Skip to content

Edi Rama fitove me rreth apo mbi 96 mijë vota

16. 05. 2011 nga Merita Spahiu

Version i përshtatshëm për printim

Tirana në zgjedhjet e fundit lokale, sipas statistikave, numëronte 40 mijë votues më shumë se në zgjedhjet e mëparshme. Nuk bëhet fjalë për një rritje përqindjeje të pjesëmarrësve në votime, prej 40% më shumë, por për 40 mijë votues të rinj. Pra me logjikën e shifrave këta votues duhet të kenë lëvizur nga rrethet drejt Tiranës, si banorë të rinj të saj, apo dhe të rinjtë që votonin për herë të parë, ndonëse duhet të kishte shifra të sakta për personat e larguar nga listat për shkak të ndarjes nga jeta. Meqë nuk ka shifra të sakta për të rinjtë apo të larguarit nga listat, për të parë diferencën dhe përcaktuar realisht rritjen e numrit të votuesve, po marrim shifrën 40 mijë votues si të rinj që votojnë për herë të parë apo banorë të ardhur nga rrethet. Nëse ka ndodhur kjo rrethet duhet të rezultonin me të paktën 40 mijë banorë më pak. Nëse do të pranojmë se edhe mijra kosovarë që udhëtuan drejt Tiranës, në prag të zgjedhjeve, kanë qenë votues në Tiranë, atëherë do të mendojmë se Presidenti i Republikës ka dhënë shumë nënshtetësi shqiptare për kosovarët. Më e pakta 30 mijë njerëz. Po a ka ndodhur në të vërtetë kështu? Mund të spekulosh, kur nuk ke një pasqyrë të qartë nga institucionet kompetente për numrin e ri të votuesve. Por ajo që na intereson është të dimë se për kë votuan këta 40 mijë vetë? Cila është struktura sociale e tyre? A votuan këta 40 mijë vetë edhe në Tiranë edhe në rrethet nga vinin? Mbase kjo është lehtësisht e verifikueshme. A ishin kosovarët, që erdhën për fundjavë, që votuan në Tiranë, nëse ata ishin votues dhe jo turistë, me karta të rreme apo karta të vërteta, që mbanin vetëm fotografinë e tyre por të dhënat e emigrantëve shqiptarë? A kishin mundësi punonjësit e Ministrisë së Rendit, që menaxhuan procesin e pajisjes me kartë të qytetarëve shqiptarë, për të prodhuar edhe një kontigjent të tillë kartash, që t’i përdornin në votime? Janë këto pyetje e shumë të tjera, që lindin natyrshëm në këtë rast. Qëndrimi i Berishës dhe Bashës, pas numërimit të votave, të krijon bindjen se ata 40 mijë vetë u shtuan në Tiranë si elektorat i Bashës.

Meqenëse në këto zgjedhje për Edi Ramën votuan 30 mijë votues më shumë, se në zgjedhjet e mëparshme dhe nëse marrim në konsideratë faktin se në zgjedhjet e fundit, kundër Olldashit, Rama fitoi me 20 mijë vota, pra na rezulton se në këto zgjedhje Rama do të kishte fituar me 50 mijë vota kundër rivalit të tij. Ishte ky parashikim që e detyroi PD-në të merrte masa për rritjen e numrit të votuesve në favor të Bashës. Ata e dinin se populli, kishte motiv më të fortë të votonte kundër Bashës, sidomos pas vrasjeve të 21 janarit. Por gjithashtu emri i Bashës ishte kompromentuar edhe me dy aktivitetet e tjera edhe si ministër i transporteve për aferat në rrugën Durrës-Kukës, ku akuzohet për vjedhje, por edhe si ministër i jashtëm ku firmosi për lënien e një sipërfaqeje të detit Greqisë. Ndonëse ata sollën 40 mijë votues të rinj, ndonëse sollën emigrantët, rreth 6000 votues, ndonëse paratë e ofruara ishin pa kursim, siç thuhet rëndom ‘lek i madh është derdhur’, apo problemet që krijuan gjatë votimit apo numërimit të votave, përsëri nuk arritën të fitojnë. Rama fitoi me 10 vota. Por nëse nuk do të kishin sjellë të paktën 46000 votuesit atëherë Rama do të ishte fitues me 50 mijë vota. Dhe moralisht Rama është fitues i 96 mijë votave kundrejt Lulzim Bashës. Populli i Tiranës masivisht doli në votim dhe votoi për Ramën, votoi për zhdukjen e vrasësve, kriminelëve, hajdutëve, mashtruesve. Votoi kundër atyre që shitën troje shqiptare, që tjetërsuan trojet shqiptare në favor të fqinjëve. Populli i Tiranës votoi masivisht kundër kësaj qeverie që me politikat e saj kundër shtresave të varfra, kundër shtresave të mesme, kundër pronarëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi ka varfëruar shumicën e këtij populli dhe ka rrënuar dinjitetin e tij. Populli i Tiranës votoi për largimin e klikës mafioze të Sali Berishës.

‘Kur i bën varrin tjetrit bie vetë brenda’

Jo vetëm që shtuan, pa iu dridhur qerpiku, 40 mijë votues. Jo vetëm që nuk iu dridh dora për të bërë shpenzime për të sjellë votuesit në Tiranë me avion çarter apo autobusë. Jo vetëm që shpërndanë para dhe ndihma, për të detyruar njerëzit të votonin për Bashën. Jo vetëm që punuan kokë më kokë me njerëzit duke iu imponuar votën. Por kishin përgatitur dhe trajnuar administruesit e procesit zgjedhor për të çorientuar edhe votuesit. Në katër kutitë e votimit ishin vendosur ngjyra të përafërta, që mund t’i ngatërroje lehtë. A thua se vetëm ato ishin ngjyrat për të diferencuar kutitë e votimit. Por sikur të mos mjaftonte kjo edhe personat që drejtonin votuesit, për të hedhur votën në katër kutitë e votimit, qëllimisht i keqdrejtonin për të ngatërruar kutinë dhe jo vetëm pleqtë por edhe të rinjtë. Dhe është për këtë arsye që në shumë kuti votimi, për njësitë bashkiake, ka fletë votimi të kandidatit të bashkisë së Tiranës. Një rast flagrant, që më tregonte një i pranishëm, ishte kur një i moshuar ishte orientuar gabim në këtë mënyrë, dhe ndonëse fleta e votimit nuk ishte futur plotësisht në kuti, pra mund të merrej dhe të futej në kutinë e duhur, gruaja, që e orientonte, e futi në kuti fletën duke u deklaruar se kjo tashmë mbaroi. Ju doni të thoni se kjo mund të ndodhte për çdo kandidat të bashkisë së Tiranës, pra mund të mos ishin vetëm të djathtë ata që çorientonin qytetarët. Por mos harroni se ata që njihnin dhe zbritën edhe nga avioni dhe autobusët njerëzit me prirje të majta, sigurisht që i njihnin fqinjët apo banorët e një lagjeje. Për më tepër që ishte platformë e punës së tyre, për të stimuluar apo rritur votuesit e Bashës dhe eliminuar votuesit pro Ramës. Por si thotë populli ‘kur i bën varrin tjetrit bie vetë brenda’. Sot Berisha dhe Basha i kanë shpresat pikërisht tek këto fletë votimi, për kryetarë bashkie, që u hodhën gabimisht dhe që, sipas ligjit, janë të pavlefshme. Ndonëse gjatë procesit të numërimit herëpashere është deklaruar numri i madh i fletëve të pavlefshme për Ramën, as që u diskutua që këto fletë të trajtoheshin si të kontestuara, por automatikisht ato u trajtuan si të pavlefshme, kurse tani ata që bëjnë ligjin në Shqipëri nxjerrin rregulla të reja sepse ligjin e bën Maliqi shqiptar. Duke e futur problemin në kulisa, synojnë një rinisje të procesit të numërimit e që vendimmarrja për kandidatin fitues të jetë e KQZ apo Arben Ristani, e që në fund të fundit të fitojë patjetër Basha. Ndonëse për mbylljen e këtij procesi, të zvarritur qëllimisht, u desh ndërhyrja e ndërkombëtarëve, që përbën rast unikal në botë që ambasadorët të qëndrojnë në vendnumërimin e votave deri në votën e fundit, që u ndoq drejtpërdrejt nga publiku i gjërë, përsëri nuk merret në konsideratë ky rezultat, pasi duhet të fitojë patjetër Basha.

Komisionerët u orientuan të mashtrojnë

Shumë fletë rezultonin me dy kryqe. A mund të mendohet se qytetarët, që rrinin në rradhë për të votuar, nuk e kishin të fiksuar se për kë do të votonin dhe sesi duhet të votonin? Sigurisht ka dhe të moshuar që në vend të kryqit vënë firmën, sikurse ka edhe fletë votimi ku shkruhet ‘rroftë Sali Berisha’ ‘Berisha je i madh’ dhe këto fletë Tropoja i trajton të vlefshme, mund të hapni kutitë e votimit të Tropojës dhe t’i verifikoni. Por në këtë proces votimi u përdorën thonjgjatat që me thonjtë e tyre fals, vinin nga një kryq të dytë tek fletët e votimit të Ramës, për ta nxjerrë atë të pavlefshme. Kur ke imazh Xhiljeta Xhilagën, sigurisht këta protagonistë do të kesh të aktivizuar. Pra hajdutëve, kriminelëve, dhunuesve u shtohen edhe prostitutat. Komisionet që duhet të lexojnë me korrektesë votën e qytetarit, ishin orientuar të mashtrojnë dhe të vjedhin votën e tyre. Sikurse u përdor edhe presioni, komprometimi, korruptimi, dhuna mbi numëruesit që u bënë publike, falë lehtësive që na jep tashmë interneti, për të demaskuar atë që ndodhi ato ditë.

Fitore me çdo kusht

Nga kjo moto u orientua Partia Demokratike dhe lideri i saj Berisha për të marrë me çdo kusht bashkinë e Tiranës. Ishin aq të qetë që do ta fitonin, saqë në procesin e votimi, kërkonin nga Edi Rama vetëm të pranonte rezultatin. Ishin të bindur se diferenca prej 40 mijë votash do të kapërcente fitoren më të mirë të Ramës prej 20 mijë votash në zgjedhjet e fundit. Sikurse kishin shpresa se do të falsifikonin edhe gjatë numërimit të votave. Por Lapraka, ku kishin vendosur që Basha të dilte me 5000 vota avantazh, ju plasi në dorë, falë Top-Channel-it që ndezi kameran duke filmuar vendngjarjen. Policët u fshehën dhe u zhdukën, aq sa gazetari i kërkonte në tualetin e ambienteve ku numëroheshin kutitë e votimit, sakohë që nuk kishte rrugëdalje tjetër dhe ata u zhdukën si me magji. Ndërsa në njësinë 9 mjafton të shikoni që 7 kuti janë bërë lëmsh për t’u nxjerrë të pavlefshme për të kuptuar, se megjithë njerëzit që sollën në këtë njësi për të votuar, Basha nuk do të kishte fituar nëse nuk do të manipulohej në numërim, përfshi edhe përzierjen e kutive për t’i nxjerrë të pavlefshme. Kjo të kujton pohimet e komisionerëve të djathtë, në vitin e mbrapshtë 1996, kur PS u tërhoq nga votimi, ku ndonëse kishin dorë të lirë për të hedhur fletët në kuti sipas qejfit, ‘nuk arrinim dot të përmbysnim rezultatin’ theksonin ata. Pra çfarë ndodhi me njësinë nr.9 që për tre mandate votoi për të majtën dhe sot për të djathtën. Nga kush ishin më të pakënaqur banorët e njësisë nr.9, nga pushteti lokal apo ai qendror?

Berisha dhe Basha në logjikën serbe

Dalja e Berishës fill pas numërimit të kutisë së fundit, që nxori fitues Ramën, ndonëse me gjurmët shëndetësore të goditjes që pësoi, dhe deklarimi i tij se do të njihnin rezultatin, ishte një lehtësim se do të pranonte rezultatin. U duk si në rastet kur tek ai vepron arsyeja. Po kështu Basha, para përkrahësve tek selia e PD, deklaroi se do të njihte rezultatin. Por prononcimet e një dite më pas na shokuan komplet. Siç duket ata hëngrën drurin nga Fazlliçi që i orientoi sesi duhet të veprojnë. Ndryshimi në deklarime dhe logjika diametralisht e kundërt e dy deklarimeve na bën të mendojmë se orientimi u erdhi nga lindja. Madje për t’i ardhur në “ndihmë” apo për të imponuar rezultatin, e orientuan KQZ-në që të numëronte fletët e votimit të pavlefshme për kryetar bashkie, fletët që ishin gjetur në kutitë e tjera dhe me arsyetimin vulgare që i karakterizon kjo për arsye se ‘duhet të respektohet çdo votë e qytetarit’. Menjëherë kjo frymë u shpërnda në bazë dhe KZAZ-të filluan të veprojnë dhe nga fletëvotimi të pavlefshme u deklaruan të kontestuara. Është e habitshme që këta njerëz kanë kaq kurajë të sfidojnë hapur ligjin, intelektin dhe qytetarinë e këtij vendi. Sigurisht ata janë provuar që janë të tillë. Por të mos kenë fare droje që hapur të aplikojnë filozofinë sllave, në këtë vend, është e habitshme. Të kenë kurajë që hapur të sfidojnë ndërkombëtarët!!! Të gjithë ne e kemi parë këtë frymë të alogjikes dhe të përgënjeshtrimit të së vërtetës nëpërmjet gënjeshtrës, mohimit të së vërtetës lakuriqe nga serbët në rastin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë, kur nuk pranonin masakrimin e civilëve dhe vrasjet ua faturonin bombardimeve të NATO-s. Të njëjtën linjë përdori Berisha në ngjarjet e 21 janarit kur vrasjet ua faturoi demonstruesve, apo që përdorën thika me helm, stilolapsa pistoletë etj. etj. budallallëqe të tilla, që vetëm mendja e një të çmenduri mund t’i sajojë. Në atë kohë serbët pësuan fiasko para botës së qytetëruar që u bataks nga gënjeshtrat e tyre, kurse sot këto sahanlëpirës, që ushqehen nga paratë e Beogradit, kërkojnë që këtë moral pervers ta zyrtarizojnë në Shqipëri dhe prandaj me të drejtë ambasadorët shprehën habi sesi të dy palët u deklaruan të fituar. Këto mund të quhen çudira shqiptare, por nuk janë të tilla. Këto shprehin atë që ndodh në këtë vend, sesa e lakmon mafia lindore që mishëron interesat shtetërore të vendeve lakmuese, prandaj po bëjnë të pamundurën që ta mbajnë me çdo kusht dhe çdo mjet.

Jepini goditjen e fundit

Duke falënderuar pa masë trupën diplomatike në Shqipëri, si ambasadorin e SHBA-ve, të Holandës, të Anglisë, ambasadorin e Bashkimit Europian dhe të OSBE-së, numrin e madh të vëzhguesve, që asistuan deri në numërimin e votës së fundit, për të respektuar verdiktin e popullit, duam t’u themi atyre tashmë jepini shqelmin e fundit kësaj klike mafioze. Këto nuk ishin zgjedhje normale lokale, ku populli të votonte për drejtuesit e tij. Këto ishin zgjedhje politike, ishin referendum popullor, ishte luftë ndërmjet mafies dhe ligjit e drejtësisë. Përplasje qytetërimesh. Hapur kjo klikë është shprehëse e interesave të mafies që është zyrtarizuar në Shqipëri. Populli shqiptar me votën e tij, ju dha një suport të rëndësishëm, për të justifikuar goditjen e fundit kundër mafies lindore. Ju keni verdiktin e shumicës së qytetarëve të këtij vendi. Keni verdiktin e qyteteve kryesore të Shqipërisë. Mos i besoni më përrallave të Berishës se ka shumicën me vete. Ne ju garantojmë se edhe në ato komuna apo qytete të vegjël që është votuar, ka ndodhur sepse atje sundojnë modele allaberisha dhe që populli i atyre zonave vuan dhe është i robëruar e duhet të çlirohet. Sikurse ju garantojmë se njerëzit e parë që duhet të çlirohen janë brenda PD-së e selisë së saj të cilët deklarohen se ‘e kanë frikë Berishën se i vret me falangat e tij kriminale’. Ne kemi besim se vendet perëndimore duan që të vendosin demokracinë në Shqipëri dhe që Shqipërinë ta kenë partner të tyre. Sikurse besojmë se ata nuk mund të lejojnë dhe nuk duhet të lejojnë instalimin e mafies në një vend anëtar i NATO-s.

Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar