Skip to content

Shqipëria si në kohën e tollonave të Ramizit

11. 08. 2010 nga Kritika

Version i përshtatshëm për printim
Lypes

"Nuk na i dhanë dëftesat e shkollës se shkollat s'kanë fonde" - më tha në telefon një nxënëse e shkollës tetëvjeçare nga Shqipëria.
Ndërsa Berisha "thyen" rekordet e tij të notit (vazhdon të merret me veten, si zakonisht) nëpër ujërat bregdetare buzë ish-vilave të udhëheqjes komuniste (dje ishte në vilën e ish-byrosë në Himarë, ndërsa para disa ditësh bënte plazh në vilën e Enverit te Iliria), vendi është zhytur në varfëri therëse.

Vetëm një javë më parë, hipoteka e Tiranës çfuqizoi një akt pronësie trualli (timin) në qytetin e Tiranës, plotësisht i rregullt, i bërë para 15 vjetësh.
Hipoteka po bën ri-regjistrim pronësie të pasurive të paluajtshme të qytetarëve, me pagesë (plus korrupsion), për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit. Dhe kjo është një vjedhje e hapur që u bëhet njerëzve, të cilët do paguajnë dy herë për të njëjtin regjistrim.

E njëjta procedurë "rrjepjeje" po aplikohet edhe në zyra e tjera shtetërore. Qeveria është në panik financiar dhe s'din ç'bën. Në vijim të kësaj linje piraterie, qeveria shqiptare ka vendosur t'i quaj të paligjshme të gjitha pasaportat ndërkombëtare, pavarësisht se nuk u ka mbaruar afati, për t'i shtrënguar njerëzit të blejnë pasaportat e reja biometrike, për të mbledhur para për arkën e boshatisur të shtetit, natyrisht. Në këtë lojë ka hyrë edhe policia rrugore që bllokon automjetet e emigrantëve, për t'i detyruar këta të fundit të blejnë, me forcë, pasaportat biometrike. Skandal, ndërsa pasaporta ime shqiptare (bie fjala), jo biometrike, skadon pas 7 vjetësh.

Çmimet në tregun shqiptar janë aktulisht më të lartat në Europë (dhe në Amerikën e Veriut). Çmimi i bukës po thyen çdo rekord ndërkombetarë, ndërsa të ardhurat monetare kanë rënë tmerrësisht për shkak të prurjeve të pakta financiare të emigranteve. Papunësia është galopante. Shitjet me listë po i falimentojnë bizneset, dhe në këtë aspekt shteti duhet të ndërhyjë, ndoshta me shpërndarje tollonash, për të ndihmuar këtë kategori të varfër njerëzish.

Vendi është në prag të gjendjes "SOS"...

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar