Skip to content

Uria e grevës

05. 05. 2010 nga Artan Mullaj

Version i përshtatshëm për printim

Në shesh, në përballje, në vetëdijen e njerëzve, ashtu si monumentet dhe heronjtë kombëtarë mbartin krijime simbolesh, greva e urisë po merr dita ditës përmasën e tyre.. Simboli është ende në kristalet e para; cdo shkallëzim që shprehet me rezistencë njerëzore, krijon simetri te re perceptimesh te reja lirie që duhet fituar sërish..

Pa fjalë, pa thënë, pa ndruajtje, shumëkush mund të kuptojë se krijimi i një simboli ka arsyet e veta, ka edhe filozofinë e saj. Arsyeja është kauza, filozofia është me sa duket kjo frazë:”asgjë nuk ka më të shtrenjtë se liria që duhet fituar sërish!.. ”

Njerëzit e kauzës janë aty, burra të parrojtur dhe gra me dinjitet të mermertë, në cadrat e vetëflijimit, në vapë, në heshtje, ku zhvillohet më e ashpër se kurrë, dhe më e vërtetë se kurrë, beteja e përjetshme mes mishit dhe shpirtit. Ëngjëlli i vdekjes sillet i shqetësuar mes shtretërve të tyre, me merakun e humbjes së pushtetit të përjetshëm që mbarimi i jetës ka te njeriu. Këtu nis simboli, kështu formatohet kauza, që është më shumë se një sfidë. Ndërsa pushteti politik interferon me pushtetin e vdekjes në shesh, në ndërgjegjie, mes cadrave ballë kryeministrisë, shpirti njerëzor del mbi to dhe mbi ligjet e krijimit, me fuqinë e nje sfide të re, për të fituar liri të re, në betejë…

Greva e urisë indukton uri të re gjithashtu në formën e emocioneve vullkan turmës përjashta.. Sepse turma e ndjen frymëzimin në shesh në po atë masë që edhe pushteti kupton vetshqetësimin në rritje që sjell rrjedha e kohës.. Shkallëzimi i ndërsjellë provokon frymëzim të ri gjithashtu, ndërsa ka filluar të ndihen lëkundjet e para të një tërmeti në rezonancë, shpërthimi ende i pabërë i turmës nga njëra anë, dhe makthi i humbjes së pushtetit në anën tjetër.. Njerëzit jashtë cadrave janë dëshmi e pastër e ndjeshmërisë së një turme, që nuk mund të manipulohet, ndërsa vullkani i kundërshtisë sillet vërdallë zemrave tw atyre që besojnë, gati në shpërthim.

Përballë grevës simbol dhe urisë së turmës për ta ngritur simbolin në qiell, pushteti është i shqetësuar. Tërheqja e dilemave duket në fytyrën e lodhur të kryeministrit, dhe në yndyrën shkëlqimtare të mirëqënies së njerëzve që drejtojnë kabinetin e tij. Meraku i mazhorances duket edhe në hipokrizinë e deklaratave të grave deputete që më shumë se për higjenën e grave greviste, mund edhe duhet të kujdeseshin për pastërtinë e moralit të tyre publik. Edhe pse fanatikë të luftës së kotë për të fituar përshtypje, skeptikët deputet të Partisë në pushtet, duket se janë larg inteligjencës që nevojitet për të kuptuar llogjikën e kauzave shpirtërore të një turme, prapë, shqetësimi mbretëron në castet e tyre. Pushteti ju ka zhvilluar instiktin e vetëmbrojtjes, dhe prandaj, eklipsi ka mbuluar mëndjet e tyre.. Me buzëqeshje të shuara, njerëzit e pushtetit shpresojnë një dinamikë të re të kuptimit të gjërave, me sytë nga perëndimorët, por këta vetë kanë gjithashtu, me sa duket dilemat e tyre:Të merren me zgjidhjen e problemit shqiptar, si kujdestarë të demokracisë që janë, apo të merren me përgjegjësitë e liderëve.

(Zoti Kule do ti duhej të merrte në fakt seriozisht jo aq pasojën e grevës, por shkakun e krizës, dhe terrin eletoral të kutive të votimit, për të cilën bëhet kjo grevë.!)

Nëse mund të bëjmë një ndalesë, vetë ndërkombëtarët, të paktën disa prej tyre, janë dëshmi e sigurtë e asaj se, të bësh politikë, ke humbur nje pjesë të lirisë tënde në perceptimin tënd. Perceptim i ngatëruar për të qënë i sinqertë:qëndrimi që ata kanë ndaj vullnetit kolektiv të një shoqërie si jona, nuk është as i shëndetshëm, ndërkohë që vetë ata, fanatikët e shquar të demokracisë, e shpërfillin vlerën e e lirisë kaq thjesht, e marrin kaq pak seriozisht votën e lirë të shqiptarëve, transparencën zgjedhore në një vend ku pushteti mbase nuk është ai që duhet të jetë, saqë kanë krijuar imazhin e bërjes palë me pushtetin e errësirës në kutitë e votimit..

Prandaj historia e demokracisë së shqiptarëve ngre në këtë cështje përkundrazi, përgjegjësi për ata, që janë gjykatësit e integrimit tonë në botën e vlerave dhe mirëqënies.. Ndërsa njerëzit rrezikojnë jetën e tyre në një grevë lirie, ndërsa një popull opozitar mbush sheshet, se vetëdijen e ka të trazuar, duket sikur perëndimi nuk e ka ndjeshmërinë e nevojshme për të kuptuar drejtësinë e munguar në jetën e tyre, as pisllëkun, as mizerjen, as falimentin shoqëror dhe as krizën kombëtare, ndërsa është fare i qartë, në dritën e diellit, për ta dhe për gjithë të tjerët, korrupsioni spektakolar i tranzicionit tek ne, korrusioni elektoral, korrupsioni shtetëror, dhe hipokrizia e shtetit.

Kompleksi i situatës fillon pikërisht në lehtësinë e vështirë të të kuptuarit të gjërave, nga ana e pushtetit, por edhe të ndërkombëtarëve, ndërsa kjo grevë, ky simbol, synon dicka larg fantazisë autoritare të njerëzve që bëjnë politikë..

Kjo grevë synon lirinë e të drejtës për të qënë, për të zgjedhur, për të synuar i lirë..

Situata është e ngatëruar dhe do të jetë komplekse ditën tjetër dhe askush nuk mund të parashikojë shkulmin instiktiv të një dinamike të verbër në ditët e tjera.. Greva e urisë po shndrohet pra në simbol, dhe kjo mjafton për të provokuar uri massive jo vetëm për ta mbështetur atë, por për ta rritur.. Fuqia e saj është kauza. Dhe kauza nuk është një nocion aq surreal sa ë shpërfillet nga autoritetet. Kauza nuk është mbështetje për liderin, por lideri është një vegël në duart e saj për të bërë shpërthimin e vullkanit të saj. Shpërthimi i shkatërimit! Kriza është mishëruar, është ulur në tryezat e shqiptarëve në formën e një varfërie që nga përmasat shkon tej metaforës optimiste të sukseseve që shet qeveria. Shqiptarëve ju ka vajtur thika në palcë, dhe dhimbja e sigurisë së humbur nuk i lejon më të shijojnë njëlloj si më parë këngët epshndjellëse të Çilietës.. Jo greva, jo këngët e Çiljetës, jo kauza, por kjo varfëri duhet marrë shumë seriozisht këtë herë, për një këshillë dashamirëse që askush nuk ja ka borxh shtetit privat që manaxhon jetën tonë publike. Që vendi mos shkrehet në mosbindje civile! Por, që vendi mos shkrehet në mosbindje civile, mbase kutitë nuk duhet të hapen. Të gjithë e dinë zinë e tyre, lirinë e shkelur me këmbë. Që vendi mos shkrehet në mosbindje civile, qeveria duhet të qeverisë në mëndjen e saj perceptimin se ky vend duhet të hyjë në rrugën e shëndetshme të zgjedhjeve të parakohshme, të lira, të vërteta, në mënyrë që, ky pushtet, pasi bëri masakrën, të mbahet mënd edhe për të kundërtën e saj, gjyqin e saj me vetveten.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar