Skip to content

Realiteti shqiptar i diktatures komuniste dhe letërsia e pas viteve 90

06. 01. 2010 nga Vilhelme Vranar...

Version i përshtatshëm për printim
Vilhelme Vranari

Një shkrimtar e ka paksa të vështirë të paraqesë realitetin e çdo kohe si duhet. Aq më tepër kur krijuesi ndodhet midis dy kohëve. Nëse e shkuara e hidhur, tragjike për shumicën e komunitetit, për dikë ka qenë e tillë sa arrin majat, nuk besoj se ka lënë vragë plagësh dhe as shijen e hidhur të dhimbjeve tek ai.

Pse? Sepse në diktaturën komuniste, i përndjekuri nga lufta e klasave, më e egra që njohu njerëzimi, nuk mund të bëhej Dikushi. Për gjysëm shekulli ai ngeli Askushi, le të ishe më i zoti si asnjë trjetër. Edhe nëse dikush kishte arritur të arsimohej si duhej në Perëndim, nuk e linte të gjallë Diktatura e kuqe. Ose do ta kalbte në burgjet me emrin “Ferri i Kuq” dhe nëse dilte gjallë do ta syrgjynosnin në internim bashkë me familjen, me soj e sorollop; ose do të përfundonte në gijotinë. Ky ishte ligji i xhunglës për gjithë ata që ecnin kundër rrymës së shoqërisë së re socialiste, e cila përshkohej si një fill i kuq nga idetë markësiste- leniniste. Kjo shoqëri “e re” shqiptare, parimi i dikurshëm i së cilës ishte atdhetarizmi apo shqiptarizmi, në diktaturë ishte mbrujtur me ideologjonë sllavo-komuniste në tru, në mendje, në ndërgjegje, në shpirt dhe po t’i bëje ADN e çdo qelize, nuk do të gjeje më genet e vërteta shqiptare. Gjaku i prishur nga dogmat e gënjeshtërta nxirrte si të vërtetë gjenetike formulën: “Marks, Engels, Lenin, Stalin, Enver, Mao”. Kjo ishte aq e vërtetë se edhe martesat kombinoheshin sipas kësaj formule. Dita e dasmës është dita më e bukur e një çifti, por nuk mund të bëhej martesë pa e pirë me fund dollinë e këtyre simboleve të formulës, që u ngjanin hieroglifeve, sepse as vetë ata nuk e dinin se ku po e çonin njerëzimin. Mjerë ai që nuk e piu dollinë për mustaqet e Stalinit, se u dënua për agjitacion dhe propagandë.

Ndyshimet politiko-shoqërore bëhen për t’i sjellë vendeve progres dhe jo skllavëri, jo mohim vlerash, jo mohim jete, jo shtete burgje rrethuar me mure betoni dhe tela me gjemba të dukshme dhe të padukshme, jo. . . Si mund të jetë shkrimtar i të gjitha shtresave një N/kryetar i Përgjithshëm i Frontit Demokratik Shqiptar, “ organizata, që bashkonte shqiptarët pa dallim feje, krahine ideje”, apo Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Drejtor i Teatrit, Drejtor i Ansamblit, kur nuk paraqisnin në veprat e tyre realitein e hidhur? Këta njerëz të letrave dhe të artit si i pranonin krimet makabare, ndarjen e një kombi vital në dy klasa armike deri në vdekje?! Nuk e shikonin vallë se gjysma e shqiptarëve nuk kishin të drejtën e votës të zgjedhin?( se për të drejtën e zgjidhjes ata ishin “bombë me sahat”). Si nuk u bënte pështypje gjithë këtyre krijuesve, me poste të rëndësishme në Shtet apo Parti, që fëmijët (shumë të përgatitur) të finikëve apo intelektualve të burgosur, të vrarë apo internuar dhe arratisur, apo pse mbanin një mbiemër të respektuar shqiptar, nuk kishin të drejtën e arsimit apo ushtrimit të profesionit?

Shkrimtarët dhe artisti janë të parët opozitarë të problemeve sociale që sjell një regjim totalitar ose edhe demokratik. Femra të shndërruara në vigane dhe burrat superheronjë, nuk di si i kanë përshkruar. Një krijuesi që bën një vepër të tillë, hiperbolizim të gënjeshtërt, apo shtrembërim realiteti, a nuk e vret ndërgjegja vallë? Këta që bënë vepra të tilla të relizmit socialist, që u vlerësuan, u përkthyen në gjuhë të huaja, dhe u njohën nga bota, a nuk ishin shpërblim i besnikërisë ndaj pushtetit diktatorial komunist?! Përmes këtyre njerëzve të besuar në vende drejtuese, vepronin Sigurimi i shtetit, Partia dhe Shteti për t’i shpallur kulakë dhe armiq klase njerëz të pafajshëm. A nuk janë bashkëfajtorë si eprorët e tyre?!

Nuk janë të paktë ata shkrimtarë dhe poetë, artistë, këngëtarë, që u burgosën dhe u vranë për idetë e tyre anti komuniste. Ata po, janë disident të letërsisë. Ne, ne të vuajturit dhe shqiptarët e ndershëm i njohim anti komunistët e vërtetë. Këta fatkeqë, janë shumë dhe do të ruhen në kujtesë si shqiptarë të vërtetë që me penë, me penelë, apo me rolet e tyre në skenë u përleshën me Përbindshin e Kuq dhe fituan. Fituan një emër të madh: “ Njeri”. Për qeniet humane nuk vlen asnjë thesar, asnjë çmim, asnjë trofe, sado i vyer të jetë, aq sa vlen të qenit “Njeri”. Mund të jesh gjithçka, por është shumë e vështirë të jesh njeri. Kur je i tillë, i ke marrë të gjitha çmimet e mësipërme, qoftë edhe ato botërore.

Po tregoj një rast si u përçmua dikush që nuk piu dollinë për mustaqet e Stalinit. Pas 8 vite burgimi, doli. Djali që kishte birësuar, që ishte nipi i tij, krijoi familjen veçmas. Kur ai vdiq, nusja e djalit (me origjinë komuniste, ndërkohë hipur mbi gomar) iu përgjigj kureshtareve pse s’ishte as në vaki dhe as në varrim: “Uh, ngordhi një qen. Kur do të ngordh edhe qeni tjetër!” -ishte fjala për vëllanë tjetër që sapo kishte dalë nga burgu. Kështu trajtoheshin fisnikët e rrëzuar, jo njerëz, por kafshë.

Pikërisht ndonjeri nga këta shërbyes të bindur, si qen i rrahur, besnik të diktaturës vrastare, aty nga vitet 1993 pati guximin të shkruajë: “Ku janë, ç’u bënë fisnikët, shtresat e persekuatuara? Tani që fituan lirinë, përse nuk i japin vlerat? Është e drejta e tyre të shpalosin dhuntitë e mohuara.

Kujtoja se do të bënin një bum, por vazhdojnë të heshtin…”


Një shkrimtaruce e soc-realizmit, me një cinizëm përçmues: , pyeti një krijues të rilindur: Përse nuk shkruajte qysh në vitin 1990?

A e dinin këta këta mohues të sé vërtetës se sa kohë donin të rimerrnin veten këta fatkeq? Po a e kuptonin vallë se ç’do të thotë luftë klase? E dinin që koba komuniste e tjetërsoi njeriun, e varfëroi jo vetëm materialisht, por edhe mendërisht. Të përndjekurit ende nuk besonin se kishte rënë Diktatura. Që të shkruash libra nuk do vetëm talent, por do edhe mjetet. Janë të ardhurat të cilat u mungonin dhe iu mungojnë të persekutuarëve edhe sot. Për sa kohë ata do të quhen “Ish të persekutuar”, “Ish të përndjekur” dhe “Ish pronar”, talentet e kësaj shtrese do të hezitojnë pak, por kurrë nuk do të ketë kthim pas për ta. Ata janë pronarët e ligjshëm, paçka se nuk kanë marrë asgjë. Për ta ka rëndësi e drejta e madhe që kanë fituar; e drejta e mendimit të lirë përmes fjalës së lirë. Mirë të harruarit që s’kishin nga ta zinin, po ata që kishin jetuar me librat dhe vunë një emër?

“Këta” shkrimtarë të soc-realizmit, e kanë pyetur veten ndonjëherë, se meqë veprat e tyre kishin qenë me nënkuptime, pse nuk shkruajtën veprat për krimet e diktaturës qysh në fillim të viteve 90?

E vërteta dhe Pandehma për krijimtarinë e tyre, janë dy të kundërta që nuk të bëjnë të besosh se ata kanë qenë kundër krimeve të Diktaturës. Këta shkrimtarë titullarë të Frontit dhe shumë organizmave të tjera si Bashkimet Profesionale, organizatat e Rinisë, Gruas e sa të tjera ishin levat e Sigurimit të Shtetit. Me demek se dënimet dhe masat merreshin në emër të popullit. “I shkreti popull që besonte verbërisht!”

Pas 20 vitesh më 2009, shkrimtarët e dy epokave, u kujtuan të shkruajnë për gjëmat e diktaturës. Por çuditërisht nuk shkruajnë për fëmijët që ngelën në rrugën e vështirë dhe vrasëse të internimit, ku nënat e tyre të mrekullueshme, që fati i përplasi në udhëkryqet e jetës, i rritën me lakra pa vaj, por i edukuan ata me dashurinë për vendlindjen, me dashurinë për njeriun. Këta shkrimtarë të penduar nuk u kujtuan as për jetimët me baballarë gjallë. Kurse bijtë e syrgjynosur në internim, duke ua mohuar vendlindjen, pronën dhe të qenit njeri me gjithë të drejtat, të edukuar nga nënat e tyre fisnike, kurrë nuk kërkuan hakmarrje ndaj shkaktarve të vuajtjeve çnjerëzore. Ata, të leqendisurit, të vuajturit, të mohuarit barktharët për gjysëm shekulli, në genet e të cilëve rrjedh gjak i pastër shqiptari, dinë të falin dhe thonë: “Mos harro se ne kemi një vatan, lindëm nga e njëjta baltë”…” “Nëna nuk i do fëmijët të ndarë…mos harro të më buzqeshësh pak, zgjatma dorën të ecim bashkë!” Cili prej shkrimtarëve që i kënduan Diktaturës, ka shkruajtur vargje të tilla faljeje dhe pajtimi kombëtar?! Ata nuk guxojnë të shkruajnë për zhdukjen dhe mohimin e shtresës që në shekuj kishte bërë luftën dhe mbajti gjallë kombin, sepse kanë frikë se fëmijët që u rritën barakave të internimit, bodrumeve pa dritë, në lagështi dhe myk, do t’i përgënjeshtrojnë veprat e tyre false. E vërteta e tyre duhet kërkuar vetëm te Realizmi socialist, varrmihës i gjysmës së shqiptarëve dhe izolimit nga kultura Perëndimore e 95% të shqiptarëve. Është kjo arsyeja që u dhimbsen bijtë e Byroistëve dhe Komitetit Qëndror, të Sekretarve të Partisë, Kryetarve të Këshillit, të atyre që shpikën luftën e klasave. Fëmijët e këtyre kriminelve kishin dhe kanë të drejtë ta jetojnë jetën, por jo të merren si shembull i pasojave shkatërruese të luftës së klasave. Lufta e prindërve të tyre ishte për pushtet, për mitizimin dhe përjetësimin e Demonve dhe Peshkaqenve komunist. Veç çdo shkakëtar vuajtjesh çnjerëzore duhet të shohë fëmijën e vet në kushte të vështira mes jetës dhe vdekjes, që të besojë gjysmën e shqiptarëve që i mbijetuan Ferrit që ata e ndërtuan enkas për ta. Unë jam nënë dhe më vjen keq që nëna të mos shoh fëmijën në çastet e fundit të jetës. Po ata fëmijë që u vranë qysh në barkë tok me nënën, që nuk e panë dritën e diellit? Po ata mijëra djem dhe vajza nënash që mbushën varrezën shqiptare me varre pa emër? A nuk kishin një nënë? Vallë kush e di se ç’pengje kishin dhe ç’ amanete lanë?!

Si shembull në letërsinë bashkëkohore duhet të merren jetët e mohuara, kurse personazhe duhet të jenë fëmijët pa fëmijëri, ata që nuk luajtën kurrë, që nuk buzëqeshën kurrë, që i ndaluan të ëndërronin apo të dashuronin. Duhet të merren ato gra, ato nëna dhe motra që lidhën shaminë e zezë dhe u rropatën rrugëve të përbaltura për t’u çuar një gjellë shtëpie pa mish, pa vaj, pa vezë, pa qumësht, por u çonin atyre që i donin dhe u mungonin aq shumë, shpirtin e tyre të dëlirë, dashurinë, sinqeritetin dhe besimin se e drejta do të dilte në shesh një ditë. Dhe ata besonin se asgjë, madje edhe burgimi nuk është i përjetshëm. Edhe nëse nuk dolën gjallë nga kthetrat vdekjeprurëse të Ferrit Komunist, vdiqën me besimin se Diktatura nuk do të ishte e përjetshme dhe e drejta e tyre do të fitonte një ditë. E lanë këtë botë të lumtur, se fëmijët e tyre i mbijetuan kamxhikut fshikullues të Diktaturës. Turp dhe mëkat për ndonjë autor që për snobizëm, për ta bërë të shitur romanin e vet, merr nëpër këmbë dinjitetin e grave të persekutuara, se gjoja paskan prostituuar për të rritur fëmijët. Kjo është shpifja më bastarde, më e ulët dhe më pa dinjitet për një shkrimtar. Shqipëria ka përjetuar aq drama sa ka material dhe tema të bollshme për ta realizuar një letërsi të re, një letërsi ndryshe.

Si përfundim them me bindje se çdo kohë ka njerëzit e vet të mëdhenj, si në çdo fushë të jetës, edhe në letërsi. Vlerësimin real çdo shkrimtar i realizmit socialist duhet ta kërkojë në atë shoqëri, së cilës i ka shërbyer me fanatizëm. I lumtur është ai që dhe kur ka në dorë, nuk lëndon, apo nuk harron ata që koha i mori zvarrë. Këtë e bën vetëm kur paraqet realitetin real. Kjo gjë arrihet kur letërsia të jetë krejtësisht e pavarur nga influenca e pushtetit dhe të shkruhet nga krijues pa komplekse politike dhe ndërgjegjeje. Vetëm ata që shkruajtën për herë të parë pas 90-ës, kanë nisur një letërsi të re, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me letërsinë e realizmit socialist. Kjo letërsi e Realizmit real sipas analizës së Mujo Buçpapës: “ka prishur hierarkinë e emrave letrarë të vendosur në mënyrë të pandershme dhe shpesh mediokre nga kritika e orientuar politikisht”. (Vijon)

Autori

Komente

shume e bukur

06. 11. 2012 nga Anonim, 4 vjet 40 javë para
Koment id: 1125

shume e bukur

Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar