Skip to content

Re(forma) dhe përsëri re(forma)

18. 09. 2009 nga Arjan Th. Kallço

Version i përshtatshëm për printim

Në katër vitet e fundit fjala e ditës ka qënë reforma, bile po ta votonim të gjithë në internet, dhe këtu gjuhëtarët do të kishin punë për të përcaktuar disa nga fjalët më të zakonshme të vitit, do të ishte fjala më e votuar. U fol për shumë reforma, për të thënë reforma se vetëm emrin mbajnë të tillë, por u harrua se reforma më e domosdoshme është në arsim. Është e ardhmja e kombit dhe për të duhet punuar shumë. Po për cilat reforma po flasim?
Nuk po flasim për reformat që “u realizuan” çdo vit dhe që kjo e këtij viti do të hyjnë në historinë e papërgjegjësisë së një grupi njerzish që e shpallën shkollën vendin e qejfit, duke legalizuar korrupsionin dhe duke vënë në plan të parë interesa elektorale.
A ka mundësi që kaluesit dhe pakauesit të shkojnë në universitete? Ky do të ishte kulmi menefregizmit shtetëror ndaj dijes, kulturës, për të mos thënë tallja me nxënësit që bëjnë përpjekje për të mësuar dhe marrë njohuri. E përsëri po flitet për reforma! Ka ende vend për reforma të tilla? Nuk do të mjaftonte përvoja e hidhur e këtyre viteve për të mos e shpërdoruar këtë fjalë?
Erdhi momenti që shteti të ndalet gjatë dhe të analizojë gjithë këtë regres në emër të tij, duke i lënë shteg formave më të paskrupullta të abuzimit.
Erdhi momenti që Ministrat të mendojë thellë për gabimet e bëra deri më tash dhe të marrin përgjegjësitë që u takojnë. Nuk mund të ecet më kështu se po lëmë nam edhe në botë. Me statistika do të kemi çdo student me diplomë dhe më pas realizojmë planin e 100% të pajisjes më diplomë të shqiptarëve. Ku po shkojmë?
Kjo po bën të mundur që edhe universitetet të marrin goditjen vendimtare përballë simotrave në Europë. Disnivelet janë marramendëse, pasi universiteteve tona u mungon pikërisht boshti që e bën atë elitar në shoqëri, statusi i tyre elitar: kërkimet dhe studimet shkencore. Por nuk po ndalem këtu, pasi do të shkruaj një artikull tjetër për universitetet.
Le t’i kthehemi shkollës dhe reformë e vërtetë do të ishte kur në Ministri të krijohej një Drejtori më vete, qoftë edhe teknike, që të merrte realisht fatet e arsimit shqiptar.
Reforma e vërtetë do të fillonte me futjen e konkursit për Drejtoritë rajonale të arsimit që për mendimin tim t’u hiqet përfundimisht e drejta e emërimit të mësuesve. E dimë që kemi në punë kaq mijë mësues, por se çfarë mësues kemi konkretisht askush nuk e di, përveç të gjithëve. Drejtoritë rajonale të merren vetëm me kontrollin dhe kualifikimin e mësuesve. Ky do të ishte hapi i parë i thënies ndal të emërimit në to të njerëzve partiakë dhe të pakualifikuar.
Ministria të organizojë konkurset dhe t’i administrojë vetë të gjitha proceset e tij, pasi kështu do të kishte një gjendje reale të problemeve arsimore. Kjo do të thotë që të miratohet shpejt një paketë e tillë që t’i japë fuqi ligjore fillimit të reformave të vërteta. Më pas kjo drejtori të hartojë një database për çdo mësues shqiptar dhe të plotësojë të gjitha detajet ose të delegojë tek vetë mësuesit plotësimin e dokumentacionit on line. Kjo e dyta do të ishte ndoshta një vetvrasje për vetë mësuesit nëse nuk do të plotësonin me vërtetësi dokumentacionin e tyre. Më pas me një kod do të mund të pasuronin CV sa herë që të kishte ndryshime. Kjo drejtori do të kishte nën kontroll gjithmonë emërimet e drejta dhe pa ndikime partiake dhe aq më keq abuzuese ndaj mësuesve që kanë dhënë shembuj të përkushtimit ndaj arsimit dhe profesionit të tyre fisnik. Një reformë e tillë do të hapte horizonte për të krijuar për arsimin atë dinjitet që në këto dy dhjetëvjeçarë u nëpërkëmb.
Italia e bëri të ditur përfundimisht që nga viti i ardhshëm shqiptarët do të hyjnë në territorin italian pa viza. Hapi më i madh dhe mw i guximshwm i marrë ndonjëherë nga një vend perëndimor. Gjitoni e ka derën gjithmonë më afër për çdo rast, prandaj Shqipëria duhet të tregojë mirënjiohjen e vet ndaj këtij hapi kolosal për shqiptarët.
Edhe për mësuesit që ende nuk e kanë pasur fatin të shkojnë në Itali, do të hapej një derë e madhe e kulturës italiane, por edhe botërore për të parë, mësuar, pse jo dhe për të këmbyer përvojë. Komuniteti europian ka një marrëveshje për të gjithë mësuesit e tij, pikwrisht për t’u ardhur në ndihmë atyre se e di qw arsimit I detyrohen shumw. Nuk mund të konsiderohet vetëm ndihmë, por është respekt për profesionin e tyre tejet të vështirë, prandaj i kanë pajisur me një tesere ( jo tesere tw shpifura partish) nga Ministritë përkatëse për të vizituar të gjithw muzeumet e Komunitetit pa pagesë. Këtu duhet të synojë menjëherë edhe puna e Ministrisë sonë, te kthimi i dinjitetit me reformat që përmenda më parë dhe bisedimet me shtetin fqinj që këto karta të mund të njihen edhe në Itali. Regjistrimi i të gjithë mësuesve do të bënte të mundur që Ministria të ketë listën e tyre sipas qyteteve dhe më pas të fillojë pajisjen e tyre me këtë kartë. Një nismë e tillë do të legalizonte dhe siguronte mësuesit se me ta nuk do të abuzohet më dhe se do t’u jepte mundësinë, me pak shpenzime, të mund të vizitonin në kohë pushimesh Muzeun e hapur, Italinë.
Shqiptarët e meritojnë një jetë më të mirë, një qeverisje të mençur që të punojë për ta dhe jo vetëm për vete si deri më tash.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar