Skip to content

Aleksandri i Lezhës dhe Aleksandri i Athinës

07. 02. 2011 nga Abdurahim Ashiku

Version i përshtatshëm për printim

Aleksandër i quajnë të dy, Aleks i thërresin, babai, nëna, motrat, shokët, miqtë...
I pari është nga Grikë Manatia e Lezhës, fshat në të cilin në vitin 1962, kur isha student, pata pi një kafe siç dinë ta pjekin e shtrojnë njerëzit e mirë, në ditë të mirë.
I dyti, Aleksi i Eksarqies është nga Athina, kryeqytet i vendit nga e ka prejardhjen fjala “demokraci”, fjalë që na vjen nga më se tremijë vjet jetë njerëzore.
I pari, Aleksi i Grikë Manatisë ishte i papunë, baba i tri vajzave dhe vëlla i katër motrave...
Oh sa lot, oh sa dhimbje!...
I dyti, Aleksi i Athinës ishte nxënës shkolle, katërmbëdhjetë pranvera parë e shijuar. Ishte bir i një familje të mesme greke.
I pari, Aleksandri i Lezhës doli në demonstratë për të kërkuar punë për të mbajtur gjallë familjen e tij, vocërraket që zgjatnin duart si zogjtë në fole.
I dyti, Aleksandri i Athinës, doli të shëtisë në lagjen Eksarqia me moshatarët e vet, shëtitje pafajësie fëmijësh në gëzim e hare.
I pari, Aleksi i Lezhës mori një plumb në kokë nga policia e shtetit, një plumb që ka një autor kolektiv.
I dyti, Aleksi i Athinës mori një plumb rikoshetë nga një polic që shtiu në tokë për të treguar forcën e shtetit në lëngatë.


Për të parin, Aleks Nikën nuk do të ketë drejtësi, nuk do të ulet njeri në bankën e të akuzuarit.
Për të dytin, Alexandros Grigoropoulos u zhvillua një gjyq. Polici, edhe pse e mbajti grykën e revolverit në tokë, u dënua me burgim të përjetshëm.
Për të vrarët nga plumbat e shtetit demonstruesit bënë një mullar të madh me lule të freskëta në vendin ku derdhën gjakun, lule që dora vrasëse i fshiu me fshesën e frikës deri në palcë për tërë natën...
Në Eksarkia, vendin ku u vra pesëmbëdhjetëvjeçari grek, çdo ditë, edhe pas kaq vitesh, do të gjesh lule të freskëta...
Për Aleksin e Greqisë u dogj Athina, u zhvilluan zgjedhje të parakohshme. Për të, në kujtim të tij, prej asaj kohe, çdo vit, në ditën e vrasjes, zhvillohen demonstrata të dhunshme, digjet Athina.
Në shtëpinë e Aleksit të Grikë Manatisë do të desha ta pi një kafe të hidhur dhe ti shkruaj dy fjalë njerëzore në ditë zije e hidhërimi të skajshëm. Jam larg, 900 kilometra larg, në dhe të huaj. Nuk e arrij dot korteun e dhimbjes së madhe njerëzore.
Ngushëllimin po e përcjell nëpërmjet valëve satelitore si pjesë të dhimbjes që ndjen në shpirt një njeri i zakonshëm.
Për Aleksandrin e Athinës kam shkruar aso kohe. Po i përcjell ashtu siç i kam përjetuar. Mbase lexuesi i këtyre radhëve do të gjej diçka të përbashkët, jetësore për dy njerëz që me siguri janë në parajsë, vendin e nartirëve që japin jetën për një çështje të madhe, për triumfin e demokracisë, për një jetë pa plumba... (Athinë, 7 shkurt 2011)

Greqia në flakë. deri kur?

Greqia vazhdon të digjet. Qeveria Karamanlis ka marrë në dorë krehrin dhe krihet... Kjo është në thelb pamja nga jashtë, pamje si në fotografinë që po përcjellim, foto - pjesë e një fotoreportazhi që “ka marrë botën”.
Një polic në flakë...
Thjeshtë kaq? Polici është shteti, është “dajaku” i shtetit. Dhe ai është në flakë, po digjet...
Qeveria Karamanlis, si në përrallën e njohur të ujkut dhe të gomarit, mburret me forcën e demokracisë së saj. Parlamentit, shumë politikanë nuk mungojnë të hedhin fjalën në epokën e artë të Athinës parakristiane...
Ndërkohë protestat bëhen lehtësisht të dhunshme. Grupe të rinjsh krijojnë shpejt atmosferën e marshimit. Marrin me vete shufra hekuri dhe bomba molotov. Më pas vijojnë përplasjet rituale me policinë, thyerja e xhamave të dyqaneve dhe gazi lotsjellës mbush sheshin “Sintagma” dhe sheshet e tjerë të Athinës, Selanikut, Patras etj. për orë të tëra.
Por pamje të tilla të shikuara edhe më parë morën tjetër ngjyrë javën e kaluar kur Alexandros Grigoropoulos, një nxënës 15-vjeçar i shtresës së mesme të shoqërisë greke, u qëllua për vdekje nga policia më 6 dhjetor në lagjen Eksarqia e konsideruar si bastioni i anarkistëve.
Këtë herë, ndryshe nga herët e tjera, nga vrasjet në kufi me Shqipërinë dhe nga vrasjet dhe keqtrajtimet e emigrantëve, protestat kundër vrasjes mbushën rrugët qendrore të Athinës dhe të vendit. Grupet e anarkistëve të tërbuar dogjën makina, dyqane, banka dhe hodhën bomba molotov duke i vënë zjarrin gjithçkaje, edhe policëve. Protestuesit sulmuan rajonet e policisë dhe zyrtar publikë në disa qyteteve veç Athinës. Inati i rinisë greke, që përkoi edhe me qëllimin e anarkistëve, shkaktoi dhe vazhdon të shkaktojë trazira dhe dëme materiale me vlerë qindra milionëshe.
Thirrjet për qetësi nga Kostas Karamanlis, kryeministri i qendrës së djathtë janë injoruar. Për shkak të frikës së provokimit të një pakënaqësie më të madhe, ai refuzoi të merrte masa të rrepta, si për shembull vendosjen e ndalim-qarkullimit apo urdhërimin e arrestimeve. Bisedimet mes liderëve politikë në kërkim të një konsensusi për zgjidhjen e krizës dështuan. Më 10 dhjetor, një grevë e planifikuar e sektorëve publikë u zhvillua, pavarësisht nga thirrjet e Karamanlis për ta anuluar atë.
Jorgos Papandreu, lideri i opozitës greke, PASOK-ut, i bëri thirrje kryeministrit të jepte dorëheqjen dhe të shpallte zgjedhjet e përgjithshme. Qeveria e Karamanlis është shumë e brishtë. Demokracia e re ka vetëm 151 vende në parlamentin prej 300 vendesh, dhe PASOK është në epërsi me katër apo pesë pikë në sondazhet e opinionit publik.
Qeveria përballet me kriticizmin në rritje për shkak të një sërë skandalesh financiare.
Ndërsa jashtë zhvillohej protesta, në parlament, një komision hetimor po merrte dëshmi për skandalin e shitjes së paligjshme të tokave, manastirit Vatopedi, në Malin Athos. Thuhet se ka disa ministra që kanë përfituar mijëra euro nga i gjithë ky skandal. Dy e kanë dhënë dorëheqjen tashmë: Jorgos Voulgarakis, ministri i Marinës Tregtare, bashkëshortja e të cilit ishte agjente e marrëveshjes si dhe Theodoros Rusopulos, zëdhënësi i qeverisë.
Kostas Karamanlis të martën bëri një “autokritikë të fortë në parlament” duke kërkuar të zbusë gjendjen por deklaroi se do të vazhdojë të qeverisë dhe se nuk do të japë dorëheqjen. Ndërkohë që televizioni shtetëror ERT po përcillte drejtpërdrejtë fjalimin e tij, një grup prej njëzet të rinjsh arrin të futet në televizionin shtetëror, madje të futet edhe në studion e lajmeve, të marrë në dorë transmetimin dhe t’i bëjë thirrje popullit, me zë dhe nëpërmjet një parulle, që të mos qëndrojë indiferent por të dalë në rrugë për të kërkuar të drejtat e mohuara nga qeveria.
Në rrugët e Greqisë aktualisht ka dalë dhe po proteston edhe me “armët e anarkistëve” rinia shkollore së bashku me mësuesit. Shkollat janë mbyllur dhe vështirë se do të hapen në këtë fund viti.
Greqia vazhdon të jetë në flakë. Deri kur?

Vrasjet në kufi dhe vrasja në Athinë

Vrasja e Aleksit të vogël në pafajësinë adoleshente të një shëtitje mbrëmje në Eksarqia ka tronditur të gjithë, të madh e të vogël, vendas dhe të huaj. Vrasja është bërë shkak që të digjet në kuptimin fizik dhe moral Greqia, të digjet shpresa për të sotmen dhe të ardhmen në një vend ku demokracia ka hedhë rrënjët dhe ka nxjerrë gjethet e para të shpresës njerëzore.
Një mik, tek gjerbnim kafenë në një lokal shqiptar paksa larg nga qendra e djegieve dhe shkatërrimeve, me sytë e mbërthyer pas ekranit “në flakë” dhe “shiut të gurëve”, tek dridheshim në zemër e shpirt nga ikja e një filizi të jetës, më thotë:
- E di si është puna? Polici që nxori në qetësi nagantin nga këllëfi dhe shënoi mbi zemrën e djaloshit pa iu dridhur dora është nga kontingjenti i ushtarëve grekë në kufi me Shqipërinë. Atje ai kishte mësuar të qëllonte pa paralajmërim shqiptarët që kalonin kufirin për bukën e gojës, tu merrte jetën në lulen e rinisë dhe të mos dënohej, madje edhe të dekorohej...
...Dhe nisi të më tregojë rastet e vrasjeve në kufi, gjyqet e sajuara dhe lirimin “me kusht” të vrasësit duke më pyetur pa marrë përgjigje:
Më thuaj se cili ushtar vrasës është dënuar?
Më thuaj se sa u “dënua” polici që vrau me plumb në zemër shqiptarin diku afër sheshit të Amerikës para disa vjetësh?
Më thuaj se sa u dënuan policët që vunë dy adoleshentët të rrahin njeri tjetrin brenda rajonit të policisë?
Më thuaj se si u dënua oficeri që marshonte me togën e ushtarëve që këndonin këngë në refrenin e të cilave flitej për “zorrë që do t’i bënin litarë” dhe për “lëkurë që do t’i bënin opinga” ?
Më thuaj...
Miku vazhdonte të sillte shembuj mbas shembujsh aktesh dhune të policëve ndaj të huajve në përgjithësi e shqiptarëve në veçanti.
Në vijim ai këmbëngulte se polici vrasës ishte po ai ushtari vrasës në kufi, po ai polici vrasës i emigrantëve...
Këtu ndodhi ajo që e vuri atë në bankën e të akuzuarit dhe Greqinë në bankën e djegësit dhe shkatërruesit nga “Kukloforët”, sepse kësaj radhe nuk vrau një fëmijë shqiptar apo kurd, vrau një fëmijë grek. Kjo e tronditi shtetin dhe shoqërinë greke, ashtu siç tronditi edhe emigrantët të cilët i qëndruan ngjarjes me dinjitetin e tyre shembullor. Emigrantët nuk u bënë pjesë e grupeve të zeza të djegieve dhe të shkatërrimeve, qëndruan të mbyllur në shtëpi. Megjithatë, segmente të caktuara të racizmit dhe të ksenofobisë, media raciste, po e përcjellin vëmendjen e “Tragjedisë greke dhjetor - 2008” tek ndonjë duzinë emigrantësh që futen në dyqanet e shkatërruar dhe djegura dhe “mbushin qeskat me plaçka” apo “marrin nga vitrinat këpucë të të njëjtës këmbë”...
...Ai ishte i tronditur nga ngjarja, i mërzitur nga ajo që ndodhte, i zhgënjyer për të sotmen dhe të ardhmen në këtë vend që i thotë vetes “vend evropian”...
I dhashë të drejtë por edhe tunda kokën mendueshëm...

Mëngjes me erë lufte...
- Shënime

Halli i jetës së emigrantit ma do që dritën e ditës së re ta pres në punë, pa llogaritur se është e hënë, e mërkurë, e shtunë apo e diele. Kështu ndodhi edhe të dielën e 7 dhjetorit 2008...
U ngrita si zakonisht nën thirrjen drithëruese të ziles së celularit. I hodha fytyrës një gjysmë grushti ujë, vesha rrobat e punës, hodha në krah trastën me veglat e punës, tërhoqa me kujdes derën që të mos zgjoj djalin kthyer vonë nga puna dhe...dola.
Tek “Sheshi Amerika” mora autobusin e parë midis shtatë mjeteve të transportit qytetës që më afronin me punën...
Kaluam stacionin e parë, kaluam të dytin dhe pa arritur tek i treti autobusi u ndal dhe, pas thirrjes së shoferit, të gjithë zbritëm. Rruga ishte e bllokuar me një shirit bardhë e kuq, nga ata që vihen në raste të rëndomtë...
Çfarë kishte ndodhur? Askush nuk fliste. Pasagjerët një pjesë ecën përpara dhe një pjesë morën djathtas drejt stacionit të trenit elektrik në Viktoria...
Unë eca përpara. Mendova që pas ndonja njëqind metrash të merrja kthesën dhe të kapja ndonjë autobus të linjës së bulevardit Aleksandras.
Eca. Pamja, aq sa më lejonin dritat e zbehta, ishte “pamje lufte”.
Rrugët ishin mbuluar me gurë, copa tullash e copa mermerësh aq sa të shkonte mendja si dikush kishte dashtë ta kthente asfaltin në kalldrëm.
Trotuaret ishin mbushur me xhama të thyer. Vitrinat me goditje “predhash” mjetesh të rënda...
Tek shkelja me kujdes mbi copa xhamesh e gurësh befas ndjeva një këputje gjunjësh, një marrje mendsh e një frymëmarrje të vështirë. Sytë mu mbushën me lot aq sa gjithçka mu errësua. Ndala hapin të marr pak veten. Gazi i helmët i dalë nga bombat lotsjellëse më kishte bllokuar. Provova të hap sytë liqeni i lëngët i të cilëve ishte derdhur duke ma turbulluar gjithçka. Pranë meje dallova të kalojnë në kolonë për një uniforma policësh me parzmore, skafandra e kundragazë. Ecnin si në një parakalim mortor...
E nxora veten nga ai bllokim i çuditshëm dhe nisa të ecë. E ecur i thënçin. Sytë herë i hapja për të parë midis lumit të lotëve rrugën që të mos përplasesha me ndonjë kalimtar të vetmuar, që si edhe unë nxitonte të dilte nga skëterra e gaztë, apo të pengohesha mbi ndonjë objekt të fortë e të rrëzohesha mbi xhama. Eca kështu goxha gjatë, eca derisa liqeni i lotëve ndali paksa derdhjen nga i gjithë perimetri liqenor. Kisha arritur në kryqëzimin midis bulevardit Aleksandras dhe Patision. Kalova midis vijave të bardha pa parë në se drita ishte jeshile apo e kuqe. E çfarë rëndësie kishte kur asnjë makinë nuk kalonte...
U ndala tek stacioni i parë i bulevardit Aleksandras, atje ku ndalojnë disa autobusë e trolejbusë. Pak njerëz prisnin, tre apo katër vetë. Prisnin kot...
Vazhdova rrugën drejt Omonias. Shpresoja se tek Kaningosi do të kishte lëvizje autobusësh...
Pamja kur kalova sheshin e muzeut dhe u përballa me Politeknikun ishte me të vërtetë pamje lufte. Makina të djegura të kthyera ose përmbys ose në anë, kalldrëm gurësh e xhamash mbi asfalt, kazanë mbeturinash të djegur e të flakur në mes të bulevardit, vitrina të thyera e të djegura...
Në hyrje të Kaningos një kameraman po fuste këmbalecin e aparatit në makinën e nuk e di kujt stacioni televiziv. E pyes se çfarë ka ndodhur. “Hamos”-më thotë duke i hedhur sytë rreth e qark. E pyes se si mund të udhëtoj. “Gjithçka është e mbyllur, më thotë, nuk ka shërbim urban as këtu e as në Akadhemias. E vetmja rrugë qarkullimi është nëntoka...”
U ktheva pas duke shkelur mbi rrënojat e një lufte që nuk po i jepja kuptim. Zbrita thellë në metro dhe mora rrugën e nëndheshme...
...Më vonë do të merrja vesh se një polic, në qetësinë karakteristike të një krimineli, kishte nxjerrë pistoletën nga këllëfi dhe kishte qëlluar drejt e në zemër një fëmijë, një pesëmbëdhjetëvjeçar, tërësisht të pafajshëm...
...Të nesërmen, të pasnesërmen, sot do të përjetoja një betejë të vërtetë lufte me gurë, thyerje xhamash, hedhje bombash djegëse, djegie bankash e pallatesh shumëkatëshe, bombash lotsjellëse...një kaos që ka përfshirë të gjithë Greqinë.
Kjo deri sot. Nesër nuk i dihen rrugët kësaj lufte të pakuptimtë, lufte që godet ashpër shtresat e varfra, ata që kanë një dyqan të vogël, një makinë pune, një ëndërr që digjet e shkatërrohet... (Athinë, 10 dhjetor 2008)

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar