Nëse nuk shtyhen për në vjeshtë, s’mbetet vecse një ndryshim rrufe i ligjit për zgjedhjet, i cili përvec pashaportave dhe kartave te identitetit, te lejojë qytetarët të votojne me dokumente të tjera, certifikatë, patentë, librezë ushtarake, tesër partie, etj..

Kjo histori con ujë në mullirin e Salës, patjetër!Duket se strategjia e demokratëve gjithsesi ka synuar në mënyrë fort dinake pikërisht këtë gjë:mbasi e kanë përjashtuar shtyrjen e zgjedhjeve, 10 për qind e votuesve që nuk morrën karta identiteti do të votojnë me certifikata.. Po të supozojmë se shumë e njohin talentin e manipulimit 18-vjecar me këto copa letre të politikës së mjerë të tranzicionit, kryeministrit do ti duhet të beje një arsyetim të ngjashëm me atë të një barcolete qe tregoi Agron Llakaj në “PORTOKALLINE” e fundit të këtij sezoni.

Pra në analogji, kryeministri do të thoshte:”Zgjedhjet e qershorit do të bëhen me karta identiteti ose me certifikata. Nëse bëhen me certifikata, mirë, por nëse bëhen me karta identiteti, ka dy mundësi. Të pajisen të gjithë ose të mos pajisen të gjithë. Nëse nuk pajisen të gjithë mirë, por nëse pajisen të gjithë ka dy mundësi. Fitoj unë ose fiton Rama. Nëse fitoj unë, mirë, por nëse fiton Rama ka dy mundësi: më dalin të palarat ose nuk më dalin të palarat. Nëse nuk më dalin të palarat, mirë, por nëse mi nxjerrin të palarat në shesh ka dy mundësi: ma fusin ose nuk ma fusin. Nëse nuk ma fusin mirë, por nëse ma fusin ka dy mundësi. Largohem nga vendi ose futem në burg për vjedhje e korupsion. Nëse largohem nga vendi mirë, por nëse më futin në burg…. Oh, më mirë të bëhen zgjedhjet me certifikata!”

Dhe me sa duket kështu do të ndodhë!Sali Berisha në fakt ja ka dalë të lerë edhe kësaj here topin e nxehtë të lojës së vështirë në duart e opozitës. Duket qartë se opozita është në dilemë. Rreth 10% e votuesve që me sa duket nuk do të mund të pajisen me karta identiteti, kanë edhe këta dy mundësi. Të mos votojnë, ose të votojnë më certifikata. Në të dy rastet Berisha del i fituar.. Për këdo që ka qënë në teren javët e fundit, ka qënë e kuptueshme seleksionimi barbar i votuesve në dhënien e kartave.. Dihet që, mobilizimit të fortë të opozitës, demokratët i janë kundërvënë jo me mobilizim të mirëfilltë por duke stimuluar dhënien e kartave sipas interesave te tyre. Dihet qe votuesve te majtë ju janë sjellë pengesa të mëdha nëpër zyra dhe shërbime, gjatë aplikimeve të tyre për kartat, dhe dihet gjithashtu që militantët e Berishës, përkundrazi, fshehtazi, të porositur nga lart, kanë lëvizur derë më derë nëpër shtëpitë e votuesve të djathtë për tju dhënë shpesh dorazi kuponat falas të regjistrimit.. Ajo që dua të them është se edhe pozita, edhe opozita e kanë të qartë se shumica e qytetarëve që nuk kanë aplikuar për kartë janë votues të majtë dhe janë në një përqindje të tillë që rrezikon potencialisht rezultatin e zgjedhjeve…

Opozita, e cila ka atmosferën e fitores në anën e saj, natyrisht duhet të jetë e shqetësuar për këtë situatë dhe është e shqetësuar realisht në deklaratat e shpeshta dhe presionet që bën për këtë situatë.. Duket se zgjidhja është në certifikatat, por kjo është si të luash me rrezikun.. Mbase dikush atje medon se vetëm në mes të rrezikut, lind mundësia.. Por, nëse këta shtetas vendoset të votojnë me certifikata, nuk është e qartë për askënd se sa I madh do të jetë rreziku, se sa do të jetë koeficienti i manipulimit të tyre nga klani i Berishës, i cili ka treguar zell të paparë për të mbajtur me cdo kusht, me cdo menyrë, me cdo kosto, pushtetin.. Opozita është përpara një vendimi të vështirë me përgjegjësi të madhe. Të rrezikojë, apo të shtyjë zgjedhjet në vjeshtë. Koha do ta tregojë. Por ajo nuk pret!..

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar