Skip to content

Kujt i shërben mospjesmarrja në zgjedhje të 12 dhjetorit në Kosovë?!

07. 12. 2010 nga Dr. Sulejman ABAZI

Version i përshtatshëm për printim

Kosova, kjo bijë heroike e Shqipërisë mëmë po kalon një situatë të vështirë social politike, e shkaktuar nga kriza institucionale, e simuluar saktë nga urdhëra të jashtëm dhe e mbështetur nga klanet burokratike titiste, që nuk e kanë dashur dhe nuk e duan kurrë Shqipërinë të fortë.

Në retrospektivë, do të veçonim faktin se, ish presidenti e dinte fort mirë që kishte shkelur Kushtetutën. Atëherë:

Pse nuk dha dorëheqjen nga kreu i partisë dhe të mos e çonte Kosovën në zgjedhje?

Pse partia nuk e zgjodhi më kryetar dhe pse ai nuk e futi emrin në listën e deputetëve, por zgjodhi azilin në SHBA-të?

Çfarë interesash janë fshehur pas veprimeve të tilla me kosto të lartë në prag të bisedimeve Kosovë – Serbi, kur diplomacia serbe po ngutet të fillojnë këto bisedime, duke deklaruar se ajo është gati me ekipin e saj?

Mund të shtrohen edhe pyetje të tjera, por besojmë se janë të mjaftueshme për të kuptuar që, presioni politik i jashtëm mbi klasën politike shqiptare në Kosovë është aq i fuqishëm dhe me pasoja të paparashikuara, sa për t’i dalë të keqes përpara, kemi dhe qëndrimin e fundit të këtyre ditëve nga ideatori i shkatërrimit të vlerave të luftës çlirimtare kombëtare shqiptare, Antisarit, i cili sot u kujtua, pas disa vitesh, të ngarkojë më përgjegjësi Serbinë për krizën e thellë ballkanike. Tashmë i lau duart dhe Antisari si “Pont Pilati”.

Por nuk është ky problem i këtij komenti politik. Nuk na intereson kjo situatë, e cila nuk ç’bëhet më, por ajo çka tani kërkon zgjidhje. Fjala është për procesin zgjedhor në Kosovë. Në datën 12 dhjetor kërkohet që shqiptarët të dalin në zgjedhje dhe të shpalosin vullnetin e tyre politik për të ardhmen e Kosovës dhe të jetës së tyre. Ajo që do të veçonim në këtë situatë, është fenomeni i prostitucionit politik, i realizuar nga figura të ndryshme, me lëvizjet dhe stacionimet që kanë bërë brenda subjekteve politike, çka në këtë situatë do ta meritonte një analizë të veçantë. Por edhe ky proces nuk ç’behet më, pasi tashmë listat janë formuar dhe propaganda zgjedhore është në zhvillim e sipër.

Ajo që tërheq vëmendjen është aktuale dhe përbën problemin thelbësor, për të arritur një rezultat transparent e demokratik, që në fund të fundit, do të pasqyronte vetë vullnetin e popullit shqëiptar në Kosovë. E shtrojmë që në fillim: ka zëra antishqiptarë, të cilët predikojnë bojkotimin e zgjedhjeve në Kosovë, duke bërë një gabim të pafalshëm trashanik me karakter politik, por dhe një shërbim interesave serbe që zgjedhjet në Kosovë të dështojnë.

Perifrazojmë një “thirrje të tillë, për të cilën do të parashtrojmë veç disa pyetje: “Duke i bojkotuar zgjedhjet parlamentare, të 12 dhjetorit 2010, do të ishte një fitore e madhe për ardhmërinë e Kosovës, për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, që në këto zgjedhje të mos marrin pjesë më shumë se 40 %-shi i elektoratit shqiptar të "Republikës" së Kosovës. Përmes këtij veprimi qytetar, demokratik dhe mbi të gjitha edhe kombëtar, kur të fillojnë bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës, Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar (FDBK) dhe të gjitha organizatat patriotike në "Republikën" e Kosovës do të kenë mundësine dhe të drejtën legjitime që të mos i njohin këto bisedime dhe as edhe kompromiset (lëshimet) e dhimbshme të Prishtinës ndaj Beogradit, prandej le të mobilizohemi bashkarisht dhe masovikisht për bojkotimin e zgjedhjeve paralamentare, të 12 dhjetorit 2010, në "Republikën" e Kosovës” (internet, 05. 12. 2010).

Atëherë: Çfarë ngjyre do të kishte “fitorja e madhe” me bojkotimin e zgjedhjeve? Ku është thelbi “qytetar dhe demokratik” i bojkotit? Në cilat raste një popullsi duhet të përdori bojkotin dhe çfarë përfaqëson ai? Ku qëndrojnë vlerat “kombëtare” të një bojkoti të tillë? Pse këto roganizime duhet të presin bisedimet “për të mos i njohur ato”, gjë që nuk i ndalon askush që, që sot të mos i njohin këto bisedime? Ku e dinë këta dështakë se Prishtina do të “bëj lëshime dhe kompromise të dhimbëshme” ndaj Serbisë? Si mund të paragjykohet ekipi shqiptar i bisedimeve në paradhënie për frymë antishqiptare? Nga cilat burime “të besueshme” i kanë këto informacione paraprake? Nëse shqiptarët nuk do të votojnë, atëherë mos vallë duhet të jemi të kënaqur dhe të pranojmë që të votojnë vetëm votuesit serbë (që në një rast të tillë ata do të dilnin masivisht) dhe të sjellim përsëri regjimin e Beogradit në Kosovë? Pse goditet nw kwto prononcime publike PDK-ja (me koalicion) dhe “Vetvendosja” (po me koalicion), kujt tjetwr do t’ja lwmw Kosovwn, titistwve?


Mund të bëhen shumë pyetje të tjera, por edhe kaq janë të mjaftueshme për të kuptuar “atdhetarizmin” dhe “largpamësinë” politike të njërëzve që ende vazhdojnë të shajnë institucionet dhe njerëzit e tyre në Kosovë, të cilat fatmirësisht pas 100 vitesh kolonizim janë shqiptare. Ky mentalitet biznatin, që të jesh kundër pjesmarrjes masive në zgjedhjet e 12 dhjetorit, në kushtet e një sistemi të hapur demokratik, nëse duhet të jetë i besueshëm, nga ana tjetër duhet të afronte edhe alternativën e zgjidhjes dhe argumentet bindëse, pse njerëzit nuk duhet të dalin në zgjedhje.

Një thirrje e tillë ka të bëjë me dy moment: dëshira për anarki dhe diktaturë. Qejfmbeturit përherë dalin në skenë në moment të tilla. Asnjëra prej këtyre fenomeneve vrasëse nuk u takon më shqiptarëve. Atëherë: Kujt i shërben mosdalja e shqiptarëve në zgjedhje? Pse duhet të thellohet më tej kriza politike, e cila kujtdo mund t’i shërbejë, veç Kosovës jo? Pse duhet lënë akoma në prag të bisedimeve Kosova pa institucionet e saj shqiptare, që të përballen në planin politik dhe diplomatik me Serbinë? Kush janë të interesuar që të vazhdojë të thellohet më tej kriza në Kosovë? Ata që pretendojnë që populli të mos dalë në zgjedhje, a kanë menduar ndonjëherë se çfarë fiton Serbia me dështimin e zgjedhjeve në Kosovë dhe çfarë humbet Kosova në rastin konkret? Çfarë kërkojnë këta aventurierë politikë, që populli të mos dalë në zgjedhje dhe në Kosovë të mbizotërojnë institucionet burokratike me origjinë titiste? Ç’përfaqësojnë këta zotërinj që na çojnë rrufetë nga maja e Olimpit?

Këta “baballarë” të kombit, njerëz të dështuar në politikë, më parë se sa të ftojnë shqiptarët që të mos dalin në zgjedhje, duhet të japin arësyet “bindëse” pse duhet bërë një veprim i tillë! Aq më keq, kur opsione të tilla me karakter politik dalin nga njerëz të strukturave mbarëkombëtare, të cilat nuk janë aspak atribute dhe qëndrime individësh, por qëndrime institucionale të forumeve udhëheqëse të tyre. Këto “rekomandime” antidemokratike bien era diktat, dhunë, shpalosin një frymë të hapur protitiste, duke dëshmuar dështimin e pakthyeshëm në politikë.

Përballë të drejtës për të bërë propogandë mbarëkombëtare, distancimi nga thirrje të tilla me karakter antikombëtar, bëjnë që organizimet mbarëkombëtare, si instrumente kombëtare me karakter gjithpërfshirës, të respektojnë programet politike të subjekteve dhe anëtarësisë së tyre, duke vlerësuar të drejtën qyetare për të votuar për të ardhmen. Këto organizime nuk favorizojnë asnjë subjekt politik, por ato nëpërmjet mbrojtes së vlerave të karakterit kombëtar, japin mesazhe të qarta brenda normave demokratike, duke respektuar kështu të drejtat e anëtarësisë së tyre. Qyetarët e lirë të Kosovës me pjesmarrjen masive në këto zgjedhje, duhet të dalin në mbrojtje të interesave të tyre, duke respektuar në çdo rast vetëdijen e tyre kombëtare.

Zgjedhësit shqiptarë në Kosovë, duhet të dalin masivisht e të votojnë për të ardhmen e tyre. Me këtë akt qytetar, ata do të dëshmojnë se sa të interesuar janë për ardhmërinë e vendit dhe jetës së tyre, ata do të tregojnë nivelin më të lartë të qytetarisë dhe emancipimit shoqëror, duke e dhënë votën atje ku ata mendojnë se u plotësohen interest e tyre jetësore e sociale.

Ata duhet të jenë shumë të vendosur për një proces votimi të qetë, për një trasparencë të plotë në shpalljen e rezultateve, për respektimin nga të gjitha palët të procedurave demokratike në një situatë të tillë, duke gjykuar se zgjedhja dhe miratimi sa më shpejtë i institucioneve përfaqësuese të vullnetit të popullit në Kosovë, është një shërbim qytetar në të ardhmen e saj.
Tiranë, 07 dhjetor 2010

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar