Skip to content

Kriza... kriza... dhe kapitalizmi

28. 12. 2011 nga Kristo Zharkalliu

Version i përshtatshëm për printim

Para mjaft viteve, kur në Shqipëri në pushtet ishte akoma diktatura, shpesh herë lexonim lëvdata për regjimin shqiptar, sidomos në gazetat borgjeze demokratike se ato të majtat as që donin të dëgjonin për Shqipërinë e shitur tek imperializmi dhe për tradhtarin e kampit të...lavishëm socialist, Enver Hoxhën. Madje isha habitur kur, në Jaro ku ishim të internuar nga kolonelët fashistë, një figurë nga më të famshme e së majtës (rron akoma dhe bën herë pas herë deklarata në televizion!) mburrej se ishte gazetari i parë që kishte marrë një interevistë nga diktatori shqiptar në Moskë, kurse një poet që kishte marrë dhe çmimin Lenin, nuk donte as të më fliste me gojë duke besuar se isha...përfaqësues i Hoxhës në Greqi! Megjithëse unë nuk e fshihja se isha antikomunist dhe i përndjekur si armik i popullit në Atdhe, ata as që donin të më dëgjonin! Përderisa isha internuar bashkë me ta në ishullin e thatë, si ishte e mundur të isha antikomunist?!

E vërteta është se shpesh herë kur sulmohej Shqipëria me të padrejtë, sidomos me motive nacionaliste shoviniste, unë e mbroja si me gojë ashtu dhe në shtyp (Ç’më duhej mua? Por isha i ri akoma, entusiast dhe me shpresa!) duke theksuar ngahera se Shqipëria nuk ishte pronë e Enver Hoxhës si pretendonin kalemxhinjtë që ngahera e quanin “Shqipëria e Enver Hoxhës!” Sigurisht asnjëherë nuk i u kundëvura shtypit të majtë komunist ku shpesh botoheshin artikuj dhe “studime teorike marksiste” kundër vendlindjes sime , madje asqë e lexoja këtë shtyp propagandistik. Tekefundit nuk kisha aspak dëshirë as dhe njohuri që të mirresha me çështje teorike që nuk i kisha përqafuar kurrë.

Por dikur u detyrova të...”grindem” me një “intelektual”, përfaqësues të së majtës që aso kohe konsiderohej si historiani më objektiv i Ali Pashë Tepelenës i cili shkruante njëherë në javë në gazetën Avji artikuj historikë dhe domosdo rreth teorisë marksistë. MË kujtohet se kishte ardhur një ansambël folklorik shqiptar dhe jipte shfaqje si në Athinë ashtu dhe në qytetet e tjera- ishte nga ansamblet e para që vizitonte vendin e Sokratit. Shfaqja në Likavitos u prit me entusiazëm dhe shtypi në përgjithësi e lavdëroi pëveç “intelektualit” tonë në Avji. Ky shkrojti një shkrim ku paraqiste vallet dhe këngët popullore shqiptare si “primitive” “barbare” dhe mbeturina të otomanizmit. Sigurisht po të ishte kufizuar në kritikë ndaj këngëve dhe valleve shqiptare që nuk ishin të shijes së tij të hollë, nuk kishte pse të brengoseshim, se dinim si t’i përgjigjeshim, por ky e pa të udhës të bënte një analizë për gjëndjen politike-ekonomike të Shqipërisë duke u përpjekur të bënte një krahasim me “krizën ekonomike të perëndimit” (në kapitalizëm ngahera ka pasur pak krizë ekonomike!) Duke marrë shkas nga një protestë të rreth dyzet priftërinj që kishin kërkuar të vizitonin Shqipërinë dhe Tirana u a kishte refuzuar vizën, si edhe nga një shkrim të një gazetarit tjetër i cili që në një gazetë të përditëshme, kishte “lavdëruar modelin ekonomik të Shqipërisë” duke theksuar se në vendin e Shqiponjave nuk kishte kurrfarë inflacion (!) kurse në Greqi inflacioni aso kohe ishte rreth 25%! Sigurisht gazetari lavdërues nuk na thoshte në se kishte mallra të bollëshme në Shqipëri dhe se si mbaheshin çmimet të palëvizëshme për shumë vjet! (dukej nuk e dinte!)

Historiani i njohur pra, si shau me gjithë shpirt vallet, valltarët dhe sidomos vashat shqiptare që “vallzonin si hanume” në oborrin e Sulltanit, i u sul Tiranës pse nuk kishte lejuar të dyzet priftërinjtë të udhëtonin lirisht në Shqipëri “Pse i ka frikë klerikët, përfaqësuesit e ortodoksizmit Hoxha? Që të mos u zgjojë...”vorioepirotëve” ndjenjat fetare që ai i ka ndaluar me ligj? Kjo na qënka demokracia enveriane? (thua se komunistët grekë luftonin për një demokraci të vërtetë!) dhe si i lante hesapet me priftërinjtë, i kthehej gazetarit që kishte lavdëruar modelin ekonomik të Shqipërisë “socialiste”! Dhe ja çfarë shkruante: “Si është e mundur të përparojë një vend kur nuk ka aspak inflacion? Ekonomia lëviz, është e gjallë dhe nuk mund të qëndrojë pa ndryshime akoma dhe në çmimet e mallrave!” Afërmënç se as ai as unë mirrnim erë nga “ligjet” e ekonomisë. Megjithatë nuk mund të mos na dukej e çuditëshme se si një ekonomi që të përparonte duhet të kishte dhe inflacion! Ishte koha kur në Greqi inflacioni (ngritja e çmimeve) ishte rreth 25% në vit për të cilin ankoheshin dhe protestonin përditë grekët e asaj kohe! Në këtë kuadër pra (pa pasur asnjë synim mbrojtjen e regjimit komunist në Shqipëri- si do të ishte e mundur një gjë e tillë?!) shkrojta një shkrim ku si mbroja në mënyrë të rreptë folklorin dhe këngët e vallet të ansamblit shqiptar dhe si shprehja habinë time se si ishte e mundur të mblidheshin dyzet priftërinj (!) dhe të gjithë të kërkonin të “vizitonin” “Shqipërinë ateiste” kur dihej se në këtë vend nuk mund të udhëtonte një vizitor i thjeshtë. (Thoshja: a nuk bie erë provokimi kjo kërkesë që këta klerikë duan të shkojnë në Shqipëri, kur këtu nuk i lejohet asnjë vizitorit të thjeshtë të kalojë kufirin?” dhe më tej shtoja: “Brengos dhe fakti që një eksponent i së majtës, madje në gazetën komuniste Avji, merr në mbrojtje nacionalistët dhe shovinistët ekstremë antishqiotarë...” dhe në fund shprehja habinë time për ekonominë: “zotria në fjalë sikur i vjen keq për shqiptarët se atje nuk paska ngritje çmimesh se në këtë mënyrë nuk mund të ketë ecje përpara ekonomike.. Na çudit se si është e mundur të flitet kështu për një ekonomi të mbyllur dhe të panjohur nga një njeri që ankohet përditë për inflacionin në Greqi...!) Shkrimi im e zëmëruan shumë shkrimtari, gazetari dhe historianin e “madh” dhe m’u përgjigj aty për aty. Si shau sa mundi “vendin e shitur tek imperializmi amerikan,” m’u drejtua me këto fjalë arrogante: “kur i pëlqen kaq shumë Shqipëria pse nuk shkon atje të jetojë, por rri në Greqinë kapitaliste me inflacion të madh?!” Ishte një provokim i poshtër fashist. Por nuk pata nevojë t’i përgjigjem unë. Shumë gazetarë dhe shkrimtarë, bashkëluftëtarë të mi për demokraci në Greqi më morën në mbrojtje duke i u përgjigjur me rreptësi provokuesit “komunist” Disa prej tyre e akuzuan për metoda fashiste që ishin të njohura në atë kohë... nga të gjithë demokratët e vërtetë grekë.

Ky episod m’u kujtua kohët e fundit që flitet kaq shumë për krizën ekonomike që ka mbërthyer thellë Greqinë dhe në përgjithësi Europën e më tej akoma. Nuk jam njohës i ligjeve të tregut, as të globalizmit, akoma dhe të së ashtuquajturës “Europë të Bashkuar” por dihet se sa shpresa kishte kultivuar në të kaluarën një Europë e Bashkuar me një monedhë të përbashkët. Madje rreth njëzetepesë vjet u vu re një mirëqënie e paparë të popujve europjanë, sidomos ata që përbënin bashkimin dhe më vonë eurozonën ku më se pesëmbëdhjetë vende u bashkuan në një monedhë të përbashkët, euron, juron ose evronë! Të gjitha vendet që mbeteshin jashtë këtij bashkimit, lakmonin dhe ëndërronin që një ditë të bëheshin pjestarë të kësaj familjeje të madhe dhe të përparuar! Kaq shumë e lakmonin këtë sa u gjenden shkrimtarë të famëshëm shqiptarë të kërkonin të ndërronin besim fetar shqiptarët myslimanë dhe të pagëzoheshin masivisht të krishterë se kështu do t’u hapeshin më shpejt dyert e familjes së madhe dhe të lumtur europjane! E vërteta është se jo vetëm shqiptarët kishin një ëndërr të tillë, por të gjitha vendet që mbeteshin jashtë akoma dhe Turqia Euroaziatike! Vetëmse shqiptarët, si kudo, edhe këtu i smadhonin në mënyrë ekstreme të mirat që mund t’u sillte Europa e Bashkuar. Veçse vitet e fundit tregojnë se asgjë nuk mund të jetë e lehtë për popujt e vegjël dhe të varfër akoma dhe në bashkimin europjan. Gjithsecili duhet t’i zgjidhë vetë problemet ekonomike-financiare të vendit dhe “ndihma” europjane nuk jipet kursesi pa kushte që të pasurohen disa dallaverxhinj. Kjo s’do të thotë se unë jam kundër “Bashkimit Europjan” dhe të ardhmen e Shqipërisë në këtë familje të madhe popujsh. Por duhet ta kemi të qartë se problemet duhet t’i zgjidhin vetë shqiptarët dhe duhet ta marrin vendim se nuk do të jenë plotësisht zotër të vendit të tyre se vendimet ekonomike do të mirren në... Bruksel! Do të thoni se kjo nuk prrish punë. Punë prrish, por në se në këtë mënyrë vendi i shqiponjave, do të rregullohet, do të bëhet bashkëkohor, i lirë, me demokraci të vërtetë, ja vlen që të na ...këshillojë aty këtu Brukseli, Parisi apo...Berlini! Asnjë vend në botë i mbytur në korrupsion si ekonomik ashtu dhe politik, nuk mund të ketë të ardhme në këtë bashkësi.
Por le t’i kthehemi krizës ekonomike. Si shpërtheu kjo krizë? Si u mbytën në borxhe këto vende? Kush e drejton tekefundit ekonominë botërore? Mos disa qëndra aksionare që po bëhen dinaste të popujve? Dhe, në fund të fundit, ç’u bënë paratë që qarkullonin dhjetveçarët e fundit që papritur arkat e disa vendeve u gjendën bosh në mëshirë të qendrave aksionare botërore? Sigurisht paratë nuk u zhdukën kështu papritur si vesa e mëngjezit. Dikush i ka grumbulluar, dikush i përdor dhe sot që të varfërojë dhe popuj të tjerë. Dhe si ka mundësi të lejohen disa zyra aksionare fajdexhinjsh të drejtojë dhe të shfrytëzojë ekonominë botërore? Kush i drejton këto dhe kush fshihet prapa tyre?

Sigurisht bankerët dhe sistemi bankar botëror.Këta po grumbullojnë rezervat monetare botërore, jo në mënyrë të zakonëshme, por nëpërmjet lojnave kopjuterike. Qeveritë, akoma dhe të vendeve më moderne si janë Sh.B. A. dhe ato europjane kanë mbetur shumë prapa në këtë drejtim, nuk krijuan sistemin bashkëkohor të informatikës elektronike me kohë dhe papritur u gjenden në mëshirë të bankerëve dhe të fajdexhinjve që luajnë miliarda dollarë dhe euro përditë në lëvizjen monetare aksionare. Shkaku tjetër është superkonsumi dhe mosprodhimi. Kjo ka të bëjë me vendet e dobëta dhe të vogla si Greqia. Këto vende për shumë vjet shpenzonin më shume nga se prodhonin. Të marrim shëmbull një familje që ka të ardhura një mijë euro në muaj. Në se kjo familje shpenzon njëmijë e dyqin ose më shumë duke marrë çdo muaj kredi nga bankat-themi nga bankat jo nga fajdexhinjtë që janë shumë më të egër- ç’do të bëhet pas dhjetë njizet vjet kur t’i vijë fatura e shlyerjes së kredisë? Sigurisht do të falimentojë, do të shesë çdo pasuri që ka dhe përsëri do të mbetet borxh. Sigurisht ky është një thjeshtëzim i tepruar, se krejt ndryshe veprohet në kreditë e shteteve me bankat e me shtetet e tjera...

Dëgjoj se pushtetarët e Tiranës mburren se vendi i tyre nuk e ka prekur kriza ekonomike. Më duket se nuk kanë kuptuar se kjo krizë është sëmundje ngjitëse, sidomos për vendet e dobëta që nuk kanë prodhimtari. Në radhë të parë duhet ta kenë parasysh se të ardhurat nga emigracioni janë pakësuar dhe do të pakësohen përherë e më shumë, për arsye të papunësisë që i ka prekur emigrantët. Shumë nga këta kthehen në Atdhe me torbën bosh duke i u shtuar radhëve të papunëve në Shqipëri. Prandaj më lejoni të them një mendim:
Vitet e ardhëshme do të kërkohen shumë prodhimet ushqimore-blektorale dhe bujqësore.
Ai vend që do të prodhojë produkte të tilla si për vendin ashtu dhe për eksport do të dalë i fituar. Shqipëria i ka të gjitha kushtet tokësore dhe klimaterike të prodhojë. Mjerisht fushat e Shqipërisë janë të braktisura. Nuk ekziston një politikë qëndërore në këtë drejtim. Të gjithata emigrantë që kthehen pra dhe kanë lënë të braktisur deri tani tokën e bukës le t’i kthehen punimit të saj. Të prodhojnë drithra, fruta, zarzavate, produkte blektorale e të tjera dhe të jenë të sigurtë se do të dalin të fituar. A nuk është jo normale që shqiptarët të konsumojnë domate dhe perime nga importi? Prodhoni pra mallra të tilla të cilësisë së lartë-përvoja nuk ju mungon tashmë- i hyni me zell elektronikës-kemi kaq njerëz të kualifikuar në këtë drejtim dhe vini mjetet moderne- internetin e të tjerë- në shërbim të prodhimit dhe të qarkullimit të mallrave të prodhuara nga vetë juve. Nuk ka rrugë tjetër për të ardhmen- popullsia botërore (bota tashmë është një fshat i madh!) po shtohet në mënyrë marramëndëse kurse prodhimet ushqimore po pakësohen. Nesër popujt nuk do të mundin të ushqehen me kompjutera ose me celularë, këto mjete duhet sa më shpejt të vihen në shërbim të prodhimit dhe në Shqipëri . Vetëm atëhere Shqipëria dhe çdo vend i vogël mund të mburret se nuk i trëmbet krizës botërore...
Këto nuk janë këshilla, askush nuk më ka dhënë një të drejtë të tillë. Janë konstatime të një njeriut të thjeshtë që përjeton e vëzhgon papushim krizën ekonomike botërore. Besoj se njerëz me njohuri të posaçme të kenë kuptuar se si duhet t’i paraprijmë kriozës.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar