Skip to content

Diktatori i fundit por jo fundi i diktatorëve shqiptarë

11. 10. 2011 nga Ylldije Sulka

Version i përshtatshëm për printim

Të kujtosh një njeri në çfarëdo stadi të jetës së tij, duhet një arsye e fortë në mos vendimtare dhe aq më shumë kur ai njeri nuk është më në jetë. Sa i përket frymës apo shpirtit të njeriut Ramiz Alia, është një ndjenjë njerëzore që ngrihet mbi të gjitha gjasat dhe kundërshtitë por vepra dhe emri që ai la, është një tjetër gjë që ngrihet po mbi përditësimet dhe vogëlsirat dhe prek kufijtë e reales duke sjellë fakte që nuk i thyen dot edhe nëse do të kesh gjithë mëshirën e botës. Dhe shqiptarët kanë mëshirë, por faktet edhe nëse të ofrojnë alibi deri në nivele mëshire, përsëri ngelen fakte dhe kështu kokëfortë, të kundërshtojnë, madje duket se edhe të ironizojnë nëse bën të kundërtën.

Ditët e fundit, vdekja e diktatorit Ramiz Alia u bë një rast tipik i sjelljes kolektive të kohës së komunizmit ku instikti i vënies në rresht, ishte edhe ngjarja e fundit makabre e përcjelljes së një udhëheqësi komunist që pa mëdyshje mund të thuhet se ka qenë diktator dhe jo ish - Presidenti i parë siç duan ta quajnë ithtarët e vet.

Diktatori Ramiz Alia, qëndroi si i tillë deri në fund dhe edhe pas kuintave ishte i tillë megjithëse bëri çdo gjë për të marrë për vete lavdinë dhe privilegjet për të qenë në udhëheqje, mani deri në krim e diktatorëve të të gjitha kohërave e sidomos të atyre shqiptarë dhe vdekja e tij nuk mbuloi asgjë dhe kjo ngjarje pra, u kthye në një rast tipik komunist ku u sollën shumë vërtetime, hamendësime por edhe një rikthim në nostalgji dhe në hapje plagësh. Të marra të gjitha bashkë apo edhe veç e veç, sado u bënë përpjekje që ai të quhej ish - presidenti, përsëri mbeti ashtu si edhe e njohu historia, diktator.

Ramiz Alia ishte një diktator deri në fund si diktatori paraardhës dhe mësuesi i tij, Enver Hoxha dhe jo një ish - diktator.

Edhe pse u bë maksimumi që ai të trajtohej edhe si ish - Presidenti i parë pluralist dhe në media trumbetohej me të madhe kjo gjë kur kalohej pothuaj drejt e tek koha e studimeve, pa marrë parasysh ose pa thënë se ai ka qenë një nga faktorët kyç të kohës së luftës antifashiste si dhe faktori kyç i pushtimit të Shqipërisë nga komunizmi dhe mbajtjes së këtij funksioni deri në fund të jetës së vet, përsëri shosha e ujit mediatik kuptohej që nuk do të pikonte asnjë pikë ujë.
Por edhe nëse do të marrim si të mirëqenë kohën e tij si një president, ngjarjet e ndodhura në atë kohë përsëri i lenë atij emërtimin dhe sjelljen si një diktator sepse e ashtuquajtura presidencë e Ramiz Alisë, në faqet e historisë është shënuar dhe edhe në popull do të mbahet mend për krimet që ai vazhdoi të bëjë si mënyrë e vetme që ai dinte dhe donte që të udhëhiqte, kriminel dhe diktator për të mbajtur pushtetin.

Krimet e tij filluan me ngjarjet e 2 prillit 1991 dhe vazhduan më tej me krimet ndaj të gjithë shtresës fisnike shqiptare duke mos iu kërkuar të falur për krimet e komunizmit, mohimin për të drejtën e pronës si dhe vazhdimin e rrugës së mbajtjes së pushtetit e cila filloi duke bërë që në fillim një krim që edhe sot vazhdon të ketë ndikim dhe të mos e lëshojë politikën jo vetëm të ditës por edhe atë të perspektivës. Ky krim nisi si fillim duke bërë financimin e pothuaj të gjitha bizneseve të para në vend. Më tej krimi i diktatorit të fundit Ramiz Alia ishte edhe rehabilitimi dhe funksionimi i aparatit të sigurimit famëkeq shqiptar dhe pasaporta e sigurtë e alibisë për të gjithë aparatin e dikurshëm të (ish) KQPPSH.
Si një turmbetë që të kujton luftën partizane ishte edhe fakti që në media përmendej si kontributi që ka dhënë diktatori Ramiz Alia në sjelljen e tij liberale për ndërrimin e sistemeve. Por edhe kjo është një gjë që një mendje e kthjellët dhe e pavarur nuk mund ta gëlltisë dot sepse diktatori Alia nuk e solli pluralizmin por ai erdhi si pasojë e kalbies së sistemit komunist dhe erdhi nga jashtë.
E nëse dikush mund të ngulë këmbë e të thotë se është e vërtetë kjo gjë atëhere le t’i bëjë vetes një pyetje të thjeshtë.
Pyetja është se si do të sillej diktatori Ramiz Alia nëse do të kthehej sistemi komunist dhe ku do të përfundonin të gjithë ata që dolën në rradhët e para të rrëzimit të sistemit komunist.

Nëse Ramiz Alia do të kishte qenë aq liberal pse nuk dha shenjë që para rënies së Murit të Berlinit dhe të mos jepte urdhër të qëlloheshin shqiptarët në kufi?
Dhe fakte e sjellje të tilla ka me qindra për të mos thënë se në sjelljen dhe në udhëheqjen e tij nuk ndryshoi asgjë nga programi dhe nga qenia një komunist si ai i viteve të kohës së luftës amtifashiste ashtu edhe atë të kohës si udhëheqës i pushtimit komunist të Shqipërisë për 50 vjet. Përmendja e këtyre fakteve ka të bëjë jo me ngacmimin e shpirtit të tij të shkuar në atë botë por me faktin a ka qenë diktator Ramiz Alia dhe me ndërrimin e sjelljes së diktatorëve të tjerë që ende e mbajnë vendin në darën e postkomunizmit dhe që ende ëndërrojnë që në Shqipëri do të ringrihet sistemi komunist.

Të ëndërrosh në këtë mënyrë, është njësoj si të vazhdosh të bësh krime ndaj popullit dhe ndaj kombit që i mbushur me plagë, nuk po merr dot as frymë e jo më të ecë në rrugën e ndërtimit të një jete më të mirë dhe të një sistemi demokratik.
ylldije@hotmail.com

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar