Skip to content

300 milionë euro në vit për studentët më të mirë

12. 07. 2010 nga Arjan Th. Kallço

Version i përshtatshëm për printim

Si gjithmonë, Gjermania, shteti kyç i Europës së bashkuar, po na befason me nismat e veta, që kaq shumë e joshin mendjen, sapo e lexon artikullin apo e dëgjon lajmin. Na befasoi me futbollin, ku pas dy rezultateve të shkëlqyera, thua se magjia zgjat vetëm pak kohë, vjen zhgënjimi me Spanjën.

Por nuk harrojmë se nëse do të fitonte titullin, për secilin lojtar do të jepeshin 250 mijë euro. Stimuli është një bazë e suksesshme për të nxitur njeriun të punojë dhe të japë maksimumin në komunitet, shoqëri apo punë. Nuk ka diskutim se edhe brezi i ri, Gjermania njihet për seleksionimin tepër rigoroz të njerëzve që vërtet do të bëhen dikushi, apo që do ta çojnë vendin para me progresin e padiskutueshëm teknologjik, do të jetë pjesë e projekteve serioze të shtetit gjerman dhe jo të qeverisë, do të ishte termi më i saktë në këtë rast. Qeveritë venë e vijnë, por interesat kombëtare mbeten shtylla e çdo qeverisje. Dhe nuk ka interesa më të fuqishme se e ardhmja, por kur përcaktohen mirë drejtimet dhe mbështetja që ajo të jetë e sigurtë. Nuk mund të luhet me të ardhmen e një kombi, ashtu siç po ndodh në vendin tonë, me pallavra dhe fjalë boshe në emër të zhvillimit dhe progresit apo më keq akoma të demokracisë. Rrjedhojat e një politike të mbrapshtë futuriste i dinë mirë shumë vende, që nga komshnjtë tanë e duke e zgjeruar rrezen rrethore në të katër anët e horizontit, në një formë helikoidale, që të kujtonn se trusnia sjell gjithmonë tkurrje. Por natyrisht investime të tilla kombëtare mund të kenë edhe synime të largëta elektorale apo thjesht duke menduar se në kohë krize është shteti që di të vlerësojë meritokracinë dhe kontributin e secilit në shoqëri. Edhe për studentët e shkëlqyer, dhe nuk ka dyshim se në Gjermani përzgjedhja nuk ka miq apo nota në emër të miqësisë, djersa e derdhur në vitet e studimeve duhet të konsiderohet kontribut në shoqëri dhe sigurisht të shpërblehet. Kjo krijon më pas premisat që studentët e mirë të jenë motori i duhur i shoqërisë, të cilët do të kenë mbështetjen e duhur për të mos u larguar nga vendi i tyre, por të jenë pjesë dhe ideatorë të ndryshimeve. Fakti është më pozitiv se nuk do të ketë dallime shtresash në shpërblim, por as dallime politike apo broçkulla shqiptare. Programi i ri do të përfshijë 160 mijë studentë, 8% e popullsisë universitare dhe fatura shtetërore do të jetë 300 milionë euro në vit. Natyrisht duhet menduar se shteti gjerman është i kompletuar në aspektet e tjera dhe nuk mund të ketë kurrë krahasim me vende europiane aq më keq me vende si Shqipëria. Ideatore dhe promovuese është ministrja e qeverisë Merkel, një ministre që mesa duket e kupton drejt largpamësinë e kombit të saj, ose të shpresojmë se ka këshilltarë të mirë që e shtyjnë në këtë rrugë, në bashkëpunim me universitetet që do të mbulojnë 35% dhe me financime private. Ka edhe zëra kundër këtij ligji, asnjë ligj nuk është i përkryer, jo çdo gjë e ideuar nga mendja e njeriut është ideale pa e përpunuar apo provuar më parë, pasi mund të cënojë parimet e solidaritetit që është një nga shtyllat e Gjermanisë së bashkuar (landet perëndimore vazhdojnë të financojnë lindjen - citojnë burimet gjermane). Sa i drejtë është ky ligj dhe çfarë forma do të marrë, besoj se do të zhvillohen debate, siç është e drejtë, edhe në Parlament. A do të ketë klientelizëm, shpërdorim të parave publike, politikë rishpërndarëse nga poshtë lart, janë disa nga pyetjet që do të jenë pjesë e debatit, pasi nëse do të ndodhnin fenomene të tilla, gjithçka do të shkonte në dëm të politikave të duhura futuriste. Europa multietnike është një realitet i pakundërshtueshëm dhe natyrisht pjesë e stimujve për promovimin e arsimit janë edhe komuniteti turk apo edhe të tjerët që përbëjnë vërtet një problem për vendin. Të dhënat e fundit flasin për një mungesë integrimi të këtyre komuniteteve me shifrën 13% të fëmijëve të emigrantëve që e braktisin shkollën pa e mbaruar deri në fund.

Tek ne a mund të merren parasysh ide të tilla? A mund të shmanget liberalizimi pa kriter i universiteteve? A mund të vlerësohen drejt studentët pa ndikimet e shtrembra të politikës? A mund të fillojë një vit akademik i qetë dhe pa problemet e mëdha të vjeshtës, midis studentëve që futen pas provimeve në shkollat e mesme apo kuotave part time? Midis…. dhe mijërave problemeve të kota? Pak kohë më parë, një profesor i nderuar, i diplomuar në Itali, pata nderin ta kisha vetëm pak muaj, deklaroi largimin nga politika, dhe mirë bëri, i duhet uruar mirëseardhja në gjirin e studiuesve, pasi pa nga afër kotësinë e të qënit politikan në politikën shqiptare dhe plotësinë e të qënit studiues në shoqërinë shqiptare. Ose më mirë të themi se u detyrua të largohej nga presionet e atyre që nuk mund të mateshin me kulturën e Xhufit. Ka edhe raste të tjera të braktisjes së zbrazëtisë “intelektuale” në politikë, pavarësisht motivimeve që zëdhënësit apo kolegët e tyre japin në versionet nga më të çuditshmet apo absurdet. Në gjithë këto vite rrjedhja e trurit nga poltika drejt terrenit konkret të studimeve ka qënë e dukshme, me drejtim pozitiv ndaj dobisë dhe jo në kotësisë e të ngriturit të dorës si robotë në Parlament.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar