Skip to content

Miqësia anglo-amerikane: Një aleancë në të cilën bota mund të var shpresat e veta

15. 03. 2012 nga Frank Shkreli

Version i përshtatshëm për printim

Kryeministri britanik Dejvid Kameron, në vizitën e tij të pare zyrtare në Uashington, u takua dje në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin amerikan Barak Obama ku diskutuan një numër çështjesh të interesit të përbashkët dhe të gjëndjes aktuale ndërkombëtare. Ndër çështjet kryesore ndërkombëtare, ata biseduan mbi luftën në Afganistan, gjëndjen në Siri, si edhe masat ndërkombëtare kundër Iranit në lidhje me programin bërthamor të regjimit iranian. Në lidhje me Afganistanin, dy udhëheqsit ritheksuan planet për t'i kaluar operacionet ushtarake të NATO-s forcave afgane të sigurimit deri në vitin 2014, duke thënë se në takimin e nivelit të lartë të NATO-s që do të mbahet në Çikago në Maj, do të vendoset faza e ardhëshme e operacioneve në atë vend. Në lidhje me Sirinë, ata thanë se përkrahin përpjekjet politike dhe diplomatike për t'i dhënë fund gjakderdhjes në atë vend, ndërsa i bënë thirrje Kinës dhe Rusisë që të pranojnë një rezolutë të Kombeve të Bashkuara që do të dënonte dhunën e forcave ushtarake siriane kundër civilëve. Presidenti Obama tha se Rusia dhe Kina duhet të përkrahin popullin civil të Sirisë që po sulmohet pa mëshirë nga forcat e presdientit Assad. Të dy udhëheqsit nenvijuan gjithashtu vendosmërinë e tyre për të mos lejuar Iranin të prodhojë armë bërthamore.


Presidenti Obama dhe kryeministri britanik Kameron me bashkshortet dje në Shtëpinë e Bardhë

Disa vërejtës të marrëdhënjeve amerikano-britanike, nga të dy anët e Atlantikut, kanë shkruar dhe komentuar gjatë viteve të fundit se administrata e Presidentit Obama nuk ishte aq e interesuar për të ruajtur dhe kutivuar “marrëdhënjet speciale’’ midis Londrës e Uashingtonit. Ata e krahasonin politikën e tij ndaj Londrës me marrëdhënjet e ngushta që ekzistonin midis Presidentit Regan e Kryeministres Thatçer gjatë luftës së ftohtë, ose me marrëdhënjet e thella midis Presidentit Klinton e Kryeministrit Bler gjatë luftës në Kosovë, dhe më në fund lidhjet e ngushta midis Presidentit Xhorxh W. Bush gjatë luftës në Irak dhe më vonë.

Por siç duket, në një përpjekje për të zhdukur dyshimet e ekpertëve dhe të tjerëve përsa u përket lidhjeve speciale historike midis dy vendeve, Presidenti Obama dhe Kryeministri britanik Kameron – gjatë takimit të tyre në Uashington, ri-theksuan marrëdhënjet e forta midis dy vendeve. Gjatë takimit, Presidenti amerikan iu drejtua Kryeministrit britanik duke i thënë se “Ne qendrojmë së bashku dhe punojmë, përgjakemi dhe ndërtojmë së bashku – në kohë të mira e në kohë të këqia –sepse kur veprojmë kështu, ne dhe kombet tona janë më të sigurta, popujt tanë janë më të begatë dhe bota është më e sigurt, më mirë dhe më e drejtë. Aleanca jonë është jetike, --ajo është e pazëvendsueshme—për sigurinë dhe begatinë që ne kërkojmë jo vetëm për qytetarët tanë, por edhe për popujt anë e mbanë botës.’’

Ndërsa Kryeministri britanik në përshëndetjen e tij tha në Shtëpinë e Bardhë se, “Partneriteti midis dy vendeve tona, dhe midis dy popujve tanë, është patneriteti më i fuqishëm, për përparim, që ka parë ndonjëherë bota. Prandaj, këjo është arsyeja që kur takohen Presidenti amerikan dhe Kryeministri britanik, para tyre është një agjendë e ngjeshur. Edhe këjo vizitë nuk mund të jetë ndryshe. Në agjendën tonë sot kemi Afganistanin, Iranin, Pranverën Arabe, nevojën për tregëti, për rritjen ekonomike dhe për krijimin e punësimeve në ekonominë botërore.’’

Në një kryeartikull të përbashkët , botuar në gazetën Uashington Post, Presidenti Obama dhe Kryeministri Kameron theksuan për lexuesit e kryeqytetit amerikan rëndësinë e marrëdhënjeve Uashington-Londër, duke thënë se ato përbëjnë një aleancë të fortë në të cilën bota mund të var shpresat e saj. “Aleanca midis Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe është një partneritet i përzëmërt, i lidhur me një miqësi të ngushtë historike e tradicionale dhe i bazuar në vlerat e përbashkëta. Gjëja që i bën marrëdhënjet tona të jashtzakonshme dhe unike, është fakti se ne bashkpunojmë në realizimin e aq shumë objektivave. Thënë thjeshtë, ne varemi nga njeri tjetëri – dhe bota varet në aleancën tone’’, thonë bashkautorët, Obama e Kameron.

Në artikullin e tyre, ata shkruajnë gjithashtu se “si dy vende që përkrahin dhe mbrojnë të drejtat e njeriut dhe dinjitetin për të gjithë popujt e botës, ne vazhdojmë të qëndrojmë pranë atyre qytetarëve të guximshëm në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën veriore, të cilët kërkojnë të drejtat e tyre universale.’’

Ata e përfundojnë artikullin në Uashington Post duke sshkruar se ata do të vazhdojnë të kultivojnë dhe të forcojnë këtë partneritet, pasi, sipas tyre, ai është jetik , jo vetëm për të dy vendet e tyre, por edhe për të gjithë botën.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar