Skip to content

Për të parën herë në shkollë, 36 mijë nxënës

31. 08. 2009 nga Hajdin ISLAMI

Version i përshtatshëm për printim

Sa herë që vije shtatori, rrugët e fshatrave dhe të qyteteve të Kosovës, pas disa muajsh pushimi rifillojnë të jehojnë prapë nga zërat e qindra mijëra nxënësve. Gjithçka gjallërohet nga gëzimi i atyre që për herë të parë do të ulen në bankat shkollore.

Muajin shtator e bëjnë edhe më madhështor zërat e ëmbël të këtyre vogëlushëve që po hedhin hapat e parë të tyre drejtë shtigjeve të ndritura të diturisë. Njohja e parë me mësuesin, shokët e shoqet e klasës është kryefjalë e çdo bisede për këta fëmijë. Edhe shkolla duket më madhështore në shtator, sikur edhe ajo buzëqesh. E ardhmja e kombit dhe shtetit tonë është e ndritshme e këtë më së miri e dëshmon kumti (mesazhi) i popullit tonë liridashës për shkollën. Dita e parë në shkollë çdo njërit prej nesh i ka mbetur në kujtesë për shumë gjëra, por në kujtesë do tu mbetet edhe atyre që për të parën herë sivjet do të shijojnë qëndrimin në të. Mësimdhënësit anembanë Kosovës, si gjithmonë do të mundohen që nëpërmjet dijes së tyre t’i aftësojnë nxënësit me dituri në mënyrën më të mirë, pasi që shteti i ri i Kosovës i formuar me shumë mund dhe sakrifica nga shumë breza ka nevojë për njerëz të arsimuar. Fisnikëria dhe kontributi i mësimdhënësve shqiptarë por pa lënë anash edhe nxënësit gjatë rrugëtimit tonë për liri tregon se populli ynë ka qenë dhe është i përkushtuar për vlera të larta arsimore dhe edukative. Edhe sivjet nxënësit që nga klasa e parë e deri në të nëntën do t’i kenë tekstet shkollore falas, dhuratë nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Arsimit e Shkencës dhe Teknologjisë. Ky veprim i mençur e human i Qeverisë vlen të përshëndetet pasi kushtet e dobëta ekonomike dhe standardi i ulët jetësor u pamundëson familjeve që kanë disa fëmijë në shkollë që t’jua sigurojnë tekstet shkollore. Nxënësit dhe mësimdhënësit kosovarë që për disa vite kishin mësuar nëpër objekte të vjetra shkollore e që shumë herë rrezikoheshin nga shembjet e këtyre ndërtesave por edhe thumbimi i gjarpërinjve, sivjet do të kenë kushte shumë më të mira, pasi në këtë muaj shumë nxënës të fshatrave e qytete të vendit tonë do të kenë sa më afër shtëpive të tyre objekte moderne shkollore që pritet edhe të rrisin cilësinë në shkollat e Kosovës. Edhe këtë vit abetaret,mësimdhënësit dhe nxënësit janë të gatshëm për një fillim sa më të mbarë të vitit të ri shkollor 2009-2010, ku urimet më të sinqerta për suksese në mësime pothuajse do ta karakterizojnë ditën e parë në shkollat tona e gjitha kjo falë dashurisë prindërore të mësimdhënësve ndaj nxënësve të cilët do ta bëjnë shkollën edhe më atraktive. Mbetet synim i çdonjërit prej nesh që rritja e cilësisë në mësimdhënie dhe të nxënit ta përshkojnë këtë vit shkollor në të cilin sapo kemi hyrë. Që në shtetin e ri të Kosovës, të gjithë fëmijët të jenë në bankat shkollore dhe t’i gëzojnë të drejtat e tyre, institucionet së bashku me donatorët e ndryshëm, prindërit dhe mësimdhënësit kanë organizuar dhe po organizojnë fushata dhe aktivitete të ndryshme rreth zhdukjes së analfabetizmit dhe të braktisjes së shkollës nga disa nxënës.

(Autori është Prof dhe mësimdhënës nga Vushtrria)

Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar