Skip to content

Jemi komb shqiptar e jo kosovar

04. 10. 2009 nga Faik Miftari

Version i përshtatshëm për printim

Nga emisioni “Zona e debatit” në Klan Kosova të shfaqur para ca ditësh, ku mysafir i Baton Haxhiut ishte akademiku i nderuar Rexhep Qosja, arrita të nxjerr tri përfundime themelore të debatit të zhvilluar: identiteti kombëtar, identiteti fetar dhe identiteti gjuhësor.

Identiteti kombëtar – në kohët e fundit, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, janë shpeshtuar zërat për kombin kosovar, popullin kosovar apo etnosin kosovar. Me këtë medoemos dëshirohet të instalohet teza se me krijimin e shtetit krijohet edhe kombi, e cila në shumicën e rasteve qëndron, por ka edhe raste të përjashtimit të kësaj teze, si p.sh. në rastin konkret të Kosovës. Kjo në ish Jugosllavi ishte vendosur fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me krijimin e kombit maqedonas, për t’u ndarë nga trungu i tyre bullgar, e dihet nga historia se termi Maqedoni është një nocion gjeografik i cili ka një shtrirje të gjerë hapësinore në Ballkan, dhe është i njohur me tri regjione:Maqedonia e Egjeut, Maqedonia e Pirineut dhe Maqedonia e Vardarit. Ky komb i ri i proklamuar, pas pavarësimit të Maqedonisë, edhe sot e kësaj dite ka probleme dhe paqëndrueshmëri, pasi kontestohet prej fqinjëve më të afërm, Greqia nuk e njeh emrin Republika e Maqedonisë, Bullgaria nuk e njeh gjuhën maqedone, Serbia nuk e njeh kishën ortodokse të saj, vetëm shqiptarët si në Maqedoni, Shqipëri e Kosovë, e kanë njohur atë me të gjitha atributet e saja shtetërore, edhe pse, përkundrazi, nuk do të duhej të njohin kombin maqedonas si komb në vehte, ashtu sikurse nuk duhej pranuar në asnjë mënyrë kombin kosovar.
Për krahasim merret Austria, e cila kurrqysh nuk mund të qëndrojë, sepse dihet nga historia që Perandoria Austriake shumë më heret ka ekzistuar si shtet dhe ka luajtur një rol dominant në Evropë, para shtetit gjerman i cili tek në shekullin XIX është arritur bashkimi i tij pas ndarjeve të principatave gjermane. Nuk e di pse nuk merret shembull Zvicra, e cila është e përbërë prej gjermanëve, francezëve dhe italianëve, janë shtetas zviceran, por me përkatësi kombëtare të ndryshme, apo ta marrim shembull Qiproja e cila përbëhet prej grekëve dhe turqve, janë shtetas qipriot, por me përkatësi kombëtare të ndryshme, apo si shembull më të ri Bosnja, e cila është e përbërë prej boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve.Vallë, a thua mund të paramendoni se grekët dhe turqit do të distancoheshin nga përkatësia e tyre kombëtare për të formuar një komb inekzistent qipriot, apo serbët dhe kroatët të distancoheshin nga përkatësia e tyre kombëtare, për të formuar një komb inekzistent bosanac? As nuk mund të paramendohet e lere më të realizohet një gjë të tillë. Vallë, e pse në rastin e Kosovës, trumbetohet nga qarqet e caktuara një gjë e tillë, sepse dëshirohet që nga trungu shqiptar të ndahet një pjesë bukur e madhe e popullit shqiptar, të krijohet një komb i ri inekzistent kosovar, e që shkon për shtati qarqeve të caktuara në Ballkan e më gjërë, të coptohet një pjesë e kombit shqiptar, për të parandaluar rritjen e tij, zhvillimin e tij kulturor, ekonomik, shoqëror e kështu me rradhë. Po kjo sjell edhe një shqetësim tjetër, a thua se si do të ndienin veten e tyre shqiptarët e Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe Mali të Zi, do ishin shqiptar apo kosovar? Për një kohë të caktuar, për shkak të rrethanave të caktuara politike në skenën globale ndërkombëtare, mund të ekzistojnë dy shtete të një kombi, por gjithherë me dëshirë bashkimi, si në kuadër të integrimeve kombëtare, njashtu edhe ndërkombëtare. Kjo tezë bie ndesh, pasi që kjo përpjekje iracionale edhe nga një aspekt tjetër nuk qëndron, në rast se nisemi nga logjika e krijimit të kombeve me rastin e krijimit të shteteve, do të thotë që kombi shqiptar është krijuar tek në vitin 1913 me rastin e pranimit të pavarësisë së Shqipërisë, apo kombi boshnjak me rastin e pranimit të pavarësisë së BeH në vitin 1992, e dihet që këta dy popuj kanë një histori të përbashkët shumë më të gjatë dhe janë autokton në Ballkan, por për shkaqe dhe rrethana të caktuara politike kanë arritur të krijojnë shtetet e tyre në fillim të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI.

Identiteti fetar – gjatë historisë së kaluar shumë shekullore, e sidomos gjatë periudhës osmane, nga të gjithë popujt e Ballkanit, që kanë jetuar nën Perandorinë Osmane, si serbët, grekët, bullgarët, rumunët, malazezët, kroatët, hungarezët e tjerë, vetëm shqiptarët dhe boshnjakët e kanë pranuar me shumicë fenë Islame. A thua vallë, pse vetëm këta dy popuj autokton të Ballkanit kanë përqafuar Islamin? Po, për të shpëtuar nga kthetrat e asimilimit të vazhdueshëm që i është bërë boshnjakëve nga ana e serbëve dhe kroatëve, dhe shqiptarëve nga ana e serbëve dhe grekëve. Me pranimin e Islamit definitivisht është ndërprerë asimilimi i tyre edhe pse tendenca e tyre ka vazhduar pa ndërprerë gjer në ditët e sotme, por pa sukses, e me pranimin e pavarësisë së BeH dhe Kosovës, njëherë e përgjithmonë kjo ka marr fund. Kombi shqiptar i cili në shumicë absolute(90%) i takon identitetit Islam, tani në shekullin XXI, në këto valët e reja të demokracisë, në vend të angazhimit për mbrojtjen e lirive dhe drejtave njerëzore, kombëtare, fetare, kulturore, në ruajtjen e trashëgimisë kulturore-fetare, nga qarqet e caktuara ndërkombëtare dhe kombëtare, sulmohet identiteti i tyre Islam dhe trumbetohet në kthimin e fesë së mëparme, që është racizëm i llojit të vet. Harmonia fetare dhe paqja brendashqiptare që ka mbretëruar shekuj me rradhë, është sajuar dhe mirëmbajtur në saje të respektit të treguar të shumicës myslimane shqiptare ndaj pakicës krishtere shqiptare(katolikë dhe ortodoks).Tani, individët dhe qarqet e caktuara kombëtare dhe ndërkombëtare tentojnë të prishin këtë imazh dhe harmoni fetare shekullore, se kjo tendencë është shumë e rrezikshme me pasoja të papara, në të cilin vetë ata më parë do të humbin. Por, edhe kjo klithje në kthimin e fesë së përparme, nënkupton kthim në fenë ortodokse, pasi që pas ndarjes së kishës krishtere në vitin 1054, në kishën katolike me qendër në Romë, dhe kishën ortodokse me qendër në Kontantinopol, vija e Teodosit që ka përshkruar trojet shqiptare, ka rezultuar në atë që 90% të shqiptarëve të atëhershëm të takojnë ritit ortodoks e vetëm 10% ritit katolik. Pranimi apo përqafimi i fesë islame nga shqiptarët ka ndodhur në rrethana të caktuara politike dhe historike që ka mbretëruar në atë kohë në Ballkan, ka ndodhur si i tillë, tani është një realitet i tillë, dhe se është anakronike dhe iracionale të trumbetohet dhe të bëhet thirrje kundër identitetit Islam të shumicës së popullit shqiptar, dhe si e tillë nuk mund të ketë sukses.

Identiteti gjuhësor – Pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të mbajtur në Tiranë në vitin 1972, ku është vendosur standardizimi dhe unifikimi i gjuhës së sotme letrare shqipe për tërë kombin shqiptar, tani, na paraqiten zëra të caktuara si në Kosovë, ashtu edhe Shqipëri, për thirrjen e një Kuvendi të ri, në të cilin do të riformulohet apo të ristandardizohet gjuha e sotshme letrare shqipe. Në atë kuvend është vendosur që dialekti toskë të ngadhënjejë mbi dialektin gegë, kjo ka ndodhur në një kohë të caktuar historike, në të cilën rrethanat aktuale politike kanë imponuar një gjë të tillë, me të cilën janë “pajtuar” gjuhëtarët apo albanologët pjesëmarrës në Kuvend. Por kjo ka sjell shumë dobi dhe ka qenë pozitive, pasi që prej vitit 1972, të gjithë shqiptarët kudo qofshin ata, përdorin shkrimin dhe gjuhën e njësuar letrare shqipe, duke mos ia cenuar askujt në jetën e përditshme të flasë në dialektin e tij, i cili dallon nga rajoni në rajon, psh. Opoja nga Hasi apo Llapi nga Gollaku, e të mos flasim për rajone dhe krahina të tëra në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Në vend se të shkohet dhe të punohet në përmirësimin dhe përparimin e gjuhës standarde shqipe, shkohet në tentim të minimizimit të një pajtimi gjuhësor që ka ndodhur në kohë të caktuar dhe në rrethana të caktuara historike, e që për mua është humbje kot energjije...

Po e përmbylli këtë vështrim me bindjen se intelektuali i vërtetë shqiptar është ai që mburret dhe mbron identitetin e tij kombëtar, fetar e gjuhësor, përkundër intelektualëve të caktuar shqiptarë, që për qëllime të caktuara janë në gjendje të heqin dorë edhe prej identitetit të vet kombëtar, fetar e gjuhësor.

Autori

Komente

durrsi

04. 01. 2012 nga Anonim, 5 vjet 33 javë para
Koment id: 705

Kam nje ndjesi timen se ne Kosove dhe ne vecanti klasa politike nuk e deshiron nje bashkim te kombit. Sic e kemi ne shqiptaret sidomos kur behemi me poste , me mire i pari ne katun se i fundit ne qytet. Kerkesa per bashkim duhet te vija nga poshte ,nga populli dhe te votohen ato parti te moderuara qe kane ne program dhe ne shpirt bashkimin. Se arrijme ne kete pike askush nuk mund ta ndaloje bashkimin kombetar.

patrioti

14. 12. 2011 nga Anonim, 5 vjet 36 javë para
Koment id: 665

Artikulli eshte me se i vertete.Shqiptaret e Malit te Zi,Maqedonise e Kosoves jane vetem nje komb shqiptar nen flamurin e kuq me shqipinjen dy krenare.E gjithe bota e di se si u shkeputen tokat nga trungu shqiptar dhe kjo padrejtesi duhet te vihet ne vend ne se ka drejtesi.Shqiptaret e Kosoves jane autoktone ne trojet e tyre dhe jo ardhacake si sllavet.Ata jane fisi ilir i Dardaneve te cilet themeluan Trojen ne Azine e Vogel.Ngushtica qe kaluan ata nga Ballkani ne Azine e Vogel edhe sot quhet Ngushtica e Dardaneleve. Si arkeologu gjerman Shliman zbuloi vendndodhjen e Trojes? Vetem se u orientua nga kalimi i Dardaneve
ne ndushticen e Dardaneleve.Zbulimi doli i sakte.
Mali i Zi ne vitin 1878 kur u mbajt Konferenca e Berlinit dhe kancelari Bismark e fshiu Shqiperine nga harta, kishte ne territorin e saj vetem 11 fshatra me kryeqytet Cetinjen por u zmadhua duke rrembyer tokat shqiptare qe ja dha konferenca e ambasadoreve e Londres me 1913.Sot kryeqyteti i saj eshte Podgorica nje qytet shqiptar dhe jo Cetinja e Krajl Nikolles II-te. Prandaj e them me plote gojen: nga Presheva deri ne Cameri ka vetem shqiptare e SHQIPERI.

Abedini Londer

15. 11. 2009 nga Anonim, 7 vjet 40 javë para
Koment id: 131

shume me pelqen se eshte e vertete.

Natasha/Vlore

19. 10. 2009 nga Anonim, 7 vjet 44 javë para
Koment id: 118

Artkulli eshte i goditur,i qarte dhe ben sens.Problemi eshte qe media duhet te beje shume me teper qe te gjithe njerezit ,ne te dy anet e kufirit,te ndergjegjesohen se ne jemi vetem nje komb-dhe vetem nje

Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar