Skip to content

Mistere kombëtare që presin ende një përgjigje të vërtetë

15. 11. 2009 nga Arjan Th. Kallço

Version i përshtatshëm për printim

Sa herë që vijnë festat e fundnëntorit, dilema e shumë njerëzve rifillon të pulsojë në zemrat, shpirtin dhe mendjen e tyre kudo që janë. Deri para vitit 1990 askush nuk e vinte në dyshim datën e Pavarësisë dhe Lirisë.

Me trokitjen e të ashtuquajturës demokraci shqiptare dhe hapjen e vendit, filluan të mbijnë me qindra ide dhe mendime për faktet e historisë sonë kombëtare. Deri në atë çast askush nuk do të guxonte të vinte në dyshim historiografinë dhe gjithçka që kishte shkruar për të kaluarën. A ka të vërteta në gjithë historinë tonë? Apo janë të gjitha gënjeshtra si me të sotmen? Shumica mendojnë se deri në vitet pas çlirimit nga pushtuesit, historia ishte pothuaj ajo që kishin shkruar paraardhësit historianë, ose të paktën ishin dakord me shumicën e saj. Ndoshta synimi ishte të rishikohej historia e 50 viteve të dyta të shekullit të kaluar dhe nuk do të ishte gjë e keqe nëse do të pranoheshin në të njëjtën kohë arritjet dhe gabimet. Askush nuk mund t’i mohojë arritjet, ashtu si nuk duhen mohuar gabimet. Deri këtu ekuilibri do të ishte në nivelin e lartë të balancimit të tyre. Por kush po përpiqet të hedhë baltë mbi gjithë historinë e shqiptarëve, nuk niset nga pozita të drejta parimore, por nga pozitat e një humbësi. Dhe dihet se historia është plot me ngjarje që ndoshta fitimtari është humbës dhe anasjelltas. Ky do të ishte arsyetimi i drejtë edhe sot në shoqërinë aktuale botërore, i nisur nga paanësia. Por që edhe në 20 vitete e fundit pas rrënies murit të Berlinit, gjërat nuk shkuan vaj, në Europë, por edhe tek ne. Çfarë emri do t’i vëmë kësaj periudhe anarkiste shqiptare dhe europiane? Këtu duhet fort mendimi i historianëve që jo pak nisen nga pozitat e njerëzve që nga makutëria politike për pushtet, shpesh e kthyen pushtetin në interes të vet, duke rrezikuar të ardhmen e një kombi të tërë. Edhe për këtë periudhë nuk mund të mohohen arritjet, që për mendimin tim mund të ishin edhe më të mëdha, dhe duhet të ishin, nëse interesat kombëtare do të kishin dominuar dhe jo egoizmi për pushtete absolute. Po gabimet fatale a do t’i përmendin hidhtarët e demokracisë me fjalë shqiptare? Përsëri mendoj se këtu duhen ndalur të gjitha reflektimet dhe jo të ecim ende me parrulla dhe fjalë për arritjet e demokracisë shqiptare. Fjala demokraci, është një ide e madhe e të gjitha shoqërive, që nuk arritën ta realizojnë dot, pasi etja për pushtet nuk e lejoi atë fjalë të ngrihej në piedestalin e duhur. Si mundet një shoqëri si shoqëria shqiptare të ketë guximin edhe sot të flasë për demokracinë sikur ta ketë realizuar 100% dhe bota ka mbetur prapa dhe duhet të marrë shembull nga Shqipëria? Tragjedikomedi alla shqiptarçe. Por pyetja duhet bërë edhe më e gjërë : a ka demokraci të vërtetë sot në botë? Edhe në vendet që kanë shekuj dhe vite që po e trumbetojnë, faktet flasin kundër. As më shumë e as më pak janë përpjekje apo etapa në stadet e demokracisë. Edhe filozofët e kësaj demokracie, e kuptuan se dështuan.

Me rastin e 20 vjetorit të rrënies së murit udhëheqësi rus Putin deklaroi se historia botërore mund të ishte bërë ndryshe e nënkuptuar qartë më e mirë apo më e drejtë. Personalitete të tjera të politikës botërore nuk e fshehën mendimin se gabuan me mënyrën e importimit të demokracisë në vendet ku ajo “mungonte”. Kjo i shkonte përshtat propogandës së tyre, pasi ishin të mësuar me luftën e ftohtë dhe përplasjet dhjetravjeçare mes ideologjive dhe filozofive. Pra edhe bota me gjithë arritjet dhe gabimet e saj, të paktën kanë guximin ta pranojnë këtë disfatë historike aktuale. Që të rikthehesh dhe të merresh me të kaluarën, duke e ditur se e ke menderosur me të sotmen, do të thotë të përpiqesh të largohesh, për të mbuluar gjurmët. Por që të ngrihen palo historianë dhe palo politikanësh dhe të sulmojnë të gjithë historinë e së kaluarës, këtu më duket se deliret e tyre kalojnë në çmenduri. Ka vite që po përpiqen të njollosin shumë figura të historisë sonë kombëtare që të paktën me raportin arritje/gabime mund të qëndrojnë më lart se politikanët karagjozë të sotëm shqiptarë. U fillua me historinë e Luftës nacionalçlirimtare nga humbës të saj dhe më pas tradhëtarë dhe duke mos arritur dot këtë synim, po shkojnë më tej me sulmet e tyre mbi historië, duke i mbajtur ison edhe ndonjë studiuesi të huaj të keqinterpretuar (thua janë rastësi këto, pasi shumë drejtues europianë pas gafave të medha, dhe kjo po bëhet si modë, thonë se janë keqkuptuar). Pra, janë sulme thjesht për të ngritur kultin e tyre. Kanë nga të marrin shembull, kur bëhet fjalë për kulte!! Por përse Ismail Qemalin? A ka gisht ndonjë ide që lidhet me pakënaqësitë e asaj kohe? Natyrisht edhe ka, dhe këto e kanë nxjerrë shpesh kokën. Ismail Qemali, po të shkoni në Peruxha, do të ishte më i nderuar sikur të hidheshin hipopteza dhe gjeheshin fakte për mënyrën dhe mundësinë që e ndoqën deri në aty për ta eliminuar. Kush ishte pas tyre? Ishin vetë shqiptarët që e bënë atë akt të shëmtuar apo ishin të huaj? Këtu duhet ndalur vështrimi i historisë dhe jo tek sulmet e kota për të. Më e keqja është kur sulmet e organizuara filluan nga ato institucione, ku duhet të fillojë të rishikohet historia dhe shkenca të marrë rrugën e drejtë, Universitetet. Ia hoqën emrin Universitetit të Vlorës si hajdutët që aktet i bëjnë shpejt dhe në fshehtësi; e vunë në qendër të debateve të kalemxhinjve militantë dhe më e keqja, nën një heshtje totale shtetërore. Mesa duket ishin vetë hartuesit e këtyre sulmeve duke respektuar moton e luftës ndaj paraardhësve, për të qënë ata heronjtë e vërtetë. Në Peruxha ku dhe ndëroi jetë Diplomati më i madh shqiptar i kohërave, po guxoj sepse vërtet ishte i tillë, dhe kjo kuptohet edhe nga artikujt që gazetat italiane kanë shkruar, por edhe nga vlerësimet e diplomatëve të tjerë bashkëkohës të tij, mendimi se sulmet ishin keqdashëse, më shtynë të shfletoja dhe reflektoja gjatë për gjithë jetën e tij. A kemi ne ndonjë figurë tjetër të tillë? Besoj se askush nuk mund të krahasohet me të dhe me punën e tij në ato vite të vështira për Shqipërinë. Të shpallje pavarësinë nën hundën e dashakeqëve lakmitarë nuk ishte e lehtë, por ishte personaliteti i tij i padiskutueshëm që e lejuan në ato aspirata mbarëkombëtare. Sot ku janë të ashtuquajturat personalitete shqiptare të politikës që nuk arritën dot heqjen e vizave për në Europë? Dështuan sepse nuk ishin Ismailë Qemalë.
Gazetat e kohës në monetin pas vdekjes në janar të vitit 1919, bile lokalet për shkak të botimit edhe pas një jave, i bënë jehonë këtij përsonaliteti që shpalli Mëvetësinë e Shqipërisë. Gazeta “Messaggero” botoi shënime biografike për jetën e Ismail Qemalit, shënime që i mori dhe gazeta lokale ku synimi ishte të bëhej një ekspozim i krejt aktivitetit politik të të ndjerit të famshëm, si dhe pikat që duhen sqaruar për të vërtetat historike. Vinte nga një familje fisnike shqiptare dhe ishte liberal për miqtë e tij, por në Turqi nuk kishte një parti të tillë. Në vitin 1908 nuk arriti marrëveshje me rebelët dhe pas ardhjes së Xhonturqëve me shokë themeloi Partinë liberale me program për formimin e një qeverie. Në një klimë panturqizimi, liberalët luftuan me entuziazëm për respektimin më të madh të kombeve. Pas mbërritjes në Vlorë thirri një kongres dhe shpalli Pavarësinë dhe këtë ua bëri të njohur të gjitha shteteve. Në Itali ishte për të bërë të njohura padrejtësitë e bëra ndaj Shqipërisë në Konferencën e Londrës. Ishte i bindur se kishte nevojë për mbrojtjen dhe ndihmën e Italisë, ashtu si Italia kishte interes për një Shqipëri të fortë.
Këto ishin disa nga shënimet që gazetat shkruanin për figurën e tij, që siç duket, ishin tepër pozitive dhe tepër e vlerësuar. U takon studiuesve seriozë të marrin të dhëna të tilla dhe të përcaktojnë qartë shkaqet, rrethanat dhe misterin që qyteti magjepsës i Peruxhën mban të fshehur për rreth 90 vjet pas vdekjes së tij.
Festat tona kombëtare nuk mund t’i përcaktojnë çfarëdo lloj palaçosh pa moral, pasi janë vetë aktet e moralshme të figurave të respektueshme nga gjithë kombi që e dëshmojnë.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar