Skip to content

Një fjalë të mirë ta themi...

09. 01. 2012 nga Kristo Zharkalliu

Version i përshtatshëm për printim

Shumë rrallë dëgjon nga goja e emigrantëve shqiptarë një fjalë të mirë për vendin e tyre ashtu dhe për organet e shtetit shqiptar. Kam parë me syt e mi në doganën e Kapshticës ku doganjerët shqiptarë nuk u sillnin asnjë pengesë dhe u shërbenin me shpejtësi, madje me mirësi udhëtarëve dhe kur mbërrinin afër doganës greke i mbanin pesë dhe gjashtë orë në diell dhe në shi, pa bërë zë, kurse po të thoshte një fjalë një polic shqiptar menjëherë indinjoheshin të gjithë, madje për të gjitha këto fajin e kishte shteti shqiptar! Mjerisht as në shtypin e emigracionit gjen të shkruar një fjalë të mirë inkurajuese për Shqipërinë, thua se emigrantët tanë e kanë marrë me inat vendin e tyre. Ja, po të shohin në rrugët e Tiranës një lypës “evgjit” (nga ligji ky karakterizim racist ndalohet!) e paraqesin sikur kjo të jetë dukuri vetëm shqiptare, thua se në rrugët e Athinës nuk gjen asnjë lypës, asnjë drogoman, ashtu si nuk gjen në Paris, Londër ose...Moskë! Shumë herë jam brengosur nga shkrime të tilla të njëanëshme, pa dashur kurrsesi të fshehim realitetin e hidhur shqiptar. Por, meqënëse jemi mësuar me “të keqen” shqiptare, nuk mundim të shohim përapara hundës sonë realitetin e hidhur në vendet ku kemi emigruar...
Këtu dua të paraqes disa raste ekstreme të shtrrëmbërimit të realitetit shqiptar. P.sh. kurrë nuk dëgjon një fjalë të mirë për ambasadën shqiptare të Athinës. Meqënëse kam mjaft vite të shkoj për “vizitë” në këtë ambasadë, pyesja majtas djathtas të mësoja se si funksi
ononte vitet e fundit. Askush nuk më thoshte fjalë të mira. Të gjithë më flisnin për “rushfete” që paguanin tek nëpunësit për një vertetim, për një dokument, për një shërbim. Sikur me të shkelur në sallënn e ambasadës të gjithë nëpunësit qëndronin në radhë që të rrëmbenin paratë e emigrantëve të ngratë. Para disa vitesh kisha parë me sytë e mi disa “xhambazë” mëndjemëdhenj që u shisnin nevojtarëve numra për të zënë radhë për dokumenta në ambasadë-thoshin se këto para i ndanin me nëpunësit e ambasadës- dhe kur dikur punonjësit e ambasadës thirrën policinë greke që t’i kapnin dhe t’i ndëshkonin këta matrapazë, shtypi shqiptar gjeti rastin të akuzojë prapë ambasadën për këtë....paturpësi të kërkonte ndihmën e policisë të nje vendi të huaj kundër...”qytetarëve shqiptarë”!!! Besoja pra se kishte marrë fund ajo periudhë të mjerimit dhe të poshtërimit të emigrantit shqiptar.Kësisoj, para një vit e ca, kur unë brengosesha për paraportë të re, pyeta një gazetar në se dikur këto do të aplikoheshin në selinë e ambasdës. Më tha se pritej vendimi i ministrisë së jashtme. Pikërisht tre ditë më pas një i njohuri im më mori telefon dhe më tha se kishte nxjerrë pasaportë biometrike në ambasadë dhe se përveç njëqin e njizet euro që duheshin sipas ligjit, ishte detyruar t’i jipte nëpunësit treqind euro të tjera nëndorë që të mbaronte punë! Sigurisht nuk kisha arsye të mos e besoja, por pas një muaji në një bisedë tjetër me një gazetar të njohur mësova se akoma nuk kishin filluar të formuloheshin pasaporta në ambasadën shqiptare!
Merreni me mënd habinë time. Nuk mund ta kuptoja se ç’e kishte shtyrë atë njeri të më thoshte një gënjeshtër të tillë? Ai ndoshta besonte se unë nuk interesohesha për pasaportë shqiptare dhe kujtonte se nuk kisha si të mësoja gënjeshtrën e tij, por, mjerisht të pavërteta të tilla hidhen përditë në pazar jo vetëm me gojë por edhe me shtyp. P. sh. nuk kam gjetur asnjë udhëtar shqiptar të mos më thotë se sa herë e...gjobitin policët shqiptarë nga Kakavia deri në Tiranë kur udhëtojnë me makinë me targë greke! Veçse këtë rrugë e kam bërë dhe unë disa herë me makina të tilla dhe askurrë nuk ka bërë vaki një gjë e tillë. Pse? Mos se më njohin mua? Nuk ma merr mëndja që policët shqiptarë të lexojnë gazetën e Athinës ose gazetat e tjera të emigracionit...Megjithatë nuk dua të besoj se më gënjejnë..
Por fjalën e kisha tek pasaporta dhe Ambasada shqiptare. Para tre muaj e ca mësova se në ambasadë aplikohen pasaporta të reja. Unë kisha nevojë të madhe për një pasaportë të re se jam i detyruar të udhëtoj në vendet arabe.Më kot u përpoqa të komunikoj nëpërmjet telefonat që jipen nga shtypi. Askush nuk i ngre këto thua se ambasada është e shkretuar. Duket se këtë mariifet e kanë mësuar nga spitalet greke që shumë rrallë i ngrejnë këto telefona! Sidoqoftë e qava hallin tim tek miku im gazetar. Ai më dha telefonin celular e zotit Rezart Bejkaj. Ky më udhëzoi se si do të shkoja një javë më vonë duke paguar njëqind e njizet euro në Bankën e Pireut. Nuk e kuptova pse duhej t’i paguaja në bankë. Më vonnë mësova se për arsye korrupsioni u ishte ndaluar nëpunësve të mirrnin para në dorë. Sinqerisht kjo më pëlqeu shumë. Që të mos e zgjasim veprova si më tha zoti Bejkaj dhe pas një jave munda të formuloj dokumentat përkatëse. Këtu dua të theksoj-që të mos jemi gjysmakë- se për mua u bë një lëshim i vogël që të kaloja jashtë radhës për arsye të moshës dhe të...emrit. Dua ta them plotgoje: shërbim më të kulturuar e më të shpejtë nuk kam takuar deri sot në asnjë shërbim qoftë shqiptar qoftë të huaj. Njerëzit janë profesionistë të përsosur që përdorin aparaturën më moderne në mënyrë të përkryer. Vetëm kur mbarova m’u afrua konsulli, zoti Alfred Sotiri i cili më përshëndeti me përzëmërsi dhe më..ftoi për një kafe. Akoma nuk e kemi pirë kafen. Ishte ai që pas një muaji më dorëzoi pasaportën dhe letërnjoftimin, si u a dorëzonte të gjithëve sipas radhës..
Këtu dua të shtoj disa ngjarje nga udhëtimi im në Korçë dhe qëndrimi negativ të emigrantëve ndaj vendit të tyre. Ato njizetekatër orë që qëndruam në qytetin tim të dashur vura re disa dukuri që më lënduan. Ndërtimi i kishës së madhe në qender të qytetit është një fakt i kryer prej vitesh dhe nuk dua të komentoj këtu që të mos keqkuptohem. Ne e dinim Korçën të bukur me disa karakteristika të veçanta. Një nga këto ishte patjetër monumenti i Luftëtarit Kombëtar. Ky monument i veçantë u dhunua për herë të parë kur kishin vendosur të vinin në vendin e tij monumentin e diktatorit. Pas shëmbjes të diktaturës, u shëmb dhe Enveri dhe u rivendos Luftëtari Kombëtar në vendin e tij ku i takonte. Mirëpo kur të krishterët tanë të mirë vendosën të ngrenin kishën e madhe pikërisht atje ku ishte monumenti i Luftëtarit, domosdo aty nuk kishte më vend një Luftëtar për Liri. E çuan pra më tutje që të mos “prishte” “bukurinë“ e kishës. Sigurisht tashmë Luftëtari i gjorë dukej si pjestar varfanjak i Sheshit të dikurshëm, ku kisha hijerëndë mbizotëron jo vetëm sheshin por dhe qytetin. Por çka, thamë...Luftëtari dikur do të ringjallet, se kështu ringjallen në shekuj Luftëtarët për Liri. Por duket se kisha jonë e shënjtë dhe klerikët e urtë, nuk mund ta duronin atë Luftëtar pranë kishës së tyre! (them unë...) Kështu u bëra dëshmitar të një vdekje të re të Luftëtarit tonë. Atë ditë që unë u ndodha në Korçë, Bashkia kishte dërguar një vinç të madh me të cilin hiqte nga pjedestali Luftëtarin Kombëtar! U habita, si u habitën të gjithë korçarët! Ku po e çojnë? Mos në ndonjë depo ku prehen dhe ”monumentet” komuniste? Asnjeri nuk ishte në gjendje të më jipte një shpjegim. Dua të besoj se Bashkia ta ketë vendosur në ndonjë vend më të përshtatëshëm monumentin e mrekullueshëm të Odisa Paskalit dhe se atje nuk do ta ngacmojë më ndonjë kishë, xhami ose Bashki. Ju lutem pra, e lini të qetë Luftëtarin tonë me dyfek në dorë të ruajë atë pak nder dhe dinjitet që na ka mbetur. Në demokraci nuk i shembim të gjitha falë parasë.
E shikoni? Edhe unë vura re një dukuri negative. Por kjo s’do të thotë se nuk duhet pranuar se Korça është zbukuruar e përtëritur.. Sa herë kam shkuar në Shqipëri më kanë pëlqyer lokalet moderne që janë ndërtuar nga ish emigrantët. Kështu në mbrëmje një i afërmi ynë na mori me makinë mua dhe një emigrant dhe na çoi që të pinim nga një...xhin tonik! Emigranti i shikonte të gjithë me përçmim megjithëse lokali ishte shumë i bukur si nga më modernet në Athinë. Vaska përpiqej ta bindte se kanë ndryshuar shumë gjëra në Shqipëri. P.sh. nuk ndërpriten më dritat dhe uji. Ai çdo gjë e shikonte dhe dëgjonte me mosbesim. Për lokalin pyeti: “Ku i gjeti ky paratë që e ndërtoi këtë lokal madhështor?” Sigurisht nuk kishim përgjigje. Kur dikur shërbyesi na solli llogarinë, na vuri përpara dy bileta. Njëra shkruante nëntëqind lekë dhe tjetra njëqind e pesëdhjetë. Shoqëruesi pagoi vetëm nëntëqind. Atëhere e pyeta: ç’është kjo me njëqind e pesëdhjetë? “Janë paratë që paguan taksë-m’u përgjigj- Kompjuteri i lokalit është lidhur me atë të qëndrës financiare, kështu shteti e di në çdo çast sa para duhet të marrë. Në këtë mënyrë pronari i lokalit nuk ka asnjë mundësi të vjedhë...” U habita këndëshëm. Veçse emigranti e kishte prapë dyshimn e tij. “Dhe ku e di financa se ky u pret të gjithëve biletë pagimi nga kompjuteri?” “Këtë nuk e di unë- tha Miku ynë.- Atë që di është se po e kapën të bëjë një gjë të tillë i mbyllin lokalin menjëherë pa vendim gjyqi!” Sigurisht që emigranti nuk u bind. Ashtu si nuk u bind edhe kur dëgjoi se punëtoret që punojnë në fabrikën e tij- ka një fabrikë shumë të mirë në Korçë dhe tani po e zgjeron- paguhen dhjetë euro në ditë. Por nuk i tha gjë përpara, ma tha mua ditën tjetër. “Në përgjithësi-tha- punëtoret këtu nuk paguhen më shumë se tre katër euro në ditë!” Ka mundësi të ketë të drejtë se unë nuk kam mundësi ta përgënjeshtroj. Nuk dua pra kurrsesi të them se emigranti ynë nuk ka të drejtë, ai i di gjërat shumë më mirë se unë. Por nganjëherë bëhemi zëmërgjërë dhe duam të besojmë të mirën Këtu m’u kujtua një histori që më tregonte miku im Skuludis. “Në kohën e Turqisë-më thoshte- përpara pallatit të Pashait në Kretë-në përgjithësi këta ishin shqiptarë- një plak që quhej Manolis shiste salep tek kalimtarët. Pashai kalonte shpesh andej dhe e përshëndeste: “Mirëmëngjes Manolis, si të kam?” “Mirë Pashai im, të paçim shëndoshë!” kurse nga brënda thoshte “hajde thyej qafën...” Një ditë Pashai po bëhej gati për udhëtim dhe para se të ikte i tha Manolit: “Po shkoj në Stamboll, ç’t’i them Sulltanit nga ana jote?” “E ee, i thuaj të fala” tha Manolis që me zor e duronte talljen e Pashait. Por se i fliste çdo ditë Pashai ishte një nder i madh për të. Pashai u kthye nga Stambolli pas dy muajve dhe menjëherë, kur pa Manolin, ndali karron dhe zbriti poshtë. “Mirse të gjej o miku im Manol!” thirri ai. “Mirse na erdhe Pashai im jetëgjatë! Ç’të reja nga Stambolli?!!!” Atëhere Pashai i u afrua dhe gjoja në konfidencë i tha plakut salepshitës: “Ç’të të them Manol vëllai! Ai Sulltani më pyeste vazhdimisht për ty! Si është Manoli, si është Manoli ynë!” Plaku dinak qeshi, ngriti kokën dhe i u përgjigj Pashait: “E di o Pashai im se më thua rrena (gënjeshtra)! Por m’i thuaj, m’i thuaj, se më pëlqejnë!”
Kjo na tregon se nuk është keq nganjëherë t’i zbukurojmë pak më shumë gjërat. Shumë herë emigrantët tanë kanë të drejtë, por nuk është e domosdoshme të themi vetëm gjërat negative. E dimë se në Durrës ka mushkonja, e dimë se plazhi nuk është kaq i pastër sa duhet, por duhet të dimë se atje janë ndërtuar vitet e fundit shumë hotele dhe banesa moderne të cilat ngahera i injorojmë ashtu si injorojmë dhe rrugët që janë ndërtuar.
Besoj se me këto që shkrojta këtu, të mos lëndoj njeri. Duhet ta dini se unë nuk jam gazetar dhe kurrsesi nuk shkruaj reportazhe. Përshkruaj disa dukuri që më pëlqejnë ose nuk më pëlqejnë dhe kjo se më dhimbset vendi nga ku u largova pesëdhjet vjet më parë.

Autori

Komente

Patrioti

10. 01. 2012 nga Anonim, 5 vjet 19 javë para
Koment id: 712

Cfare te mire te flasim per ambasadat tona ne vendet e huaja? Cfare te mirash po shohin emigrantet shqiptare nga keto ambasada. Ja qelloi nje i mire per ju qe iu dha pasaporten duke paguar 120 EUR dhe ju froi ju per kafe Zoti Kristo.Por populli thote se nuk vjen behari me nje lule. E dini ju se neper ambasada shqiptare jane militante partish qe jane ne pushtet,njerez te pa afte e me diplloma te blera. Jo vetem kjo,por ata as qe e vrasin mendjen si te punojne per te hapur shkolla shqipe per femijet e emigranteve te cilet po e humbin gjuhen amtare. Z. Kristo, a i pate lajmet dje se cfare shkruanin gazetat me prestigjoze te Anglise per suksesin e sopranos me fame boterore Elmonela Jaho? Kur ajo erdhi ne Shqiperi para ca kohesh dhe nje interviste ne TV Vizion+ dhe na shokoi te gjitheve per cfare i kishte ndodhur me ambasaden shqiptare ne Rome.Ajo kishte ikur nga Tirana per te konkuruar per kanto ne Verona.Atje fitoi por sekretari i shkolles i tha se per tu regjistruar ne universitet duhet te plotesoje disa dokumenta nepermjet ambasades shqiptare ne Rome.Elmonela shkoi ne Rome vajze fillikat vetem nga Verona por ambasada e jone e la kater ore ne pritje dhe pastaj i thane se nuk mund te bejme gje.Ajo u kthye ne shkolle e merzitur dhe i tha sekretarit se do te shkoj ne Shqiperi por kam frike se nuk do vij me se kemi veshtiresi per tu paisur me viza ne ambasaden italiane. Sekretari i tha se do te ndihmoj une me dokumenta fallco por po u zbuluan une do te humb punen e do demtohet familja ime. Bravo i qofte sekretarit italian qe e regjistroi dhe ajo mbaroi shkelqyeshem.Ajo tha ne TV Vizion+ " Po ju them te gjitheve se une u regjistrova me dokumenta fallco sepse ambasada nuk me ndihmoi. Tani ajo eshte me fame boterore dhe po e nderon Shqiperine. Po mundet ti gjeni telefonin e te flisni me te direkt ne Verona ajo ju a tregon vete kete histori me mire. Sot ajo eshte soprano e pare ne teatrin e operas ne Verona.

Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar