Skip to content

Shitja shtetërore e privatësisë së qytetarëve kosovarë

06. 07. 2010 nga Isa Mulaj

Version i përshtatshëm për printim

"Lufta është një dukuri shumë e keqe, por jo më e keqja. Gjendja e kalbur dhe e degjeneruar e moralit dhe ndjenjës atdhetare e cila mendon se asgjë nuk ia vlen luftën, është më e tmerrshme” – John Stuart Mill, ekonomist politik.

Plani i pa plan dhe korruptiv i privatizimit të PTK-së

Siç mund të jenë njoftuar shumica e qytetarëve të Kosovës, Qeveria e “tyre” ka vendosur ta shesë ose heq qafe Postë-Telekomin e Kosovës (PTK). Posta do të ndahet si e veçantë dhe t’i mbetet Kosovës. Në vijim po e mbajmë shkurtesën PTK për shkak të hapësirës së kufizuar të tekstit, por duke llogaritur se e kemi fjalën për shitjen e telekomit fiks dhe mobil.

Qeveria vazhdimisht ka insistuar në shitjen e PTK-së, pa e ditur vlerën e saj. Nuk ka ndonjë studim që e nxjerrë vlerën reale të pasurisë së PTK-së, e as analizë se në çfarë baze po merret vendimi. Deklaratat se privatizimi i këtij monopoli po bëhet për ta përmirësuar performancën, nuk qëndrojnë. Dëshmi për këtë është qëndrimi i Qeverisë e cila insiston që të mos bëhet vlerësimi i pasurisë para privatizimit, me synimin për t’ia ulë vlerën PTK-së sa më shumë që është e mundur duke u thirrur në atë se “vlerën do ta vendosë tregu”. Nëpërmjet një procesi të kurdisur dhe manipuluar për shitjen e PTK-së, Qeveria në fund të thotë: Ja, kjo është vlera e tregut!

Vlera e tregut kur shitet një monopol siç është PTK, mund të jetë shumë e madhe ose shumë e vogël, varësisht prej situatave. Nuk ka çmim optimal kur s’ka vlerësim të pasurisë. Rasti i parë ose vlera e madhe, është kur PTK vepron me performancë të përkeqësuar (çka për momentin nuk është) dhe tek klientët ka kërkesa të mëdha për shërbimet e saj. Rasti i dytë është situata kur ekonomia gjendet në recesion (sikur kjo e Kosovës dhe e shumicës së vendeve perëndimore) dhe blerësit e caktuar turren për ta blerë me çmim të ultë, jo për të investuar në të, por grabitjen e fitimin ekzistues dhe në vijim të PTK-së (dikush thotë për ta vjedhur) dhe me këtë fitim ta paguajnë çmimin e blerjes në 3-4 vitet vijuese. Rezultati i këtij transaksioni për blerësin dhe PTK-në mund të jetë ‘fifti-fifti’, një zhargon i përdorur në gjuhën shqipe për ‘shpartallimin’ ose ‘shpërbërjen’, por që në gjuhën angleze e ka kuptimin ‘rrum përgjystë’ (‘fifty-fifty’ nga anglishtja do të to thotë 50 me 50). Mirëpo, nga loja ‘fifti-fifti’ Qeveria është marrë vesh që 75 për qind e pasurisë së PTK-së të shprehur në fletë-aksione të përfundoj te ndonjë blerës i huaj, dhe në bazë të atyre fletë-aksioneve të krijohet kontrolli mbi pasurinë reale.

Për këtë shitje jo-transparente të PTK-së po interesohet shumë me propagandë të pamëshirshme një ambasador dhe këshilltarët e tij të cilët ai i quan strategjik. Në teorinë ekonomike dhe të privatizimit nuk janë të njohur ‘këshilltarët strategjik’. Në lëmin e ushtrisë, po, ka shumëçka strategjike si: flota e bombarduesve strategjik (Strategic Bomber Fleet), forcat strategjike raketore (Raketnje Vojska Strategiçeskogo Naznaçenja), etj. Tani besoj e kuptuam pse Qeveria nuk ka plane dhe analiza të tipit ‘shpenzimet – përfitimet’ për PTK-në, pasi këto i kanë ‘këshilltarët strategjik’ dhe atë vetëm si ‘benefit analysis’ për vete si blerës. Analiza e kostos ose shpenzimeve u është lënë shqiptarëve për t’i llogaritur pasojat strategjike.

Investitorët e mëdhenj dhe serioz po ikin sa po munden nga Kosova, sepse edhe në raportet e institucioneve dhe medieve të ndryshme ndërkombëtare, ky vend është bërë sinonim i vrimës së zezë të Evropës për korrupsion të cilin tërthorazi po e ushqejnë ambasadorët dhe këshilltarët strategjik. E kemi rastin e ikjes së investitorëve të mëdhenj nga sektori i energjisë, ku termocentrali ‘Kosova C’ nga 2100 MWh sa ishte planifikuar në fillim, tani ka rënë në ofertën prej vetëm 500 MWh dhe kjo madje mbetet e pasigurt. Asnjë investitor serioz i huaj nuk është i interesuar të investoj në Kosovë për momentin, me përjashtim të atyre që janë të specializuar në krim të organizuar dhe korrupsion në bashkëpunim me mafinë vendore. Revista prestigjioze gjermane Der Spigel e ka pas quajtur me shpoti Kosovën si ‘Republika e Mafisë’, çka në të vërtetë, siç thotë populli “me folë kah del shpirti”, edhe është. Nuk ka dyshim ose arsyetim që do ta dëshmonte të kundërtën, ose se nuk është e tillë.

‘PTK-ja duhet privatizuar me çdo kusht për ta zvogëluar krimin e organizuar dhe korrupsionin që po ndodhë në të’, thotë ambasadori strategjik. Zotëri ambasador, krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk janë modele të privatizimit si shkas për shitjen e PTK-së, por janë vepra penale të dënueshme. Aktualisht, kundër PTK-së rëndojnë mbi 200 padi. Prandaj, shitja me çdo kusht e PTK-së nuk ka të bëjë fare me aspekte ekonomike ose të performancës së saj, por thjeshtë me shpëlarje nga numri i madh i keqpërdorimeve dhe krimeve, ose shpërblim për krimet e bëra. Asnjë blerës dhe investitor i ndershëm e serioz nuk do t’i merrte erë ndonjë kompanie për ta blerë nëse kundër saj janë në proces mbi 200 padi. Mafiozët po; ata interesohen sepse qëllimi i tyre nuk është përparimi i kompanisë që e blejnë, por plaçkitja e saj.

Ambasadori ‘strategjik’ do me ra copa duke na shurdhuar ditë e natë në të dy veshët anë përtej për domosdoshmërinë e heqjes qafe të PTK-së nga pronësia publike si gjoja një kancer i shoqërisë kosovare. Nuk ka takim dhe fjalim ku ai nuk e përmend privatizimin e PTK-së. Asnjë studiues nuk e kam hasur të jetë kaq ‘deadly serious’ rreth privatizimit se një ambasador, misioni parësor i të cilit është diplomacia. Për këtë janë fajtorë ata që e kanë dërguar gabimisht si ambasador, duke harruar se lëmia kryesore e angazhimit të tij është privatizimi. Pash një Zot që e hiqni qafe atë PTK sipas kërkesës së tij. Faljani ju lutem sa më shpejt se do me na qit fare njeri kur edhe ekzistencën e kësaj ndërmarrje në pronësinë e tanishme e sheh si tragjedi për neve dhe Kosovën. Ndërsa për ankesat e tij rreth ndërhyrjes së Qeverisë në ndërmarrjet publike dhe mega-korrupsionin, mos ia falni dakikun sepse askush nuk është më përgjegjës se ky. Kur nisën përpjekjet për me pre e me gri korrupsionin e Qeverisë në ndërmarrjet publike, nuk ishim unë ose ju që dolëm duke e rrokur, përqafur dhe puthur korrupsionin, por ishte, është dhe do të mbetet vetëm ky. Kurrfarë ndërhyrje tjera në ndërmarrjet publike të Kosovës nuk ekzistojnë pos ato të kukullave të tij që ky i rrokë, përqaf, puthë dhe çnuk.

Kujdes: Qeveria dhe “këshilltarët strategjik” nuk po e shesin vetëm PTK-në por tërë qytetarët e Kosovës!

Ndoshta keni mundur të dëgjoni deklarime emocionale se ndërmarrjet e mëdha publike janë pasuria e fundit më e dukshme e Kosovës, dhe me shitjen ose faljen e tyre po shiten ose falen edhe qytetarët e saj. Titulli dhe nëntitulli i këtij artikulli nuk e kanë këtë kuptim kaq të gjerë. Përqendrimi këtu është në një segment të ngushtë brenda vetëm një ndërmarrje publike (PTK-së), por me ndikim edhe më të gjerë te popullsia e tashme (dhe e ardhshme!). Bëhet fjalë për kontrollin ndaj informatave dhe njohurive, ose sferën që i dallon më së shumti njerëzit nga kafshët.

Qeveria, ose më mirë të themi bosët e saj të huaj si ‘këshilltarë strategjik’, ka vendosur t’ia besoj përgjimet telefonike blerësit të PTK-së. Kjo nuk ndodhë askund në botë. Përgjimet janë veprimtari ilegale. Ato zbatohen vetëm në rastet ekstreme kur autorizohen nga gjykata supreme. Në shtetet demokratike, cenimi i privatësisë ose shkeljes së të drejtave të qytetarit, rezulton në të drejtën e qytetarit kundër shtetit. Ka raste të panumërta kur qytetarë të profesioneve të ndryshme, fitojnë dëmshpërblime të mëdha për përgjimet e paautorizuara që iu bëhen, ose fotografimin gjysmëlakuriq dhe zhveshur të femrave dhe botimin e tyre qoftë edhe në media publike. Kjo e drejtë zbatohet kudo në Evropë, me përjashtim të republikës siç e ka emërtuar Der Spiegel.

Në shtetet tjera, edhe kur shitet telekomi, kontrollin mbi informatat dhe bisedat telefonike e mban shteti. Blerësit nuk ka pse t’i interesoj kjo kur ai e blen telekomin për realizimin e fitimit, e jo për atë se çka bisedoni ju në telefon. Në Serbi dhe Kroaci shteti përkundër se e privatizon telekomin, e ruan monopolin ndaj informatave dhe bisedave telefonike, pra i ruan qytetarët e tij.

Meqenëse Qeveria e Kosovës ka vendosur t’ia besoj këtë punën e kontrollit mbi informatat blerësve, atëherë vijnë në përfundim të logjikshëm se Kosova nuk ka nevojë për agjenci të inteligjencës, pavarësisht se mbi 30 shërbime sekrete veprojnë në territorin e saj, nuk ka nevojë për polici dhe shumë sektorë tjerë ku informatat dhe bisedat telefonike janë jetike. Në këtë kontekst, agjencia e inteligjencës dhe policia do të ishin sektorë shumë të padëshirueshëm për shtetin e Kosovës në rast se kontrollin mbi to e ka një blerës privat i huaj, kushdo qoftë ai. Kësisoj Republika e mafisë do të shndërrohej në një Republikë pa tru, ose organin pa të cilin nuk mund të funksionoj si duhet organizmi i quajtur shtet.

Kjo metodë e shitjes nga (pu)shteti të privatësisë së qytetarëve në kuadër të shitjes së PTK-së si model i privatizimit ose pako, do të thotë fundi i demokracisë në Kosovë, e cila deri më sot nuk ka ekzistuar kurrë. Termet shtet demokratik, shoqëri civile, Qeveri, shtet ligjor, në Kosovë nga ana praktike janë të shpifura. Shteti ligjor është vetëm term gjuhësor në Kosovë, dhe kamuflim për dëmet e pallogaritshme që ua bënë qytetarëve të sotëm dhe të nesërm. Këshilltarët e ambasadorit ‘strategjik’ e kanë bërë aq pus edhe sistemin e drejtësisë, sa që kemi filluar të kemi besim më të madh në organizimin dhe ndershmërinë e çfarëdo qenieve të gjalla se të këtij institucioni shtetëror të Kosovës. A ka diçka më strategjike në Evropë se kjo?

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar