Skip to content

Ndjesia e mbrapshtësisë

22. 03. 2009 nga Artan Mullaj

Version i përshtatshëm për printim

Shumëkush ka provuar ndjesinë e mbrapshtësisë në Shqipëri. Ndjesinë këmbëngulëse se gjithcka shkon mbrapsht në këtë vend. Është një gjendje psikologjike (një reaksion shpirtëror si një instikt vetëmbrojtjeje), që nuk mund të shpjegohet pa marrë parasysh ambjentimin e kobshëm të njerëzve me ngjarjet e frikshme….. Shpërthen Gërdeci, vidhen minatorë, ndodhin përmbytje, ndodhin cudira, por asgjë nuk ndryshon dhe ndjesia e mbrapshtësisë është aty si një kostatim, në atmosferë, përzier me klimën e pistë; Shkelet kushtetuta, ndërpritet energjia, shteron uji, ndotet ambjenti, vidhen pasuritë, vidhen zgjedhjet, shkatërohen normalitete, shpresa, shkatërohen të ardhme, përpjekje, dhe pershtypja e përsëritur se një mallkim i padukshëm nderet aty, mes jetëve të thjeshta e të trishta të shumicës.. asgjë asnjëherë nuk ndryshon dhe prandaj ndjesia është aty, e pandryshueshme si shpejtesia e drites, kostante… as shkak, as pasojë..

Falë kësaj ndjesie dhe këtij ambjentimi, duket sikur edhe ndodhitë thjeshta të ditës i shoqëron tjetër gjë, jo llogjika civile e gjërave por një mister, një djallëzim, një mosshpjegim, një tersllëk, një aventurë e zezë kundër arsyes dhe ndikon jetën shqiptare në cdo ambjent, koncept, zhvillim, përsiatjë, përpëlitje dhe në cdo aventurë…gjithashtu.

Ekziston kjo ndjesi, dhe ky ambjentim, dhe kjo përshtypje, dhe ky pranim sepse tek ne gjërat shkojnë kuturu, dhe aq rrëmujë sa kaotizmi dhe mungesa e vetëdijes që ai prodhon, zhvlerësojnë ligjin e përgjithshëm të shkakut dhe pasojës..…

E thënë ndryshe, ekziston një paaftësi shoqërore për të kontrolluar dhe vlerësuar pasojat, si një zhvillim i pushtetshëm, i frikshëm dhe monoton…. Dhe pasojat janë pikërisht ndodhitë e vështira, çudirat. Pasojë është edhe aftësia kolektive, spektakolare për tu ambjentuar me to dhe me shkaqet e tyre.

Bashkë me këtë ndjesi, pasojat janë aty, në shëmbëllimin e mbrapshtësive më të mëdha që mund të durohen nga një shoqëri e ndjesuar.. gërmadhat e shtetit ligjor janë aty edhe ato, në një projektim të frikshëm, pasoja të pafajshme të mediokritetit, por edhe të misterit, dhe përpjekjet e kota janë aty, bashkë me demonet e jetës, me pabarazitë dhe kundërsjelljet.

Gjithcka duket qartë, shkoqur, dhimbshëm e zhgënjyeshëm njëlloj si më parë.., Fabrika që digjen nga istalimet elektrike jashte sigurisë, me tela si fijet nervore të një të sëmuri në pikën e fundit, por edhe shtëpi që digjen me gjithë gjallesat brenda, sisteme arsimore qe nuk sjellin dije as mundësi, drejtora pa shkollë, mesues pa dipllomë, profesorë seksomanë, shpesh edhe hajdutë, drejtuesa më shumë militantë se mediokër, projekte krimesh financiare.. e njerëzore, vrasje misterioze në sfonde ngjarjesh misterioze, asfalte te prishura pa u inaguruar akoma, infrastruktura të shkatëruara, qytete katrahurë, plehra të rrezikshme dhe higjenë imagjinare, ndërtime massive, pa lejë, pa fantazi, pa respekt per ambjentin publik, dhe pastaj dështime prodhimesh bujqësore, nga ana tjetër, prodhime të rrezikshme dhe ushqime të rrezikshme, dështime të tjera, personifikime të tjera dështimesh të tjera fillim e mbarim, në skajet e cdo realteti, në limitet e cdo perceptimi dhe iluzioni…

Pasojat pra janë aty, në dritën e diellit, dhe bashkë me to ndjesia e mbrapshtësisë që i shoqëron me ceremoninë e vajtimit të mungesave të mëdha…

Shpesh mungojnë shkaqet dhe mungon shpjegimi i mungesës së tyre.. Nganjëherë shkaqet e këtyre pasojave ekzistojnë virtualisht, por në një kufi të ri pamundësie interpretimesh dhe shpjegimesh.. Kjo pamundësi është një dhimbje kolektive.. Nga ana tjetër, komuniteti është kalitur me instiktin e barazize, cka i shtyn turmshëm njerëzit të krahasohen, dhe këtu fillon dhimbja…e re. Sepse pasqyra e ndërgjegjies kombëtare është hakmarëse…jemi thjesht një pasojë.. jemi fatkeq, nuk jemi aq të civilizuar sa të tjerët, dhe fqinjët na shikojnë si inferiorë.. porse shkaqet nuk dihen.. Kulturat fqinje janë modele sensibilizuese dhe shtytëse, por në to rrezëllen edhe sarkazma.. Në përballjen me ta paaftësia jonë shndrit lakuriq.. Duket se ne jemi krenarisht të dështuar dhe sidomos krenarisht të paaftë për të rregulluar punët tona, sistemet tona, investimet tona, edukatën tonë, civilizimin tonë dhe jetën e të vegjëlve tanë..

Ky është një realitet, që per fatin e mirë nuk sjell veturrejtje, por provokon pikërisht atë, mbështjellësen aurorë të pasojave të mizerjes, ndjesinë e trishtë, ndjesinë e ftohtë, ndjesinë e pafuqisë, pikërisht atë, ndjesinë e lodhur të mbrapshtësisë, si një fatalitet..

Shumëkush mund të supozojë se pasojat e katrahurës monumentale të këtij vendi janë shpjegimi i fatalitetit, i rastit, i fatit të keq që e solli këtë komb te jetë i zvaritur në një histori të vështirë tranzicioni, me pasoja jetime, si ndëshkime të hicit.. Të tjerët fantazojnë alegori dhe metafora të përsëritura, për të kuptuar shkaqet e mizerjes popullore, dhe kushedi, ata që mbetën, mbase besojnë te kundraligji, te hapësirat e abstrksionizmit spekulativ të marronistëve, te pasojat e pasojave që ishin të tilla qysh në vigjilje të vigjiljeve…

Dhe shumëkush mund të besojë se po, shqiptarët janë aktorë të ngjarjeve fatkeqe, ku ka patur pak heronj e ca më pak mëndje të shquara.. Normale! Fare thjesht fati i keq mund të emërohet si shkaku i rastësishëm i pasojave që përmendin ata që guxojnë të ankohen…

Por, nëse duhet të ekzistjë patjetër, shkaku mund të jetë vetë pasoja, vetë njeriu shqiptar, politika shqiptare dhe sidomos perceptimi shqiptar.. Por a mund të ketë njeriu një rol kaq sublime sa të kalojë në këtë lloj vetëflijim surreal duke i shkaktuar vetes fatkeqësi, mbrapshtësi dhe ndjesira të tilla inferioriteti bri fqinjëve, duke qënë njëherësh edhe shkak edhe pasojë?. Nëse po, mund të guxojmë të vetkonsiderohemi të paparashikueshëm dhe të papërsëritshëm njëherësh… A është pushteti politik shkak i qametit, apo është pasojë e qametit. Nëse është shkak, cështja është e thjeshtë, nëse është pasojë, shkaku janë autoriteti që zgjedh, zgjedhësit vetë, elektorati, bastioni… pikërisht pasoja, vuajtësit, shpirtthjeshtët, të shpërfillurit, të ndëshkuarit të gjithë.. pra arsyetimi ynë hyn në një hulumtim vicioz. Si në pëshperimat helenë të tragjedive, rolet ndrohen magjishëm, kur shkaku shndrohet ne nje pasojë shëmbëlltyrë mbrapshtësie dhe anasjelltas..

Kjo gjë është një shpërfillje e ligjeve të krijimit, sipas të cilave asgjë nuk ndodh rastësisht…Porn ë Shqipëri gjithcka mund të ndodhë. Si në një vetflijim prisionier, shkaku shndrohet në pasojë për të asgjesuar vetveten sipas një filozofie të rrezikshme…

Por a është shkaku i vërtetë politika. A mund ti drejtojmë sot gishtin e madh edhe të vogël Sali Berishës? Kryeministri mund të perpelitë sytë e të thotë, ej, unë jam pasoja, shkaku janë ata.. që më zgjodhën, ata që kanë ndjesinë e mbrapshtisë kudo që janë në cdo kohë...

Por, a janë zgjedhësit, edhe shkaku edhe pasoja e shëmtuar e politikës së ditës? Këtu ndjesia e mbrapshtisë duhet zëvendësuar me mbajtjen e frymës.

Janë sigurisht! Është një kurth filozofie të re… Vërtet, shkaku janë ata. Njerëzit.. Politika e keqe dhe mbrapshtësia nuk vjen rastësisht. Liderët zgjidhen. Shkaku janë votuesit. Shkak është papërgjegjshmëria në dhënien e pushtetit..

Shkak është pushteti i dhënë gabim. Njerëz, mendohuni!

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar