Skip to content

Letër e hapur: Jepuni edhe emigrantëve pasaporta biometrike

25. 03. 2010 nga Abdurahim Ashiku

Version i përshtatshëm për printim

Presidentit Topi, Kryeministrit Berisha, Ministrit Basha, pushtetit dhe shtetit, partive politike në pozitë e në opozitë, medies së shkruar dhe asaj pamore në gjuhën shqipe në shtetin Amë e në Botë.

Ju shkruan nga Athina një gazetar, një prej qindramijëra emigrantëve të cilëve u kërkohet pasaporta zyrtare shtetërore, pasaporta biometrike, si kusht i domosdoshëm për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit. Nuk më kërkohet si kusht i liberalizimit të vizave, siç i kërkohet shqiptarit në Shqipëri, sepse me pullën e lejes së qëndrimit në Greqi mbi pasaportë jam i lirë të udhëtoj në të gjithë Evropën. Nuk më kërkohet vetëm mua dhe të gjithë atyre që tashmë janë të ligjshëm në shtetin grek, por u kërkohet edhe atyre qindramijëra emigrantëve që ligji i ri PASOK u jep shansin për të qenë të ligjshëm.
Pasaportat e reja, letërnjoftimet janë problemi kryesor tashmë për emigrantët, problem i cili në sajë të paaftësisë së shtetit dhe të administratës së tij, është shndërruar në një tmerr. Media pamore shqiptare, në rrugë satelitore gati çdo ditë jep “radhë dhe grushte” në qendrat e aplikimit për pasaporta në qytetet e Shqipërisë, një imazh i turpshëm për rrugën shqiptare drejt Evropës, jep protestën e tyre të ligjshme se duke pritur me ditë e me javë të tëra për të marrë pasaportën biometrike po humbasin jo vetëm ditët e punës por edhe vetë punën. Të humbasësh punën sot në Greqinë e zhytur në krizë të thellë është katastrofë jetësore me rreze të gjatë për individin dhe familjen e tij në Greqi apo në Shqipëri.
Politikanët, ekonomistët, analistët flasin me zë të lartë për “remitancat” (ku e gjetën këtë fjalë kur fjalori i shqipes ka një fjalë të kuptueshme për të gjithë), për rënien e dërgimit të parave nga emigrantët drejt Shqipërisë. Flasin pa theksuar se emigrantët, si pasojë e indiferentizmit të shtetit (të djathtë e të majtë) për ta, jo thjesht po integrohen por po asimilohen, madje me të shpejtë, po marrin nënshtetësi, po humbasin gjuhën, po blejnë shtëpi, dyqane e hapin biznese duke menduar për të mos u kthyer më në Shqipëri, veçse si njerëz “me origjinë shqiptare”.
Por, duke ia lënë këtë një analize më të gjerë, le ta hedhim vështrimin praktikisht tek pasaportat.

Javën e ardhshme do të më duhet të udhëtoj për në Shqipëri familjarisht për të nxjerrë letërnjoftimin dhe pasaportën biometrike. Na duhet që të aplikojmë për lejen e re të qëndrimit, aplikim i cili nuk mund të bëhet pa pasaportën biometrike. Na duhet të bëjmë njëmijë kilometra rrugë nga Athina në Tiranë e më tej në Peshkopi për të aplikuar për dokumentet e reja dhe njëmijë kilometra të tjera për tu kthyer. Pas disa javësh, në bazë të rregullit të vendosur, duhet të bëj përsëri familjarisht dy herë nga njëmijë kilometra për të marrë pasaportën...

Lexuesit e “Gazeta e Athinës” me të cilën unë bashkëpunoj, në letrat ankimore të tyre shkruajnë se kostoja e një pasaporte (me udhëtimet, humbjet e ditëve të punës, pagesat etj., etj.) shkon shtatëqind euro. Kjo për një njeri. Llogarisni tashmë se sa i kushton një familje me tre anëtarë, me pesë apo edhe më shumë. Llogarisni më tej shqetësimet, lodhjet e rrugës dhe radhëve, “grushtet” para zyrave të aplikimit, trysninë e humbjes së vendit të punës, kaluarin pambarim në një rrugë absurde, në një rreth të mbyllur nga shteti i vendit tënd.Kjo e gjitha për ata që janë të ligjshëm, ata që mund të lëvizin drejt Shqipërisë.
Po për ata që janë të paligjshëm, ata që presin të përfitojnë nga ligji i ri, ata që nuk kanë asnjë mundësi vajtje e ardhje drejt Shqipërisë si do të bëhet? Nuk janë pak. Shifrat zyrtare për “shansin e ri” flasin për mbi dyqind mijë emigrantë, shumica e të cilëve janë shqiptarë.
Këta absolutisht janë të privuar për të marrë pasaportë biometrike, për të aplikuar për leje qëndrimi, për të qenë qytetarë të ligjshëm në një vend evropian.
A mund të zgjidhet një gjë e tillë? A mund të shuhen “udhëtimet për pasaportë”? A mundet që të “paligjshmëve” tu jepet pasaporta biometrike dhe letërnjoftimi në Greqi?
Unë them PO.

Emigrantët duhet të aplikojnë si për letërnjoftim ashtu edhe për pasaportë biometrike atje ku punojnë dhe jetojnë. Mund të aplikojnë pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë apo pranë konsullatave shqiptare në Selanik dhe në Janinë, në segmentet zyrtare të shtetit ku lëshohen dokumente nga më të ndryshmit. Se si mund të bëhet për mua është një çështje e thjeshtë teknike, është një veprim po aq i rëndomtë sa veprimi në një komunë në skajet më të largëta të Shqipërisë.
Po çfarë fiton emigranti dhe vetë shteti nga postimi i aplikimit për letërnjoftim dhe pasaportë biometrike në ambasada dhe konsullata?
Emigranti fiton respekt ndaj vendit të vet, ndjen se ai i vjen pranë edhe i zgjidh problemet. Kjo është e para dhe më e madhja, ajo që i ka munguar dhe i mungon ende në këto njëzet vjet ikjeje. Përfiton edhe para të shkuara kot në udhëtime të lodhshme.
Shteti nga ana e tij, duke u vënë në shërbim të emigrantit, merr dhe i kthen atij respektin, mbush edhe arkën e tij të zbrazur me valutë të drejtpërdrejtë. Një emigrant që në maratonën e tij për pasaportën biometrike, kundrejt 7200 lekëve që paguan për dokumentet në Shqipëri jam i sigurt se do të ishte i kënaqur po ti kërkonin 100 euro, edhe më shumë, shtesë e cila do të kompensonte edhe personelin “shtesë” për aplikimet.
Unë, vetë i treti, javën e ardhshme, duke shfrytëzuar ditë-pushimet e Pashkës do të vij të aplikoj për pasaportën biometrike duke sakrifikuar mbi 2000 euro nga udhëtimi dhe të tjerat.
Do të dëshiroja që këtë rrugëtim të lodhshëm e të shtrenjtë ta fshinte sa më shpejt pushteti dhe shteti në Shqipëri, të ngrinte strukturat zyrtare për aplikimin për letërnjoftimi dhe pasaportë biometrike sa më pranë emigrantëve.
Fola në vetën e parë, megjithëse si gazetar, si njeri publik, më takon të flasë edhe në emër të të gjithë nevojtarëve emigrantë jo vetëm në Greqi por edhe në Itali, Gjermani, Angli, Amerikë, Kanada, Australi etj., etj. të cilët kanë të njëjtin problem, e jetojnë atë, për shkak të burokracisë shtetërore, dhunshëm.
E quaj urgjente që shteti ta zgjidhë menjëherë këtë ngërç në marrëdhëniet me qytetarët e tij në emigracion, tepër urgjente.

Autori

Komente

Jo Nuk Mundet

28. 03. 2010 nga Anonim, 7 vjet 9 javë para
Koment id: 221

Ne shqiptaret duam edhe Qiqrra ne Hell.
Po si mundesh qe nje shteti aq fukara ti kerkosh flori.
Edhe ne Amerike duhet te shkosh ne zyren amerikane vete dhe te rrishe edhe ne radhe,te presesh edhe me ore per te aplikua per pasaporte per patente makine apo per Karte Identiteti.
Po pse ne shtetet ku jetojme rrime si Pulat e ne vendin tone hedhim shurret perpjete.

Po me vajin qe ke duhet te gatisesh dreken o njeri!

ty anonim

24. 08. 2010 nga Anonim, 6 vjet 39 javë para
Koment id: 317

ti je tipiku i servilit si ne shqiperi dhe ne vend te huaj kudo ti ndodhesh,x eksperience personale un te them qe shtetet e tjera te pajisin dhe ne ambasadat e tyre me pashaporte,

Durim

31. 03. 2010 nga Anonim, 7 vjet 8 javë para
Koment id: 224

Ore "anonim" në cilin planet jetoni ju. Si i nxirrni pasaportat dhe leternjoftimet si shqiptar ju në Amerikë?

Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar