Skip to content

U bëmë si shqiptarët....

02. 01. 2012 nga Kristo Zharkalliu

Version i përshtatshëm për printim

Kisha menduar të mos shkruaja për pak kohë, duke menduar se nuk kisha ndonjë gjë me rëndësi të thoshja. Jam ngahera i mendimit se kur nuk ke diçka me thënë më mirë hesht!
Dhe shumë herë kam heshtur për një kohë mjaft të gjatë. Nga ana tjetër brengosem në se dikush intreresohet për ato që shkruaj, në se dikush i lexon më. Nganjëherë dua të jem optimist se njerëzit tanë, ata që lexojnë të paktën, mendojnë, brengosen, shpresojnë dhe besojnë tek e ardhmja e tyre dhe të kombit të tyre-në se besojnë akoma se u takojnë një kombi të caktuar, konkretisht atij shqiptar. Sigurisht në këto ditë të Nëntorit detyrohemi t’i kthehemi së kaluarës, duke u përpjekur të kuptojmë historinë njëqindvjeçare të shtetit shqiptar. Ndoshta pyetja më e mprehtë për ditët tona do të ishte: A ja vlente që ata burra të lodhur dhe të moshuar nga luftrat e vazhdueshme, nga vuajtjet e skamjes të një popullit të varfëruar deri në palcë, të mblidhen nga të gjitha skajet e kombit shqiptar në Vlorë dhe të shpallin pavarësinë e një shteti që në fakt nuk ekzistonte? Sa të marrë dhe të guximëshëm duhej të ishin ata burra? Sa trima dhe sa optimistë se dikur do të formohej një shtet i pavarur shqiptar dhe kudo do të shpalosej flamuri që e ngriti plaku Iamail Qemali në qëndër të qytetit të vogël bregdetar të asaj kohe?
Për çudi të miqve dhe për inat të armiqve të shumtë të rajonit, Shqipëria-qoftë tepër e cunguar- u bë shtet i pavarur, tekefundit u bë një shtet i veçantë ku për herë të parë gjuha shqipe u bë gjuha zyrtare e popullit dhe të shtetit shqiptar. Kjo pavarësi kaloi në faza nga më interesante që nga Ismail Qemali, Fan Noli dhe kryesisht nga mbretëria e Ahmet Zogut deri tek diktatoria absolute e Enver Hoxhës. Regjimi i Zogut konsulidoi për herë të parë një shtet “bashkëkohor”, por patjetët jo absolutisht i pavarur. Kjo ishte e natyrëshme për rrethanat dhe mundësitë e një shteit të vogël në mes armqish të Ballkanit. Sidoqoftë pushteti i Zogut ishte një nga regjimet më të qëndrueshme në Ballkanin e asaj kohe ku kryengritjet, grushtet e shtetit, rrebelimet ishin pothuajse të përditëshme. Ndoshta, sipas mendimit tim, Zogu bëri gabimin fatal, që e shpalli veten mbret. Megjithatë nuk mund t’i hamë hakun dhe të mos pranojmë se shteti shqiptar u njoh si i tillë me regjimin e tij. Mjerisht Lufta e Dytë botërore do të përmbyste gjithçka në Europë, si rrjedhojë dhe në Shqipëri. Jam i bindur se pa çmëndinë e Musolinit dhe të Hitlerit, fati i Shqipërisë do të ishte krejt ndryshe si dhe për shumë vende të Europës e të Ballkanit. Falë fashizmit dhe nazizmit, në shumë vende pushtetin e morën komunistët, ndonëse nga hera pakicë në masat popullore. Nuk ka dyshim se edhe këta e morën pushtetin me dhunë dhe me dhunë e mbajtën në duart e tyre për afro pesëdhjetë vjet... E, me komunizmin mund të themi se Shqipëria për herë të parë u bë absolutisht e pavarur ashtu si u bë absolutisht e varfër! Shqiptari duhej të ishte krenar se i kishte thënë jo Amerikës, Jugosllavisë titiste, Rusisë hrushoviane dhe së fundi Kinës të Ten Hsiao Pinit! Por mjerisht barku nuk mbushet me krenari, lëkura nuk mbulohet me leckat e krenarisë! Sigurisht një ish kryeministër(disa e konsiderojnë viktimë e komunizmit dhe atë!) kishte deklaruar: “Populli shqiptar është gati të hajë bar, por nuk do të gjynjëzohet!” Veçse “kryeministri” në fjalë për vete ushqehej me mish e peshq, duke pirë shampanjë,djemt e tij studjonin në Suedi e gjetkë kur më shumë se tre milion banorë hiqeshin zvarrë nga skamja dhe shtypja çnjerëzore e pushtetarëve. Megjithatë Shqipëria ishte e pavarur aq sa edhe udhëheqës politikë të perëndimit e kishin zili! Por epoka e diktaturës kaloi dhe populli i shkretë që donte të përmirësonte jetën e tij, shpërtheu si askund gjetkë duke u larguar nga trualli i tij drejt vendeve të tjera ku rekllamohej parajsa mbitokësore!
Shqiptarët nuk i u sulën vendeve të tjera për të rrëmbyer e për të vjedhur: thjesht kërkonin
një jetë më të mirë dhe këtë donin ta bënin duke punuar ndershmërisht dhe kurrsesi duke kërkuar lëmoshë. Megjithatë shumë shpejt u bënë objekt poshtërimi, përbuzjeje dhe frikësimi në të gjithë shtypin europjan- akoma dhe të atyre vendeve ku shqiptarët nuk kishin mundur të shkonin ...akoma. O zot po na vijnë kusarët shqiptarë! Rrezikohemi nga kriminelët shqiptarë! Mafja shqiptare po kontrollon drogën dhe prostitucionin...botëror! (Thua se në botën perëndimore deri atëhere nuk kishte kurrfarë trafikantë droge dhe prostitucioni! Për këto “plagë” të botës “së përparuar”fajtorë ishin domosdo shqiptarët!) Ruhuni pra nga shqiptarët! Mbyllni mirë dyert e dritaret e shtëpive! Po qe nevoja, armatosuni! Rreziku shqiptar ështe tepër i madh për njerëzit e ndershëm dhe të qetë!
Por të gjithë këta që çirreshin kështu, vetë i mirrnin në punë shqiptarët. Me kusht që t’u jipnin më pak se gjysma e mëditjes që mirrnin punëtorët vendas. Shumë herë i mbanin në punë disa muaj pa i paguar dhe kur shqiptari guxonte të kërkonte rrogat, pronari lajmëronte policinë se...shqiptarët po i kërcënonin familjen e tij të ndershme, policia arrestonte shqiptarin e paligjëshëm dhe në rastin më të mirë e dërgonte prapa në vendin e tij me xhepat bosh.. Kaq shumë deskreditoheshin shqiptarët, sidomos nga masmedjat private, saqë edhe kur dikush vriste një shqiptar të konsidrohej...mbrojtje. Do t’ju sjell dy shëmbuj kuptimplotë këtu (këto shqiptarët i dinë mirë, por më mirë t’i shkruajmë që të mos harrohen!). Na pra çfarë ndodhi:
Një fshatar andej nga Maqedonia, kishte një vajzë të bukur e cila kishte bërë dashnor një polic të vendit. Ky polic e kishte bërë zakon të hynte natën nga dritarja e vajzës (si bënin shumë dashnorë qëmoti!) ku kalonte mirë e bukur me dashnoren e tij.. I ati i vajzës e diktoi këtë dhe një mbrëmje i zuri pritë me pushkë në dorë dhe kur i riu doli nga dritarja e së bijës ja futi plumbin duke e shtritë për tokë të vdekur! Ditën tjetër, kur e arrestuan, tha në hetuesi: “Kujtova se ishte vjedhës shqiptar, prandaj e qëllova!” Madje këtë justifikim lehtësues paraqiti në gjyq edhe avokati mbrojtës i tij!...
Rasti i dytë ishte kur dikush kishte vrarë një shqiptar dhe u dënua me një... gjobë dëmshpërblimi për familjen e shqiptarit rreth treqind e pesëdhjetë mijë drahmes (domethënë një mijë euro të sotëm!) Në një bisedë në televizion një nga juristët më të njohur të Athinës, i cili kishte mbrojtur vrasësin, thoshte: “350.000. drahmes për vrasjen e një shqiptarit që dyshohej për vjedhje, nuk janë pak! Sa mund të paguante një fshatar?!”
Mund të sjell me dhjetra shëmbuj të tillë, por nuk dua të kujtojmë ngjarjet e hidhura të asaj kohe.. Por ajo kohë ka kaluar tani dhe shqiptarët rrallë e ku përmenden për akte kundërligjore, sidomos në Greqi, të cilat janë menjimënd të vërteta. Shqiptarët treguan, me përjashtime të vogla dhe të papërfillëshme (keqbërësit nuk mungojnë kurrë) se ishin larguar nga vendi i tyre për të gjetur një jetë më të mirë dhe këtë, me punën e tyre të palodhëshme, në shumicën e rasteve ja kanë arritur. Shqiptarët nuk sillen rrugëve duke lypur më, shqiptarët nuk dallohen më nga vendasit, madje shumë prej tyre po kthehen në vatrat e tyre, ku, me djersën e derdhur jashtë atdheut, të rifillojnë një jetë më njerëzore. Nga ana tjetër duhet të themi plotgojë se populli grek menjimënd e mbështeti shqiptarin e varfër, i dha bukë dhe veshmbathje, i dha strehë, atë që kishte mundësi në fillim dhe, sado çirreshin Mjetet e Informacionit Masiv-sidomos televizioni privat dhe organizatat fashiste, shoviniste raciste,- shqiptari gjeti ngrohtësinë e duhur që, me punën e tij, ja shpërbleu popullit grek. Prandaj besonim se kjo periudhë e zezë të propagandës antishqiptare kishte mbaruar, ishte harruar, por mjerisht ishim gënjyer...
Kohët e fundit kur kriza ekonomike ka mbërthyer prej fyti Greqinë dhe vendet e tjera europjane, jo vetëm mjetet e informacionit por mjerisht edhe politikanë-akoma dhe socialistë,- kanë filluar edhe njëherë të vjellin antishqiptarizimin e tyre.Sinjalin e parë e dha vetë ish kryeministri, kur, duke dashur t’u kundërshtonte pretendimeve e europjanëve për uljen e pagave, deklaroi: “Nuk do të bëhemi si India..” Ma merr mëndja se në Indi nuk është dëgjuar kjo deklaratë, por edhe sikur ta kenë dëgjuar besoj se India është vend tepër i madh dhe i pasur dhe nuk ka pse të brengoset nga vlerësimet e një kryeministrit të një vendit të vogël- popullsia e të cilit nuk e tejkalon numërin e banorëve të një qytetit indian si është, fjala bie, Bombej...Por pas kësaj filluan bombardimet kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, sikur të gjithë politikanët grekë-ministra dhe jo- donin të korrigjonin ish kryeministrin duke i thënë: Ç’vete kaq larg ti? Ne ja ku e kemi Shqipërinë për të cilën mund të themi ç’të duam pa na e çarë kokën askush! Kështu nisën deklaratat njëra pas tjetrës si në Kuvënd (Vuli) ashtu dhe në shtyp e në televizion..”Nuk do të bëhemi si Shqipëria e Hoxhës ne!” Mirë, këtë mund ta justifikojmë dhe të besojmë se Greqia nuk është bërë as do të bëhet kurrë si Shqipëria e Hoxhës. (ndonse nuk janë pak ata komunistë që ëndërrojnë një Greqi të tillë!). Greqia qe fatlume se nuk ra në duart e Moskës dhe komunistëve vendas pas luftës, për hir të ndërhyrjes dhe ndihmës angloamerikane Kësisoj populli grek pati të gjitha mundësitë të jetojë në liri e demokraci dhe duke pasur ndihmën e gjithanëshme të aleatëve perëndimore, mundi të pasurohet duke u dalluar nga të gjitha vendet e rajonit. Në këtë drejtim pra nuk kem pse të indinjohem kur bëhen krahasime të tilla, por kjo sikur nuk u mjaftonte politikanëve dhe gazetarëve greke. Ç’na duhet Hoxha neve?-thanë. Ai ka më se njizet vjet i vdekur dhe diktatoria komuniste është shëmbur qëkur... Si harruam ikanakët e leckosur shqiptarë?
Dhe filluan të bëjnë fjalë për shqiptarët dhe jo për Shqipërinë e së kaluarës. Bo, bo, po bëhemi si shqiptarët! Bo, bo, shumë grekë kërkojnë të emigrojnë jashtë Greqisë, si shqiptarët! Thua se grekët nuk e kishin njohur askurrë emigrimin! Harruan ato qindra mijra që shkuan për punë dhe rregulluan jetën e tyre në Gjermaninë Perëndimore të atëherëshme dhe në vendet e tjera, deri në Australi, Kanada, Amerikë e ...Zelandën e Re!
Duke dëgjuar pra këta politikanë, të cilët në përgjithësi janë përgjegjës për krizën ekonomike dhe vështirësitë e popullit grek vitet e fundit, të duket se emigracioni ishte dukuri shqiptare në shekullin e kaluar, madje harrojnë sa emigrantë të paligjëshëm kanë mbërritur në Greqi nga vendet afroaziatike! Jo, shqiptarët janë objekti më i favorëshëm, të cilët mund t’i shajnë, t’i poshtërojnë, t’i përbuzin dhe askush nuk mund t’u përgjigjet! Akoma dhe një shaka që bëri një ministër shqiptar (ministrat nuk bëjnë kurrë shaka me zarar, zotri!) se gjoja Shqipëria është gati të presë ”emigrantë ekonomikë grekë” u bë çështje “serioze” në Parlament. Dhe deklarata e fundit e ministres së arsimit se “ne Greqinë nuk do ta bëjmë si Shqipërinë” ishte plotësisht e drejtë, veçse do t’i thoshja zonjës Anës- të cilën menjimënd e kam përkrahur dhe dashur- të na thotë sa shkolla shqipe janë hapur, me leje të saj, për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe sa shkolla greke funksionojnë sot në Shqipëri (nuk flasim për zonat e minoritetit se atje kanë funksionuar në mënyrë të ligjëshme ngahera sa ekziston shteti shqiptar) si në Tiranë, Korçë, e në qytete të tjera shqiptare deri në...Shkodër? Por këto, kur duhet të bëjnë politikë “populiste.” i harrojnë, thua se kështu do të bindin popullin grek për masat antipopullore që po mirren përditë. Por duhet theksuar se populli grek nuk do të varfërohet kurrë, nuk ka mundësi të bëhet si shqiptarët e kohës së Hoxhës dhe jam i bindur se shumë shpejt ky popull trim, punëtor dhe liridashës do të dalë nga kriza.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar