Skip to content

Realizmi socialist dhe realizmi real

09. 01. 2010 nga Vilhelme Vranar...

Version i përshtatshëm për printim
Vilhelme Vranari

Para se të kaloj në vazhdim të opinionit tim mbi letërsinë, po kujtoj mesazhin e Abraham Lincolnit. Kur çështja e sanksionimit të lirisë, solli luftën civile veri - jug në Amerikë, rreth një shekull e gjysëm më parë, jugu ruajti skllavërinë dhe u shkëput nga veriu. Duke analizuar fitoren e lirisë dhe humbjen e 600 000 amerikanëve, Linkoln u shpreh :”Ne nuk i shpëtojmë dot historisë”. Kongresi miratoi amendamentin e 13-të të Kushtetutës që hiqte skllavërinë. Amerika ka atë Kushtetutë së cilës i janë shtuar deri sot 27 paketa.Linkolni u vra me atentat në një lozhë të teatrit në Uashington. Në Kongres u lexua mesazhi i tij: “-Bota kurrë nuk ka një përcaktim të qartë të fjalës Liri dhe popull. Ne të gjithë deklarohemi për liri, por duke përdorur të njëjtën fjalë, ne nuk kuptojmë të njëjtën gjë.- Besimi ynë në lirinë dhe pavarësinë nuk është armatosja e brigjeve të detit, por besimi ynë në dashurinë për lirinë, të cilën Zoti e ka mbjellë në gjokset tona.- Mbrojtja jonë ëshë në ruajtjen e shpirtit që vlerëson lirinë si trashëgimi e të gjithë njerëzve, të të gjitha vendeve, kudo. Shkatërrojeni këtë shpirt dhe ju keni mbjellë farën e despotizmit në dyert tuaja.-Në ç’pikë ne do presim afrimin e rrezikut? Me ç’mjete do fortifikohemi ne kundër tij? Do të presim ndonjë flotë trans atlantike që të na shtypë me një goditje?

- Kurrë.

-..ushtritë e Evropës, Azisë dhe Afrikës së bashku nuk do të mundnin të merrnin me forcë një pije në Ohaio, ose të bënin një udhëtim në blue Ridge, as dhe për njëmijë vjet përpjekje. Atëherë nëse shkatërrimi do të jetë destini ynë, ne vetë do të jemi autorët dhe ekzekutorët e tij. Si Komb i njerëzve të lirë, ne duhet të jetojmë përmes kohërave ose të vdesim nga vetvrasja. Duke mos lënë frikën të na denigrojë dhe shkatërrojë, duhet të kemi besim te drejtësia...”


Këtë mesazh të madh historik vlen ta lexoj e rilexojë, derisa ta ngulis në tru ,çdo krijues shqiptar, të cilit ideologjia e kuqe i ka shplarë trurin. Duke e lidhur me thëniet e Linkolnit, pyes cili shkrimtar i realizmit socialist shkroi veprat e veta me besimin te e vërteta apo u mbështet në konceptin e gjërë“liri“? Nëse ndonjë e pohon këtë, është jo vetëm shërbëtorë besnik i Përbindëshit të kuq, por edhe tellall i tij. Nuk e quaj sufler, se është luks. Të tillë ka edhe sot; këta janë të paaftët, që rrojnë nën hijen e ombrelës së dikujt, budallenjtë që shkruajnë e transmetojnë mendimin e të “mençurit”, që shkatërroi e mashtroi shpirtin e lirë përmes letërsisë ku paraqiste; gënjeshtrën si të vërtetë dhe izolimin në vend të lirisë. Kjo ishte motua në socializëm, krijimi i shembëlltyrës “shabllone” të komunizmit sllav, duke u mbështetur në normat dhe idetë e huajtura nga Moska dhe Beogradi, u ndërtua shoqëria “e re” shqiptare si në politikë, ekonomi, në art dhe sidomos pati ndikim në letërsi. Por të krahasosh letërsinë shqiptare me atë ruse, nga e cila mëson dhe kënaq shijet e çdokujt( për të cilat e vlerësoj), duhet të kemi parasysh kushtet sociale në të cilat lindi dhe u rrit letërsia ruse. Një shtet i madh si Rusia, me dy ekstremet e shoqërisë, ku qëndronin përballë aristokracia e salloneve të Petërburgut dhe varfëria e tejskajshme e muzhikut, skllav në kuptimin më komod të fjalës. Zëvendësimi i carizmit nga pushteti i sovjetëve solli ndryshime politiko sociale, që ndikuan edhe në letërsinë e kohës. Ky kapërcim sistemesh nxori disidencën politike dhe atë kulturore. Të përndjekur nga regjimi totalitar i Stalinit, u syrgjynosën nëpër kampe internimi në Siberinë e ftohtë, të tjerët u vetëvranë, (sipas Linkolnit vetshkatërrimi sjell vetvrasje),disa mërguan në Amerikë a në Perëndim dhe veprat e tyre u ndaluan. Një shembull i tillë ishte Boris Pasternak.

Kurse tek ne para Luftës së Dytë Botërore, kishte varfëri, por nuk njihej skllavëria. Të nisur nga kushte krejt ndryshe nga ato të B.S, vendi ynë i përfshirë në luftë, kishte të përbashkët me ta vetëm lirinë kombëtare. Sigurisht që çlirimi nga okupatori do të sillte ndryshime politiko-sociale dhe kulturore. Në Shqipëri në vitet 30 e në vazhdim nisi të lulëzojë letërsia moderne, realitet shqiptar, me autorët; Migjeni, At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Ali Asllani, Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, Sterio Spase, Isuf Luzi, Petro Marko, Lasgush Poradeci etje…Në vend që kjo letërsi të vazhdonte të rritej , u ndalua dhe u mohua. Ne, një vend i vogël, ku sa kishin lindur elementët kapitalist, ndoqëm politikën ruse edhe në kulurë. Por Rusia mblodhi 100 kombësi me rreth 60 gjuhë, nën “perandorinë e madhe komuniste të Lenin-Stalinit”, së cilës i duhej ruajtja nga pushteti ndikues i letërsisë reale. Ne pa marrë parasysh kushtet tona, kopiuam ata. Moska, duke përdorur si levë Beogradin, kërkonte hegjemoni në Ballkan. Gjeti Enver Hoxhën, i cili edhe pse nuk mbaroi asnjë shkollë në Paris, por përvetësoi e kombinoi mirë idetë e komunizmit francez dhe më të keqen, politikën shkatërruese të Fushesë. Diti të penetronte shumë mirë duke zhdukur që gjatë luftës kundërshtarët politikë, përfshi këtu edhe në letërsi dhe u vu në krye të shtetit të ri. Armatën e shkrimtarëve (sigurisht jo të gjithë) i përgatiti në Moskë për ta përjetësuar veprën e tij “madhështore” përmes letërsisë dhe medias. Më vonë veprat e tyre gjetën strehë në Francë me orientimin direkt të tij. Që vepra e një shkrimtari nën terrorin komunist, të bëhet e njohur në një vend Perëndimor, me politikë dhe kulturë krejt ndryshe nga ajo totalitare,është absurde. Duhet kërkuar gjetkë, te shkrimtari, që është pjesë përbërse e sferave të larta të shtetit diktatorial. Besoj se letërsia e përkthyer në Francë gjatë izolimit totalitar, ndërkohë që shkrimtarët si Kudret Kokoshi, Jusuf Vrioni, Kasëm Trebeshina, Zef Zorba (poet dhe përkthyes i panjohur) burgosen, tregon se ishte letërsia, ai filli i padukshëm i agjenturës që duhej të mbetej gjallë.

Në vitin 1990 e më pas, nga frika e gjykimit prej gjysmës së shqiptarëve të mohuar, të denigruar, këta gazetarë, shkrimtarë apo bijë të politikanëve komunistë me shërbim të dyfishtë, u vendosën në shtetet perëndimore Evropë, ShBA, apo kudo në botë. Tani “Emisarët e kuq me këmisha blu” gjasma mbajnë “qëndrim kritik” ndaj politikës vrastare të PPSh, janë “kundër”luftës së klasave, “kundër” totalitarizmit, kundër mohimit të vlerave humane…Por nuk na hedhin dot hi syve. E dimë se tani janë më të këqij se më parë, pasi atëherë dihej se cilët ishin “Inkuizitorë të letërsisë dhe inteligjencës”. A mund të rinovohet dikush që për shërbimet të mëdha ndaj “Partisë mëmë” dhe levës së saj , Sigurimit të Shtetit, është vënë në piedestal? Jo. Ata ishin dhe ngelen besnikë të komunizmit, i cili ngjan me vemjet që rriten dhe jetojnë nëpër gjirize. Por ata kërkojnë të jenë të dobishëm,në krye dhe të vlerësuar në çdo kohë. E duan ekonominë e tregut, por duke mbajtur marksizëm-leninizmin në gji.

A nuk janë pjellë e tyre ata që drejtojnë sot OJQ-ët, klubet kulturore, shoqatat e shkrimtarëve, apo shoqatat e fshatrave që janë bërë si Org. e Frontit Demokratik në Shqipëri? Vdesin të jenë në krye, t’u dëgjohet fjala. Ose të jenë si etërit e tyre, ose pëlcasin.

Lindin disa pyetje; Kush vallë na i imponoi normat e kulturës sllave duke mohuar atë kombëtare? A i detyroi kush shkrimtarët që të shkruanin vepra të diktuara nga politika? Jam e bindur se nuk e bënë vetëm nga frika, por ishte dhe bindja e tyre se në Shqipëri po ndiqej politika e duhur. Arsyeja ishte, të mbronin pushtetin utopik komunisto-sllav nga rreziku i rënies dhe siguri për jetën e tyre.

E kam thënë edhe më parë, se po të ishte gjallë Migjeni do të kishte pasur fatin e gjithë atyre që përfunduan burgjeve, apo në litar. Po të kishte qëndruar këtu Prof.Dr. Isuf Luzi, nuk do ta kishin lënë të shkruante 120 vepra filozofike dhe letrare, duke e vendosur në njërin nga 9 filozofët më të mëdhenj të shek XX në Botë. Jo vetëm kaq, por do ta kishin vrarë, sepse Diktatura komuniste zhdukte më të aftin. Edhe tani në vlerësimet e letërsisë veprojnë dhe reklamojnë autorët dhe vazhduesit e denjë të soc- realizmit. Madje pyesin me zemërim: “Nga na doli ky armik klase, apo kjo bijë kulaku në udhëkryq?”

Dikush ka thënë se, Komunizmi e zhduku këtë shtresë duke mos lënë as farë që ajo të rilind. E ka gabim. Edhe nga gënjeshtra më e madhe do të ngelet diçka që të besohet si e vërtetë. Mund të zhdukësh mijëra, po jo gjysmën e popullsisë. Në ata të mbijetuarit ka ngelur ende ndjenja e shtresës së mohuar dhe në gene trashëgojnë kulturën e ndaluar dhe historinë e mohuar.

Petro Marko, i pari autor që solli prozën moderne, duke luftuar në Spanjë, përvetësoi idetë e komunizmit internacional. Edhe pse u burgos nga Diktatura, iu ndalua qarkullimi e botimi i veprave realiste, ai përsëri nuk përqafoi idetë sllavo-komuniste dhe vdiq si një komunist internacional. Kjo vërteton thënien e Linkolnit se, askush nuk i shpëton dot historisë, dhe se shkatërrimin e kulturës shqiptare e sollën vetë shqiptarët me vetdashje për të jetuar sa më komod, kur të tjerët vriteshin, burgoseshin dhe syrgynoseshin në internim si kundërshtarë ideo- politikë, ekonomikë dhe kulturorë, ata kapnin majat. Pra ata ishin shkatërruesit dhe ekzekutuesit e shpirtit të lirë ,që mbollën farën e despotizmit në letërsi.

Nuk jam dakord me dikë që thotë se disidentët shqiptarë nuk na lanë ndonjë vepër madhore si Havel, Solzhenici etj. A nuk janë disidentë, inxhinierët e Maliqit, të naftës, deputetët, kleri katolik, ortodoks dhe musliman? Si mund të quhet ndryshe letra e At Pjetër Meshkallës, drejtuar Kr/ ministrit Mehmet Shehu, ku sqaron mbi mohimin e të drejtave të njeriut?! Analizoni veprat e Trebeshinës ose “Rrajët lëvizin “ të E. Koliqit, këtij parashikuesi të madh, i cili vdiq në 1973, kur drama që flet se komunizmi do të rrëzohej, kishte kohë e botuar. Apo “Gloria e çmendjes “ e Isuf Luzit, që sa herë e lexon zbulon një epitet të ri për komunizmin si ideologji bastarde që mohon shqiptarizmën. Ashtu si në botë që revolucioni letrar nisi me Rome Roland në Francë, Ada Negri në Itali, Gorki në Rusi, Anamuno në Spanjë, Drajser dhe Siklair në Amerikë, Tagora në Indi, janë nismëtarët e një bote të re në letërsi , ku bëjnë pjesë edhe shkrimtarët tanë të lartpërmendur që janë të një kohe me ta. Por duhet të pranojmë se disidentët e vërtetë, që s’i lanë të lirë, që u mohuan jetën, madje dhe pas vdekjes, sot u janë kundërvënë vazhduesit e soc-realizmit.


Me Xhevahir Spahiun

Pas viteve 90 lindi një rrymë e re në letërsi, ajo e REALIZMIT REAL, ku autorët me veprat e tyre paraqitën dashurinë për lirinë e gdhendur në shpirtërat e tyre, një liri e mohuar. Përballë kësaj letërsie të re dhe relativisht të vonët, shkrimtarët e realizmit socialist, duke mohuar disidencën e vërtetë, kërkojnë të vendosin veten si disidentë. Unë jam kundër letërsisë kolektive të diktaturës.

Formimi individual, personaliteti, varen nga profesionalizmi, kultura, prejardhja shoqërore dhe nga këndvështrimi i botës. Si e paraqet një i dalë nga ferri dhembjen njerëzore dhe lirinë vetiake apo sociale, dashurinë për lirnë dhe të vërtetën e jetës përmes letërsisë, nuk mund ta paraqes ai i veluri nga sukseset e diktaturës.

Ndaj Realizmi Real i viteve pas 90-ës është i paarritshëm nga shkrimtarët soc-realistë. Në vazhdimësi të artikullit të parë, po perifrazoj Mujo Buçpapën që vlerëson për shërbimet në letërsi që solli kjo rrymë: “Së dyti solli një pasuri të pafundme origjinale të stilit, frazës dhe gjuhës, duke prishur uniformitetin e një letërsie standard gati 50-vjeçare. Së treti e shndërroi në letërsi vuajtjen e një kombi nën regjimin komunist, duke tronditur nga themelet piramidat letrare dhe psikologjinë që e mbrojti dhe e prodhon atë. Madje asnjë shkrimtar tjetër i soc-realizmit nuk ka mundur të imponohet me kaq denjitet njerëzor dhe letrar si “x” shkrimtar i këtyre viteve.” Kjo rrymë e re ka përfaqësuesit e vetë në të gjitha gjinitë letrare, që nuk mund ta mohoj apo t’i marrë autorësinë si nismëtar askush. Janë veprat që flasin. Edhe pse sollën diçka të re, një ndryshim rrënjësor në letërsi, nuk e quajnë veten Disidentë, sepse respektojnë ata që u mohuan dhe u flijuan për drejtësinë, të vërtetën, lirinë e shpirtit dhe të shoqërisë. Ky është rregulli nr-1- i atyre që nuk kanë komplekse politike dhe krijimtarinë e tyre nuk ia kanë borxh askujt. Ia dinë për nder vetëm vendit dhe bashkëatdhetarëve të tyre të vuajtur.

Në lidhje me mangësitë e shkrimtarëve të realizmit socialist që u përkasin dy periudhave (komunizëm-demokraci), mund të citoj mjaft autorë vendas dhe të huaj. Dikush ka shkruar se, autorët e pas 90-ës që kanë paraqitur realitetin,nuk u“pëlqekan” në perëndim. Fakti që konkluzionet dalin jo për autorët e Realizmit Real, sepse ata nuk janë përkthyer në gjuhë të huaja, për shkak të faktorit politik-ekonomik dhe kohë, por për shkrimtarët që janë njohur para viteve 90. Ja si shkruan përkthyesi spanjoll Ramon Sanches Lizarralde, për shkrimtarët pa neorealizëm: “Letërsia shqipe ka nevojë për guxim për ta parë realitetin në sy, sipas rrymave të kohës.”… Për shkrimtarët e soc-realizmit pas 90 ,Sanchez shprehet : “Duke marrë shkas që nga Kadareja, e kam shprehur me shkrim që ky shkrimtar nuk do të krijojë shkollë në kupimin klasik të fjalës. Ai do të lërë shumë gjëra për t’i realizur shkrimtarët e ardhshëm” (standard 17-8-2006). Po në të njëjtën kohë (standard 18-8-2006) përkthyesi gjerman Joachim Rohm thotë:” “Shkrimtarët shqipëtarë duhet të shkruajnë histori njerëzore, të merren me realitetin e vendit të tyre dhe të mos qëndrojnë indiferent!..”

Si konkluzoion mund të them se shkrimtarët shqiptarë të të dy epokave, kanë frikë të nxjerin në botë realitetin shqiptar. Pra janë mosbesues ndaj realizimit të një letërsie reale, ndaj i largohen realitetit. Nëse nuk vrasin frikën do të ngelen robër të realizmit socialist. Veprat kalsike sado tërheqëse që mund të jenë, njeriu në to kurrë nuk e gjen vetveten apo ëndrrat e tij… Letërsia është një nga mjetet më të mira për të luftuar të keqen dhe të ofrojë shpresën, mirësinë mes veprave të gjalla, të pasura me jetë njerëzore. Nobelisti i vitit 2006 në letërsi, Orhan Pamuk shprehet: “Nuk shkruaj për të treguar histori, por për të ndërtuar histori…Shkruaj për të gjetur një vend ku të marr frymë si në ëndër…Shkruaj të jem i lumtur dhe të dhuroj lumturi.”

Krijuesit me pikëpyetje në të shkuarën e tyre nuk mundin dot ,dhe një ditë rrëfehen. Kjo ndodhi edhe me shkrimtarin gjermano-polak, nobelistin në letërsi Grass Gunter, i cili në moshën 17 vjeç kishte shërbyer për 3 muaj në njësi të SS-ve. Në librin autobiorafik, ai e tregoi këtë fakt dhe shkrimtarë, madje edhe ish presidenti polak ,Leh Valesa, (nobelist për paqen) kërkuan që të dorëzojë, titullin Qytetar Nderi i Gdanskut, si dhe çmimin Nobel. Kryetari i fondacionit Nobel sqaroi se vendimet janë të parevokueshme. Ndryshe do të ishte, po ta kishte deklaruar më parë mëkatin e rinisë. Gjithsesi letërsia e re, Reale shqipe është në një ngërç se nuk ka përkrahjen e komisionerve për vlerësime. Ndaj duke parë se realizmi socialist ka ende shumë ndikim në rrethet letrare shqiptare i jap të drejtë Kasëm Trebeshinës, kur shprehet. “NUK E DI ENDE NË JAM I PAFAJSHËM, KUR ENDE NUK JANË DËNUAR KRIMET E KOMUNIZMIT?!

Duke mbështetur thënien e tij, edhe unë pyes: nuk di më se, kush është i persekutuar; ish byroisti, shkrimtari i përkëdhelur, sigurimsi, që hapën varre dhe morën jetë njerëzish, apo ai që nuk dihet se ku i treten kockat, apo fëmija i tij të cilit iu mohua gjithçka? Mesa shohim ata që ishin dje, janë edhe sot në ballë. A do të çlirohet vallë ndonjëherë ndërgjegja e shqiptarit nga deliri i madhështisë?

Edhe për sa kohë juritë në Shqipëri do të kërkojnë mbi ballinat e librave që konkurojnë emrin e babait apo emrin e shërbëtorit besnik të diktatorit?! Për sa kohë emrat e tjerë do t’i i hedhin tej me neveri. Jo nuk vazhdohet kështu! Fitoni lirinë e shpirtit që të reflektoni në drejtësinë njerëzore! Nga kjo duhet të udhëhiqet çdo shqiptar që ka fatin e dikujt apo diçkaje në dorë.
P.S. Në vazhdimësi do t’ju njoh me vlerësimet e Realizmit Real në letërsi nga analistë, kritikë dhe personalitete të letrave.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar