Skip to content

Rendi dhe ligji të vendosen atje…

15. 09. 2011 nga Fehmi Ajvazi

Version i përshtatshëm për printim

I. Qeveria e Kosovës është e vendosur në implementimin e planit lidhur me shtrirjen e rregullit kushtetues-shtetror në veri të vendit. “Kosova është e vendosur që të nisë zbatimin e planit për ri-hapjen e pikave doganore 1 dhe 31 në veri, pavarësisht kërcënimeve e shantazheve të Beogradit dhe strukturave paralele në veri”, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri Hashim Thaçi (13.09.2011). Qëndrimi konsistent në këtë drejtim, do të jetë pasqyrë e politikave dhe e veprimeve shtetrore që sigurojnë përgjegjësi institucionale dhe gjendje normale kushtetuese. Kësisoji, në mënyrë të qartë, shteti e vendos vetën aty ku duhet: mbi politikat prepotente-destabilizuese të brendshme dhe të jashtme. Kësisoji, shteti në mënyrë legjitime-kushtetuese me mjete të caktuara, e delegjitimon rendin anarkistë që ka dominuar tash e dymbëdhjetë vjet në veri të vendit. Vendosja e rregullit kushtetues-ligjor që ka filluar pas 25 korrikut 2011, në rend të parë, e mbyll rrethin e grupeve të çoroditura-kriminale që kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme politike dhe materiale për vendin. Në rend të dytë, duke e forcuar rregullin kushtetues atje dhe gjithkund tjetër brenda kufijve të vendit, i jepë legjitimitet dhe fuqi sovranitetit shtetror dhe territorit.

Për fat të keq, gjendja në veri të vendit (andej Urës së Ibrit), ka qenë objektiv i një pazari ku s’dihet mirë se kush çka ka shitur, dhe se kush çka ka blerë tash e dymbëdhjetë vjet. Pjesë e këtij pazari-kolazh, kanë qenë shumë faktor të ndryshëm dhe sidomos grupet profitere që nën rrogoz politikë të brendshëm dhe të jashtëm-ndërkombëtar kanë arritur të krijojnë një rreth të paprecedan: në të vërtetë, kanë arritur që t’i kthejnë rreth 17% të territorit të Kosovës në “terra nulius”, që domethënë në “zero territor të askujt”. Në anën tjetër, ky territor ka fituar imazhet e një hapësire të gjithkujt, për gjithçka dhe mbi të gjitha ka shërbyer si një trampolinë e çdo lloj kontrabandimit njerëzor dhe sendor-material duke vjelë e zhvatur nga Kosova për këto dymbëdhjetë vite, miliarda e miliarda euro.

Tash e dymbëdhjetë vjet, duket që askush nuk i ka penguar seriozisht këto grupe hibride njerëzish (grupe të udhëhequra nga qëllime të nduarndurta), që ta kthehjnë veriun e Kosovës në një “mini-somali”, m’u në mes të Ballkanit. Në rolin e zjarrvënësit kujdestar, ka qenë dhe mbetet Beogradi zyrtar, ai që ka mbledhur fitimin e pistë… Për çudi, Beogradin dhe grupet e ndryshme profitere, nuk i ka penguar as Bashkësia Ndërkombëtare e instaluar në Kosovë që prej vitit 1999! Përkundrazi, si nga pikëpamja politike, poashtu edhe nga pikëpamja ekonomike është lejuar ose është mbyllur njëri sy që terrori, informaliteti, korrupcioni, krimi dhe gjithçka tjetër e egër dhe banditeske të funksionoj shlirshëm atje. Qysh…? Ja, vetëm një fakt: UNMIK-u në Kosovë, me kohë vendosi tarifa diskriminuese doganore në kufijt me Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe me shtetet e tjera, duke e vështirësuar (bllokuar) importin e Kosovës. Në anën tjetër, Bashkësia Ndërkombëtare (UNMIK-u), i siguroi Serbisë lehtësime të papërsëritshme të eksportit në Kosovë dhe në këtë mënyrë, i siguroi Serbisë një treg pothuajse shpëtimtar (Kosovën), madje duke u dhënë hapësirë të bollshme edhe grupeve të ndryshme kriminale që ta ndërtojnë kështjellën e tyre informale-kriminale andej Urës së Ibrit dhe ta instalojnë “qendrën anarkiste-kriminale” në stilin e shfrenuar politik dhe qytetar.

II.

Në veri të vendit, gjithçka ka evoluar kundër shtetit dhe mbi shtetin! Dirigjuesi i “kështjellës” atje, Beogradi, i ka fërkuar duart tash e dymbëdhjetë vjet jo vetëm duke përfituar miliarda e miliarda euro por, edhe duke bërë politika kërcënuese me tndenca të hapëta të përgatitjes së shkëputjes së kësaj pjese të Kosovës një ditë, dhe bashkangjitjen Serbisë. E gjitha, nuk është e rastësishme. A ju kujtohet se si Beogradi (zyrtar dhe jozyrtar) reagoi si zorra në prush, dhe gjithashtu individë e qendra të caktuara ndërkombëtare u zgjuan shumë të hidhëruar në mëngjesin e 25 korrikut, tek dëgjuan për urdhërin e kryeministrit Thaçi lidhur me dërgimin e specialëve në veri!? Në anën tjetër, grupet anarkiste-profitere me shpejtësi, organizuan “një kryengritje fshatare” atje, padyshim sipas skemave identike të dikurshme serbe (në vitet e 90-ta), përdorur në rajonet e banuara me serbë në Republikën e Kroacisë. Me një fjalë, grupet anarkiste mbyllën rrugët me zhavorr, me drunj, me eskavator, me kamionë dhe me trupa grashë e fëmijësh. Më tutje, ata përdorën armët dhe dogjën pikat kufitare…

Që prej 25 korrikut 2011, grupet që po i ushqen Beogradi janë shfaqur të dhunshme dhe kërcënuese. Megjithatë, pavarësishtë të gjithave, qeveria në Prishtinë është e gatshme si asnjëherë të ecë përpara (me plotë të drejtë) në implementimin e rendit të vetë kushtetues, çka nuk mund të kundërshtohet nga askush sepse, është e drejtë e çdo shteti që ta vendos rendin kushtetues në gjithë territorin e tij. Koha tregoi më 25 korrik se, edhe populli në Kosovë është i gatshëm të shkojë pas vendimeve të qeverisë. “Unë e kam proklamuar datën 16 shtator, si datë kur do të fillojë implementimi konkret i punës në pikat 1 dhe 31. Mesazhet kërcënuese të strukturave ilegale dhe kriminale janë të pafuqishme, për të ndalë angazhimin dhe vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, për të implementuar këtë proces”, ka thënë kryeministri Thaçi në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, anarkistët në veri të vendit po kërcënohen edhe tash: përpara 16 shtatorit. Beogradi zyrtar, të mërkurën (14.09.2011), ka dalur hapur në mbështetje të anarkistëve dhe profiterëve. Ministri i policisë së Serbisë, ish pioneri i Milosheviqit, Ivica Daçiq, jo vetëm ka mbështetur banditët por duke shprehur pretendime territoriale ndaj Kosovës, ka kërcnuar paqen rajonale. Ndërkohë, gjithçka është e qartë: rendi dhe ligji duhet të vendosen atje, pavarësisht kërcënimeve. Ky, duhet të jetë fundi i një gjendjeje absurde dhe të panjohur në Evropën modern dhe fundi i mënyrave të zhagitjes dhe sabotimit të vendosjes së stabilitetit dhe sovranitetit të një shteti në gjithë territorin e tij (në këtë rast të shtetit të Kosovës), nga një shtet tjetër (në këtë rast nga shteti i Serbisë) me qëllim të ruajtjes së diktatit dhe shfrytëzimit. Serbia, hapur po i përkrah edhe tash grupet kriminale në veri të Kosovës, po i përkrah bandat e armatosura paramilitare, mercenarët, anarkistët etj. Ku ka kështu në Evropë…? Krahasim për anarkizmin në shtet, krahasim për parregullsi dhe krime, për shtete jostabile-të pakonsoliduara asnjëherë janë Afrika, Azia etj. Evropa, nuk është. Fatkeqësishtë, vetë Serbia vazhdon të mbetet një model i këtillë krahasimi. Sipas një raporti të CIA-s, të bërë në maj të vitit 2010, “Serbia, ndodhet në vendin e 103-të për nga lartësia e bruto prodhimit shoqëror për kokë banori, kurse në listën e 163-të për nga papunësia. Shoqëri i bëjnë Gaboni, Republika Domeniakne, Jibuti etj. Dy shtete të vetme që mbeten më keqë janë Maqedonia (181) dhe Bosnja e Hercegovina (185). Për nga lartësia e inflacionit, Serbia radhitet në vendin e 165-të (me 6.6 %)” (Epoka e Re, fq. 13/ 14.09.2011).

Në një vend të këtillë dhe me gjendje të këtillë, s’mund të zhvillohet asgjë tjetër përveçse diskursi i politikave të egra-kriminale, diskursi i shtypjes shoqërore dhe nacionale, i diskriminimit, s’mund të zhvillohet asgjë tjetër veçse teknologjia e mbytjes së lirisë së mendimit dhe fjalës së lirë, teknologjia e ekonomisë informale, e korrupcionit, e falcifikimit, e trafikimit etj. Kundruall të gjithave, edhe teknologjia e ekspansionit. Ja se çka thotë ( i rreshtuar në këtë linjë) para tri-katër ditësh, negociatori serbë Stefanoviq: “Territori, i cili është gati 20 për qind e territorit të Kosovës dhe përmban ujë dhe pasuri minerale, duhet të ndahet nga jugu. Ekzistojnë shumë ide. Duke filluar nga ndarja e Kosovës, pastaj status special (për veriun e Kosovës), autonomi dhe forma tjera. Të gjitha idetë janë të arsyeshme dhe duhet të jenë në tavolinë. Janë mijëra serbë që nuk dëshirojnë të jetojnë nën qeverisjen e shqiptarëve të Kosovës dhe ky realitet duhet të respektohet, ashtu si realiteti që 1.6 milionë shqiptarë të Kosovës nuk dëshirojnë të jetojnë në Serbi”. (Koha Ditore/ 12.09.2011). Ok. Por, në kontekst të historisë dhe të aktualitetit të marrëdhënieve politike dhe ekonomike me Serbinë, s’ua ka lënë baba me testament trashëgim Borko Stefanoviqit dhe stefanoviqëve të tjerë të Serbisë, këtë territor të Republikës së Kosovës.

Pra, përfundimishtë jemi duke e parë që gjendja në veri të vendit është jostabile, për të mos thënë kaotike. Serbia, e ka ushqyer dhe po vazhdon ta ushqejë kaosin atje. Në një vizitë të bërë ditë më parë në Beograd, kancelarja Merkel i kërkoi Serbisë që t’i tërheqë strukturat paralele nga territori i Kosovës. Në unison, qendrat si Brukseli, Parisi, Vashingtoni etj., janë rreshtuar me Prishtinën, për t’i dhënë fund anarkisë në këtë pjesë të vendit sepse nëse kaosi do të tolerohet më tutje atje, gjërat do të dalin krejtësishtë nga kontrolli. Nuk ka dyshim: jo vetëm paqa dhe stabiliteti rajonal-ballkanik vihen në rrezik në veri të Republikës së Kosovës por, atje mbrohet edhe i gjithë stabiliteti dhe prespektiva integruese evropiane. Kjo, tashmë dihet…

III.

Vendimi i qeverisë në Prishtinë s’është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare, s’është provokim ndaj ndonjë shtetit tjetër dhe as s’është kundër komunitetit lokal serbë, por kundër anarkistëve dhe banditëve të cilët përpiqen të frymojnë edhe më tutje mbi shtetin. Ky vendim pra, thjeshtë: është një çështje e brendshme shtetrore. “As strukturat ilegale e kriminale në veri e as Beogradi, nuk do të mund të kenë as rolin minor për stopimin e vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe autoriteteve ndërkombëtare për të zbatuar marrëveshjen për vulat doganore në pikat 1 dhe 31. Definitivisht do të ketë rend dhe ligj”, ka thënë kryeministri Thaçi. Epo, kush nuk po e kupton realitetin? Serbia, gjithsesi, por edhe disa faktorë të tjerë ndërkombëtar si përshembull Rusia, e cila po e përkrah në forma të ndryshme anën e errët të medalonit…!

Ok: “Duhet dhënë Cezarit, atë që i takon Cezarit...”! Por, ne i kemi dhënë Serbisë së paku në njëqind vitet e fundit, më shumë se secilit cezar tjetër që ka njohur bota. Nuk do t’i japim më asgjë. Përkundrazi: Serbia ka shumë borgje ndaj nesh...

Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar